Home | Literature | Apocalypse Then

Apocalypse Then

image
Një “Përmbytje Universale” nuk del kurrë lehtë nga moda gjithësesi!

       

 

Nga Elvi Sidheri                                                               

 

 

Ishte një kohë e largët ku gjaku shprishej e toka akoma nuk ishte ndarë ne kufij tokësorë apo aq më pak mendorë!

E kështu në atë cep malor të gadishullit të shtrirë barazlargësisht mes Europes mëmë dhe Orientit kërcënues, në atë epokë të largët ai truall po ngjizte në sipërfaqen e tij një konglomerat unik kulture, gjuhësh e qytetërimesh!

Ishte natë, një natë e ftohtë buzëliqenore në vigjilje të një Mijëvjeçari që porsa do të përmbushej dhe ajri i acartë dukej se do të ish shtendosësi i vetëm i shumë mendjeve tejet të nxehta.

Por çfarë vallë i përflakte ata banorë të qetë e punëtorë, të cilët përndryshe nuk kishin vëmendje për gjëra më të konsiderueshme se sa peshqit lodracakë (dhe te shijshëm...) të liqenit bujar?

…Pak dihej përse, por fjalët kishin marrë dhenë dhe tashmë pa as edhe një paragjykim seksual, klasor apo etnik, çdokush mes gjindjes gjente vetem një temë diskutimi të mundshëm.

E aty rreth agimit, ëndrrat e mëngjesit me siguri njësoheshin me psherëtimat e peshkatarëve të regjur në ujë e kundërmim peshku… dhe te gjitha bashkë më pas pikëpyeteshin mbi një të ardhme shumë të afërt.

Dita që po fillonte në fakt ishte e fundit e një viti i cili ishte vetë fundmitari i një shekulli final, që po transportonte vdekatarët mëkatarë në atë që më vonë do quhej si “Mesjeta e Hershme” e Njëmijevjetëshit të Dytë!

Kambanat e shumta nisën të bien në unison dhe banorët u derdhën rrugicave të gurta të qytetit që i avitej atij rripi toke kodrinor mbi liqenin përherë të kthjellët.

Përmbi vesën e shkrirë nëpër kanalthet shtruar me gurë, nisën tashmë të ushtonin hapat e qytetarëve ditëfillues që po i drejtoheshin me ballin lartë punëve të tyre banalisht ditore, me mendjen sidoqoftë të ngulitur pashkulshëm tek një e ardhme që friksueshëm po ndihej akoma edhe më pranë.

Ç’do të ndodhte vallë të nesërmen?

A do të vinin valët liqenore njëlloj në atë përqafimin e tyre përjetësisht të pandashëm me bregun e rreshkur nga dielli përcëllues malor?

Po mjellmat do lundronin ende fisnikërisht në ujërat nën qytet, duke i bërë banorët të shpengoheshin nga angaritë ditore, teksa përhumbeshin në pamjen e atyre shpendëve magjepsës si vetë ai qytet i lashtë?

Ndoshta buka nuk do piqej aromshëm mëngjeseve e mundet që Zoti i porsagjetur i ish-barbarëve dikur paganë, të cilët tani dominonin vendin, ajo perëndia e Tokës së Shenjtë pra… ndoshta qe nxehur aq shumë me këta njerëzit plot vese, saqë të kishte menduar mirë ndonjë ndëshkim të shëndetshëm Biblik!

Nje “Permbytje Universale” nuk del kurrë lehtë nga moda gjithësesi!

Pastaj duke njohur kushtet ujore të zonës, edhe një “Arke Noeje” s`do ishte aspak pa vend.

…Por koha e pashpirt sakaq kalonte vrullshëm dhe orët shkonin më shpejt se ç`urohej nga shumë prej atyre që mundoheshin të shijonin orët e fundit pararendëse të së panjohurës vijuese.

E aty nga muzgu i herët dimëror funddhjetoras, kthinave të ftohta të lagjeve të poshtme nisën të dëgjoheshin britmat “parathënëse” e “parashikuese… fat-treguese” të disa personazheve të cilët vetëm në një ditë të tillë mund të shfaqeshin në skenën tragjikomike të “FundBotës” së supozueshëm.

Ishte ky sigurisht një fenomen që padyshim kishte prekur thellë shoqërinë dhe popullin gjysëmfeudal të kohës e që ishte përhapur si çdo epidemi tjetër ngjitëse, anekënd kontinentit të vjetër.

Por në ndryshim nga Perëndimi tejet Katolik ku këta "Profecibërës me ulje çmimi"… do kishin përfunduar pa as edhe një mëdyshje të vetme, drejt e në “Turrën e Druve”, nga kjo anë e Adriatikut… fat-thenia e tyre ende tolerohej nga Skizmatikët e Kishës Lindore!

Kështu me afrimin fatal te darkës dhe rrjedhimisht mesnatës, tashmë pati marrë rrugë një garë e ethshme e kujt parashikonte mënxyrën më të madhe dhe pakkush në qytet i ish shmangur transit gati haluçinant që si një re kërcënuese kish përpirë gjithçka.

Në mes të kësaj gare të mirfilltë “ardhmëritreguese”, diku anës ujit të kthjellët nator, në një nga plazhet me guralecë afër Kishës së Madhe, një "Profet" po bënte dukshëm dallimin mbi rivalët!

Qindra njerëz po ndiqnin gojë, sy e ndoshta edhe veshëhapur, ortekun e fjalëve të këtij personi gjer aty totalisht të panjohur për masën njerëzore që banonte në qytetin buzë liqenit.

Por ç`thoshte ky njeri, ky burrë i dheut që shkundte me zërin e tij plogështinë e atyre “Plebejve” të lodhur po aq sa edhe friken e “Patriceve” të lagjes në Kështjellën mbi kodër?

Ai kish filluar të tregonte se e ardhmja sido që të ishte, përherë do ish e panjohur, dhe shumëkush panjohurisë i trembej aq (në mos më tepër)… sa edhe vetë Djalli temjanit!

Më pas nën shtysën e një deliri triumfant… i kish treguar popullit se qyteti do ndërronte flamur dhe se Kryqi i shenjtë do zëvendësohej nga Gjysmëhëna dhe se një ditë, një popull ardhacak do i mbisundonte edhe vete këta ish-barbarët e tanishëm.

U thoshte se tre etnitë, vendasit, barbarët e krishterizuar dhe barbarët islamikë… do thereshin në vazhdimësi me një përpikmëri të admirueshme, në një bashkëjetesë normalisht mortore!

Por ai nuk hezitoi t`u tregonte se nuk ia bënte syri tërrt t`u thoshte se një ditë sidoqoftë, pas 1000 vjetësh akoma, bota do njihte të tjerë kolegë të tij të cilët do flisnin për fundin e rradhës së Botës në pragun e Mijëvjeçarit të Tretë.

E në këtë pikë ku shpresat qenë venitur e tretur si kripa në ujë, ai u kërkoi njerëzve të shijonin atë pak jetë që u mbetej sa më shumë që të mundeshin.

U tha se jeta ishte “Një” dhe se duhej jetuar plotësisht për aq sa të ish e shkruar ta jetonin!

U tha burrave të puthnin gratë e tyre dhe grave që të bënin dashuri me burrat.

U kërkoi peshkatarëve që të linin peshqit të qetë, duke përbërë kështu ndoshta thirrjen e parë ambientaliste të historisë!

Vena profetike i kapi sidoqoftë tonalitete të larta “heretike” kur i kërkoi Kallogjereve që të linin qelat e lagështitura dhe lutjet e sakrifikimet hyjnore, bashkë me dorëheqjen nga kënaqësitë e trupit femëror brenda në Manastiret e zymta dhe të dilnin në rrugë e të kënaqnin epshet e tyre dhe të meshkujve të etur të qytetit!

Por në pikën kur po i kërkonte edhe Plebejve që të çliroheshin nga vargonjtë skllavërues, mu aty… një furtunë e papritur u ngrit nga liqeni i inatosur dhe një valë gjigande uji të shkumëzuar, fshikulloi fort turmën dhe “Profetin e ashtuquajtur” duke i dhënë kështu fund pamëshirshëm këtij "Oazi Iluminizmi" në mes të Kohëve te Errëta!

E ndërsa dy Mijëvjeçarë po ndërroheshin, priftërinjtë fërkonin duart kënaqshëm për ndëshkimin e merituar që Perëndia i dha atij palo heretiku, ndërkohë që Profeti ynë i kthehej punës së tij si farkëtar me frikën e “Të Madhërishmit” tashmë të ringulur fort në zemër.

 

 

© Elvi Sidheri

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00