Kur e keqja bëhet fiziologjike
Po a përfiton shoqëria nga ky kapital i madh e i pazëvendësueshëm, si përfiton zhvillimi ynë nga vlerat e krijuara në kohë të ndryshme?
Nga Muhamet Basho
Në shoqërinë tonë po ndodhin shumë braktisje të vlerave, nën presionin e antivlerave. Bashkësi të ndryshme të shoqërisë, sidomos individë me influencë, me pushtet në shtet apo me pushtet ekonomik dhe të formave të tjera të fuqisë ndikuese, influencojnë në sjelljet dhe qëndrimet e të tjerëve duke përhapur një frymë herë disfatuese,herë fataliste që kërkon t’i formatojë sipas modeleve pajtuese me fenomene negative. Njerëzit tanë janë nën një presion të madh të manipulimit e robërimit të mendjes, jetojnë në rrethana kurthi, në një mjedis që na vesh me vese dhe na zhvesh nga virtytet. Një infrastrukturë e tërë e së keqes është ngritur nga maskarenjtë e lidhur besa-besë që thërrasin në apel popullin sa herë u duhet për të realizuar ambiciet e tyre, individualizmin ekstrem, iluzionet që vijnë nga kërkesa për avantazhe të çastit. Mjedisi ynë shoqëror është ambientuar me të keqen e cila i është bërë fiziologjike. Kemi një mbingopje me padurim në projekte për të arritur gjithçka sot. Shtyllat e vlerave të moralit shpresa, besimi, mirësia, këto të trija kanë “avulluar”. E keqja, mëkati, gabimi identifikohen me pushtetin, ndërsa vulgariteti është bërë me i keq se lebrosa. Aty bën fole agresiviteti, prepotenca, mllefi, imoraliteti, pompoziteti dhe ndjenja posesive, të gjitha këto antivlera të rrezikshme.
Një shoqëri ecën përpara kur ngrihet mbi vlerat që ka kultivuar gjatë historisë së zhvillimit të saj. Institucionet e ndryshme arsimore, kulturore, partitë politike, shoqatat e ndryshme, institucionet shtetërore në të gjithë piramidën e tyre, deri tek individët qytetarë të këtij vendi që janë prodhues dhe njëherësh përdorues të vlerave, kanë detyrë të ruajnë e të zhvillojnë vlerat. Po a përfiton shoqëria nga ky kapital i madh e i pazëvendësueshëm, si përfiton zhvillimi ynë nga vlerat e krijuara në kohë të ndryshme? Një përgjigje e jep çdokush nga qytetarët tanë, duke u nisur nga përditshmëria, nga ngjarjet, nga fenomenet me të cilat ndeshet, nga ato çfarë shikon e dëgjon.
Kalimi nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur, i ka hapur rrugë çdolloj influence që vjen nga nënkultura. Shpesh sundojnë pasionet shkatërruese, përsëriten shëmti të ngjashme me ato të vitit 1997, kur çoroditja gjen strehë edhe atje ku qytetarët presin më të mirën e mundshme. Bojkoti i gjatë i kuvendit dhe protestat e opozitës janë maja e malit me sjellje dhe qëndrime çoroditëse. Qytetarët u gjendën të papërgatitur t’u bënin ballë joshjeve për pasurim, për sundim, për pushtet, për një jetë të bukur e të lumtur pa mund e pa punuar, mjafton të bësh marifete, trafiqe, korrupsion, kontrabandë, grabitje të pronës e të pasurisë së tjetrit, qoftë ai privat apo shtet, të shesësh drogë, të trafikosh femra në perëndim, të vjedhës e të vrasësh tjetrin për t’i marrë pasuri, para etj. Etja e verbër për të përfituar në dëm të tjetrit apo të shtetit u bë motori që ka vënë në lëvizje sjellje dhe qëndrime antiligjore, kundër moralit të shëndoshë, kundër atyre vlerave që dallojnë një njeri normal dhe bashkëpunues në komunitet e më gjerë.
Në këtë sulm për të arritur pasurim të shpejtë e të pamerituar u shfaqën njerëzit e rinj të një shoqërie që jep shenja degradimi moral. Sot nga të rinjtë adhurohen gangsterët, rrëmbyesit, ata që trafikojnë lëndë narkotike ose femra dhe që mbushin xhepat me euro, blejnë makina të shtrenjta dhe bëjnë të fortin në rrugët e vendit, imitojnë të dhunshmit, të korruptuarit, arrogantët, ata që përdorin fjalor të pistë, që mburren e kapardisen me çka nuk ka vlerë të vërtetë, por ka shkëlqim në paraqitje dhe bën përshtypje në publik. Të rinjtë kështu bëhen robër të seleksionimit negativ, mund të shndërrohet në një faktor pengues dhe kjo vjen se asaj nuk i ofrohet perspektivë.
Një menaxher është një vlerë që është përgatitur me mund e me djersë, por kjo vlerë bëhet e pavlerë kur ai nuk i shërben shefit drejtues, nuk shpie në xhepat e tij të ardhura nga mashtrimet, nga grabitjet, nga tenderët, kur “rentën” që krijohet nga posti ku shërben nuk e ndan me atë që e emëron. Prandaj ka aq sekserë në fazën kur një parti vjen në pushtet dhe është koha e “të korrave”.
Një sekser sot është person i vlerësuar më shumë sesa një menaxher i zoti, një nëpunës mediokër dhe servil i ka rrugët të hapura për karrierë, një bodigard vlerësohet se rri pranë të fuqishmit dhe ai ndjehet po aq i fuqishëm më shumë se një intelektual i arsimuar por që nuk di ose nuk do të bëjë marifete, nuk di të bëjë korrupsion, nuk di të serviloset, nuk mundet t’i puthë dorën një qeveritari injorant. Sot sekseri, i forti, bodigardi, servili janë “garda”, janë “reparti” i ushtrisë së “servilëve të lumtur” që mbështesin, që mbrojnë drejtuesit me pushtet, por edhe që i ndërsejnë kundër kundërshtarëve politike, apo kundër atyre që janë të tjerë. “Syri klinik” i pushtetarëve, i drejtuesve të partive, di të zgjedhë kush duhet të fitojë tenderin, kush duhet të marrë një detyrë me shumë mundësi korruptimi, që ta ketë edhe burim fitimesh nga ndarja e pjesës së vjedhur, të grabitur, të përfituar nga qenia në tavolinën e të mirave financiare apo materiale. Dalëngadalë po krijohet elita e rreme e së ardhmes, nga bijtë, bijat, dhëndurët e nuset e pushtetarëve, nga oborri i familjeve të pasura e mafioze. Ata kanë pushtuar tribunat e partive politike, ekranet e televizioneve dhe aktrojnë role të pamerituara.
Mediokri ngjiten në katedër dhe që andej ngrenë pushtetin e së keqes. Ne sot drejtohemi nga njerëz të paaftë, dështakë. Ata përcaktojnë jetët tona, ata na “mësojnë” demokracinë, ekonominë e tregut. Në sferën publike mbisundon kontrolli i rreptë, ndërsa nga ana private pushtetari gëzon liri të mëdha. Dhuna verbale, aq e pranishme në publik e në mjetet e komunikimit e në forume të ndryshme vjen nga diletantët antivlerë. Skemat shtrënguese, presionet, akuzat e ndërsjella janë prodhime të njerëzve antivlerë, që duan edhe realitetin ta disiplinojnë sipas interesit të tyre. Ata duan të ndërtojnë një shoqëri që t’u shërbejë më mirë interesave të tyre. Të gjitha këto fenomene bëjnë që të luhaten vlerat e vërteta në veprimin popullor që kalon nga revolta në bindjen kokulur dhe skllavëruese e poshtëruese ndaj pushteteve. Mosreagimi ndaj së keqes po bëhet një “sëmundje kombëtare”. Njeriu kurrë nuk duhet të jetë duarlidhur ndaj disa dukurive negative si humbja e idealeve, rënia shpirtërore, individualizmi, kotësia e një jete pa ideale, servilizmi, mungesa e kurajës. Vlerë e vërtetë është ajo kur qytetari bëhet partizan e militant i lirisë, kur është solidar me ata që luftojnë për drejtësi, kur shoqëria ecën sipas standardeve.
Comments (0 posted)
Post your comment