Mizaskenat e balotazhit të paparashikueshëm
Të votojnë lirshëm dhe pa diktate partiake...
Nga Bardhyl Zaimi
Kanë marrë fund “ethet” e zgjedhjeve presidenciale të rrethit të parë. Elektorati në Maqedoninë e dha mesazhin për të gjitha partitë politike pjesëmarrëse. Pavarësisht nga intepretimet që vijnë nga secili taborë, duket se votuesit me daljen e ulët sinjalizuan se nuk do të lejonë që të trajtohen si “turmë” e parashikueshme në kohën kur diskurset politike mbeten të njëjta dhe pa ndonjë kreativitet, pa prekje në jetën reale të njerëzve. Nëse analizohet pjesëmarrja në ciklet paraprake të zgjedhjeve presidenciale, lehtësisht mund të vërehet se këto zgjedhje shënojnë pjesëmarrje më të ulët, që realisht është një sinjal se qytetarët janë të lodhur nga ky operacion kaq i madh i zgjedhjeve presidenciale, ndërkohë që funksioni i kryetarit të shtetit mbetet me kompetenca të kufizuara.
Sidoqoftë, një shuplakë më të fortë në këto zgjedhje ka marrë koalicioni qeverisës i drejtuar nga kryeministri Zaev. Kandidati i përbashkët i partive të koalicionit, Stevo Pendarovski, ka marrë pak më tepër se 4 mijë vota kundruall kandidates së përkrahur nga VMRO-DPMNE, e cila jashtë parashikimeve duket se po futet në rrethin e dytë me një pozicion të mirë garues. Kandidati i vetëm shqiptar në këto zgjedhje, Blerim Reka, i përkrahur nga ASH dhe Lëvizja “ Besa” ka marrë afërsisht 80 mijë vota në rrethin e parë, që konsiderohet një rezultat solid pavarësisht nga pritshmëritë që mbase ishin më të mëdha.
Janë pikërisht këto vota të kandidatit Blerim Reka, që tash në rrethin e dytë duket se marrin një peshë vendimtare për fitoren e kandidatëve konkurrent në rrethin e dytë. Nuk kanë munguar brenda kohës deklarimet nga kandidatët që shkojnë në balotazh që këto vota të shkojnë në anën e tyre. Një apel të tillë ka bërë kandidatja Siljanovska, por edhe kryeministri Zaev dhe kandidati për president, Stevo Pendarovski. Pavarësisht nga këto apele, vetë kandidati për president, Blerim Reka, ka theksuar se këta votues në rrethin e dytë do të mund të votojnë në bazë të vullnetit të tyre, jashtë çfarëdo orientimi dhe ftese për bojkot. Në një vijë me këtë qëndrim kanë qenë edhe partitë që e mbështetën kandidaturëne tij, ASH dhe Lëvizja e “Besa”.
Nuk do mend se fitorja e brishtë e Pendarovskit në rrethin e parë do t’i japë dramacitet votimit në rrethin e dytë dhe bashkë me këtë nëse në ndërkohë nuk bëhet ndonjë ftesë për bojkot nga ndonjë subjekt relevant, që ka pak gjasa të ndodhë, cenzusi nuk do të jetë problem për t’u përmbushur. Përfaqësues të PDSH kanë deklaruar ndërkohë se kjo diferencë minimale e Pendarovskit ndaj Siljanovskës vjen falë angazhimit të tyre në rrethin e parë.
Një moment tjetër për t’u analizuar me enigmë më vete mbetet votimi i elektoratit të BDI-së. Në opinion tashmë flitet për një “bojkotim të heshtur strategjik”, rrënjët e të cilit me gjasë ndodhen të marrëdhëniet e komplikuara në koalicionin qeveritar. Përfaqësues të kësaj partie kanë theksuar se janë angazhuar denjësisht në rrethin e parë, por rezultatet në terren duket se nuk janë në përputhje me mundësitë që posedon kjo parti.
Ka kohë që janë shfaqur padurime mes partnerëve të koalcionit dhe kjo është vërejtur edhe gjatë prononcimeve të përfaqësuesve të dy partive. Pozicionimet brenda qeverisë duket se kanë diktuar edhe votën e “dozuar” të kësaj partie. Edhe gjatë fushatës zgjedhore janë shpërfaqur përplasje mes përfaqësuesve të një grupi brenda LSDM-së dhe përfaqësuesve të BDI-së. Duket se një taktizim politik ka sjellë deri te kjo epërsi kaq minimale e kandidatit të përbashkët, Stevo Pendarvski. Sigurisht gjithnjë kur flasim për votë të orientuar flasim për target grupin e militantëve partiakë dhe jo edhe të pjesës tjetër të elektoratit, e cila gjatë tërë kohës mbeti i pa animuar dhe apatik dhe që rezultoi me këtë dalje kaq të ulët.
Gjithsesi kjo fitore e brishtë e partive në pushtet i faturohet edhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev, e cila brenda kohës nuk ka treguar rezultate të prekshme në përputhmëri me premtimet e bëra dhe pritjet e qytetarëve. Ky “karton i verdhë” për qeverinë flet për një fakt tjetër që realisht ndërlidhet me një vetëdije tjetër të votuesve. Ky rezultat “befasues” për qeverinë tregon se votuesit nuk do të lejojnë edhe njëhërë të ripërsëriten logjikat paraprake të qeverisjes që prodhuan korrupsion, nepotizëm dhe autoritarizëm. Sigurisht, në këtë drejtim votuesit gjithashtu janë shfaqur të kujdesshëm dhe jo aq të motivuar edhe nga retorikat nacionaliste. Një votë e “ekulibruar” që tregon pjekuri politike dhe vetëdije për gjithë suazën e ushtrimit të pushtetit dhe kontekstit gjeopolitik në të cilin ndodhet Maqedonia e Veriut.
Në ndërkohë, kryeministri Zaev ka deklaruar se e ka pranuar mesazhin nga rrethi i parë i votimit dhe ka paralajmëruar “pastrim” në qeveri. Nuk mund të parashikohet se çfarë ndikimi mund të ketë ky paralajmërim për “pastrim” funksionarësh në votimin e rrethit të dytë, sidomos kur koha për ta ambsolvuar këtë qëndrim të tij është kaq e shkurtër.
Brenda kohës, ngarjet në BFI duket se akoma më tepër e komplikojnë votimin në rrethin e dytë. Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, e ka akuzuar direkt qeverinë e kryeministrit Zaev për ndëryrje në këtë institucion fetar që, sipas tyre, gëzon autonomi të plotë me kushtetutë. Në mbrojtje të autonomisë së BFI-së ka dalë edhe BDI, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Koha për mbajtjen e rrethit të dytë të votimit për president është tepër e shkurtër, ndërsa drama e përplasjeve duket kaq e madhe për të gjetur një zgjidhje. Gjithë kjo situatë e bën balotazhin kaq të paparashikueshëm. Mizaskenat e balotazhit duken të vendosura për ta bërë të paparashikueshëm presidentin e ardhshëm.
Sidoqoftë, mbetet shumë e rëndësishme për proceset demokratike në Maqedoni, që qytetarët të votojnë në bazë të bindjeve të tyre. Të votojnë lirshëm dhe pa diktate partiake. Dhe mbase është koha që të mendohet që presidenti të votohet në parlament. Nëse kemi parasysh që kompetencat e tij janë me tepër ceremoniale, gjithë ky operacion zgjedhor që i siguron presidentit legjitimitet njësoj siç i kanë zgjedhjet parlamentare duket i tepërt!
Comments (0 posted)
Post your comment