“Këneta” sistem dhe “banorët” e saj politikanë!
Kjo “kënetë” mbushet me “ujë të fëlliqur” me korrupsion, vjedhje, krime...
Nga Pandeli Bardhi
Kështu e ndërtuan të paditurit “e ditur” këtë “Kënetë” që ne e quajmë “Sistemi demokratik”, pas përmbysjes së Diktaturës dhe shumë besuan që ajo do të mbushej me ujë të pastër për të marrë jetë, liri e demokraci të vërtetë. U mbushën tridhjetë vjet apo dy të tretat e kohës që Diktatura qëndroi në pushtet. Në tridhjetë vitet e para të pas çlirimit, diktatura bëri shumë, kurse “ustallarët” e demokracisë kanë bërë shumë pak, ose aspak. Më kot këta “ustallarë” mundohen që herë njëri e herë tjetri të thajnë këtë “kënetë” me “gavetë” në një kohë që ajo duhet të “thahet” duke i hequr të gjithë ujin e më pas të shohin që në fundin e saj, do të mbeten që nga “zhapikët” e vegjël e deri tek “krokodilët” që nuk jetojnë dot pa ujin e ndotur të “kënetës”!
Ka tridhjetë vjet që kjo “kënetë” mbushet me “ujë të fëlliqur” me korrupsion, vjedhje, krime, drogë. Sikur të kthehemi në vitet e Luftës Nacional Çlirimtare, askush nga ata qindra e mijëra që luftuan e dhanë jetën për një Shqipëri të lirë, nuk e dinin se çfarë sistemi do të vinte mbasi të shporreshin pushtuesit e huaj. Sikur ta dinin se kush do të vinte pas çlirimit e aq më tepër ta dinin se çfarë “monstre” ishte komunizmi, me siguri nuk do të merrnin mundimin të luftonin e aq më pak të jepnin jetën. Sikur ata që dhanë jetën të ngriheshin nga varri mbas çlirimit, me siguri do të mbeteshin të zhgënjyer. Nuk ishin të paktë, por ishin shumica e atyre që nuk e deshën sistemin komunist, por ishte vonë. Nuk ishin pak ata që u vranë e u internuan, nuk ishin të kënaqur as ata që iu nënshtruan një regjimi që i bindeshin nga halli. Historia përsëritet. Drejtojnë ata që nuk duhet të drejtojnë, zgjidhen në krye ata që nuk e kanë “haberin”, zhvatin ata që nuk e meritojnë, atë që nuk i takon. Ligji Themelor, Kushtetuta qëndron formalisht dhe pas saj, të gjitha ligjet e tjera janë të shkruara vetëm në letër. Në horizont s’duket asnjë fije shprese, asnjë fije buzëqeshje asnjë fije optimizmi se ditë të mira do të vijnë në të ardhmen. Si asnjëherë më parë Shqipëria është e përçarë në idhtarë, mercenarë, katrigarë e shumë “arë” të tjerë, por vetëm atdhetarë të vërtetë, mbeten shumë pak. Në krye të “arë”-ve të shumtë janë pushtetarë të 4 pushteteve të këtij sistemi që i kanë zënë frymën, sytë, duart dhe këmbët. Shikoni kush janë në krye të 4 pushteteve qendrore. Shikoni kush ka bërë drejtësinë, gjyqtarët e prokurorët e korruptuar edhe në shkallët më të larta të gjyqësorit. Ashtu si pronat dhe pasuritë që kanë shkuar në duart “e më të zotëve”, ashtu edhe pushtetet kanë shkuar në duart e drejtuesve “më të zotë”, të atyre që kanë në dorë pasuritë e paratë, por jo të atyre që dinë të drejtojnë e të luftojnë për shtetin ligjor. Kush do të përmirësojë arsimin, drejtuesit me notën mesatare 5.4 apo Profesor-Doktorët me diploma false? Në krye të administratës dhe institucioneve drejtojnë militantë dhe shteti paguan dy drejtues për të njëjtin vend pune. Paguan ata që janë larguar padrejtësisht dhe e kanë fituar të drejtën e tyre me vendime gjykatash, paguan edhe të tjerë që u kanë zënë vendin drejtuesve, nën hundën e të cilëve hajdutët vjedhin qindra miliona lekë. Shteti u jep atyre edhe dëmshpërblime, e jo pak, por 57 paga mujore. Sa miliarda të tilla ikin nga xhepat e taksapaguesve? Ata nuk kanë paga sanitaresh, por drejtorësh e deputetësh! Për njerëzit e ndershëm të administratave nuk ka një shpërblim, për pensionistët ka vetëm domino, të sëmurët janë në mëshirën e fatit! Propagandës qeveritare për “Shqipërinë që duam” për “Bashkinë që duam” i ka dalë boja. As Shqipëria, as bashkia, as qeverisja qendrore apo vendore, nuk janë ato që duam.
Për atë që ato nuk janë ato që duam, nuk flet askush. Secili pushtetar apo opozitar ka marrë një pozicion të caktuar dhe qysh atje bën gjithçka që ka mundësi, por asgjë nga ajo që është në interes të vendit. Çfarë mund t’i them kryeministrit, ku në ç’do qytet shkon për “Bashkinë që duam” por nuk flet asnjë fjalë se ç’duhet të bëjmë që me të vërtetë të jetë Bashkia që duam? As më shumë e as më pak, ai bie në pozitat e opozitarëve, bile edhe nën nivelin e tyre. “Ta harrojnë se do ta marrin pushtetin në tavolinë. Noc Rrokun do të marrin, Nocin Monika e Rrokun Luli”! Një kryeministër që është i të gjithë shqiptarëve, nuk i lejohet të flasi me këtë gjuhë që edhe rrugaçët e rëndomtë do ta kishin zili. Që ata kërkojnë të marrin pushtetin në tavolinë, kjo është e vërtetë, por kryeministri nuk duhet të nxisi gjuhën e urrejtjes, por atë të bashkimit. Tjetër punë është nëse do t’ja arrijë qëllimit dhe sa do të binden ata, por që të flasësh nga fillimi e deri në fund për “trukuluket” e opozitës dhe asnjë fjalë për atë se si të bëjmë bashkinë, qeverinë, administratën, shëndetësinë drejtësinë etj., etj., “që duam”. Kryeministri, si edhe çcdo qeveritar nuk punon për të qeverisur gjysmën e qytetarëve, por të gjithë, pavarësisht bindjeve të tyre. Jo vetëm opozitarët nuk e njohin kryeministrin si të të gjithë qytetarëve pavarësisht bindjeve të tyre megjithë mangësitë që ka, por as vetë ai nuk e njeh vetveten si të të gjithë qytetarëve. “Të vijë në Shkodër Rama, pa ta dije se ç’e gjen”, kërcënon një ish deputet PD-ist, kështu edhe një deputet PD-ist në Elbasan. Në Kukës, Elbasan, Librazhd etj., ish deputetët PD-istë e LSI-stë që kanë djegur mandatet, ngrenë militantët të pengojnë Kryeministrin në punë e tij. Ku ndodh një gjë e tillë? Vetëm në Shqipëri. Vallë, kjo është rruga? As që mund të imagjinohet që opozitarët të arrijnë deri në këtë fazë! Kemi një opozitë që “mos o zot”! Gjithçka është e kuptueshme, e lexueshme, por ajo që nuk mund të imagjinohet, është se si kryetarët e partive opozitare, entuziazmohen kur shohin që idhtarët e tyre shkatërrojnë, godasin, pengojnë, shajnë, mallkojnë, kundërshtarin politik më keq se sa pushtuesin. Nuk mund të imagjinohet entuziazmi i këtyre kryetarëve të partive opozitare, kur dëgjojnë keq për Shqipërinë dhe nga ana tjetër, trishtimi i tyre kur dëgjojnë për atë ndonjë fjalë të mirë nga ndonjë ndërkombëtar! Në këtë rast do të lëshojnë be e rrufe kundër tyre duke nxitur edhe disa media pranë tyre. Opozitarët nxisin mercenarizmin. Paguajnë disa militantë për të ardhur në protestë, paguajnë edhe disa media për të nxirë e për të sharë! Aq shumë u janë errur sytë për të marrë pushtet, sa që edhe militantët e tyre nuk po i shohin se si po “firaksin” dita ditës e bashkë me ta, po “firaks” edhe ëndrra e tyre për të ardhur në pushtet.
Qytetarët janë ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë kemi militantët e opozitës që kërkojnë të marrin pushtetin e humbur, dhe nga ana tjetër kemi pushtetin dhe mbështetësit e tij për të mbajtur pushtetin me çdo kusht e me çdo mjet. Që të dyja këto forca politike përdorin të njëjtën taktikë, të njëjtën strategji. Njëra ta rrëmbejë me çdo kusht dhe tjetra, të mos e lëshojë me çdo kusht. Duhet të jesh ose Bashë, ose Monikë nga mendtë e kokës që të mos kuptosh se historia nuk njeh asnjë rast që pushteti të merret me militantë dhe mercenarë të paguar. Situata, nuk është aspak e mirë. Këtë nuk e diktojnë protestat e vazhdueshme të cilat nuk përfaqësojnë asgjë përveçse disa militantëve të disa politikanëve interesaxhinj. Këtë e dikton situata në të cilën ndodhemi. Shqipëria po plaket, po braktiset, po i vihet zjarri, po i vendoset tritoli, qytetarët po varfërohen përditë e më shumë. Shteti qëndron sehirxhi ashtu si kalimtarët ndaj zjarreve që po shkrumbojnë Shqipërinë. Nuk ka shteti një helikopter për të shuar zjarret në pyje, por ka mbetur me disa makina zjarrfikëse të prodhimit të viteve ’60-të! A nuk mund të themi që shteti është i pafuqishëm përballë zjarrvënësve të qëllimshëm apo tritolvënësve ndaj shtyllave elektrike? Tek të gjithë, të majtë apo të djathtë ka humbur besimi tek sistemi, tek kjo politikë destabilizuese që nxitet.
Opozitarët grisën mandatet e tyre, shpërdoruan besimin e popullit. E keqja më e madhe nuk janë këta opozitarë që çirren ditë e natë për “tërheqje zvarrë të Edi Ramës, por e keqja më e madhe është heshtja e atyre të shumtëve që i besuan këtyre politikanëve. Kush mund t’i besojë këta politikanë që grisën mandatet, por nuk “grisën” xhepat? Sikur të mos u mjaftonin tërë ato që kanë gllabëruar këta farë politikanësh që tani nuk janë asgjë, por kërkojnë edhe të paguhen. Të paguhen, përse? Të paguhen për atë që orë e çast, shajnë e shkatërrojnë, nxisin urrejtje, nxijnë e akuzojnë ata që zbatojnë ligjin. Më e keqja është hipokrizia dhe pafytyrësia e politikanëve. Nuk është një fjalë gojë “Njësoj janë të gjithë”! Sapo ikin nga pushteti shpërfytyrohen menjëherë, të majtë apo të djathtë. A mund të mbajnë në këmbë këtë sistem “gjytyrym” këta farë politikanësh, kjo klasë politike? Këta janë të gjithë “pjella” të këtij sistemi, por edhe sistemi vetë është “pjellë” e tyre. Vetëm në këtë “kënetë” sistem “notojnë” politikanë të tillë!
Comments (0 posted)
Post your comment