Home | Opinion | Pse nuk gjenden eshtrat e F.Kokomanit?

Pse nuk gjenden eshtrat e F.Kokomanit?

image
Kokomani ishte një idealist, intelektual dhe një revizionist i vijës diktatoriale të Hoxhës. Mbrojta e tij në gjyq ishte sa stoike aq edhe e thellë dhe filozofike. 


   


Nga Robert PAPA


 
      Prej një burimi të sigurt, për dijeninë e disa deputetëve, skeletet e gjetura në varrezën e Dajtit janë të personave ordinerë të dënuar për krime. Personat e dënuar për "krime politike" janë zhvendosur prej aty. Ky është dhe shkaku, sipas burimit, që edhe Spartak Poçi, ish-ministër i Brendshëm, nuk e ka gjetur dajën e tij, Fadil Kokomani, gjatë kërkimeve që ka bërë. Edhe pse skuadërkomandanti i togës së pushkatimit H. M., ka punuar në ministrinë që drejtonte Spartak Poçi, madje në rang drejtori, ndërsa doli nga puna vetëm në vitin 2007. Kushedi sa kriminelë, punojnë ende në administratë?
Gjithmonë sipas burimit: “Ai çifti që ke përmendur te “Fokus”, është Lumturi Boka me burrin. Sipas vendimit të gjyqit, Lumturia ka ndihmuar burrin të përdhunojë një tjetër, e kanë grabitur e më pas e kanë hedhur në një pus. Pak a shumë këso akuzash kanë të tjerët që janë zbuluar për herë të parë ose për herë të dytë e të tretë. Ka shumë gjasa që ai vend (ky i zbuluari) është gërmuar disa herë, herën e parë më 1992 nga A. Sh., çka ka sjellë mosruajtjen e vendit. Nga këto kërkime është gjendur "beu i Saukut" dhe 2 - 3 raste të tjera. Nga kërkimet amatore vendi është dëmtuar mjaft.”
      Poçi nuk i gjeti dot eshtrat e dajës së tij heroik, edhe pse dikush nga ekzekutorët, e mbase ai H. M., e kishin drejtuar te varrezat e Dajtit. Ministri ka gërmuar vetë e pastaj ka punësuar disa kërkues por nuk gjeti dot një varr, ose më mirë një gropë me tre trupa, se Kokomani ishte pushkatuar me dy shokët e tij. Ministri nuk gjeti as harta e as lista me vendet e të pushkatuarve. Kokomani ishte një idealist, intelektual dhe një revizionist i vijës diktatoriale të Hoxhës. Mbrojta e tij në gjyq ishte sa stoike aq edhe e thellë dhe filozofike.
      Ndër të tjera ai shkruante: “...në këtë gjykim përshkohet dhe mbart në vetvete-burim i paramenduar me interpretët realë të këtij paramendimi nga një pasaktësi faktesh e theksuar nga një R. Vullkani, N. Skrapari... e pasthirrma zërash thashethemexhinjsh... (që përbëjnë skuadrën dëshmuese, e pra, gjëja faktuese, që t`i analizosh në një për një, nuk janë veçse mbeturina të “Lumpen proletariatit”; të shekujve të perënduar... kjo akuzaturë vuan nga ai aspekt thelbësor  i juridiksionit socialist që quhet “korpus delictum” si dhe... me dashje pa dashje krijon atë atmosferë të rëndë dhe aspak të dëshiruar në sistemin tonë socialist që quhet sëmundja e burgomanisë. Dhe në të vërtetë ne Fadil Kokomani Vangjel Lezho, ashtu siç kujtojnë me tendencë (e për të shtuar në këtë akt-akuzë një... të freskët delikti) dhe hartuesit e akt-akuzës u dënuan më 30 nëntor të vitit të kaluar, (1978) -për një letër drejtuar Komitetit Qendror të PPSH, kur kërkonin, të nisur nga pozitat e komunistit,  gazetarit, që udhëheqja më e lartë në mes dy kongreseve, KQ të rishikonte vijën politike aktuale... dhe vetë byroja të bënte përpjekje dhe jashtë çdo egoizmi partiak personal, të rivendoste marrëdhëniet me BS... në këtë letër ne prezantonim mendimet tona racionale, të cilat në tërësi janë... të parashtruara në organizatën e partisë...
      Gjatë jetës burguale dhe kampiale, te kjo që kohët e fundit është shqetësuar nga një dyndje e madhe të arrestuarish, midis të cilëve, shumica janë bij të familjeve të luftës... dyndje që padyshim shpreh një artific e përpëlitje ekonomike e shoqërore si rezultat i politikës së dyerve të mbyllura dhe staliniane, që i solli këtë anomali jetës në B.S. 
Në një vend ku mendimi politik i një pjese bëhet moto jete deri në organizmat intime familjare, ai vend vuan nga shterpësia e... individualitetit. Tërhoqa pak gjatë vëmendjen  e përfaqësisë së nderuar, rreth dy letrave tona, të dërguara vitin e kaluar KQ, për të patur si parantezë, bazën skjaruese se kjo akuzë “E Re” ngritur konkretisht në këtë gjyq (sigurisht mbi bazën e raporteve të dëshmitarëve, është pothuajse krejtësisht false, e falsifikuar keqas dhe thërësisht, sa subjektive aq edhe hakmarrëse. Ne nuk jemi as kriminelë, as vrasës, as propagandues e as agjitatorë kundër pushtetit popullor... siç mundohen me pompozitet frazeologjik, (por shterpësisht të përsëritur, pa asnjë argumentim serioz juridik të çështjes) ta paraqesin gjendjen akuzantët...
      I gjithë materiali fiktiv është parashtruar me një gjuhë pompoze bombastike e frazeologjike alla-marciale, sa që kushdo që e lexon vë duart në kokë e thotë: “Në Spaç qenka bërë nami, qenka zbuluar një organizatë, e cila paska dashur t`i vërë minat pushtetit popullor, që paska pasur në plan ti vijë në ndihmë forcave kundër revolucionare të brendshme (të cilat për mendimin tonë nuk ekzistojnë fare) dhe forcave reaksionare të jashtme, paskan pasur në mend t’i vinin në ndihmë forcave ushtarake sovjetike që do të pushtonin Shqipërinë (sa për dijeni BRSS është qendra e komunizmit botëror dhe si e tillë nuk është vend pushtues dhe po qe se e quani veten marksistë-leninistë e dialektikë, të paktën deri më  sot historia 62 vjeçare e ekzistencës triumfiale e Atdheut sovjetik nuk na jep ndonjë shembull të tillë pushtimi. Atëherë nga e... (krijoni) ju këtë konkludë dhe këtë shpifje, qoftë në adresën tonë, qoftë dhe me tepër në adresë të Bashkimit Sovjetik, Vendit të lirisë, mirëqenies e barazisë, kulturës masive dhe begatisë së pashtershme? Është e kuptueshme se ju (e ngrini) këtë nga korniza konspirative e fakteve jashtë objektivitetit si dhe duke shtrydhur trutë e ndryshkura të dëshmitarëve të tjerë, këtyre protokallëpeve filistinë të cilët katër mijë vjet më parë dogjën Palestinën të shitur për një kothere bukë... i Donkishotëve me këtë organizatë, që kërkoni të na aluciononi në vend të Dylqinjës ose mullinjve të erës... 
14.  Jehona përparimtare e shekujve, duke filluar që nga babai i materializmit Aristoteli   e duke dalë deri tek Mendelejevi, Ajnshtajni e fluturimet kozmike- është ngulitur thellë  në tërë qenien tonë si komunistë si gazetarë.
15. Kultura botërore, shkenca, filozofia materialiste, letërsia përparimtare, muzika, arti  progresist- të gjitha vlerat historike të mendjeve të ndritura njerëzore jetojnë tek ne më të gjalla e na frymëzojnë pa ndërprerje edhe këtu në burg.
16. Lufta dhe përpjekja drejt dijes, përparimit shoqëror që bënë kolosët e shkencës e të kulturës ndër shekuj si Aristoteli, Epikuri, Euripidi, Galileo- Galilei, Xhordano Bruno, Koprniku, Vespuci, Kolombi, Robert Hjuk, Didero, Volteri... Dobrolubovi, Mendelejevi, Botkini, Plehanovi, Bekon (babai i materializmit anglez), Carl Darvini, Diogeni, Lavajueri,  Frederik dhe Marie Kyri... Ajnshtajni, Popovi, Dantoni, Homeri, Eskili, Sofokliu, Virgjili, Petrarku,  Dante Aligieri, Llongfellou, Uitmeni, Xhek Londoni, Teodor Drajzeri, Nikollaj Gogoli, Sergej Jesenin, Fadjev...  
18. Mbaroi shekulli i qorrave... mos vallë akuzatura mendon se si dikur në Shqipëri shkonte beu i fshatit a një pasanik te fshatari, i epte 5 grosh a një pëllëmbë zabel dhe i thoshte ec e vraje filanin se po të kapën të nxjerr unë nga burgu, do të gjejë te ne bashibozukë të injorancës e të poshtërsisë? Gaboheni rëndë zotërinj, gaboheni shumë rëndë.
      ... Unë Fadil Kokomani, qysh në fëmini, krahas punës për Lëvizjen  N.C.L., madje jam burgosur nga gjermanët, dhe aksioneve praktike në rindërtimin e vendit, kam qenë gjithmonë i pari në mësime, si në fillore, në unike “29 Nëntori”, në gjimnazin “16 Shtatori” ashtu edhe në universitet dhe konservator. Po kështu edhe Vangjel Lezho ka qenë i shkëlqyer në mësime, si në fillore, në normalen e Elbasanit dhe Universitetin e  Leningradit e pastaj në atë të Moskës. Të dy familjet tona të lidhura ngushtësisht me Luftën për Liri e në revolucionin socialist. Është më kryesorja, ne, Vangjel Lezho- Fadil Kokomani s`kemi qenë kurrë karrieristë.
      ... në plenumin e IV të K.Q. PPSH Enver Hoxha thotë se: “Burgu është forma e fundit e edukimit”. Bukur fort, por ç’na del nga kjo procedurë e fundit hetimore kundra nesh?  Na del se burgu na qenka dhe forma e fundit e mashtrimit, torturës dhe vdekjes së ngadalshme. Akuzatorët na propozojnë: o “mangi questa inqiesta o fuori qui della finestra”. Ju zotërinj akuzantë, ne nuk do ta hamë këtë...
Ta zëmë për një moment se do t`i pranonim dhe do të shkonim... në union me rrymën që zbriti këtu me dëshmuesit, vallë a do të përbente kjo një vërtetim juridik për juve të nderuar trup gjykues? Jam i bindur se jo dhe Jo. Sepse janë disa faktorë kardinalë dhe anësorë shumë të rëndësishëm... kokëfortë që quhet “corpus delictum”.
      Unë edhe mund të heshtja, siç tha edhe Vangjeli, duke hedhur poshtë akoma më bukur çdo sprucaturë uji te qelbur të hedhur këtu nga vagabondazhi Spaçian...
Në konkludën tuaj përfundimtare, pra edhe decizive, do dëshironja që t`ja nënshtronit një supermacie mendore, logjike, tërë të ashtuquajturën faktivizim të “flakë ndezësve” që fshihen, të këtij “Burimi kapricioz” dhe hakmarrës që na sulmuan dhe që u paraqitën këtu para jush, të armatosur shumë keq, me kontradiksione evidente dhe aspak serioze...
Predispozicioni i tërë për të shpifur, për të bërë keq... me këtë nuk dua të justifikoj ata, ose siç thotë populli “lëre mirë se aq mend ka”. Unë kështu kam vepruar gjithmonë, qoftë në jetën e lirë, qoftë tani prej 17 vjetësh që ndodhem si të thuash i arratisur nga jeta...
Ne Fadil Kokomani e Vangjel Lezho, nuk jemi as Sako e Vanceti, por sapo për dijeni, me vepra konkrete dhe përmbajtjen botëkuptimore, u jemi prezantuar kurdoherë dhe të tillë, të pa përkulur do t`i prezantohemi këtij opinioni deri sa të jemi gjallë...
Edhe në burg, me të gjitha konditat e vështira ekonomike dhe ambienteve ne kemi përkthyer vepra të letërsisë dhe estetëve të mëdhenj, të Chehovit, Shilerit... kemi shkruar tregime, madje edhe romane
6. Dhe ta dijë mirë kushdo, qoftë monark a perëndi, se ne nuk duam shpëtim nga zot a mbret, nuk duam liri as me dhunë e as me gjak, as me terror e as me zvarritje, siç pretendojnë gënjeshtarët  monstruozë  në këtë akt-akuzë që nuk ka asnjë precedent në historinë e socializmit dhe komunizmit botëror, nuk duam rrugëzgjidhje të fateve tona burguale me kontra-pagesa të tilla, të huajtura nga banditizmi  më i fëlliqur  ndërshekullor inkuzicional.”
      Janë 22 faqe nga mbrojtja e Kokomanit, të shkruajtura me dorë, madje mes rreshtave të akuzës me makinë shkrimi. Shkrim i pastër, i bukur dhe me logjikë të fortë. Elokuencë dhe argumentim. Një ish-komunist, i cili sfidon stalinizmin e monarkut Hoxha dhe mbylljes së vendit. Tregon kulturë ndaj injorancës, paraqet erudicion ndaj torturave dhe burgomanisë. Na ofron fakte për spiunët nga brenda burgut. A duhet të marrin dëmshpërblim, ata që me dëshmi të rreme çuan shokët e burgut deri në pushkatim, si Kokomani e Lezho?
      Ministrit i kishin thënë se daja me dy shokët e tij ishin pushkatuar aty, rrëzë Dajtit në Linzë. Kokomani ka sulmuar spiunët si Podgorica, Besim Valteri apo edhe Robert Vullkani, por sipas dosjeve të sigurimit, ai ishte përgjuar në Spaç edhe nga tre të burgosur spiunë me pseudonimet: Trebeshina, Kalaja dhe Vetëtima, madje, sipas operativit të burgut, ai e kishte dekonspiruar njërin nga spiunët. Njëri prej tyre është njeri publik dhe sot mburret nga e majta, por dikush, mbase edhe nga krahu tjetër.
      Te masivi i varreve, ose gropave në Linzë, ka pasur dhe ende ka eshtra nga të pushkatuarit politikë. Disa spiunime dhe dëshmi te familjarët, gjetën trupat e Llambi Pecinit dhe Llambi Zicishtit. Aty, ose më poshtë, a më lart, janë edhe eshtrat e Xhevdet Mustafës dhe Hasnedarit, dy të dërguarve nga SHBA për të vrarë Hoxhën në vitin 1982, por të spiunuar nga spiuni i sigurimit Halit Bajrami, i cili mbas një gjyqi farsë, u dënua 15 vjet por u la i lirë të shkonte në Zelandën e Re.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00