Home | Opinion | Kapitalizmi në udhëkryq

Kapitalizmi në udhëkryq

image
 Virusi i socializmit, është ringjallur...

 

Nga Angus Deaton

 

Prinston – Papritmas, kapitalizmi është dukshëm i sëmurë. Virusi i socializmit, është ringjallur, dhe po i infekton sërish të rinjtë. Udhëheqësit e mençur, të cilët respektojnë arritjet e kaluara të kapitalizmit, duan ta shpëtojnë atë, dhe kanë propozuar disa diagnoza dhe mjete juridike.

 

Por nganjëherë propozimet e tyre, i mbivendosen ideve të atyre që duan zhduken këtij sistemi, duke i bërë kësisoj të pakuptimta dallimet tradicionale mes të majtës dhe të djathtës. Fatmirësisht, Raghuram G. Rajan, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Indisë, që jep mësim në Universitetin e Çikagos në SHBA, na ofron njohuritë dhe eksperiencën e tij të pashembullt për ta përballuar këtë problem. Në librin e tij të ri “Shtylla e tretë:Si tregjet dhe shteti, e kanë lënë në bisht komunitetin”, ai argumenton se “kanceri” që godet kapitalizmin bashkëkohor, nuk është as dështimi i “Leviatanit” (shtetit), dhe as ai i “Behemotit” (tregut), por është një dështim i komunitetit, që nuk po shërben më si një kontroll ndaj përbindëshit.

 

Rajani, flet për një “lokalizëm gjithëpërfshirës” për të rindërtuar komunitetet, gjë që mund t’u japë njerëzve respekt, status dhe domethënie të ekzistencës së tyre. “Shtylla e tretë”, ofron një kontekst të thellë historik për të shpjeguar momentin aktual, por libri është më i saktë, kur ai rikualifikon zhvillimet pas Luftës së Dytë Botërore, për të shpjeguar se pse gjithçka nisi të degradonte rreth viteve 1970.

 

Deri atëherë bota ishte zënë me rimëkëmbjen ekonomike, dhe kishte marrë një nxitje të shtuar nga përdorimi i teknologjive. Suksesi i demokracisë sociale, në epokën e pasluftës, e dobësoi fuqinë e tregut për të vepruar me një ndikim moderues mbi shtetin.

 

Sipas Rajan, këta aktorë të dobët, si në Evropë dhe në Amerikë, nuk ishin në gjendje të përballeshin me revolucionin në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, duke i lënë vetë njerëzit e zakonshëm në këtë luftë. Në vend se t’i ndihmonin punëtorët e tyre të menaxhonin sfidat e modernitetit, korporatat e përkeqësuan situatën, duke shfrytëzuar dobësinë e punonjësve të tyre.

 

Dhe si u pasuruan? Me të ardhurat mesatare familjare që kryesisht u ndalën, dhe me një pjesë në rritje të pasurisë që shkon tek të pasurit, kapitalizmi u bë i dukshëm i padrejtë, duke e humbur gradualisht mbështetjen e tij popullore. Në historinë që rrëfen Rajan, vlen të theksohen dy momente.

 

Së pari, rënia e rritjes si një faktor kyç, megjithëse me frekuencë të ulët, është shkaku i shqetësimit të sotëm social dhe ekonomik. Së dyti, pasojat fatkeqe të revolucionit të teknologjisë së informacionit, nuk janë vetitë e natyrshme të ndryshimeve teknologjike.

 

Përkundrazi, sikurse vëren Rajani, ato pasqyrojnë një “dështim të shtetit dhe tregjeve për të rregulluar tregjet”. Megjithëse Rajani nuk e thekson shumë, pika e dytë na jep arsye për të pasur shpresë. Kjo do të thotë që teknologjia e informacionit, nuk duhet të na dënojë me një të ardhme të papunësisë masive; një politikëbërje e ndriçuar, ka ende ka një rol për të luajtur.

 

Rrëfimi i Rajanit, për sjelljen e keqe të korporatave është shumë objektiv, dhe vlen më shumë e bërë pikërisht nga profesori i një shkollë të shquar biznesi. Që nga fillimi, doktrina gati absolutiste e prioritetit që duhet te kenë aksionarët e një kompanie, i ka shërbyer mbrojtjes së menaxherëve, në kurriz të të punësuarve.

 

Po komuniteti, çfarë roli mund të luajë? Shtetet e Bashkuara, e bënë dikur arsimin publik, duke ofruar shkolla lokale, ku fëmijët e të gjitha talenteve dhe prejardhjeve ekonomike, mësuan së bashku. Dhe kur arsimi fillor u bë i pamjaftueshëm, komunitetet filluan të ofrojnë qasje në shkollën e mesme për të gjithë.

 

Megjithatë sot, kur një diplomë universitare është një parakusht për të pasur sukses, fëmijët më të talentuar ndjekin të ardhmen e tyre larg komunitetit, duke çuar tek e fundit një vetë-ndarje në qytetet me një rritje të shpejtë, dhe ku më pak të talentuarit janë të përjashtuar, për shkak të kostos së lartë të jetesës.

 

Pra ata që kanë sukses, formojnë një meritokraci në të cilën fëmijët e tyre – dhe pothuajse ekskluzivisht vetëm fëmijët e tyre – ecin në jetë. Pol Kolier, në librin e tij e “Ardhmja e kapitalizmit”, tregon të njëjtën histori për Britaninë e Madhe, ku të talentuarit dhe pjesa e të ardhurave kombëtare, janë përqendruar gjithnjë e më shumë në Londër, duke lënë prapa komunitetet e tjera, të cilat vlojnë nga marrazi.

 

Megjithatë, siç vë në dukje Janan Ganesh nga “Financial Times”, këto elita metropolitane e shohin tani veten “të lidhura me një kufomë”. Nga ana e tij, Rajan e sheh meritokracinë, si një produkt i revolucionit të teknologjisë së informacionit. Por unë dyshoj se ai produkt, është më i vjetër se kaq.

 

Në fund të fundit, sociologu britanik Majkëll Jang publikoi distopinë e tij të parakohshme, “Rritja e meritokracisë” që në vitin 1958. Në fakt, Kolier dhe unë jemi ndër meritokratët e parë britanikë. Dhe ashtu siç parashikoi Jang, skota jonë e shkatërroi sistemin për gjeneratat e mëvonshme, duke vazhduar të lartësonte virtytet e veta.

 

Në Skoci, ku unë jam rritur, talenti i komunitetit lokal, intelektualët, shkrimtarët, historianët dhe artistët, janë larguar të gjithë në kërkim të “kullotave” më të gjera, ose thjesht kanë hequr dorë nga konkurrenca me superyjet e tregut masiv. Për këtë treg, ne jemi më të varfrit.

 

Ashtu si Rajan, edhe unë mendoj se komuniteti është një viktimë e kapjes së një elite të pakicës, në tregje dhe në shtet. Por ndryshe nga ai, unë jam mosbesues nëse komunitetet më të forta lokale, apo një politikë lokaliste (gjithëpërfshirëse apo jo), mund të na shërojë nga ajo që po na ndodh. “Xhindi” i meritokracisë, nuk mund të futet sërish në shishe. /“Project Syndicate”/ Bota.al

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0