Home | Literature | Kohë e malltë

Kohë e malltë

image
Bora fluturon flokë-floke e shtrohet mbi dhe....

 

 

Nga Faik Konica

 

 

Bora

 

 

Kthielltësia e qiellit shkoi me diellin, me lulet, me veren. Vjeshta e trishtimshëm erdhi e iku. Tani, po hyn dimëri, edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftohta. Edhe sot, për të parën herë, zuri të bjerë bora…

 

Prapa qelqeve të dritores, po shikonj. Ngadalë, ngadalë, si kur ka frikë të ndegjohet, bora fluturon flokë-floke e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukuronjë: Dy çupa të vockëla shkojnë, e, në leshërat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafile të ergjenda. Djelmtë qeshin, hidhen, lozin, e lëftojnë me topa. Zoqtë vërtiten rreth e rrotull prakeve: ciu, ciu, një thrimë buke! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha.

 

Flokë-flokë, ngadalë, po bie bora…

 

 

Në Liqen

 

 

Fletë të thata kanë rënë, nga lista e rreth-e-rrotullma, mbi liqen, edhe duken si njolla ari në një pasqyrë të vjetër.

 

As erë, as zë zogu. Një pushin i trishtitshëm. Vetëm, larg së largu, ushtimi i çapeve të ndonjë ëndërrimtari… Rremat herë-herë, e në një hop që të dyja, i bien ujit: qark hapen që venë duke u zmadhuar e duke shtyrë fletët; shuli shket duke u shaluar. Përtej u ndez një dritë që rrezon në një copë të liqenit.

 

 

Malli i Atdheut

 

 

Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S`di ç`të mungon, s`di se ç`të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindem e u rritem, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s`e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jeshë jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç`forcë e ç`bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut…

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00