Home | Opinion | Aktualiteti i politikës

Aktualiteti i politikës

image
Mendojmë se koha e ndryshimeve të lidershipit politik, duhet të jetë në kohezion me përshtatshmërinë e ndryshimeve social-politike.

   

Nga Gjon Neçaj

 

Populli shqiptar, sot i dyzuar, i bindur në një fuqi gjithmonë e më shumë vetëreferuese, indiferent ndaj problemeve që ditë për ditë ngacmojnë mendjet e të “sunduarve të pushtetshëm dhe të “përjetshëm”, të një opozite që deri dje keqdrejtoi, ndaj sovrani e largoi nga pushteti, e sot mëkatohet për të mirat që do bëjnë, vetëkuptohet po u ngjajnë më shumë sunduesve së drejtuesve, ku mund të sigurojë aktualisht një antidot të frikës së ikjes, eksodit, çka duhet referuar më së miri Kamysë, se çfarë duhet luftuar vërtetë sot, janë heshtja dhe frika, e çfarë duhet mbrojtur janë dialogu dhe komunikimi mes njerëzve.

 

Ndalimi i këtij eksodi të frikshëm, devijimi i gjithëpushtetshmërisë qeverisëse për t’u siguruar shtetasve të vet ardhmëri dhe mirëqenie, duhet detyrimisht reflektim dhe masa afatgjata qeverisjeje, punësim, si në shtetin amë dhe Kosovë. Sa më pak klube nate, baraka gabi, e aq më pak të hapen dyert e klubeve dhe lokaleve të natës, ku kamarierët gëlltisin me babëzi shumësinë e paktë të monedhave të të rinjve të papunë, e sa më pak minifunde të ngarkuara në makina luksoze, brenda së cilave tymi i drogës deh të pranishmit, ndryshimi i kësaj toke shqiptare ku pagën e merr në lekë, e borxhet i paguan në euro. Zgjedhjet vendore po arrijnë dhe fushata ka filluar, por gjendja ekonomike po ashtu, por me shpresë se do ndryshojë, do ndryshojë me një ritëm më të ngutshëm. Kështu eksodi të frenohet, rifillon punimi i tokave djerrë, që edhe këtë pranverë i kanë mbuluar gjembaçët. Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tjera perëndimore por, akoma, në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar duke na lënë në një faze ndërmjetëse që jemi mësuar ta quajmë tranzicion.

 

Prandaj, krahas impenjimit me përkushtim në thellimin e reformave në vend, për të dalë nga tranzicioni vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore.

 

Të rinjtë që kanë studiuar duke investuar mundin e tyre familjet shqiptare, me sakrifica dhe vështirësi të shumta financiare, ku janë vlerësuar vlera të larta intelektuale, me nivele të lakmueshme edhe në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit, nuk vlerësohen dhe përkrahen as nga shoqëria as nga organizmat shtetërore.

 

Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të jap ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur.

 

Të rinjtë shqiptarë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, nuk duhet ta lëmë fatin e atdheut në dorën e një klase politike të demoduar e jashtë mode, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese.

 

Duhet të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e tjera në Europë, duke qenë të rinjtë intelektualë ata që do ta çojnë Shqipërinë, atdheun e tyre në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor.

 

E për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindromi i mosrespektimit të të rinjve për t’u ingranuar domosdoshmërisht për t’i dhënë kahje pozitive ndryshimeve sociale, ekomomike dhe shoqërore shqiptarëve të munduar dhe sfilitur nga tranzicioni i stërzgjatur dhe nga postulatet shterpë të bashkimit me familjen europiane, është bajraktarizmi në politikë, kryesisht, vazhdoi edhe në postdiktaturë, e vazhdon ende aktualisht. Shembulli më tipik është opozita, si e sotmja edhe e djeshmja, me projektoren e shablloneve shterpe të stigmatizimit të çdo veprimi politik, shtetëror e shoqëror të mazhorancës, duke u rreshtuar në vargun e diskutimeve shterpe në parlament ndaj çdo gjëje të qeverisë, a thua atë e udhëhiqnin njerëz që s’dinë ç’është shteti e pushteti, që shëmbëlltyra e drejtimit është vjedhja e korrupsioni, që nëpër ministrira drejtojnë të paaftit, etj. Mendojmë se koha e ndryshimeve të lidershipit politik, duhet të jetë në kohezion me përshtatshmërinë e ndryshimeve social-politike. Sovrani kërkon që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm t’i kenë vëth në vesh të metat dhe gabimet e së kaluarës. Ato po u përsëritën, ndëshkimi do jetë i patjetërsueshëm.

 

Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa, thotë Dostojevski.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00