Ikja...
Evropa vetë është sot në një nga krizat më të mëdha të papunësisë dhe nuk ka luksin e përkujdesjes sociale për shqiptarët e zhgënjyer e të traumatizuar.
Gëzim Podgorica
Po ikin ! Një kurbet modern me autobusë të rinj, me përcjellje publike, me pasaporta dhe rrugë zyrtare ka nisur. Një kurbet që nuk ka shoq në Evropë dhe po tregon mjerimin tonë, po tregon se deri ku ka degraduar jeta e gjithë këtyre njerëzve që marrin rrugët e Perëndimit pa ditur vetë as se ku shkojnë dhe as se çfarë do bëjnë. Vetëm nisen kuturu, në një udhëtim që po bëhet çdo ditë e më shumë biblik. Konsiderohet I tillë nga përmasat që po merr, por edhe nga mungesa e orientimit dhe shkuarja nga asgjëja drejt asgjësë. Lirinë e lëvizjes shqiptarët po e konsumojnë jo si të gjithë popujt e tjerë. Krejt ndryshe , po e konsumojnë si liria për të sakrifikuar familjen,tokën e vet, vendin, historinë gjithçka. Po e konsumojnë jo për të qenë në integritetin e qytetarëve evropianë, por fatkeqësisht si endacakë. Shumë e dhimbshme kjo situatë, por e tillë është.
Nisen pasi këtu shpresa është vrarë prej kohësh, mundësitë e jetesës janë kufizuar në limite ekstreme dhe po humb me shpejtësi çdo gjë. Se çfarë do zgjidhin sigurisht kjo është një enigmë e madhe, por humbja e besimit tek çdo gjë, diskriminimi që kanë në kurriz po bën që të errësohet arsyeja dhe të kërkohet një rrugëzgjidhje, pavarësisht kostos së rëndë. Fakti është se ndodhemi përballë një ikjeje masive. Nga komunat ku gjendja është më e vështirë, rrugëtimi është gjithnjë e më i madh. Normalisht që kjo ka arsyen e vet brenda, por ajo ka edhe efektet që janë me pasoja vërtet shumë të mëdha.
Ikja po ndodh publikisht, nuk po bëhet në mënyrë klandestine dhe me rrezik për jetën. Por ajo ka një rrezik tjetër, ka rrezikun për të ardhmen. Kjo ikje po bëhet edhe në sy të politikës, e cila nuk ka guxim ta përballojë apo ta ndalojë atë. Nuk ka guxim pasi ajo është vetë përgjegjëse direkte për këtë situatë, për errësimin e perspektivës, për vrasjen e shpresës. Prandaj ajo ka gjetur rrugën e heshtjes, megjithëse ballafaqohet me një nga situatat më të rënda që po kalojnë shqiptarët. Kjo nuk është thjesht një lëvizje e lirë, por është një braktisje e vendit , ashtu siç është në të njëjtën kohë edhe një braktisje e gjithçkaje që i ka rrethuar këta njerëz deri tani. Elita politike vazhdon të heshtë nga mungesa e guximit për të folur. Momenti është shumë delikat dhe kërkon ndërhyrje. Vërtet është jeta private e shumë të rinjve që politikanët nuk mundën dot ta garantonin dhe t’i jepnin shpresë, por ata duhet të përfshihen në këtë ngjarje dhe të përpiqen ta parandalojnë atë. Po shiten shtëpi e katandi, po sakrifikohet deri në ekstrem për t’u nisur drejt Perëndimit, por pa ditur as se ku dhe as për çfarë. Në këtë moment kur kanë lulëzuar fallsifikatorët dhe manipulatorët e shumtë, nevojitet një thirrje drejt ndërgjegjes dhe vetëdijes së gjithsecilit, pasi nesër do të jetë vonë, shumë vonë dhe depresioni i zhgënjimit do të jetë shumë i madh dhe i pariparueshëm.
Evropa vetë është sot në një nga krizat më të mëdha të papunësisë dhe nuk ka luksin e përkujdesjes sociale për shqiptarët e zhgënjyer e të traumatizuar. Ajo me një sforco të jashtëzakonshme po përballon situatat e veta të brendshme problematike dhe rritjen e papunësisë dhe nuk po menaxhon dot grevat që shpërthejnë në shtetet më të zhvilluara të saj. Nën këtë dekor gri , këto ikje ngjajnë më shumë se asnjëherë jashtë kohe dhe realiteti dhe pa asnjë optimizëm e shpresë zgjidhjeje të halleve të shqiptarëve. Por manipulatorët që “peshkojnë” përherë situate të turbullta janë shtuar së tepërmi dhe duhen penalizuar me çdo kusht. Ata po i bëjnë sot një dëm të madh individit, shoqërisë dhe kombit. Në kuadër të përfitimeve të tyre, ata po krijojnë alibinë e zgjidhjes së problemeve e halleve në rrugët e Evropës, aty ku shtohen me shpejtësi të papunët dhe përplasen probleme gjithfarësh. Ata nuk duan t’ia dijnë në emër të pasurimit pavarësisht kostos, por shoqëria ka aksesorët e vet që duhet t’i vërë në lëvizje dhe t’i parandalojë ato.
Politika duhet rizgjuar e të gjejë forcën e vet që të ndalë këtë ikje, këtë eksod të ri shqiptar drejt perëndimit, një eksod pa shpresë dhe pa zgjidhje.
Comments (0 posted)
Post your comment