Hardhia e egër
Jam një hardhi e egër, të tillë e pata fatin Ti bëmu panjë e bardhë, që të të vij rreth shtatit!
Mowlana Jalaluddin Rumi
Jam një hardhi e egër, të tillë e pata fatin
Ti bëmu panjë e bardhë, që të të vij rreth shtatit!
Jam dredhëz shermasheku, ti bëmu pishë e bukur
Të kem se ku të qepem, mos ndehem nëpër pluhur!
Jam fluturak i drojtur, ti bëmu e fortë flatër
Të kridhem në hapësirat e qiellit tënd të kaltër!
Jam një dori i lodhur, ti bëmu shpore e çpome
Tek ti, nga largësirat, revan të vij gjithmonë!
Jam një vulla i shkrifët, ti trëndafil harlisu
Në gjoksin tim, që vlagën të mos ma thithin krisjet!
Jam mugëtira e lindjes, ti dil që nga humnerat
E mjegullat shpërndami, si dielli, përngahera!
Jam nata e pahënë, oh, vello yjesh pa numër
ti bemu, të mos trembem e të marr frymë i lumtur!
Përkthyer nga Jorgo Bllaci
Comments (0 posted)
Post your comment