Ia bënë vetes!
Politika ka dalë “lakuriq” dhe askush ...
Nga Artan Xh. Duka
“Gjeometrat” e tranzicionit
Nuk është e para herë që plasin rrugëve “pusetat” e politikës dhe vendi tentohet të përfshihet në drama e sherrnaja politike. Përgjegjësi kanë si klasa politike e tranzicionit dhe shteti në “letra”, perëndimi që ka toleruar e deri promovuar individë që nuk pranojnë dot humbjen në demokraci ashtu dhe vetë ne votuesit që sado fajësojmë sistemin zgjedhor, votojmë me pasion, krijojmë idhuj e rëndom shohim bardhë e zi.
Sherri nuk shfajëson askënd; keq ta fillosh e keq ta vazhdosh. Por në gjithë këtë katrahurë e sherrnajë politike 30 vjeçare me një mori faktorësh e rrethanash, del kronologjikisht në pah si faktor konstanti tensionit politik lidershipi i PD, si në pushtet ashtu e opozitë.
Ndërsa tek PS nuk ka idhuj të përjetshëm, ndodhin rrokada drejtimi, vetë lideri historik i kalon historisë, ka distancim nga trashëgimia problematike etj, tek PD, lidershipi historik dhe trashëgimia problematike post-90 janë prezente dhe diktuese në parti ndaj dhe provokimi i sherrnajës së sotme politike nuk habit kënd me risinë që kësaj rradhe me të është dhe LSI dhe se me gjasa kësaj here PD, duke futur “vezët” në një shportë, po rrezikon izolim e tkurrje pakthim,deri dalje nga tregu politik.
Jeta vazhdon dhe pa ta
Akti i pashembullt i hara-kirisë politike me dorëzimin e mandateve dhe cikli i “intifadave”që e pasoi është braktisje flagrante e interesit të votuesit që kërkon zë në Kuvend. Ai përbën cënim të rregullave të lojës nga parti që synojnë të qeverisin me po ato rregulla më pas dhe shënon karshillëk ndaj vetë perëndimit dashamirës gjatë me të. Kanë dalë shpesh në rrugë por dhe rruga sos një ditë.
Ndaj sot PD e LSI janë fillikat në shesh sepse qytetari e ndjen se i ka nxjerrë aty paniku nga reforma në drejtësi. Janë bërë të lodhshëm me repete-të e tyre dhe as të vetët nuk ua varin më. Lypin sherr por nuk ua vërshëllen kush, si mazhoranca që e hëngri një herë atë kokërr ulliri me “çadrën” ashtu dhe perëndimi që nuk dëgjon më nga ai “vesh”!
I kanë hyrë valles e nuk po dalin dot. Ndonëse rrugëve, gëzojnë ende privilegje por dhe ato nëse hyjnë në zgjedhje duke bërë që për ironi të jenë në dorën dhe ftesën për “bisedime” (sa për “faqebardhë” si me çadrën dikur) prej atij që i bërtasin “ik” nga poshtë ballkonit. Ia kanë bërë vetes për më tepër kur askush nuk ia ka borxh PD e LSI të na bëjnë “rripin e gazës” rrugëve të qytetit një ditë e një ditë jo. E nëse insistojnë, të marrin përsipër përgjegjësitë. Bën protesta perëndimi por nuk i bëjnë partitë, vandalizmi nuk imunizohet me politikë dhe policia mbështetet nga të gjithë.
Pushteti nuk është mall i babait!
Sa për mazhorancën, ligji duhet të zbatohet pa dallim ndaj kujtdo që nxit dhe cënon normalitetin e përditshëm dhe gardhi i policëve duhet të garantojë siguri pune si për deputetë e ministra “shërbëtorë” të popullit ashtu dhe vetë popullin “padron” që shkon në hallin e tij.
Mazhoranca duhet të reflektojë për të shkuarën e saj. Sikur ndiqte apo krijonte precedentë me bllokim rruge e bulevardi, zhvillonte greva anakronike urie që mbylleshin me darka jashtë, i turrej policisë etj (ndonëse kishte kauza reale e moral politik për to ndërkohë që PD nuk ka patur as njërën e as tjetrën) ashtu dhe qëndrimin ndaj “çadrës” së djeshme të PD kur, ndonëse vetë perëndimi e bëri dalje, ajo negocioi me “sukses” riciklimin e problemit që sot ka zënë rrugën sërish.
Nuk është punë arre e guri. Mazhoranca duhet të konsolidojë precedentin e kushtetutshmërisë dhe zbatimit të ligjit pa ekuivok.Nisur nga e shkuara, dialogu i pretenduar mes palëve është parazitar, i paragjykueshëm për kulisa e pazare, kundër produktiv dhe sfidues për interesat e demokracisë e qytetarit shqiptar. Konsesusin e garanton vetëm ligji e Kushtetuta që kanë marrë miratimin më parë të kujtdo në politikë.“Dora” e shtrirë, në kurriz të ligjit e Kushtetutës, vetëm sa shtyn sherrnajën ca më tej në kohë.
Streha e re e së djathtës
Degradimi i aksionit opozitar, si çdo kusure ka një qar. Politika ka dalë “lakuriq” dhe askush nuk hiqet më çfarë nuk është apo pretendon që nuk e di çfarë po bën. Duke u vet-deligjitimuar politikisht, PD e LSI po krijojnë premisa për zhvillime reale brenda së djathtës dhe mbarë politikës në vend.
Anarkia rrugëve nuk bart vlera që respektojnë të djathtën, politikanin si misionar, institucionin e protestës, imazhin e vendit, miqtë perëndimorë, aspiratën për integrim etj. Ajo krijon precedent të dëmshëm që, jo vetëm i jep emër të keq apo i zë rrugën gjithçkaje më lart por dhe vë në pikëpyetje fatin e partive të lidhur ngushtë me fatin e drejtuesve të saj.
E ndërsa PD rri në rrugë, metra me tutje në Kuvend po ngjizet e djathta progresive që qytetari meriton. Jo e “djathtë” ish-ash monizmi që u pagëzua si e tillë për diferencë në 1990 thjesht dhe vetëm sepse u rreshtua përballë PPSH së kohës. Jo e “djathtë” që akoma i ka ngelur ora tek mllefi i humbjes së luftës 70 vite më parë duke shkumuar 28 apo 29 nëntori(!) dhe zhvlerëson apriori gjysëm shekulli punë e sakrifica në monizëm por e djathtë perëndimore që apelon dhe flet për qytetarin pa dallim dhe që historinë ia lë historisë duke e pranuar, reflektuar dhe respektuar si trashëgimi e pasuri për të gjithë.
Ngjizja e së djathtës reale do të imponojë modernizim të mbarë tregut politik. Shans ky për reflektim edhe brenda së majtës për programe dhe vetë standarte lidershipi. Politika nuk është bardhë e zi dhe një parti e djathtë flet dhe për politika të majta dhe anasjelltas dhe kur qytetari pa dallim është në fokusin e partive, atëhere mesazhi politik, ngado që vjen, do të ngjizë kohezion dhe jo ndasi si deri më sot.
Një opozitë që merr kot mund të jetë ndoshta komode për një mazhorancë por kurrsesi për demokracinë dhe integrimin e vendit në BE. Një boshllëk opozitar nxit arbitraritet dhe karshillëk në qeverisje ndaj një opozitë reale e djathtë nuk është shans vetëm për votuesin e djathtë por të gjithë pa përjashtim.
E djathta është më shumë se PD e “tapinë” e saj e ka vetëm votuesi. Shansi i vetëm i PD është distancimi nga protagonizmi e trashëgimia problematike dhe respektimi i institucioneve në vend. E nëse jo, vet-përjashtimi i një opozite që i ka mbetur thjesht godina, është po shans për të djathtën e qytetarin shqiptar. Shpresa dhe besimi i marrë peng 30 vjet për qeverisje të mirë dhe opozitë shpresëdhënëse tashmë e kanë një shans historik. Në pamundësi të ringritjes së PD, politikanët e djathtë pro-perëndimor bëjnë mirë të mos e humbasin këtë shans duke i dhënë së djathtës strehën që meriton.
Comments (0 posted)
Post your comment