Home | Literature | Balada e Dogmës së mbarë

Balada e Dogmës së mbarë

image
Punuat sa punuat nën rrogoz,

pa rrëmbeni pak shatë edhe lopatë...

 

Françios Villon (1431-1463)

 

Në zare hileqarë a në bixhoz,

fajdexhinj që jetoni me kamatë

apo hajdutë që prishni ndonjë lloz

për të grabitur kisha nëpër natë,

në ferr do përfundoni, o të ngratë,

sapo t’ju mbërrijë ora dhe minuta,

pa kallëzoni, fitimet ku i latë?

Të gjitha për raki dhe prostituta.

 

Vjershëtorë, që kudo si majdanoz

shfaqeni, muzikantë e akrobatë,

aktorë skeçesh a teatri serioz,

që, tek shëtisni botën gjerë e gjatë,

kurdoherë meritoni çdo lëvdatë,

njerëz ndjenjash të brishta e të buta,

por nxirrni pesë ama e prishni shtatë!

Të gjitha për raki dhe prostituta.

 

Punuat sa punuat nën rrogoz,

pa rrëmbeni pak shatë edhe lopatë,

ndonjë djerrinë lëroni nën një voz,

gjer ta ktheni në ngastër të begatë,

rritni dhe ndonjë pulë a ndonjë patë,

dilni në treg me mish, me vezë e fruta,

apo mos do t’i jepni gjë dhuratë

të gjitha për raki dhe prostituta?

 

Shisni këpucë, kapele dhe kravatë,

të grave pelerina edhe futa,

pastaj, po deshët, flakini paratë

të gjitha për raki dhe prostituta.

 

 

 

© Përktheu Romeo Çollaku

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0