Home | Opinion | Shqipëria, “e pushtuar” nga një juntë ekonomike

Shqipëria, “e pushtuar” nga një juntë ekonomike

image
Është një realitet i frikshëm që na tregon se tashmë në këtë Shqipërinë tonë demokracia është e shpërfytyruar dhe e deformuar krejtësisht.

  

Nga Riza Hoxha

 

 

Shqiptarët vazhdojnë duke u varfëruar, ndërsa klasa politike vazhdon me ritme të përshpejtuara të tallet. Kështu i kanë vlerësuar shqiptarët edhe përbetimet e Presidentit Ilir Meta kur u kujtua dhe deklaroi se, “ishte gati të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit deri te sakrifikimi i jetës si Salvador Aljende për të mos lejuar që në vend të instalohet një juntë ushtarake”. Një deklaratë me të cilën shqiptarët vetëm qeshën, duke i kujtuar Presidentit se, “tashmë Shqipëria ka ushtri vetëm për të shuar ndonjë zjarr në pyje, apo për të pastruar akset rrugore nga plehrat”.

 

Po nëse me Juntën ushtarake, Presidenti vetëm i bën të qeshin shqiptarët dhe miqtë e tyre, të gjithë çuditen pse Presidenti hesht për instalimin në vendin më të varfër të Evropës të një junte që nuk gjendet kund nëpër këtë botë, të “juntës ekonomike”, një juntë krejt e pashpirt që po i përzë në mënyra të ndryshme dalëngadalë gjithë shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore. Është kjo junta e vërtetë që po i tmerron shqiptarët. Është kjo juntë, drejtimin e së cilës e ka në duar e veta gjithë hale – klasa politike shqiptare, që së bashku bashkëpunojnë për shtypjen e pashpirt të shqiptarëve përmes varfërimit të vazhdueshëm të tyre.

 

Vendosja e juntës ekonomike në këtë vend nisi menjëherë me hedhjen e hapit të parë drejt demokracisë. Është kjo arsyeja pse, edhe sot pas afro 30 viteve të instalimit të demokracisë, shqiptarët sërish ëndërrojnë për “liri – demokraci” dhe “e duam Shqipërinë si Evropa”. Është ky tregues se me këtë klasë politike, nuk kemi arritur thuajse asgjë përgjatë këtyre 3 dekadave. Edhe pse kjo është e vërteta, kjo klasë politike pa asnjë moral vazhdon të këmbëngulë për të mbajtur vetë pushtetin. Më e keqja që kjo klasë politike ka instaluar, është pushteti familjar që tashmë është i gjithëfuqishëm. Po edhe një realitet i frikshëm që kjo hale – klasë politike mbodhi në Shqipëri përgjatë afro 30 viteve të kësaj gjysmëdemokracie që nuk i duhet askujt.

 

Junta ekonomike e shtrirë në çdo skaj të vendit, tashmë nuk lejon të dalë asnjë nga rreshti i saj. Ajo tashmë është e plotfuqishme dhe ka zënë në rrjetën e saj edhe hale – politikën, e cila tashmë është krejtësisht e nënshtruar. Kjo juntë ekonomike, mjel si t’i vijë ndoresh çdo lloj pasurie mbi e nëntokësore të këtij vendi me pasuri të pamata. Është kjo açik arsyeja që sot ky vend është më i varfëri në kontinentin plak. Sot mjerimi, dallkaukllëku, mizerabiliteti, injoranca e instaluar nga gjysmështeti familjar janë ato që sundojnë në këtë Shqipëri që vetëm varfërohet, edhe pse dallkaukë të familjes na broçkullisin me synim për të na mashtruar se, “kemi rritjen ekonomike më të lartë në Evropë, vetëm Gjermania na e kalon për pak gjë”, apo se, “për vitin 2014 kemi rritjen ekonomike 4,2 për qind”. Paturpësisht specialistët e juntës ekonomike të familjes me këto pohime e pranojnë se, vetëm në këtë Shqipërinë tonë rritja ekonomike përkthehet me varfërim të mëtejshëm të shumicës. Një realitet i dhimbshëm, që as nuk ka ndërmend ndonjëherë të ndryshojë. Ndaj dhe shqiptarët vetëm largohen për të shpëtuar të paktën pasardhësit nga shtypja e neveritshme e kësaj junte ekonomike të pashpirt, që as i shkon mendja t’i heqë një herë dhëmbët nga trupi i gjithëgjakosur i Shqipërisë.

 

Kjo juntë tashmë e pandëshkueshme ia ka marrë dorën vjedhjes së vazhdueshme të çdo pasurie kombëtare. Çdo vit, është KLD që ua bën të ditur shqiptarëve çfarë u është plaçkitur, po është kjo hale – klasë politike bashkë me plazhistët e Durrësit që mbyllin gjithçka. Kujtojmë se, vetëm për vitin 2018 dëmi ekonomik i zbuluar nga KLSH arrin në 193 milionë euro. Në ç’duar ka rënë kjo shumë e stërmadhe? Pse heshtet nga kjo klasë politike, një pjesë e së cilës na broçkullës që të ngrihemi në protesta pse pjesa tjetër blen votat në zgjedhje. Po shqiptarët e dinë se votat edhe janë vjedhur dhe nuk ka ndodhur asgjë. Pasi e dinë mirë, se, një h…le ikën për t’u zëvendësuar me një h…le tjetër. Ndodh kështu, në këtë vendin tonë afërsisht një në katër lekë që qeveria menaxhon, shpërdorohet. “Me të tilla ritme shpërdorimi,- thonë shqiptarët e mbetur ende pa ikur, është e kotë të vazhdojmë të qëndrojmë këtu. Të ikim për të shpëtuar pasardhësit, se ne e hëngrëm”.

 

 Kjo klasë politike ia ka bërë vendin që edhe nëse shkon në burg (të cilin e ka merituar prej vitesh) të mund të paguhet si frëngu pulën. Ish drejtori i Burgjeve, Artur Zoto u hetua dhe u dënua për korrupsion, por pas daljes nga burgu përfitoi pafajësinë dhe dëmshpërblimin prej 1,72 milionë lekë për 567 ditët e burgut. Po ashtu ish Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani pse u largua nga posti pas vjedhjes nga thesari të 713 milionë lekëve, u dëmshpërblye me 12 paga për largimin nga puna (për pak sa nuk i dhanë edhe në dekoratë”). Idiotizma të tilla ndodhin vetëm në këtë gjysmë shtetin tonë që drejtohet nga juntë oligarkike familjare.

 

Me shembuj të tillë idioteskë është e mbushur plot kjo Shqipëria jonë. Si për të na treguar açik se çfarë junte ekonomike kemi mbi supe. Por edhe çfarë klase politike të paturpshme kemi drejtim. Me të nuk do të mundemi ndonjëherë t’i largohemi tranzicionit që po në zë frymën. Se për çdo vend pune në administratën shtetërore jemi të detyruar të paguajmë 2, apo edhe 3 paga. Dhe për këtë askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk ndëshkohet. Edhe pse gomarllëqe të tilla e dimë mirë se ndeshen vetëm në këtë vendin tonë.

 

Është një realitet i frikshëm që na tregon se tashmë në këtë Shqipërinë tonë demokracia është e shpërfytyruar dhe e deformuar krejtësisht. Dhe kështu do të vazhdojë të jetë derisa kjo Shqipëri do të mbetet “e pushtuar” nga një juntë ekonomike e pashpirt, nga një juntë ekonomike që mbetet e pandëshkuar, pasi mbrohet nga një klasë politike që nuk e ndesh kund tjetër në këtë botë.

 

 Është bash kjo arsyeja që përbetimet e Presidentit për dorëheqje, apo për sakrifikim për mbrojtjen e vendit nga ndonjë juntë ushtarake, asnjë shqiptar nuk e mori seriozisht. Gjithçka tingëlloi qesharake, në kushtet kur edhe Presidenti është një nga përfaqësuesit më të zellshëm të kësaj klase politike që ka instaluar me duart e saj juntën ekonomike më të pashpirt që ka njohur kjo botë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Rate this article
0