Intervistë me Poetin Bujar Plloshtani
Poezia duhet t'i flasë poetit për misionin që ai ka për shoqërinë, hierarkinë shtetërore dhe realitetin njerëzor.
Nga Dea J Klosi
Klosi News: A mund të na flisni pak për krijimtarinë tuaj letrare, me se përfaqësohet ajo dhe ku mund të gjendet ?
Bujar Plloshtani: Krijimtaria ime letrare nis me veprën poetike “Nga regjia e shpirtit”, e cila përfshin kryesisht poezinë e natyrës romantike dhe sociale. Krijimtaria ime zhvillohet për një përpjekje drejt përpjekjes së ndryshimit në ide që reformojnë bindjet hermetike. Në leximet e mia shfaqet revolta ndaj pakënaqësisë së shoqërisë ndaj hierarkisë shtetërore, e cila është e veshur me çështjen dhe interesin privat. Leximet tona filozofike apo poetike, kryesisht duhet të shërbejnë në këtë drejtim për të mirën e shoqërisë, sepse kështu mund të arrihet vetëm te e vërteta e nevojshme. Konsideroj se një artist i mirë është ai që nuk hesht kurrë përballë hierarkisë shtetërore, dhe që është i gatshëm të shpreh kurdoherë guximin për të qenë i ditur (sapere aude), dhe interesi i përgjithshëm të jetë i njëjtë për të gjithë. Pos poezisë filozofike “Mbi arsyen e fjalës”, krijimtaria ime zgjerohet me esetë filozofike e politike të botuara në një libër të vetëm me titull “Traktati mbi arsyen e mendimit”. Ndërkaq, publikimet e mia letrare dhe eseistike mund të gjenden në Librarinë e Universitetit të Europës Juglindore, Bibliotekës së qytetit të Tetovës, Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, Bibliotekës Kombëtare të Tiranës e më gjerë në Europë.
Klosi News: Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar, Rilke, thotë kështu : « Për të shkruar qoftë dhe një varg të vetëm, duhet të kesh parë shumë qytete, shumë njerëz e plot gjëra. Duhet ta ndjesh si fluturojnë zogjtë. » Cili do të ishte përkufizimi juaj i poezisë ?
Bujar Plloshtani: Rilke nuk ka gabuar përsa i përket përkufizimit të poezisë! Sepse poezia nuk është një leksion që me guxim apo vullnet mund ta mësosh përnjëherësh mbi principet e saj ideore, por, para së gjithash ajo duhet të trokasë shenjtërisht brenda flatrave shpirtërore, që fill të mundesh të flasësh e të komunikosh me gjuhën e poezisë për një mendim e ndryshim të ri ideor brenda një shoqërie të caktuar. Poezia duhet t'i flasë poetit për misionin që ai ka për shoqërinë, hierarkinë shtetërore dhe realitetin njerëzor.
- Pra, unë konsideroj se poezia është filozofi e mendimit më të thellë shpirtëror e bazuar në sensin logjik për t’i luftuar bindjet që janë mpirë nga papërgjegjësia shpirtërore dhe etike.
Klosi News: Sot, ne jetojmë në epokën e Internetit, që i ka tronditur shumë zakonet tona të të lexuarit dhe shkruarit. Si e shihni Ju poezinë në lidhje me këtë mundësi të re shprehjeje ? A është bërë ajo më demokratike ? A ka fituar apo humbur në këtë histori ?
Bujar Plloshtani: Poezia ka qenë dhe mbetet kurdoherë një normë e lartë vlerësimi për elitën më të lartë shoqërore. Me anë të poezisë mund të kuptojmë lartësiminë e meditimit të shoqërisë, stadin e kultivimit të kulturës dhe potenciali intelektual i gruas dhe individit në një shoqëri të caktuar. Poezia nuk është shërbim i zakonshëm për turmën, por për njerëz të zgjedhur që kanë botë të hapur shpirtërore dhe intelekt që kuptojnë thelbin e përgjithshëm të një dukurie shoqërore. Poezia, edhe sot është po ajo që ka qenë dikur me të njëjtat vlera joshëse, mirëpo, krahas kohës së artë ka pësuar rënie të lehtë në vlerësim kuptimi i brendshëm i poezisë. Atëbotë, poezia ishte një frymor i brendshëm autentik që vetë natyra ia shquante vetitë e brendshme me gjuhën e pazakontë poetike. Vërtet për dallim poezia kishte një shije më klasike në mjeshtërinë e fjalës, mendimit psikik e me radhë. Duket paksa, gjithnjë nga mendimi im individual se ka një zhvleftësim të vogël poezia nga shoqëria, institucionet kulturore e më gjerë, sepse sot, çështja private i ka mpirë dhe i ka kthyer në tejngopje materiale... Sot, poezia mund të shëtitet më spontanisht falë teknologjisë nëpër qytete të rëndësishme të botës, dhe të kulmojë shllimin ideo-estetik për një ndryshim të nevojshëm përballë botës tashmë që ecën drejt globalizimit.
Klosi News: Dihet se gjatë gjithë jetës, ne zgjedhim gjithmonë, në heshtje apo me zë të lartë, një mësues, një rrymë ku e gjejmë veten më mirë. Nga vijnë ndikimet tuaja letrare dhe poetike ?
Bujar Plloshtani: Poezia, në radhë të parë është një guxim i brendshëm i yni që buron nga instinkti i lirë për atavizëm, ku për synim ka një mendim apo ide që mund të ndryshojë “botën” thelbësisht për hir të vërtetës. Mirëpo ndodh, që, shpeshherë të ndikohemi shpirtërisht nga leximet e pjesërishme të autorëve që me zërin e tyre krijimtar kanë ndryshuar qenësimin, mendimin, botën, hierarkinë shtetërore etj. Unë vlerësoj se poetët e vërtetë kanë një gjuhë, pra një mision të shenjtë për ta çuar shoqërinë e çdo shtrese drejt paqes, reformës dhe progresit kulturor, ekonomik, moral e kështu me radhë. Ndërkohë, përsa i takon ndikimeve tona letrare, që vijnë terthorazi dhe në mënyrë krahasuese, mund të përmend këtu poetë si Aleksandr Pushkin, Lord Byron, Sergej Esenin, Ivan Bunin, Percy Bysshe Shelley, Friedrich Schiller Friedrich Nietzsche, Immanuel Kant, Jean-Paul Sartre, Alber Camus, Edmund Husserl etj.
Klosi News: Sot shihet njëfarë gjallërimi i veprimtarive poetike në Shqipëri. A mendoni Ju se poezia ka nevojë të kalojë përmes këtyre takimeve ? Po vlerësimi me çmime, në rang lokal, kombëtar apo ballkanik, a ju duket diçka pozitive për poezinë ? Shkurt, a ka poezia një mision të përcaktuar ?
Bujar Plloshtani: Poezia në rrugëtim e sipër me këto takime poetike rikthehet në bujë apo në qendër të vëmendjes për të gjithë poetët që e duan dhe e krijojnë mjeshtërisht poezinë. Takimet poetike mundësojnë njohjen me poetë nga mbarë globi, si dhe njohje të reja që vijnë nga angazhimi poetik i tyre. Takimet e tilla janë një nismë produktive që shërbejnë për ngritjen e vetëdijes për ta vlerësuar më tepër poezinë dhe kulturën nga realiteti i zakonshëm, madje duke e transformuar atë në urë komunikimi midis poetësh të ndryshëm që bëjnë të flasin qytetet me zërin e fjalës së bukur. Komunikimi me gjuhën e poezisë jep vlerë të re të përbashkët për ngritjen e vetëdijes njerëzore, një pikëpamje të ndryshme nga e zakonshmja tek e shohim të ngjitet brenda shpirtrave tanë, një zë i fuqishëm krijimtar tek mbin pothuaj tek secili që di të përjetojë aktin dhe meditimin poetik për një komunikim racional, e fundja, kështu rrit konkurrencën e mendimit dhe guximit për të dominuar në kohë reale.
Klosi News: Dhe së fundi, cila është poezia juaj më e dashur, nga një autor shqiptar dhe nga një autor i huaj ?
Bujar Plloshtani: Më pëlqen poezia e huaj “Letër e Tatjanës, Onjeginit” e poetit Aleksandr Pushkin, e cila më hyn në deje dhe më mishëron drejt një mendimi për bindje intuitive; gjithashtu më pëlqen edhe poezia shqipe “Llora" e shkrimtarit Ismail Kadare, e cila ndiesisht po të mbërthen nga brenda.
Klosi News. Ju falemnderit!
Comments (0 posted)
Post your comment