Home | Literature | Shënime jokonvencionale nga plazhi

Shënime jokonvencionale nga plazhi

image
... teksa kridhesh në ujërat e kristalta duke shkelur rërën e praruar të ishullit të Afërditës...

 

Nga Elvi Sidheri

 

Brigjet e plazheve të jugut të Mesdheut, atje ku brigjet libaneze apo izraelite, por edhe Aleksandria e Egjiptit apo Bodrumi e Izmiri turq, nuk ndihen (në të gjitha kuptimet) aspak larg, përçojnë shumë ndjesi, teksa kridhesh në ujërat e kristalta duke shkelur rërën e praruar të ishullit të Afërditës, e kështu, ja disa përshtypje plazhi mesdhetar në këtë gusht 2018:

Për shembull, krevatet e varura të plazhit, ato që shihni rëndom nëpër filma me xhungla apo vende ekzotike, ku gjindja lëkunden në ajër nën hijen e bananeve dhe pemëve të kokosit, nuk janë aq komode sa ç’mund të imagjinohet rëndom.

Përkundrazi, janë përgjithësisht tejet të shkurtër. Përse vallë i bëjnë gjithmonë të tillë? Sepse ngaherë këmbët të varen jashtë si lavjerrës, edhe koka njëkohësisht. Kushedi përse!

Mund të rrish përmbledhur si top brenda këtyre krevateve të varur vetëm nëse merr pozicionin e fetusit kruspull në barkun e nënës apo nëse shtiresh sikur qenkërke ndonjë mjeshtër i madh oriental Joge. Është e mundur të hamendësohet se në fabrikat e posaçme ku punohen krevatet e varur (në Kinë, Vietnam, Bangadesh, e vende të ngjashme) mbretëron padyshim një sadizëm i përhapur që shkaktohet nga pakënaqësia e punonjësve me pagesën e ulët apo kushtet e punës. 

Kështu punonjësit rregullisht i shkurtojnë disa centimetra krevatet e varura në dëm të plazhistëve të menderosur nga katër anët e botës që shkojnë të pllaquriten në det. 

E shkurto sot, shkurto nesër pëlhurën, tashmë plazhistit të ngratë ndërkombëtar, i del jashtë edhe gjysma e prapanicës me këtë ritëm.

Por sakaq, edhe kremi me faktor mbrojtës kundër rrezeve të dëmshme të diellit mesdhetar, nëse nuk vemi ta blejmë te NASA apo MIT i Massachusetts, nuk të ndihmon fare, krejt e kundërta, njeriu rrezikon seriozisht të marrë zjarr porsi shtrigat që digjeshin në mesjetë nëpër turra drush.

Ti shkon ta blesh atje në plazh, poshtë shkëmbinjve e buzë detit të kaltër në një farmaci të improvizuar (apostafat për plazhistët e huaj; farmacitë normale janë për vendasit) dhe shitësja të thotë me plot gojë: - Good protection, no burning!.

I ngrati turist, e interpreton këtë pohim si Betimin e Hipokratit dora vetë (fundja Ishulli i Afërditës shquhet për helenizmin e vet të lashtë, ndonëse perëndesha në fjalë, seç e ka emrin me tingëllim të vagullt shqip) apo si fjalën e docentit të dermatologjisë. 

Shitësja ndërkaq e shikon mirë kuletën e pasur të turistit e kjo e shtyn të mos përgjigjet sinqerisht: -I’ve got no fuc.ing idea! – por vijon duke thënë tërë vetëbindje: - You take 50+ Sun Protection, you not get burned! 

Ti e merr mbrojtjen 50+, e paguan sa qimet e kokës (që gjithaq po digjen në diell, se ti turist pordhac, nuk mban kapele). E ndërsa largohesh prej saj, të duket sikur dëgjon pëshpërimat “Over there you have an Apotheke”, duke të pandehur mesa duket për turist humbameno gjerman, e për ta lehtësuar ndërgjegjen të jetë duke dashur të të thotë: - Shoku, të shita majonezë e mustardë për hamburger, jo krem me faktor mbrojtës të lartë kundër diellit, more gomar!

Kështu, brenda disa ditësh plazh mesdhetar, njeriu digjet- rripet e poshtërohet pafund me lëkurën që i bëhet si e kofshës së pulës pas kalimit në furrë. 

Ah, ku ta gjesh kosin e gjyshes, që zgjidhte çdo djegie plazhi dikur, kur ia mallarnim për Durrës qysh në pikë të mëngjesit, pa u zgjuar akoma dielli nga letargu i natës, dhe mësynim furgonat e pakët duke shfrytëzuar rrugën e Ndroqit për në Golemin akoma të virgjër, ku gjendeshim ballë për ballë me Adriatikun ende të pa përmjerrë e menderosur masivisht si ditët e sotme, e kur ktheheshim të përcëlluar në kryeqytet, gjyshja na shëronte në çast me kosin e saj të shtëpisë (legjendën e Farës së Kosit që kërkohej edhe te fqinjët, e mbajmë mend të tërë).

Pastaj njeriu shpenzon gjysmën e buxhetit të pushimeve për zbutës djegiesh dhe kremëra me Aloe Vera (po Aloe false të ketë vallë?), por vijon të lyhet me majonezën e blerë nga farmacia e turistëve për të mos ia njohur ngadhënjimin armikut. Para se të ikësh nga ky plazh ndërkaq, nuk harron të kalosh njëherë nga kjo farmaci e ta kundrosh shitësen siç luani i shqyen me sy pretë e tij të savanës (më pas edhe me dhëmbë).

Por, kur shkon me pushime, je që je, nevojitet të kesh blerë që përpara edhe gjithçka shesin ambulantët. Vetëm kështu ke për të shmangur kërdinë psikologjike që shkaktojnë këta të fundit. Sepse këta shitës ambulantë plazhi “Jo” nuk e njohin si përgjigje. Ndoshta shtiren sikur largohen, por sapo shohin se po dremit, kthehen menjëherë. Ata bëjnë një luftë psikologjike me ty, njëfarë torture mesjetare që e kanë përkryer me përvojën e viteve. 

Rreken të të shesin gjithçka të panevojshme për ty, e kur ti u thua: - What the fu.k man, I was sleeping! – ata shtiren se nuk kuptojnë.

Mund të të shesin edhe një kamion apo anije të lashtë greke të kohës së Odiseut rrugës për Itakë dhe dorëzohen veç nëse ke blerë gjithçka. 

Por në plazhe me ujëra të kristalta mesdhetare si ky që po përshkruaj, ka edhe masazhues.

Vijnë pranë turistëve dhe pyesin me zë joshës: - Massage sir/lady? 

Ti përgjigjesh mohueshëm e të bëjnë masazh falas në gishtat e këmbës duke të falur një lehtësim madhështor e turisti i ngratë dorëzohet. Puna është se këta sharlatanë as kanë studiuar fizioterapi e asgjë të tillë. Ata thjesht e rrahin me pëllëmbë bjeri t’i biem turistin hutaq sikur vetë të ishin gratë duararta të Boboshticës që përgatisin brumin e lakrorit me trupin tënd. 

Turisti e kupton se ka bërë një mufkë e u thotë ta ulin ritmin, por ata e dendin në vajra farërash të ndryshme të panjohura për ta bërë lëkurën më të rrëshkitshme. 

Si përfundim, një ditë, ti vendos që të dalësh vullnetar të mbledhësh mbeturinat plastike në plazh sepse, ose ke rrjedhur nga trutë, ose thjesht je mërzitur nga limontia. 

Gjindja të kundron me kërshëri. Ndokush edhe të ndihmon në këtë nismë të fisme mbrojtje të planetit (në vendin tënd, edhe ti ndërkaq qelb nga të mundesh, por jashtë bëhesh si pastërtor, se ashtu është moda; mund të shkosh edhe të shpëtosh arinjtë polarë në Antarktidë një ditë, por plehërat poshtë shtëpisë i hedh nga dritarja). 

Mbledh copa plastike, barishte, çdo ndotje plastike të mundshme gjersa dikush të pyet: - Nga je? – e ti përgjigjesh: - Shqiptar.

Gjindja e huaj të përgjigjet gojëhapur: - Holly shit, really? 

Nuk paskërkemi, duket qartë, reputacion shumë të nderuar neve shqiptarët.

Sidoqoftë, edhe ti si turist shqiptar, ndihesh cazë i ndrojtur nga fakti që nuk dehesh, bëhesh xurxull, nuk vjell nëpër rrugë e veçanërisht që nuk i bën Selfie pafund prapanicës tënde 17 herë në ditë si turistët e tjerë atypari, dhe teksa i shtrohesh gjerbjes së qetë të një birre të ngrohtë vendase (të kujton fort urinën e maces), ndërkaq ia shtron pyetjen vetes: - Vërtet unë mblodha mbeturinat në plazh? 

E pas një pauze të stërgjatë teatrale që do ta bënte xheloz edhe Laurence Olivier, të vjen e natyrshme përgjigja: - Qenke gomar more djalë!

Nis ta kruash etiketën e shishes së birrës dhe e lëshon të përkundet në puhizën e lehtë të mbrëmjes, që e shpie diku larg, në brigje të panjohura mesdhetare, por jo në brigjet e vendit tënd, sepse ato i ndotim vetë. 

  
 
 
© Elvi Sidheri

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
5.00