Emri i vërtetë: sundim feudal
Qeveria e tanishme e Kosovës është vetëm zmadhim proporcional i qeverisjes feudale...
Nga Veton Surroi
Rruga e zhvillimit me këso qeverisje? Rruga e mbarë, mbarë paç!
1.
Është një cikël që i përcjell qeveritë e Kosovës, dhe jo vetëm ato të udhëhequra nga ish-Lëvizja Popullore e Kosovës, sido që të quhen partitë e sotme të dala nga ajo. Cikli vjen ritualisht te të gjitha qeveritë dhe pak a shumë përmblidhet me, nën një, punësimet e kunatave, vëllezërve e kushërinjve familjarë e politikë kudo në sferën publike, dhe, nën dy, valën e re të ikjes së të rinjve për shkak se nuk mund të gjejnë punë në Kosovë.
Cikli zakonisht degjeneron tek akuzat ndaj partisë apo partive në pushtet, duke i lidhur të dy fenomenet në një zinxhir kauzaliteti, i cili pak a shumë përkufizohet në fund me: të rinjtë ikin nga ky vend, sepse nuk janë kushërinj, kunata, motra e vëllezër të njerëzve të pushtetit.
Në fund, nga pushteti e tëra relativizohet me narracionin e zakonshëm: papunësia nuk është problem i ri, Kosova është shkatërruar në luftë, ky është një shtet i ri, edhe partitë paraprake kanë punësuar njerëz e ne bile po punojmë për zhvillim dhe kështu me radhë.
Cikli ka ardhur edhe tek Qeveria e tanishme dhe ajo i ka hyrë relativizimit, duke u mbështetur në suksesin e qeverive paraprake për të bërë të njëjtën gjë.
2.
Këto cikle, nëse më lejohet të dal nga analiza konvencionale, janë të njëjta, sepse sado të dallojnë e të ndërrohen qeveritë, në thelb nuk ndërron qeverisja. Natyra e qeverisjes është në masë të madhe feudale, pra është paramoderne. (Për këto ka libra të mirë: mes tjerësh edhe “Pse dështojnë shtetet” nga Daren Acemoglu dhe James A. Robinson dhe “Origjina e rendit politik” nga Francis Fukuyama). Ideja themelore e kësaj qeverisjeje paramoderne është ekstraktive, pra është nxjerrja e të mirave materiale nga sektori publik (bën edhe me vënie të haraçeve sektorit privat) për feudin, pra për klanin politik, familjar apo regjional.
Pjesa e cila në formë ciklike del në sipërfaqe, siç janë punësimet e kunatave, kushërinjve e familjarëve të tjerë, është vetëm Maja e Ajsbergut e qeverisjes feudale. Kur të thellohet analiza, shihet se qëllimi parësor i qeverisjes feudale nuk është vetëm nxjerrja e përfitimit nëpërmjet të një a më shumë rrogave për feudin, por kontrolli i hapësirës publike. Pra, nuk është vetëm me rëndësi një rrogë në PTK, RTK, Polici, Gjykatë apo në KEK, por është me rëndësi po ashtu kontrolli i këtyre institucioneve në emër të feudit.
Rrjedhimisht, gara politike për të marrë pushtetin politik në Kosovë, zgjedhjet (dhe vjedhjet industriale në to) nuk janë për të prezantuar vizione të reja udhëheqëse, koncepte të reja qeverisëse të vendit, por për të kontrolluar në emër të feudit hapësirën publike. Gara bëhet për PTK, RTK, Polici, Gjykatë, KEK - jo për dallimet në politikat agrare, turizmit, etj.
3.
Qeveria e tanishme e Kosovës është vetëm zmadhim proporcional i qeverisjes feudale. Pra, është një kontinuitet i qeverisjes në të cilën krerët e feudeve ndajnë livadhet dhe pyjet e jetës publike për të ngopur “meshqit e sh’pisë”. Fakti se kjo qeveri ka më shumë ministra e zëvendësministra, se ka më shumë shpenzime të kotësisë se cilado qeveri paraprake, nuk e bën të ndryshme në thelb, e bën vetëm të ndryshme në proporcion. Pra, kjo Qeveri përpiqet të nxjerrë për “meshqit” më shumë se ato paraprake.
Dhe, duke vazhduar natyrën ekstraktive të qeverisjes, rrit proporcionalisht gabimet strategjike. Sot gjysma e parasë buxhetore shkon për të paguar rroga, mëditje e udhëtime, pensione për të moshuar, veteranë të vërtetë e veteranë të rrejshëm. Gjysma tjetër shkon për investime të pamenduara, shkon te mungesa e konceptit zhvillimor, te mosdija. Nuk ka dëshmi më të mirë për këtë se paralajmërimi se kjo Qeveri do të shpenzojë një miliard të parasë publike për një autostradë të re, të Dukagjinit. Shpjegimi që dha kryeministri për ndërtimin e kësaj autostrade të re arriti kufirin e poshtëm të ofendimit të inteligjencës: “Kushdo që kalon andej sheh se ka shumë trafik”.
Ky arsyetim ka vlerë, nga aspekti i zhvillimit ekonomik, sa edhe arsyetimet që i jepte Hashim Thaçi kur nënshkruante kontrata për ndërtimin e autostradës së Morinit dhe të Hanit të Elezit. Nuk dyshoj në motivet personale e klanore (të hajnisë apo të tjera) që ka mundur të ketë Thaçi, por që nga fillimi kanë pasur vend dyshimet për arsyeshmërinë ekonomike. Asnjëra prej autostradave, e deri tani kemi paguar dy miliardë euro nga paraja publike për to, nuk ka sjellë ndryshimin e duhur ekonomik të nevojshëm për rritjen e vendeve të punës. Speci i Rahovecit nuk do të jetë më i vlefshëm nëse mbërrin gjysmë ore më herët në Durrës, falë autostradës; molla e Kovrragës nuk do të ketë vlerë të shtuar pse mbërrin gjysmë ore më herët në Deçan falë autostradës së Dukagjinit.
Dy miliardë euro të investuara për të ndryshuar strukturën e vendit kanë mundur të kenë ndikim; kështu, janë pak a shumë para të hedhura në asfalt që do mirëmbajtur, dhe në xhepa të pushtetarëve.
4.
Qeveria e tanishme tregoi që në fillim të mandatit se, sipas saj, ekziston një rrugë për zhvillimin e Kosovës. Ajo quhet “rrugë e mbarë, mbarë paç!”, si në përshëndetje për të emigruar.
Vendimi i parë strategjik i Qeverisë që në fillim të mandatit të saj ishte kontrata me “Global Contour”, me të cilën qytetarët e Kosovës do të detyrohen ta blejnë energjinë elektrike që do ta prodhojë kjo kompani sipas çmimit që do ta fiksojë po kjo kompani dhe jashtë marrëdhënieve të tregut. Për më tepër, për ndërtimin e termocentralit të ri të “Global Contour”, kreditë duhet t’i garantojë dhe sigurojë Qeveria e Kosovës. Me këtë Qeveria dëmton seriozisht sovranitetin ekonomik të vendit, sigurinë energjetike, pozitën brenda komunitetit energjetik evropian dhe –për kapak, xhepin e çdo qytetari të Kosovës, i cili duhet të punojë në mënyrë që të arrijë projeksionin e profitit që ia ka vënë cak vetes një kompani private.
Nuk mbaj mend një këso kontrate të këtillë feudale të jetë nënshkruar ndonjëherë në historinë e shkurtër ekonomike të Kosovës, madje as në kohën e represionit më të egër të Serbisë. Rrjedhimisht, nuk shoh gjasa që kjo kontratë, që ka nevojë për dy të tretat e votave parlamentare në mënyrë që të sigurojë kreditimin ndërkombëtar, të ketë ndonjë ardhmëri.
5.
Ekziston një lajm i mirë brenda të keqit.
I keqi është se Kosova ka shpenzuar dy miliardë euro (minimalisht) në kontrata që krijojnë autostrada në mënyrë që të pasurojnë pushtetarët.
I miri është se ka pasur mundësi gjenerimi të dy miliardë eurosh. Edhe më i mirë është që të planifikohet gjenerimi edhe i një miliard eurove të reja.
Ky lajm, se planifikohen një miliard të reja, mund të jetë i mirë vetëm nëse ato derdhën në një fond për zhvillim e punësim të të rinjve, jo në asfalt të ri autostradash.
Dhe ky lajm mund të bëhet i mirë vetëm nëse në vend të një qeverisjeje feudale vjen një qeverisje moderne.
Comments (0 posted)
Post your comment