Zhgënjimi i shtetbërjes!
Humbja e shpresës ose zhgënjimi i shtetbërjes...
Ben Andoni
Mënyra sesi po degradon shteti ynë në kohët tona dhe kakofonia e zërave për modelet më të mira të zhvillimit e të përparimit, po i vë shqiptarët përpara një dileme të madhe shqetësuese: A po e ndërtojmë si duhet shtetin tonë apo jo në periudhën e Demokracisë?! Paçka mërzitisë, trishtimit të rrugës sonë dhe anarkisë së ideve, ne shqiptarët i bashkon ideja e madhe e origjinës së përbashkët humbur thellë në histori prej vjetërsisë, të një populli vërtetë me shumë halle dhe probleme mbijetese, vetëdija e qenësisë sonë dhe përfshirja në kohë të ndryshme në problemet e saj.
Ka një sens që e kap publikun vazhdimisht, sipas të cilit shqiptari i demokracisë e mendon shtetin ose si pjesë e shpurave të Partisë Socialiste o asaj Demokratike. Që do të thotë: vendi pret zgjidhjet nga konjukturat e administratave që dalin prej taborëve të njërës apo tjetrës parti. Pikërisht kjo zgjidhje bën që të mos i kemi si duhet funksionet e një shteti modern, ashtu siç në të vërtetë duhet ta ketë një shtet që mëton të bëjë vend në familjen e madhe evropiane.
Mbase në kushtet tona, operacioni duhet të fillojë qysh në momentin kur prezantohen programet e partive politike, ku atributet qeverisëse shtetërore relatohen por kurrë nuk zbatohen pasi këto parti sapo ngjiten në pushtet- dora vendoset pafre tek kontrolli ekonomik i aseteve kombëtare dhe ai i Drejtësisë dhe përfundon deri në fushat e tjera.
Sfida është një dhe vetëm një: paçka frymës ideologjike, presioneve të grupimeve të ndryshme, individëve, shteti duhet të ndajë dhe të përcaktojë administratën, e cila u shërben të gjithëve prej militantëve të cilët mbushin mitingjet e Opozitës dhe të detyruarit e administratës, nga ana tjetër, të cilët plotësojnë kundër-mitingjet e Pozitës.
Shteti duhet t’u ofrojë qytetarëve të vet jo thjesht shërbimet që ka detyrë t’i realizojë dhe ua ka premtuar, por edhe t’u tregojë më të afërtën e asaj të cilën ka marrë përsipër të realizojë.
A ndodh kjo në vendin tonë? Për fat të keq jo. Ata që mbushin protestat dhe që me ditë po fashiten prej mungesës së paraqitjes së alternativave ashtu si pjesa tjetër e popullsisë që punon apo që ata që ikin, kanë kuptuar se ndërrimi i pushteti do të thotë arnim i sistemit me të njëjtat andrra. Ndaj opozita e ka vështirë të mbledhë më shumë njerëz, kurse Pozitës i duhet të përdorë “kërcënimin pozitiv” për mbushjen e sallave dhe mjediseve.
Shteti duhet të jetë një arbitër që i kalon palët dhe i cili zbaton parimin e drejtësisë te qytetarët e vet. Ai duhet të respektojë në themel marrëdhëniet e pronës, prodhimit, shërbimit e të gjitha këto të dijë t’i harmonizojë me ligj. Sa më të rregullta dhe të drejta të jenë ligjet aq më e ndershme është veprimtaria e gjithanshme e jetës politike-ekonomiko-sociale.
Nëse Drejtësia po besohet se do të bëhet me kalimin e kohës, paçka se pengesat janë bash të mëdha; shteti ynë i deritanishëm mbështetur mbi këtë lloj ekonomie të munguar të tregut mund të konsiderohet si i dështuar. Prona jo vetëm nuk ka shkuar te i Zoti por është transformuar frikshëm, ashtu si kontrata sociale nuk funksion fare. Shteti ynë mbron “të fortin” kundrejt “të dobëtit”, i cili mundohet të zgjidhë shumë problematika dhe të inkurajohet pabarazia.
Gati të 110 vjetët e pavarësisë, po na mësojnë se shqiptari e ka të vështirë të bëj shtet funksional.
Shteti shqiptar i Demokracisë është njësoj i padrejtë si ai i Socializmit me qytetarët e vet, sepse i mungojnë rregullat e lojës për hir të mbajtjes të një statusquo-je, si kjo e tashmja, e cila dërrmon vetë shtetin. Ky është trishtimi më i madh, humbja e shpresës ose zhgënjimi i asaj që ne të gjithë e njohim si zhgënjimi i shtetbërjes. (Homo Albanicus)
Comments (0 posted)
Post your comment