Cikël poetik nga Enertin Dheskali
Ti je limani i pritjeve, Ylli që më ndriçon nëpër kthime...
Nga Enertin Dheskali
Puthje mbi borë
Mëngjesi u gdhi i bardhë në sytë e tu,
E gjelbërta puthi kristalet e akullta
Nën qiellin e mjegullt,
Dhe mendimet e tua
Erdhën sërish tek unë,
Ngarkuar si një fluturim puthjesh dhe malli.
Loti yt bën dashuri me vështrimin tim,
Dhe syri im t'i përkedhel buzët e etura,
Mijëra kilometra larg,
Aty ku bora sot ka mbuluar butësisht
Si jastëk kujtimesh,
Mbi shpirtin tënd të vetmuar.
Unë hap sytë duke shqiptuar emrin tënd,
Të them mirëmëngjes,
Me një tufë ëndrrash nëpër duar...
Je qielli i ndjenjave të mia
Ti je mall i pashprehur edhe kur fjalët mbarojnë,
Je kujtesë që vrapon me shpejtësi drite,
Nëpër galaktikat e mendimit,
Ti je copëza e agimit që m'i përkëdhel çdo natë,
Dëshirat e shpirtit të vrarë nga zhgënjimet,
Je ëndërr në mes të errësirës së gjatë,
Që m'i ngjyen sërish me shpresë mëngjeset.
Je psherëtimë e mbjellë në buzët e shpirtit,
Sa herë në gjoks më rëndojnë dhimbjet...
Ti je brenda meje si një copëz hënëz
Që ndriçon qiellin mes stuhive,
Je aroma e dashur e strehës,
Je prekja qetësuese e duarve
Lëkura sensuale e trupit të bukur,
Që më dalldis përherë mes dëshirave.
Në syrin tim,
Ti je vështrimi i gjelbër i pranverës,
Je qielli i ndjenjave të mia,
Loti i përmallur i ndarjeve,
Dhe puthja e buzëve të ndezura,
Ti je limani i pritjeve,
Ylli që më ndriçon nëpër kthime...
Largësi e trishtuar
Ngecin orët dhe ditët pa ngjarje,
Mbushur me erë trishtimi të hidhur,
Tretet ngadalë zëri yt nëpër dhimbje,
Malli troket si dilemë e pazgjidhur.
Ke humbur në vështrimin tim, si hije,
Ashtu si humbasin gjethnajat nën borë,
Në buzë lëvrin kujtesa e një puthjeje,
Largësia më mbeti si dhuratë në dorë...
Eja, përtej pritjeve
Eja,
Pa ty nuk kam gjumë,
Heshtja dialogon me zërin tënd,
Nëpër labirintet e mendjes,
Ndërsa ti kotesh si një kotele,
Përkëdhelesh me ojnat e një fëmije,
Në shtratin tim të zemrës.
Eja,
Largësia është vetëm imagjinatë,
Ndërsa imagjinata si trembet largësisë.
Eja,
Pritja ulet këmbëkryq
Në mendimet e mia,
Dhe kapërcen kufijtë e kontinenteve.
Nata ime zgjohet në ditën tënde,
Ndërsa dita jote mbyllet në natën time,
Përzjehen ëndrrat në eterin e shpresës
Dhe ndjenjat lëvrijnë në damarë,
Kërkojnë të bëhen një, mes gjysmëpjesësh.
Eja,
Endja ime mbaron tek buzët e tua,
Eja,
Nëse vdes,
Le të tretem në vështrimin tënd,
Aty ku unë të dua,
Përtej të gjitha pritjeve...
Eja pra, vdis dhe jeto me mua...
Janar 2019
© Enertin Dheskali
Comments (0 posted)
Post your comment