Durimi dhe Koha
Demokracia jonë është një i tillë që i mungojnë rregullat e lojës dhe respektimi ...
Nga Ben Andoni
Dy luftëtarët më të mëdhenj janë Durimi dhe Koha, thoshte dikur Tolstoj. Këto dy kategori: njëra syresh supreme si Koha, janë ato që përcaktojnë shumë nga sukseset më të mëdha të njerëzimit. Ato kanë përllogaritur taktika, por kanë treguar dhe mënyra sesi janë shembur perandori, e jo më pak regjime suberversive disa tejet të ashpra me rrënjë thellë në histori, pa përfshirë ikjen e politikanëve, që sot ndërrohen normalisht në Demokraci.
Shqipëria, për herë të dytë në historinë e saj, i është bashkuar një sistemi zgjedhjesh të lira dhe pluralizmi, që duket se çedon nga të gjitha anët. Demokracia jonë është një i tillë që i mungojnë rregullat e lojës dhe respektimi i albitrit vendas që është KQZ por mbi të gjitha ruajtja e votës së votuesit. Ky është thelbi i drejtë i protestës së opozitës por jo formës së zgjedhur nga ana e tyre për të përcjellë një mesazh që e ka tronditur shoqërinë shqiptare në mungesë të shpresës por më shumë se kaq konfuzionit të përcjellë.
Shqipëria po ndjek për çdo javë mobilizimin e njerëzve të opozitës që duket më shumë sesa ndryshimin e rregullave të lojës (këtë e shqiptojnë në fakt fare normalisht dhe me një relativizim të frikshëm) kërkojnë medoemos sjelljen në pushtet të Partisë Demokratike. Në fakt, detyra më e madhe e një formacioni politik opozitar, pa përjashtuar atë shqiptar, është përballja dinjitoze parlamentare, përcjellja e mesazheve demokratike, avokimi i ligjeve që mbrojnë dhe prosperojnë njerëzit dhe ruajtja e institucioneve të pavarura të shtetit.
“Detyra e vërtetë politike në një shoqëri të tillë si ajo e jona, thoshte dikur Fuko- është të kritikojë punën e institucioneve që duhet të jenë neutrale dhe të pavarura, apo t’i kritikojnë dhe t’i sulmojnë në mënyrë të atillë që të demaskohet realisht dhuna politike që e ka ushtruar gjithmonë verdiktin e saj në mënyrë të fshehtë nëpërmjet tyre , ndaj njeriu mund të luftojë kundër tyre”, shprehet Mishel Fuko, duke na treguar se lufta duhet të jetë e pareshtur dhe ka nevojë për durim por edhe për kohën e vet, që gjërat të shkojnë në vendin e tyre, ku ikin paçka mosdurimit dhe protagonizmit të politikanëve.
Për fat të keq, partitë tona nuk kanë pritur për kohën dhe nuk e kanë pasur kurrë durimin për të përcjellë si duhet programet e tyre. Një nga aktet e para të PD-së në pushtet, që do të përbënte dhe identifikimin e historisë së saj dhe do të përcaktonte frymën ishte miratimi i një ligji, në fakt përbënte thjesht një Nen, i ashtuquajturi 24/1, i miratuar më 30 prill 1992, që nxorri të papunë një pjesë të madhe të popullit, për të marrë njerëz të tjerë që ishin konvertuar. 24/1 u bë sinonimi i hakmarrjes dhe i shumë njerëzve të pafytyrë, që kishin ndërruar thjesht poltronin. Katër vjet më vonë manipulimi i zgjedhjeve të vitit 1996 dhe Firmat Piramidale si dhe situata që polli vitin 1997, e cila do të rezistonte dhe një vit me ngjarjet tragjike të 2018, do t’i vinte dërrmën gjithçkaje sa i përket moralit politik të këtij formacioni.
Ndoshta nuk është vendi për t’u futur në histori por PS-ja edhe pse shumë më e kuruar nuk i shpëtoi kësaj fryme. Dhe, ndaj në vitet 2000 ata u kthyen sikur me këtë vend të mos kishte ndodhur asgjë. Mësimi ishte i madh, por atë na e kishte dhënë Hegel: Historia na mëson se Njeriu nuk mëson kurrë nga historia…
…
E gjitha dhuna përbëhet nga disa njerëz që detyrojnë të tjerët, nën kërcënimin e vuajtjes ose vdekjes, të bëjnë atë që nuk duan të bëjnë ata vetë, na thotë dhe njëherë Tolstoj. Këtë e kemi parë në të gjitha protestat, ku njerëzit e PD-së kanë përcjellë jo rrallë herë dhunë të këqyrur nga liderët e opozitës që në jo pak raste e kanë mohuar.
Demokracia ka shumë postulate por mes tyre shquhen ato që flasin për zgjedhje dhe respektimin e të gjithë instancave të shtetit. Kjo të shkon ndërmend në këtë frymë të re të Opozitës që kërkon ndërrim pushteti, por pa ndërruar një frymë e cila po e mbyt demokracinë e vendit tonë. Dhe, për këtë mjafton pak kohë, por edhe durim për t’i çuar gjërat atje ku realisht duhet të jetë Shqipëria jonë. Dhuna nuk na çon asgjëkundi dhe sidomos kur ajo është e verbër. (Homo Albanicus)
Comments (0 posted)
Post your comment