Home | Literature | " Rapsodia Urbane " e Artur Bakut

" Rapsodia Urbane " e Artur Bakut

image
…Bota bëri rrotullimin e plotë rreth boshtit të vet...

 

Nga Odise Plaku

 

 

Për autorin Artur Baku çdo fillesë e mbaresë e ka një stacion mbërritjeje edhe pse udhëtimi është në drejtime të ndryshme dhe në rrokakapje kohe dhe vendesh sa të afërta e të largëta deri në univers. 

...Dola nga kjo poezi të takohesha me njerëzit,

udhën s’e gjeta dot,

të gjitha udhët më çonin tek ti.

E mbërritja është pikërisht diku, te dikush që e ka kapërthyer, e ka lidhur, e ka robëruar me dashurinë e saj. 

Ndjesia fillon që me vargjet e para ku papritur do të zbulojmë të tjera dimensione njerëzore që fillon me poezinë “Në ag” dhe vazhdon herë pas herë me shpërthime ndjesish të një shpirti të brishtë në brendësi të tij. 

 

…Bota bëri rrotullimin e plotë rreth boshtit të vet,

Ndërsa unë timin rreth i mazhit tënd prej Venusi…

 

Në një shpirt të trazuar njeriu sigurisht mungesa e dikujt ka peshën e vetë, por në vargje poeti ajo merr akoma dhe më shumë peshë, sepse gjuha artistike dhe gjetjet figurative ndërthurur akoma më shumë e shumëfishojnë këtë mungesë ashtu si në poezinë “ Harqet e natës”.

...Harqet e natës

tendosen nga pesha 

e mungesës sate.

 

Po kaq fine na përcillet në poezinë “Bardhësi” edhe ndarja, harresa, e cila zbulon një tjetër aspekt të ndjeshmërisë së autorit dhe zbulimit të botës së tij të brendshme, që në fakt nuk mbetet vetëm e tija, pasi çdo krijesë në marrëdhëniet e tij do ta ketë jetuar të paktën një herë të vetme këtë dukuri shpirtërore.

 

Mbase do të kryqëzohemi diku

në terminale aeroportesh 

me pasaporta të bardha në duar,

ku shkruhet:” Republika e Harresës”.

 

Për Arturin gjetja e detajeve për të ndërtuar poezi sa më me vlerë është e lehtë dhe e vështirë. E lehtë sepse ai është lindur dhe rritur në një qytet legjendash, ka çfarë të fantazojë përmes vargjeve, ka çfarë detajesh të gjejë dhe të sjellë në krijimet e tij, por është edhe e vështirë të mbash në krijimin tënd një histori kaq të rëndë dhe komplekse si ajo e qytetit të Shkodrës. Gjithsesi ai i ka mbledhur në vargjet e këndshme të poezisë “E kuqe e athtë “ ku në mënyrë të përshkallëzuar poeti kalon sa më sendërtim të kalasë, ngjitet nëpër mijëra vjet të historisë së mbretërve ilirë dhe derdhet nëpër ujërat e Drinit dhe befas e çon fantazinë në atë vetëtimë të luspave të peshkut që ngjasojnë me fluturim të legjendave. 

Duke qenë një njohës i mirë i antikitetit, fakte dhe personazheve të tij, autori e përdor këtë galeri në krijimet e tij duke i risjellë, duke i bërë moderne dhe jetësore, me marrëdhëniet e sotme përmes selfies së Agamemnonit apo “ Akili si trofe kufomën e Hektorit e hodhi në instagram”.

Vetëm shekujt kanë ndryshuar, duket sikur do të theksojë autori në poezinë Stinë “Iliade”, ndërsa marrëdhëniet janë po ato me pabesira, me kurthe, me rrënime, por me finesë sjellë që ka edhe Happy End.

 

...Menelau u martua përsëri

me të njëjtën grua, diku brigjeve të Egjeut...

 

Origjinaliteti dhe gjetjet e përdorura nuk i bëjnë të rënda këto vargje, përkundrazi të lehta në përtypje artistike, por të forta në mesazhe dhe idetë që kërkon të përçojë.

Që në fillim të vargjeve poetike që të prezanton autori në vëllimin e tij do të ndeshësh një marrëdhënie që poeti vendos mes tij dhe universit. Duket se forca e gravitetit nuk kalon pa lënë gjurmët e saj dhe e tërheq çdo herë e më shumë në marrëdhëniet që vendosen mes tij dhe këtij universi, me pjesët e tij përbërëse që reflektohen dhe përkthehen në vargje poetike. Por këto marrëdhënie vihen në raporte shpirtrash dhe ndjesish si te poezia “Valë kozmike”.

 

Një ditë 

mes gurgullimave,

valësh

gravitacionale

që përhapen 

nga përplasja 

e dy ëndrrave

diku qosheve 

të universit.

 

Përmes poezisë “Mapoja e vjetër” autori e përcjell kohën e ndarë në dy pjesë. Në atë të fëmijërisë së tij, teksa i ka gëzuar lodrave kineze që i ati ia ka blerë me ato bateritë e skaduara, por prapë e kanë lumturuar. Në ditët e sotme ka mbetur e njëjta ndërtesë tashmë me një pamje ndryshe dhe me një teknologji të sofistikuar ndriçimi.

Është elegant në krahasimet e përdoruara në vargjet e tij dhe dyzimet e marrëdhënieve ndër vite. Gjithsesi është një ecje nëpër kohë dhe kujtime të saj. Por sërish gjejmë një sy artisti që di të pikturojë dhe të të shtyjë në fantazinë e të lexuarit, por edhe të të imagjinuarit. 

Këtë mund të themi edhe për poezinë Stinë “Iliade” kur përmes vargjeve të tij në mënyrë të beftë të ngacmohet kujtesa dhe të shfaqen para syve histori njerëzore. Edhe pse të kohëve të largëta ato duket sikur zhvillohen në ditët e sotme, ku personazhet të shfaqen përveç armës së tyre edhe me telefonat modern që përdoren për fotografitë e vetes.

Në poezitë e vëllimit “Rapsodi urbane” autori di të sjellë copëza të jetës së përditshme, që nga shpresa e një dhjetori e deri te salla e mbledhjeve të partive ku e sipërmbulon me një kërkesë jetike për një fytyrë zoti me pamje të qeshur fëmije dhe jo të ngrysur si liderë partie në takime politike.

Boshësia e jetës, mungesa e motivit, ideve progresiste gjejnë tek-tu edhe vend në copëza poezish apo edhe vargje të spikatura kur me të drejtë Arturi shpreh shqetësimin e tij si qytetar, intelektual në kohën që jetojmë.

Në qytetin e ndaluar thonë se kanë vjedhur kohën

para se koha të ekzistonte,

thonë se orët janë shkrirë

ëndrrat kanë mbetur pa ëndërrimtarë...

 

Do të më duhej shumë e shumë të shkruaja e të merrja një e një nga çdo poezi të këtij vëllimi pasi mund të kemi të veçanta në çdo krijim dhe që padyshim nuk të bezdisin, apo të bëjnë të ndihesh lodhshëm pas kthimit të faqeve të këtij libri. Përkundrazi! Kultura e përgjithshme e autorit reflektohet shumë qartë dhe në nivelin e tij krijues.

Të dëgjoj

mes miliona heshtjesh

në pampat kozmike,

ku koha rrjedh përtueshëm

si udhëtare e vetme

e një karvani drite.

 

Vargu i lirë krijon më shumë hapësirë në shijim të krijimit të tij duke ruajtur një ritëm të brendshëm që rri si një kompozim delikat dhe që nuk i ngjan krijimit që pason.

Mora guximin dhe shkrova duke u përpjekur të jem sa më i vërtetë. Por kjo vepër i meriton fjalët e mira. Gjithsesi e mira nuk ka fund. Ky është vëllimi i parë poetik i autorit Artur Baku që padyshim është vetëm një çelje e shtegut të botimeve të tjera të plota.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0