Besa e shqiptarëve
Mbi 95% të shqiptarëve i analizojnë gjërat bardhë e zi.
Nga Lirim Gashi
Mbi 95% të shqiptarëve i analizojnë gjërat bardhë e zi.
Po aq e lartë është përqindja e shqiptarëve që nuk e thonë të vërtetën kurrë deri në fund, sepse janë edukuar nga prindërit e tyre për t’a shpërfillur ndërgjegjen e keqe sa herë që gënjejnë dhe mashtrojnë.
Kjo për faktin se më shumë brengosen se çka do të thonë dhe mendojnë të tjerët për ta nëse e thonë të vërtetën e plotë, se sa për ndërgjegjen e keqe që rezulton nga gënjeshtra dhe mashtrimi.
Dhe këtu fillon kompromisi me vlerat siç janë sinqeriteti dhe ndërgjegja, dhe anasjellas me anti vlerat siç janë gënjeshtra dhe mashtrimi.
Shqiptarët qysh në fëmijërinë e hershme këshillohen nga prindërit e tyre se si të kalkulojnë dinakërisht për të përfituar personalisht nga çdo situatë, pavarësisht çmimit që e paguajnë të tjerët nga kalkulimi, gjegjësisht përfitimi i tyre i pasinqertë .
Dhe kështu ua shkaktojnë fëmijëve të tyre qysh në fëmijërinë e hershme pesë devijime apo mëkate edukative : 1. josinqeriteti, 2.mungesa e ndërgjegjës, 3. egoizmi, 4. krenaria e rrejshme dhe 5. dinakëria.
Shqiptari shumë më tepër brengoset se çka do të thonë dhe mendojnë të tjerët për të, se sa për dëmin që ia shkakton gjysmë e vërteta e tij, gënjeshtra dhe mashtrimi njerëzve që i gënjen dhe mashtron.
Me fjalë të tjera shumë më tepër energji shpenzon për t’a ndërtuar imazhin e tij të rrejshëm, se sa që brengoset për mungesen e guximit për të qenë i sinqertë ndaj vetvetes dhe të tjerëve dhe për t’a thënë haptas të vërtetën edhe kur ajo është e pakëndshme për të tjerët, gjë që është bazë e edukimit dhe emancipimit human dhe iluminist, prandaj shërbehet me gjysmë të vërtetën, aktrimin dhe mashtrimin për t’u dukur i mirë në sytë e të tjerëve, meqenëse është edukuar nga prindërit për të mos pasur ndërgjegje të keqe as kur aktron sinqeritet të rrejshëm dhe as kur gënjen dhe mashtron.
Dhe kur edukimit i mungon sinqeriteti që është bazamenti i nderit dhe moralit, ndodh një formim dhe emancipim individual gjysmak, i segmentuar, i deformuar dhe paragjykues.
Prandaj sa më i lartë që është numri i individëve që e kanë kryer një shkollë të tillë të edukimit familjar dhe shoqëror, aq më i madh është dëmi që i shkaktohet rrënjës, trungut dhe degëzimit kolektiv apo kombëtar.
Kur individi nuk e thotë të vërtetën për hirë të ndërtimit të imazhit të tij të rrejshëm, ai automatikisht i nënshtrohet kalkulimit të shëmtuar dinak, egoist dhe populist dhe në këtë mënyrë shndërrohet në mashtrues ordiner, gënjeshtar, hipokrit dhe demagog.
Mirëpo gënjeshtar, hipokrit dhe demagog nuk mund të bëhet askush pa synuar përfitim të pandershëm.
Dhe kur njeriu synon në kontinuitet dhe me çdo kusht përfitim të pandershëm, ai nuk shoqërohet me njerëz të moralshëm dhe të ndershëm, por me njerëz të pamoralshëm dhe të pandershëm, sepse për të nuk ekzistojnë vlerat shpirtërore, por vetëm vlerat materiale.
Përkundrazi, njeriu i pandershëm dhe pamoralshëm shoqërohet me njeriun e ndershëm dhe të moralshëm vetëm për t’a shndërruar në viktimë të radhës.
Dhe njerëzit që i dashurojnë vetëm vlerat materiale, shoqërohen vetëm me njërëz të pasur materialisht dhe të varfër shpirtërisht.
Dhe pikërisht këta njerëz janë gjeneratorë të paragjykimeve ndaj shtresës së varfër dhe skamnore , edhe pse varfëria dhe skamja e kësaj shtrese ndërlidhet pikërisht me eksploatimin, varfërimin dhe mjerimin që ia kanë shkaktuar ata vetë kësaj shtrese.
Pra krimineli hipokrit dhe cinik edhe të varfëron deri në mjerim edhe të përqesh, gjegjësisht tallet dhe defrehet me vuajtjet që t’i ka shkaktuar.
E përfitimi i pandershëm nuk arrihet pa u shërbyer me lajthitjen dhe vardisjen e jargosur si mjet që e arsyeton qëllimin e pandershëm dhe pa bërë kompromis me etiken, nderin, moralin, bindjet dhe parimet.
Kur njeriu i nënshtrohet anti vlerave për hirë të përfitimit personal dhe mbi bazën e ndërtimit të imazhit të tij të rrejshëm, ai automatikisht shndërrohet në kameleon pakurrizor dhe në këtë mënyrë pa hezitim e përqafon mentalitetin nënshtrues.
Dhe kur 95% të shqiptarëve e kryejnë me sukses të shkelqyer dhe sjellje shembullore këtë shkollë të edukimit të jargosur vardisës, lajthitës dhe nënshtrues, atëherë pse habiten që e tërë historia e tyre është ndërtuar nën çizmen nënshtruese të okupatorit dhe pushtuesit, kur vullnetarisht e kanë mbajtur kokën nën të?
Që shqiptarët vullnetarisht e kanë mbajtur kokën nën çizmet e pushtuesve e dëshmon qasja e tyre e papërgjegjshme, pandërgjegjshme dhe jollogaridhënëse ndaj shtet ndërtimit në liri dhe demokraci.
Dikush mund të thotë, por nuk ishte dhe nuk është populli në pushtet, prandaj nuk është fajtor për gjendjen që mbretëron.
E vërteta është, se në asnjë vend të botës nuk është populli në pushtet, por janë përfaqësuesit e tij, e në vendet ,,demokratike” siç jemi ne madje përfaqësuesit e tij të zgjedhur me votën e lirë.
Dhe kur përfaqësuesit e tij në pushtet të zgjedhur me votën e lirë nuk ndëshkohen me votën e lirë dy dekada dhe nuk detyrohen të japin përgjegjësi dhe llogari për abuzimet dhe krimet e tyre shumëdimensionale që në total kanë prodhuar shtet rrënim, atëherë mund të flitet vetëm për prapambeturi kolektive edukative e mentale dhe asesi për emancipim dhe evoluim.
Vetë fakti që as figura më emblematike e kombit Gjergj Kastrioti nuk ka shpëtuar nga baltosja e lëpirësve të çizmes së pushtuesve të huaj dhe vendor, është dëshmi që mbretëron koha e djallit, zvarranikut, aksham-demikut, kriminelit, hajnit, kameleonit, klerikut, maskarades, vrasësit dhe mashtruesit e jo koha e punëtorit, bujkut, blegtorit, edukatorit, profesorit, akademikut dhe mësuesit.
Dhe kjo kohë nuk ka pikur si shiu nga qielli, por është krijuar nga tifozët e errësirës të cilëve j’u pengon dielli.
Prandaj edhe nëse të gjithë si një ngritëmi në këmbë për të protestuar kundër të së keqes në stilin folklorik të Murselit dhe Mileqes, nuk ndryshojmë asgjë pa e pastruar dhe ndryshuar së pari vetveten dhe pa e kuptuar rrënjësisht realitetin dhe të vërtetën.
Sepse vetëm në momentin që e pastron secili prej nesh nga e keqja vetveten, krijohen kushtet për ta kuptuar kolektivisht dhe në të gjitha dimensionet dhe nuancat realitetin dhe të vërtetën.
Hebrenjtë për shembull e kanë kuptuar të vërtetën dhe realitetin e tyre të hidhur në të gjitha nuancat dhe dimensionet, tek pas tragjedisë, katarsës dhe katrahurës së tyre kolektive biblike të luftës së dytë botërore, apo edhe më saktësisht tek pas konfrontimit të pamëshirshëm me bilancin e kësaj tragjedie katrahure dhe katarse kolektive të përmasave biblike.
Prandaj e përdorin murin e vajtimit në Jerusalem për t’ia zbrazur pikëllimin e pafund gurëve të lashtë të murit dhe për t’a vazhduar jetën në harmoni më mësimet nga pësimet, sepse ia kanë dhënë besën njeri tjetrit se më parë do vdesin kolektivisht të lidhur dorë për dore, se sa që do e pranojnë një nënshtrim dhe ekspozimin të sërishëm ndaj zhdukjes kolektive të përmasave biblike.
E pyes vetën dhe juve motra dhe vëllezër të dashur, pse nuk ia japim edhe ne besën tonë autoktone vetvetes dhe njëri tjetrit që do t’a mbrojmë qoftë edhe me çmimin e jetës dinjitetin dhe integritetin tonë njerëzor, etik, moral, kombëtar dhe shtetëror nga çdo armik i brendshëm dhe i jashtëm jo vetëm për hirë të vetvetes, gjakut të martirëve, dëshmorëve dhe heronjve, por para së gjithash për hirë të fëmijëve tanë ?!
Mjafton që të mësojmë nga pësimet e edukimit tonë të mbrapsht që na ka shkaktuar tragjedi, katarsë dhe katrahurë përgjatë tërë historinë sonë kombëtare për t’i hapur fëmijëve tanë perspektiva të reja dhe shtigje shumë më të dinjitetshme të ardhmërisë, se sa që na patën hapur prindërit tanë neve në të kaluarën.
Deri kur do presim? Deri kur?
Derisa t’a ndërtojmë edhe ne si hebrenjtë një mur?
Comments (0 posted)
Post your comment