Home | Literature | I kërkuari

I kërkuari

image
Një zaptim paqësor. Sa të paqmë janë pushtuesit?! Fundja, toka djerrë ishin...

 

Nga Agim Deliu

 

 

Xhavit Goku ndezi çakmakun dhe vështoi orën. Ishte dy e dhjetë e mëngjesit. Kishte plot njëzet orë në shërbim. Kishte ngrënë një vezë, një gjysëm molle dhe një panine me salçiçe , që ia kishte mbështjellë Maria në orën pesë e gjysëm të mëngjesit, kur doli nga shtëpia. Mbaroi turnin e parë dhe menjëherë e kishin caktuar postobllok tek Dogana, në Laprakë, bashkë me kolegun Tonin Repsi, i cili nuk kishte fuqi të qëndronte më këmbë.Ishte i lodhur Tonini . Një natë më parë kishte hedhur beton tek baxhanaku deri në mesnatë. Kishte bërë shtëpi baxhanaku pranë Toninit në Babrru. Është vend i begatë Babruja!!. Po, i begatë është. Begatia shtohet me marrjen falas të tokës. Jo në marrjen falas, në pushtimin e butë. Një zaptim paqësor. Sa të paqmë janë pushtuesit?!. Asnjë ardhacak nuk vjen si pushtues. Pushtuesit ardhacakë janë hallexhinj, që zgjidhin hallin e tyre dhe u krijonë halle të pushtuarve. Fundja, toka djerrë ishin. Dhe unë në Bathore u ngula. Unë nuk e zaptova vetë. Ma zuri vëllai i Maries tokën, dhe si të thuash ma bëri dhuratë. Po as vëllai i Maries nuk erdhi në kokë të vet. Deputeti ia dha në këmbim të shërbimeve, që i bëri si komisioner në fushatë. 

-Ika unë, tha Tonini, sapo Xhaviti mori në radio nga shefi urdhërin për tu larguar. Tonini iku nga Zogu i Zi. Xhaviti lëvizi në drejtim të Kthesës së Kamzës.Nga kthesa deri në Bathore një orë e një çerek me hap të shpejtë. Ora dy e një çerek. Në tre e gjysëm mbërrij. Në pesë e gjysëm do të ngrihem.Ia vlen!? Nuk kalonin më makina.As në radion që mbante Xhaviti në dorë nuk flisnin më, as kolegët as eprorët.

-Ngordhëm për bukë,tha me vete duke vështruar nga muret e Pularisë së Laprakës.Kishte qenë pulari. Tani banonin ardhacakë, bllokmenë, të pastrehë, të përndjekur.Bashkë të tërë në një çati. Të njëjtin fat. Muri rrethues me blloqe ishte i shkarravitur. Në krye një benzinatë. Një firmë materialesh ndërtimi. Një me hekur. Muri i shkruar nga një dorë e pastërvitur gegërisht:” Fatos Nano drogagji”." PD fitore". Me ne fitojnë të gjithë”.

-Nuk morëm as rrogën dot, foli përsëri me vete, duke rrëmuar në xhep për cigare. Ditë rrogash dhe pa ngrënë. Pa cigare.!  As Maria nuk kishte lekë në mëngjes. Dhe ilaçin e rrobave veresie e kishte marrë tek Rroku. Zemërbardhë Rroku. Gjithmonë na jep veresie.

Muri ishte i rrëzuar afër kthesës. Ca hurma me degë të thyera.Një copë muri kishte rënë mbi trungjet e tyre, e qëndronte pjerrtas. Me bojë të zezë shkruhej në të.” PBK do fitojë.””PBK Demokrat fitore”. Kush është më demokrat Balli i thjeshtë apo Balli Demokrat?!Nuk dimë ku të besojmë.!? ka më shumë kryetar partish se komisar policie.

E kaloi Kthesën . Po arrinte drejtë koçekëvë. Në të djathtë pallatet e braktisura të malajzianëve. Goxha kompleks. Muret rrethues të ngrënë vende vende si dhëmbë të moshës së tretë..Tulla të marra nga ndërtuesit e vobektë. Mall belik i lënë në mëshirë të vjedhësve. Shqiptarët nuk vjedhin.Na mori në qafë ky Saqi i Lemes. Është trim thonë. Trim është. Në mes të Tiranës ditën për diell, duke qenë në kërkim, nxjerr kallashin dhe vret dy vetë e tre i plagos.

-Të mbyllen daljet nga Tirana urdhëruan shefat. O burra. Sa mbaruam turnin dhe vrap në postobllok. Punë muti puna e policit. Isha mirë refugjat.Vëllai Maries ma bëri. Është mirë në këtë kohë, tha të jesh polic. Ke një armë me leje dhe je në shtet. Ku ka shtet tek ne?!. Do të ngrihen rrogat. Do të fitosh në trafik, në qarkullim. Ka lek të madh e do ta mbarosh më shpejt shtëpinë. Më shpejt se me emigracion. Dhe nuk është mirë, që si çift i ri të jetoni të ndarë.Ti në Greqi e Maria këtu. E kur, në këtë kohë kur njerëzit duhet të jenë bashkë të gjithë, të gjithë fisi. Kohë e vrazhdë.Kohë krismash. Saqi i Lemes. Më le pa bukë, pa gjumë, e pa lek në xhep.Tpu.Palo njeri, palo burrë, palo emër që ke. Saqi i Lemes. Të gjithë këta dreq cubash me emrin e nënës njihen. Caku i Norës, Dari i Xhires, Cufi i Nadires, Gaci i Tones, e kush i mer vesh këto lloj pjelle.Qenje, që askush nuk ua njeh identitetin e babait. E kanë për mburrje tu thuash atë fjalën e re. Si ia thonë? Killer. Ka nga këta që punojnë me pagesë. Këta janë më të zotët e më të pamëshirshmit.  Hajde profesion hajde!. Të vrasësh për një grusht para. Libër është ky. Jo film më duket. Film është… Uestern. Po, sa kemi mësuar dhe ne këto vite demokracie. Më shumë të zymta se të qeshura. Tranzicion.Vetë fjala është e vështirë dhe e gjatë si një natë makthi.

Tek këmbët i ndalon një makinë e zezë.Foristradë. Shefi!?.Po çne shefi! Shkon në Kamëz.Kontrollon gadishmërinë.Po gadishmëria u hoq?!.

Xhami ulet lehtë dhe një zë paksa i ngjirur, i ngjirur e autoritar i thotë.

-Hyp, për ku je?.

Polici vë dorën në dorezë. Dera hapet dhe ai hyp. Makinë luksoze. Aromë e mirë brenda. Ajër i kondicionuar. Parfum i shtrenjtë dhe erë duhani. Gjithsesi aromë më e mirë se ajri i lagësht jashtë. Të paktën nuk do të ec në këmbë.

-Vonë sonte. Shumë vonë e mbyllët. Apo ishe për qef.

-Jo, qef në këtë orë. Shërbim i sforcuar. Situatë kriminale. Nuk e di mirë.

-Larg do të shkosh?, e pyet burri në timon

-Jo, në shtëpi.

Shtëpia nuk është larg. Nga përfytyrimi shtëpia është diçka e ngrohtë, e gjërat e ngrohta të krijonë një afërsi.

-Ku e ke ?

-Në Bathore. Afër Zallherrit gati. Larg?.

-Mirë. Andej kam rrugën. Zallherr. Vonë për ju? pyet i panjohuri në timon.

Në Kodër Kamëz, në stacionin e autobuzit një patrullë policësh të përgjumur. Xhaviti sheh kolegët. Ngrefoset instiktivisht në foristradën luksoze në vendin e parë, aty ku zakonisht rrinë shefat.Megjithëse, së fundi shefave po u pëlqen më shumë timoni. Po fundja shefi është timonieri i të gjithave. Pse të mos jetë dhe i makinës. Patrulla sheh makinën, sheh dhe kapelen e kolegut në vend të parë.Rregullohen në një drejtëqëndrim të çrregullt, të turbullt, si pasmesnate. Njëri e nderon. Tjetri nuk arrin të rregullohet.Kalojnë.Patrullës i ikën dremitja. Polici Xhavit me fat.Rasti e solli këtë makinë luksoze në kohë. Ka fat polici. Mbi kroskot një Marlboro, një Rothmans dhe një radio. Radio flet befas. Flet në një duet.

-77, 77. u largove.

-Fike radion tënde, i thotë burri në timon.

Polici heq radion nga rripi i pantallonave dhe kërkon ta fikë…

Nga sedilja pas zgjatet një dorë e vogël.e butë femre dhe ia merr radion. I ul zërin.Këmba e djathtë i prek diçka të fortë.Ul sytë lehtë.Shoferi i zgjat Marlboron.Gjurin e ka të pështetur pas një automatiku.

-Ndize, i thonë.

Ai hutohet.Makinë luksoze, e re .- Gjynah ta tymosësh.

-Nuk ka gjë. Pije. Paketën merre. Fute në xhep paketën.

E merr. Ka ende njerëz të mirë. Të bëjnë nder. Të kuptojnë hallin, mendimin.

-Isha postobllok. Njëzet orë pa i hequr këpucët.

-E kapët?

-U kap plehra. Përndryshe aty do të ishim.

-E kapët ju, apo e dëgjove në radio?.

-Jo. Nuk e di tamam.E kush do na thotë ne?!. Policë jemi. As nga radio nuk kuptova gjë, por nga që na lanë të iknim… Shteti është i fortë.Nuk luhet me qeverinë. Në mos e kanë kapur do ta kapin..

-Si quhesh?

-Xhavit e kam, por njerëzit e gruas më thonë David.

-Pse David?

-E kam marrë gruan kaurre, e kur u dashurova me të, më tha se e ëma ishte shumë fetare dhe nuk e donte dhëndrin mysliman. Kështu më quajtën David. Kështu më thërret tërë fisi i gruas.

-Mirë David e njihje vrasësin, që quajte plehrë?

Ai hutohet një moment.

-Kam dëgjuar se është i tmershëm. Qëllon mbi këdo pa ju trembur syri dhe kur na sollën fotografinë në postoblok kështu na thanë. Mbajini armët me fishek në gojë ,se ai qëllon mbi këdo që i del para.

-Ku e ke shtëpinë David?

-Më lini këtu, ja, tani erdha. Ja ajo shtëpia me llambën ndezur në verandë. Ju faleminderit shumë.!

Makina ndaloi.Pas saj ndalon dhe një tjetër, një benz po i zi. Ai del.Vajza i jep radion. Radio është pa bateri.

-Na duhet ne .Po ta mbajmë në këmbim të rrugës. Ka problem?

Zë i vrazhdë vajze. Parfum i përzier me tym e djersë të tharë në trup. Kushedi. Refugjatë. Vijnë nga larg. Po arma? Duhet të jetë shef diku. Ka dalë të presë të afërmit. Udhëton natën. Të mirë. Më morën vetë. Tani do të isha tek Ura e Dakës.

-Pa problem. Mbajeni baterinë-tha ai me xhentisë.

Ngjeshi dhe njëherë paketën marlboro në xhep dhe nxitoi drejtë shtëpisë. Kur ngjiti shkallët e verandës dëgjoi të niseshin makinat.

Maria flinte në divanin e kuzhinës.Televizori ishte ndezur.Mbi tavolinë ishte një pjatë me tre speca të skuqur, një copë djathë dhe dy feta bukë.Hoqi rrobat e i vari pas dere në koridor.Hëngri bukë në këmbë. Maria lëvizi e përgjumur.

-Vonë erdhe. U bëra merak.

-Punë. Shumë punë Mari..

Mori një gotë uji nga një bidon plastik dhe shtyu ushqimin poshtë. Uji ishte i vakët, si ujë depozite.. Frigoriferi, që u ka falur Rroku, ka ditë që s`punon.E shkatërroi tensioni.

- Kolpo të madhe jep korenti në Bathore!.

Pastaj u ngrit e vajti në koridor. Nxori Marlboron me çakmakun. Nxori nga xhepi dhe kartën e debitit. Rroga e pa marrë.Nesër marr rrogën. Bashkë me kartën nxori dhe fotografinë e kriminelit në kërkim. As nuk e kishte parë fare fotografinë, kur ia dhanë në postobllok. Ai po,e pa Tonini ,e kqyri me vëmendje dhe pastaj ia dha atij. Ai nuk e pa. E ç`i duhej, se mos do të vinte ai të dorëzohej te Xhavit Goku.Për kureshtje i hodhi një vështrim në dritën e zbehtë të koridorit. Bathorja ka vërtetë drita të dobëta. Shumë të dobëta për të shquar mirë një fytyrë krimineli.Në bathore dritat të ndihmojnë të shquash Marien nga komshija. Madje duhet t`i degjoj zërin që t`a dalloj tamam. Fytyrë e parë ky Saqi i Lemes! Ku e kishte parë vallë?

Vetëm dhjetë minuta kishte, që ishte ndarë me të. Memorje të mirë kishte.! Se mos ishte polic me të vërtetë ai?!. Për një rrogë e kishte veshur atë uniformë. Unë kot u takova me të.Po dhe ai më njohu se jam njeri i mirë. E pse do të ndalonte, aq më shumë me një femër të bukur në makinë?!.Shumë e bukur ishte femra!. Veç zërin.?!T ë ashpër, gjysëm të ngjirur si ato çingitë që gdhihen në dasma fshati duke kërcyer e kënduar... Zë i ngjirur nga ankthi, nga stresi, nga duhani.

...Dhe e kishte pritur gjithë ditën e gjithë natën Saqin e Lemes. Gjithë policia e shtetit. Ai vjen kur policia ikën. Iku policia. U vonua shumë Saqi. Të vinte pak më parë në postobllok ishte dhe Tonini e do ta kishin kapur. Tani gadishmëria është hequr. E pse ta kapnja?. Pastaj se mos më pa njeri, se isha me të. Madje nuk e njoha.  As ai nuk më njohu.

Mori radion. Pa bateri nuk raportonte dot. Po si të raportonte?!. Saqi kishte radio në makinë. Do ta dëgjonte. Do kthehej tek shtëpia e tij. Pastaj Maria!?.E pse ta bënte?. Ai i bëri nder. Nuk e qëlloi. E mori dhe e uli në sedilen para, ku mund të mbante vajzën. Saqi i Lemes ishte zotëri. As nuk e përshëndeti fare patrullën në Kodër Kamzë. Unë po. Ata më nderuan. Iu duka shef. Shef Xhavit Goku. David më mirë.David Gogu. Ka tingull ky emër. Ka qenë dhe një futbollist më ngjan me këtë mbiemër. han Gogu?Jo han...Van Gogu. Ka qenë golëshënues a portier?

Piu dhe një gotë ujë dhe u shtri në krah të Maries.

-Uh, erë e rëndë. Duhmë fasulesh të prishura. Ke ujë të ngrohtë në legen. Mos përto.Harxhoje krejt ujin. Pa problem. Lahu --i tha Maria

Ngrihet. Heq çorapet. Janë të ngjitura pas këmbës. Sa djersë viskoze që kanë këmbët!.

-Dhe paçja prandaj ka shumë xhelatinë. Paçja e këmbëve!...

Nga iku nëpër natë ashtu ai Saqi i Lemes?. Mirë që nuk kërkoi të kalonte natën tek unë. Jo, ai deshi vetëm të dilte nga Tirana. Më përdori për beixh.A.?! Kështu i thotë shefi flethyrjes së varur. Beixh1....Dhe unë qëndroja dymbëdhjetë orë në rrugë pa denjuar tia shoh fotografinë. Nesër marr rrogën...

I lau këmbët deri lart mbi gjunjë, por era nuk i iku krejt.

- As dje nuk u lava.

Kërkoi një peshqir pas dere. Mori një bluzë, që vishte poshtë këmishës, kur ishte natën me shërbim. U fshi me të.Bluzë e palarë ishte. E hodhi përsëri në legen. E lante Maria nesër.E lante me pa e ndezur dritën. Maria foli nëpër gjumë.

-Era nuk ka ikur David..

-E ka Bovilla, tha ai dhe i erdhi për të qeshur. Puna e policit e kishte bërë të shkathët, trim e dinjitoz dhe me humor. Polic dinjitoz, dinjitet polici...!

Maria befas u ngrit. Ai priti të kthehej. Me siguri ka vajtur në banjë. Po lahet dhe ajo. Ujin e harxhova. Uji tani vjen në orën katër. U vonua shumë!. Po e pret. Një depozitë duhet vënë lart në taracë. Nuk lahesh dot me legen. Jam polic....Jam polic tani, polic i shtetit... ne Policinë e Shtetit...

Gjumi e zuri me sytë nga dera.

Në pesë e gjysmë Maria e ngriti.

-Fjete?

-Pashë ëndra shumë, pashë Saqin e Lemes.I shte i bukur, dhe shumë i edukuar. Kishte veshur uniformë polici... Me grada të larta...

Ajo e pa me vëmendje me një tronditje të lehtë në fytyrë.

-Po fotografinë e fqinjit ku e gjete?.

-Cilit?- Brofi ai nga krevati i habitur.

-Fotografinë e djalit të Rrokut pse e ke sjellë?

-Është Saqi i Lemes. Ai më vonoi.

-Lemja ka vdekur. E kanë vrarë në Bari. E ka vrarë kunati. Nuk e di?!. Musai është i biri. Musa e quajnë. I thonë Saq. Mos u shoqëro me të. Nuk është djalë i mirë. Rroku ankohet shumë. Mos rri vonë pas tij.

U ngrit e mori fotografinë dhe e bëri copë copë.

-Jemi komshinj. Nuk të njihja. Polic i ri jam. Refugjat kam qenë...

 

© Agim Deliu

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00