Home | Opinion | Dy Europa

Dy Europa

image
Projekti për integrimin e Ballkanit në BE tani për tani duhet të konsiderohet...

 

Nga Enver Robelli

 

Projekti për integrimin e Ballkanit në BE tani për tani duhet të konsiderohet si i dështuar. Samiti i Berlinit ishte vetëm një përpjekje për t’iu bërë bilanc harresave, dështimeve, injorimeve dhe aleancave fatale të Perëndimit me autokratët e rajonit.

 

“Godina impozante e civilizimit evropian është e ndërtuar mbi eshtrat e popujve të panumërt dhe të mposhtur evropianë. Kur flasim sot për Evropën dhe kur përpiqemi të ftillojmë se ku qëndron misioni i këtij kontinenti lavdiplotë, të madh dhe aq të shtrenjtë, ne nuk guxojmë të harrojmë se ekzistojnë dy Evropa. Krahas Evropës klasike Perëndimore, muzeore-grandioze, historike-patetike jeton një Evropë e dytë, e vobektë, e shtyrë në qoshe, prej shekujsh vazhdimisht e mposhtur, pra një Evropë periferike e popujve lindorë dhe juglindorë”.

 

Në Berlin të hënën në mbrëmje u takuan dy Evropa. Skena e takimit të kujtonte atë ushtarin e armatës jugosllave, të cilin gjatë luftës së shkurtër në Slloveni gazetarët e pyetën se çfarë po bënte në mal bashkë me shokët e tij. Ushtari, një boshnjak, tha: “Ata po bëjnë sikur po shkëputen, ndërsa ne po bëjmë sikur nuk po i lejojmë”.

 

Edhe në Berlin u këndua kënga e vjetër – vendet e Ballkanit duhet të hyjnë në BE, duhet të integrohen, reformohen, ato kanë një perspektivë të anëtarësimit, ju kujtohet – verë, viti 2003, Samiti i Selanikut. Më 2023 bëhen 20 vjet. Tani jemi në vitin 2019. Në BE ka hyrë vetëm Kroacia, dhe ka diplomatë të BE-së që edhe për këtë hap janë bërë pishman, kur të merren parasysh roli destruktiv i Kroacisë në Bosnjë, polarizimi agresiv i shoqërisë kroate mes “ustashëve” dhe “partizanëve”, gjendja e keqe ekonomike, ikja masive e qytetarëve kroatë.

 

Që nga viti 2003 shumica e vendeve të Ballkanit bëjnë sikur po përgatiten për t’u integruar në BE, në të vërtetë që nga atëherë suksesi më i madh i politikanëve që kanë sunduar në vendet e rajonit është pasurimi i tyre marramendës, krijimi i rrjeteve klienteliste, përvetësimi i resurseve shtetërore. Pra, BE-ja bën sikur po i integron shtetet e Ballkanit, e Ballkani bën sikur po integrohet. Një lojë tashmë transparente nga e cila janë lodhur shumë qytetarë, sidomos në Kosovë e Shqipëri, dy vende që kanë humbur shumë shanse për shkak të politikanëve të paaftë dhe të diskredituar. (Kjo nuk domethënë se vendet e tjera të rajonit nuk kanë politikanë të paaftë, por së pari të merremi me hallet tona).

 

Projekti për integrimin e Ballkanit në BE tani për tani duhet të konsiderohet si i dështuar. Samiti i Berlinit ishte vetëm një përpjekje për t’iu bërë bilanc harresave, dështimeve, injorimeve dhe aleancave fatale të Perëndimit me autokratët e rajonit. Ka qenë e ditur se herët apo vonë aleanca me autokratë do t’i kthehet si bumerang Bashkimit Evropian.

 

Bumerangu shihet sidomos në qasjen e BE-së dhe sidomos të Gjermanisë ndaj çështjes së Kosovës. Në vitin 2011, kancelarja Angela Merkel erdhi për vizitë në Beograd. Atëbotë shef i shtetit ishte Boris Tadiqi. Në konferencën për media Merkel tha se Serbia duhet të lëvizë drejt njohjes. Tadiq kundërshtoi ashpër. Pastaj në pushtet erdhi Aleksandër Vuçiqi, i cili tha se po e lexonte Max Weberin dhe se ishte i entuziazmuar me etikën protestante të punës. Gjermania gjeti rehatin. Me një ish-ultranacionalist që lexon Max Weberin mund të bëhen mrekulli, menduan me gjasë jo pak diplomatë gjermanë. Serbisë nuk iu bë presion.

 

Me çështjen e Kosovës u morën burokratët cinikë të Brukselit dhe në katër vjetët e fundit kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini, e njohur për qëndrimet e saj proruse dhe proserbe. Ndërsa gjermanët qëndronin anash, gjërat dolën nga binarët. Aleksandër Vuçiqi dhe partneri i tij kosovar, Hashim Thaçi, me miratimin e Mogherinit filluan të diskutonin mbi korrigjimin e kufijve, të përkrahur me ide, propagandë e logjistikë nga politikanët austriakë, lobistët në Washington e Paris, publicistët e Sorosit, që pasi e kanë shurdhuar opinionin një çerekshekull kundër ndryshimit të kufijve, tani thonë: po kush është Evropa që të pengojë dy politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike për të gjetur zgjidhjen e një konflikti mes tyre. Kështu mendon, për shembull, bullgari Ivan Krastev, por i njëjti do të ishte i gatshëm të pohonte edhe të kundërtën nëse pas rrudhjes së Kosovës shqiptarët do të kërkonin rrudhjen e Maqedonisë dhe Malit të Zi, sepse, e kuptoni, nëse për 40 mijë serbë të veriut prishet një shtet – përse të ekzistojë një shtet tjetër që ka larg mbi 400 mijë shqiptarë?

 

Ndërsa është hapur kapitulli i ndryshimit të kufijve, Aleksandër Vuçiqi tani nuk ka arsye të tërhiqet. Nëse nuk pranohet ndarja siç e ka diskutuar me partnerin e tij kosovar dhe me duartrokitjen e Federica Mogherinit dhe fallxhiut politik Johannes Hahn, atëherë Vuçiqi do të kërkojë një «republikë serbe» brenda Kosovës. Çka është më mirë për Kosovën? «Korrigjimi» i kufijve apo shteti jofunksional? Qe, pra, para çfarë dileme e kanë sjellë vendin politikanët që kanë sunduar Kosovën nga viti 1999. Tani Vuçiq vetëm thotë: pa kompromis nuk ka zgjidhje, sepse në Serbi nuk ka politikan që e pranon Kosovën «pa kompromis». Kompromisi është: «të marrim çfarë mund të marrim», këtë e ka theksuar Vuçiq shpesh. Në prag të samitit ai e quajti Kosovën djep të mafisë. Në Berlin Angela Merkel ishte në rolin e rojtares së mullirit, të cilën e ka zënë gjumi me vite ndërsa mulliri ka bluar – drejt ndarjes së Kosovës sipas agjendës së Aleksandër Vuçiqit dhe Vladimir Putinit dhe partnerëve të tyre shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00