Home | Opinion | Shqipëria – kriza politike dhe fatkeqësia mendore

Shqipëria – kriza politike dhe fatkeqësia mendore

image
Shqipëria ballafaqohet me krizë politike. Pjesë përbërëse e krizës politike është edhe kriza sociale.

 

Nga Xhelal Zejneli


Shqipëria ballafaqohet me krizë politike. Pjesë përbërëse e krizës politike është edhe kriza sociale.

Në vitin 1991, Shqipëria hyri në periudhën e pluralizmit politik. Hyri në pluralizëm, si vendi ekonomikisht më i pazhvilluar i rajonit. Që atëherë kanë kaluar pothuajse tri dekada. Tranzicioni në Shqipëri zgjat gati tridhjetë vjet. Kemi të bëjmë me një tranzicion të pafund.
Nga koha e sistemit monist apo e regjimit komunist, kanë kaluar tridhjetë vjet. Me fjalë të tjera, për problemet me të cilat ballafaqohet sot Shqipëria, tanimë nuk mund të fajësohet pushteti diktatorial i Enver Hoxhës. Që atëherë kanë kaluar gati tri dekada. Tridhjetë vjet nuk janë pak për të ndërtuar shtet ligjor dhe shtet demokratik. Shkrimtari dhe filozofi ekzistencialist francez – Zhan-Pol Sartrë thotë: “Fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete dhe jo te të tjerët”.
Shqipëria e periudhës komuniste ndoqi një politikë izolacioniste. Si pasojë e një politike të tillë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ekonomikisht ajo ngeci. Mirëpo, në periudhën e pluralizmit politik, Shqipëria ka qenë e hapur për botën. Zhvilloi dhe është duke zhvilluar marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe me vendet e BE-së. Tirana zyrtare zhvillon marrëdhënie të mira me Italinë, me Greqinë dhe me Turqinë. Vetvetiu shtrohet pyetja: Si është e mundur të ketë krizë politike dhe sociale, një Shqipëri që është e hapur për botën dhe që ka marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe me Brukselin?! Partner strategjik i Shqipërisë është një superfuqi globale - SHBA-ja. Madje Shqipëria, qe dhjetë vjet është edhe anëtare e NATO-s. Synon edhe integrimin në BE. Është për t’u habitur se si një Shqipëri me kaq partnerë strategjikë, me miq, me aleatë, të zhytet në krizë politike dhe në krizë sociale!! Qe tridhjetë vjet, në Shqipëri janë të pranishëm vendet influente të Perëndimit: SHBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, OSBE-ja etj. Përkundër pranisë së tyre, Shqipëria është në krizë politike dhe ka probleme sociale.
S’ka dyshim se për krizën politike dhe për problemet sociale në Shqipëri, fajtorë janë vetë shqiptarët. Për krizën me të cilën ballafaqohet Shqipëria, fajtor nuk është dhe nuk mund të jetë qytetari i rëndomtë. Ai nuk është pjesë vendimmarrëse e asnjë procesi politik, shoqëror apo ekonomik. Brenda një mandati katërvjeçar vërtet qytetarit i mundësohet të zgjedhë, por në një vend me probleme sociale, lehtë mund të manipulohet me votën e qytetarit të rëndomtë. 
Për krizën politike në Shqipëri, përgjegjësi mbajnë: 
- klasa politike e cila e udhëheq vendin që nga viti 1991 deri më sot; dhe
- inteligjencia shqiptare.
Gjatë periudhës së pluralizmit, preokupim parësor i klasës politike shqiptare ka qenë pasurimi vetanak. Inteligjencia shqiptare ndërkaq, për interesa meskinë, ka qenë oportuniste dhe konformiste. Një pjesë e inteligjencies ka qenë e instrumentalizuar prej faktorit politik dhe prej pushtetarëve. 
Hapësira demokratike në Shqipëri është e kufizuar. Një pjesë e mediumeve, të shkruara apo elektronike, janë nën kontrollin e klasës politike, nën mbikëqyrjen e qeveritarëve apo të pushtetarëve dhe vepron nën urdhrin e oligarkëve. Nga sa më sipër rezulton se përgjegjësi për krizën politike dhe sociale në Shqipëri mbajnë edhe:
- mediumet e shkruara dhe ato elektronike; si dhe 
- analistët politikë.
Analistët politikë po ashtu janë në shërbim të politikanëve dhe në funksion të partive politike. Në shumë raste, debatet që organizohen dhe që zhvillohen nëpër studio televizive, janë groteske dhe bizare. Ka raste kur debatet e tilla, më tepër janë të dëmshme sesa të dobishme. Ndodh që teleshikuesi ta ketë vështirë të kuptojë se për çka bëhet fjalë në to. Në një debat ku marrin pjesë gjashtë debatues apo tetë sish, qëllon që në të njëjtën kohë të flasin katër prej tyre. Asnjëri nuk e dëgjon tjetrin. Në këtë mes kemi të bëjmë edhe me komercializimin e mediumeve, të moderatorëve dhe të analistëve politikë. Në vend që të sqarohet çështja dhe të zbardhet e vërteta, ajo mjegullohet akoma më shumë. Në rrethana të tilla, bëhet edhe shpëlarja e trurit e auditorit.
Në të vërtetë, mediumet dhe analistët politikë në Shqipëri ndahen në dy pjesë. Një pjesë e tyre kontrollohet dhe është në shërbim të së majtës, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet dhe është në shërbim të së djathtës. Ka edhe mediume që janë në shërbim të oligarkëve dhe që kontrollohen prej tyre. Numri i mediumeve të pavarura është i papërfillshëm, ndërsa krijuesit e pavarur të mendimit kritik, janë të margjinalizuar. Analisti i pavarur dhe mediumi i pavarur jo vetëm që margjinalizohen, por edhe stigmatizohen. Në sistemet moniste dhe në regjimet diktatoriale, mendimi ndryshe nuk mund të paramendohet. Por, është për t’u habitur kur mendimi kritik, në mënyrë perfide dhe të sofistikuar, ngulfatet në një sistem pluralist. Aty ku mediumet janë të kontrolluara, nuk ka hapësirë për fjalën e lirë, për lirinë e shprehjes dhe për mendimin alternativ. Aty ku nuk ka liri shprehjeje, nuk mund të flitet për mendime të pavarura, për kritikë politike dhe as për kritikë sociale.

Kriza në Shqipëri:

- rrënon prestigjin dhe cenon imazhin e saj para botës;
- cenon interesin kombëtar;
- dobëson ekonominë e vendit;
- pakëson hyrjen e investimeve të huaja;
- dobëson ekonominë e turizmit;
- ndikon në rritjen e shpërnguljes së të rinjve drejt Perëndimit;
- komprometon statusin e vendit, si anëtar i NATO-s;
- e zvarrit dhe e prolongon integrimin e vendit në BE;
- ndikon negativisht në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës.

Në rrethana të tilla, të rinjtë dëshpërohen, demoralizohen, zhgënjehen dhe nuk shohin perspektivë. Të gjendur në një situatë të tillë, ata synojnë të lënë vendin. 
* * *
Gjatë tërë periudhës së pluralizmit, në Shqipëri kemi:

- korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit;
- nepotizëm, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë qendror; 
- pasurim brenda natës të politikanëve dhe të oligarkëve, me mjete të paligjshme;
- aksidente rrugore të ditëpërditshme me pasoja vdekjesh, lëndimesh trupore dhe dëmesh materiale, si në asnjë vend tjetër të kontinentit;
- armëmbajtje pa leje;
- vrasje dhe plagoje të shpeshta, me armë zjarri dhe me mjete të tjera, si në asnjë vend tjetër të rajonit;
- gjakmarrje dhe hakmarrje, si në kohët e shkuara, si pasojë e mosveprimit të shtetit ligjor;
- ngujim familjesh të cilëve u rrezikohet ekzistenca dhe të cilët s’kanë sesi i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë;
- rënie të cilësisë së mësimdhënies;
- themelim universitetesh me vlera të dyshimta;
- inflacion të diplomave universitare, që nuk janë veçse letra pa vlerë;
- të rinj të diplomuar me nivel profesional të ulët;
- paga të ulëta të punëtorëve që të përkujtojnë Të mjerët e Viktor Hygoit;
- mitë dhe ryshfet nëpër institucionet e shtetit, si në nivel vendor, ashtu edhe në atë qendror;
- vjedhje banesash, pikësh karburanti, tregtizash, artarësh; 
- vjedhje spektakulare bankash dhe mjetesh që transportojnë mjete financiare; 
- tkurrje të numrit të popullsisë si pasojë e shpërnguljeve.

Shpërngulja e të rinjve, rënia e shkallës së lindshmërisë apo e natalitetit, do ta lë Shqipërinë pa rini. Vendi mund të mbetet, për të mos thënë ka mbetur, pa kapacitet për riprodhim biologjik. 
Shqipëria është ndër vendet e rralla të rajonit në kuvendin e së cilës ka deputetë me dosje kriminale. Fjalët triviale dhe vulgare që mund të dëgjohen në Kuvendin e Shqipërisë prej politikanëve, prej liderëve politikë dhe prej deputetëve të caktuar, nuk i dëgjon dot në asnjë kuvend të asnjë shteti të rajonit. Shqiptarët duhet ta dinë se shteti nuk ndërtohet me muzikë pornografike. E tërë kjo nuk është as socializëm dhe as kapitalizëm, por gjysmëbarbarizëm. 
Si pasojë e problemeve ekonomike, e papunësisë, e skamjes dhe e varfërisë, në Shqipëri kemi edhe krizën e familjes. Problemet e sipërthëna ndërlidhen edhe me moralin në shoqëri. Brenda një viti ndodh të ndahen mijëra çifteve bashkëshortore. E pabesueshme dhe e tmerrshme. Për një vend me numër të vogël popullsie, këto janë të dhëna shqetësuese. Fëmijët e prindërve të ndarë do të duhet të rriten pa njërin prej tyre. Një përqindje e caktuar e këtyre fëmijëve mund të përfundojnë në rrugë.
Gjatë viteve të fundit organizmat e shoqërisë civile nuk janë ndier pothuajse fare. Duket sikur ndodhen në letargji, janë indiferente dhe indolente. Është koha që t’u jepet një hapësirë më e madhe të rinjve. Shqipërisë i duhet, jo vetëm depolitizimi dhe departizimi i institucioneve publike, por edhe i shpirtit dhe i mendjes së shqiptarit.
* * *
Në rrethana të lartpërmendura, rrënohet edhe sistemi i vlerave. Në një shoqëri me vlera të nëpërkëmbura, lehtë mund të vijnë në shprehje jovlerat dhe antivlerat. Kjo të përkujton kohën e Balzakut, kur kryevlerë ishte paraja dhe vetëm paraja. Autori i “Komedisë njerëzore” thoshte: “Paraja bën çmos, ajo është jeta vetë”. Në një shoqëri të tillë nuk vlejnë normat, parimet, vlerat, puna, as morali. Vlerë kanë vetëm të kamurit, pavarësisht sesi e kanë krijuar pasurinë. Borgjezia në Evropë ka filluar të krijohet për herë të parë në Itali para 800 vjetëve, ndërsa në shoqërinë shqiptare individë, politikanë dhe oligarkë duan të bëhen borgjezë brenda natës.
Si është e mundur që individi apo politikani të jetë pronar i pasurive të paluajtshme, me vlerë prej miliona eurove, kur dihet se rroga e tij mund të jetë maksimum 1000 euro?! Ku i mori ai ato para për të ndërtuar fabrikë, hotel, shtëpi luksoze, vilë, jahte?! Ku i morri paratë për t’i kaluar pushimet e verës apo të dimrit dhe ditët e fundjavës nëpër vendet ezoterikë të botës?! Ku i morri paratë për të ngarë automjet që kushton dhjetëra mijë euro?! Kujt i duhen automjete luksoze në një vend, në qytetet e të cilit, me të rënë shi, ujërat e zeza të kanalizimeve dalin në rrugë?! Kur nuk funksionon shteti ligjor, qytetarët nuk i shlyejnë sa duhet dhe si duhet as detyrimet ndaj shtetit. Dhjetëra politikanëve të Shqipërisë, Uashingtoni ua ka refuzuar vizën për të hyrë në ShBA. 
Që nga viti 1991 deri më sot, në Shqipëri asnjëherë nuk janë organizuar dhe nuk janë realizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike. Një shtet dhe një shoqëri që nuk ia del të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike, nuk duhet të brengoset fort në do të marrë ose jo, ftesë për çeljen e bisedimeve për integrim në BE. Brengë e shqiptarëve duhet të jetë ndërtimi i shtetit ligjor, i shtetit të së drejtës dhe i sistemit demokratik. Dihet mirëfilli se pa ekonomi nuk ka demokraci. Pa zhvillim ekonomik, demokracia është vetëm utopi.
Në shtetin e pakonsoliduar, zbehen edhe ndjenjat patriotike të të rinjve. Me politikë të papërgjegjshme dhe pa vizion të qartë për të ardhmen, politikanët e Shqipërisë e djegin të tashmen e saj. Politikanët e papërgjegjshëm e nxijnë imazhin e Shqipërisë para botës. 
Ndarja e faktorit politik në majtistë dhe në djathtistë është diçka fiktive dhe joreale. Politikanët e vjetruar është mirë që të dalin nga skena politike, ndërsa bëmat e veta t’i shkruajnë në kujtime apo t’i nxjerrin në memoare. Një pjesë e kësaj klase politike mbase ndodhet në ciklin e saj politik të fundit. 
* * *
S’ka dyshim se brenda këtyre tri dekadave, Shqipëria ka lëvizur para. Por ajo ka potencial më të madh se kaq. Me fjalë të tjera, Shqipëria ka mundur të arrijë shumë më tepër se kaq. Detet shqiptare, Adriatiku dhe Joni, nuk lejojnë që Shqipëria të jetë ndër vendet më të pazhvilluara të rajonit. Nuk mjafton të thuhet: Jemi pasardhës të ilirëve, jemi popull i lashtë, jemi popull autokton i gadishullit, kemi Skënderbeun dhe Nënë Terezën. Nuk mjafton që shqiptarët të thonë se janë popull evropian, por duhet edhe të sillen si të tillë. Në Shqipëri vijnë turistë nga e gjitha bota. Që të gjithë flasin mirë për të.
Shqipëria e fortë bën të mundur të jenë të fortë Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, çamët dhe vice versa. Një Shqipëri e dobët i dobëson edhe shqiptarët që janë jashtë saj. 
Shqiptarët dhe gjermanët i lidh interesi strategjik i njëjtë. Shtrohet pyetja: Përse në vitet e fundit, Gjermania ka investuar miliarda euro në Serbinë luftënxitëse dhe shumë pak në Shqipëri. Për këtë, shqiptarët duhet ta kërkojnë fajin në vetvete. Kriza politike apo edhe sociale në Shqipëri, i krijon epërsi Serbisë e cila nëpër kancelaritë e vendeve perëndimore pandërprerë përhap propagandë antishqiptare. 
Një Shqipëri e pakonsoliduar, lehtë mund të shndërrohet në terren të përshtatshëm për ndikimin e vendeve apo të qytetërimeve joperëndimore. Shqiptarët duhet të manifestojnë para botës aftësi shtetformuese. Ndryshe, do t’i zhgënjejnë edhe aleatët siç janë: ShBA-ja, Gjermania, Austria, Italia, Londra. 
Problemet në Shqipëri nuk janë krijuar sot. Ato janë mbartur nga një qeveri në tjetrën. Që nga viti 1991 deri më sot, qeveritarë kanë qenë si këta të shumicës parlamentare të sotme, ashtu edhe opozitarët e përtashëm. Nuk mund ta fajësosh qeveritarin e sotëm për ato që nuk i ke bërë vetë derisa ke qenë në pushtet.
Shqipëria është ndër vendet e rralla të rajonit në të cilat një parti politike sapo i humb zgjedhjet, nuk i njeh ato dhe organizon protesta. Duhet shpresuar se sot e tutje, Shqipëria do të jetë në gjendje të organizojë zgjedhje të lira.
Sot, palët në Shqipëri janë in extremis, d.m.th. në skaje të kundërta dhe të papajtueshme. Ato janë të konsoliduara në pozicionet e tyre. Në raste të tilla, kompromisi nuk arrihet lehtë. Rrjedhimisht, palët kanë nevojë për arbitër ndërkombëtar. Nevojitet ndërhyrja e Uashingtonit, si tertium interveniens, madje para mbajtjes së zgjedhjeve vendore ku mund të ndodhin incidente me pasoja të rënda. Zgjedhjet e tilla, pa pjesëmarrjen e opozitës janë absurde. Udhëheqësit politikë shqiptarë duhet të kenë kujdes që kriza politike, e përcjellë edhe nga ajo shoqërore, të mos shkallëzohet e të shndërrohet në konflikt civil.
Për ndërkombëtarët, opozita shqiptare është aset kombëtar, ashtu siç është legjitime edhe shumica e përtashme. Përgjegjësia e shumicës parlamentare për t’i afruar qëndrimet me opozitën, është shumë më e madhe se e protestuesve. Shqiptarët duhet ta dinë se partitë nuk janë prona të individëve. 
Shqipëria sot nuk është e izoluar, as e pavarur si në kohën e monizmit. Duke qenë pjesë e NATO-s dhe duke pretenduar integrimin në BE, atëherë ajo, një pjesë të sovranitetit të vet ua lë organizmave euroatlantikë.
Shoqëria shqiptare duhet t’i japë fund funksionimit me mikrovlera dhe me mikrosisteme. Shqiptarët duhet të veprojnë në makroplan dhe të ndërtojnë makrovlera dhe makrosisteme. Shtetin dhe kombin mund ta udhëheqin me sukses vetëm politikanët idealistë, me nivel intelektual dhe me integritet moral.
Shqipëria do të bëhet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00