Home | Literature | Dëshirim

Dëshirim

image
Dua ujin e ndenjur të pellgut të madh artificial dhe pemët erotike...

 

Nga Elvi Sidheri

 

 

Ku je e dashur? - Ishte kjo një pyetje që mundonte mendjen e tij pak perverse aty ne zgripin e dritares mbi qytet.

Ndërkohë jashtë ajri pasditor lagështohej nën rrjedhën ritmike të një armate pikëlimash gjëmuese nga disa re të turpshme buzëpranverore.

Në këtë pikë ai ndaloi udhën e tij të mendimeve dhe pyeti veten sërish: - Ky qyteti im a më do ndopak sa ç`e dua unë? - E dua çdo cep të tij, ia dua ujin e ndenjur të pellgut të madh artificial dhe pemët erotike ku shpërthen epshi tinzash-dashurures i bashkëqytetarëve të mi!

Por në atë pikë një insekt kryneç i tërhoqi vëmendjen me një parakalim kryelartë nëpër mur dhe ai nisi të përfytyronte 1 Majin dikur.

-Bukur parakalon vëllai insekt! - mendoi ai.

Kështu papritmas një grimasë vetëvlerësuese udhëheqëse iu shfaq në fytyrë dhe njëra dorë e tij shtrëngoi brenda në dhomë një tufë trëndafilash, të cilët u shkulën padenjësisht nga një vazo mikpritëse atypari, ku nuk qenë lënë të prehen aspak më shumë se disa orë, pasi më parë ndonjë dorë sadiste i pati ndarë dhembshëm nga trualli mëmë hollandez, për t`i nisur drejtpërdrejt në dyqanin përkatës të një vendi të huaj.

-Edhe lulet kanë të drejtat e tyre! – mendoi ai sakaq, ndërsa kujtonte figurat mitike të Kujdestarisë së Kombit teksa u lëshonin kockat qenërisë, domethënë, më falni - trëndafilat popullit të uritur për pak dashuri kundrejt atyre Mumjeve të Urta që nën frymën e Mendjendritjes së tyre dritëshkurtër, prinin drejt së ardhmes të gremisur vegjëlinë pellazgo-ilire shqiponjëdashëse!

Por dukej haptas se insekti pak pyeste për atë gjest kalorsiak dhe sakaq u zhduk nën një vrimë në murin e jashtëm.

Me daljen e tij të parakohëshme nga skena, u venit edhe kujtimi i festave të epokës Pas Lindjes së Partise dhe fokusi i tij iu rikthye pamjes frymëngecëse të qytetit që shtrihej tashmë i larë në mijëra ndriçime tej dritares.

Njërën këmbë po e valviste tani në ajër, kur në celular shtypi padashje numrin e saj dhe nga zëri i pamërshirshëm, po aq sa dhe i urryer i sekretarisë së kompanisë telefonike, mori të njëjtën përgjigje: -Abonenti mund të ketë fikur telefonin!

Si një njeri me një mungesë të theksuar simpatie për fqinjet jugorë, kjo përgjigje automatike do ishte një justifikim i mjaftueshëm për të autorizuar një inkursion ndëshkimor të padëgjuar në atë vend nga i cili origjinonin edhe pronaret e operatorit celular ne fjalë! (- Të qafsha Provokacionet e tyre të Gushtit 1949, në krahasim me çfarë do t’u bëja unë atyre! – mendoi për një hop.)

Por ai nuk ishte president I vendit të tij. As komandant i përgjithshëm I forcave të armatosura, duke pranuar që të kishin mbetur ndoca syresh në vendin e tij trim, liridashës, e padyshim pellazgo-galaktik.

-Fundja ndonjë tank rus a kinez do e kisha gjetur, pse t`i çojme të gjitha në Afganistan? - mendoi, por tashmë asnjë gjurmë arme me rrota a zinxhirë më s`kish mbetur mbi tokën e atdheut të tij, ndërsa vendi integrohej në Strukturën ushtarake më të armatosur te planetit.

Kështu, në mungesë të ndonjë mundësie tjetër, mllefin e nxori mbi trëndafilat qe i flaku jashtë dhe që përfunduan shume kate me poshtë mbi stendën e një luleshitësi ambulant.

Ky i fundit, në atë moment, ndërsa lulet i ranë në çaçkë të kokës edhe nga qielli, u kthjellua përfundimisht për faktin qe në të vërtetë atë punë që bënte për të mbajtur frymën gjallë dhe mbushur barkun,  e urrente më shumë se edhe gruan (në paketë “merr dy paguaj një” bashkë me vjehrrën) dhe ky kanalizim profesional i urrejtjes ndoshta shpëtoi lajmet e mbrëmjes nga një tjetër reportazh përdëllyes tragjedie familjare.

Por atje lart vetëm tingujt e muzikës së Enigma çanin ajrin e rënduar sa nga tensioni apo më tepër nga zagushia e pamungueshme e qytetit të tij.

-Ja do shpëtoj nga reumatizma! - mendoi ai teksa e dinte fort mire se ndonëse lulja e rinisë ende nuk i qe shteruar, sidoqoftë mjaftonte një nga të shpeshtat ditë me shi që si të sotmen, një dhembje e fortë t`i ngulej në kokë sa t`i vinte për t`ia shitur shpirtin Satanait kundrejt degdisjes së reve dhe krijuesit të tyre, në zjarrin e nëntokës!

Të ishte vallë duke nëmur Nënën Natyre e duke luftuar me të porsi Don Quijote i Cervantes me mullinjtë e erës? Epo, do ta bënte me bindje të plotë, aq më tepër që spanjishten përherë e kish dashur fort.

Megjithatë vendimi ishte marrë dhe së turpshmi edhe kemba tjetër, me inciativë dhe vetvëprim (sip thuhej rëndom në kohë të Merhumit) doli dhe ajo jashtë dritares, e në atë pikë ai filloi ta kuptonte deri diku idenë e të qenët "në ajër"... pak a shumë.

Ne fakt e ndanin pak cm nga hapësira e çfarëdolloj pikëmbështetje konkrete e poshtë njerëzia lëvizte në kaosin e përhershëm jetësor, ndërsa atij i dukeshin gjindja në përmasat e insektit të mëparshëm kujtimendjellës.

-Epo lulet ua hodha! - mendoi, e më pas i pëlqeu të perfytyronte se shpirti i tij fisnik dhe zemra e tij e butë po kacafyteshin me trurin e tij të lodhur (sigurisht nga rropatjet e jetës), për të dale faqebardhë nga dilema Hamletiane "to be or not to be"!

Që në këtë rast donte të thoshte: "te binte apo jo"?

Dikur një njeri me ngjyrë apo formalisht zezak, ne Italine e viteve 60-të ,këndonte "Stasera mi butto"!

Epo atëherë edhe ai do të largohej me këngë në gojë nga kjo botë ligështonjëse,  si bëjnë burrat, ata të qëmoti sidomos.

Tha njëherë me vete mos përmendte kalimthi dhe fraza me efekt si psh: "Po iki o Zot", por një rrufe flakëroi horizontin dhe blasfemia mbeti në tentativë.

Enigmat në mënyrë po aq enigmatike po e qetësonin e dhimbja e kokës “on the mix” me një dozë të shëndetshme gjumi po ia shtendosnin ndjesitë e kështu nga pak, padashur trupi po i rrëshqiste nëpër pllakat e zgripit të dritares e tani Hamleti thoshte vetëm "not to be"!

Në këtë përhumbje aty lart, atje poshte ndërkaq, ajo dhe celulari i saj paturpësisht i fikur, u dukën në hyrje të ndërtesës ku u pritën nga kalimtarë e fqinjë te lebetitur të cilëve s`u kish shpëtuar pa vërejtur skena në dritaren e katit të epërm.

Ndërkaq ashensori i pafajshëm në mosfunksionimin e tij (mungese energjie), nuk u bë pengesë që ajo të fluturonte në kapercime pindarike shumëshkallëshe njëherësh dhe me një frymë t`i avitej derës të cilën e hodhi në tokë si pupël e sa hap e mbyll sytë u gjend pranë tij.

-Çfare bën zemra??

-Mos e bëj! - klithi sa ia shpoi timpanët e veshit edhe fqinjit të shurdhuar të apartamentit ngjitur i cili mundohej të përgjonte megjithë defektin e tij natyror.

Koka e tij u kthye vetëtimthi dhe as pozicioni tejet i papërshtatshëm ku ndodhej e as me pak sinoziti fulminant që ia bllokonte frymëmarrjen në hundë, nuk e penguan ta ndjente në çdo atom praninë e saj përpirëse për qenien e tij!

Ajo, më e ngrohur nga sytë e tij të përllavur nga vullkani shpërthyes që po ia ndezte secilin instikt të mundshëm, i zgjati dorën dhe më dorën tjetër preku lehtas flokët e saj të porsaprerë, duke i thënë në mënyrën më mishëruese të sensualitetit femëror: - S`e sheh, kam prerë dhe floket sot!

-Kidding or what?! - tha ai.

-U paska dashur me të vërtetë të hidhem nga dritarja!

-Mjafton mos të të kisha parë me këtë prerje!

Dhe pa i lënë kohë të dy njëri-tjetrit të flasin më gjatë (nje fjalë është pak, dy janë tepër), gjuhët e tyre kaluan në një tjetër dimension komunikues dhe u takuan nën buzët e puthura të këtyre dy qenieve që kështu mbyllën ndanë asaj dritareje një tjetër pasdite së bashku.

 

 

 © Elvi Sidheri

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00