Politika e perspektivës së breshkës, rrezikon vizat
Përpëlitjet qyqare qeveritare, maqedonase dhe shqiptare, për të hequr barrën e fajit të madh rreth azilkërkuesve nga Maqedonia në shtetet e Bashkimit Evropian (BE)...
Fejzi Hajdari
Politika e vizionit të breshkës e kabinetit qeverisës të Maqedonisë ka vënë në rrezik liberalizimin e vizave, si rezultat i qasjes joserioze dhe infantile ndaj një problemi, i cili në masë të madhe ka shqetësuar edhe autoritetet evropiane. Këtë shqetësim së shpejti pritet ta sjellë në Shkup edhe kryeministri belg, i cili së fundmi do të trokasë në zyrat e Shkupit zyrtar.
Përpëlitjet qyqare qeveritare, maqedonase dhe shqiptare, për të hequr barrën e fajit të madh rreth azilkërkuesve nga Maqedonia në shtetet e Bashkimit Evropian (BE), pastaj sjelljet indolente, indiferentizmi dhe inferioriteti, i ngjasojnë “luftës” së Don Kishotit me mjegullën. Politika aktuale qeverisëse, e vënë para presionit të brendshëm, në veçanti faktorit ndërkombëtarë, me anë të paraqitjeve të fundit joserioze publike, po konfirmon paaftësinë për tu përballur dhe për të menaxhuar me situatat të cilat në njëfarë mënyre i krijon vetë ekzekutivi, me qëllim që më pastaj të merret me gjoja zgjidhjen e të njëjtave dhe natyrisht edhe spostimin nga problemet konkrete e reale.
a.
Mosaktivizimi i politikanëve shqiptarë në këtë “betejë dramatike shqiptare” në kontekst të shpjegimit dhe informimit të bashkëqytetarëve me pasojave eventuale nga shkuarja me sy “mbyllur” drejt shteteve evropiane për rregullimin e statusit të azilit, bëri që të krijohet një hapësirë e mjaftueshme për manipulime ndër qytetarët e painformuar.
Edhe pse gazeta “Lajm”, ishte e para që filloi alarmin për këtë “dyndje të orkestruara nga distanca”, fluksi i azilkërkuesve nuk pësoi rënie në intensitet, përkundrazi, heshtja e politikës, bëri që qytetarët të vazhdojnë t’i besojnë dëshirës dhe ëndrrës së tyre për “rregullimin e statusit familjarë” në njërin nga shtetet e “premtuara” të BE-së.
Politikanët (deputetët në veçanti) duke mos pasur guxim për t’u paraqitur para masës së qytetarëve, e cila pothuajse për çdo ditë me nga 4 autobusë po braktiste shtetin, krijoji boshllëkun që në mesin e shumë qytetarëve të infiltrohen edhe struktura të caktuara të organit që në forma të ndryshme ndikuan në stimulimin e shtrirjes së përmasave.
Përndryshe, është e njohur se organi ka mekanizma nëpërmjet të cilave në mënyrë të vazhdueshme ndjekë zhvillimet e gjithëmbarshme. Kurse ndërhyrja në zgjidhjen e këtij problemi, pasi ky fenomen kishte marrë përmasa alarmante dhe dramatike, nxori në pah “sinqeritetin” e angazhimit të ekzekutivit për të mos thënë skenarin e ri, i cili i përgatitet shqiptarëve.
b.
Krekosjet bla-bla-bla dhe pordhat e krerëve opozitarë, sidomos Selmanëve dhe Thaçëve, me anë të të cilave ata gjoja shtiren se janë të shqetësuara nga ky eksodus, s’pinë ujë më askund. Pikërisht, përpjekjet e këtilla të stolisura deklarative, janë edhe një përpjekje për të përfituar nga fatkeqësia dhe dramaciteti i gjendjes.
Në fakt, reagimet e qytetarëve kumanovarë në edicionin e lajmeve të TV Alsat (të shtunën), më së miri paraqesin dështimin, sjelljen injorante dhe mungesën e guximit të politikanëve shqiptarë nga Kumanova e Likova, në veçanti, por edhe të politikës shqiptare në përgjithësi në Maqedoni.
c.
Është shumë lehtë tani qeveritarët shqiptarë t’i kërcënohen agjencive, por adresa e saktë është vetë politika shqiptare në qeveri, sepse drejtuesit e agjencive mund të jenë të manipuluar, por edhe për këtë fajin e bart shteti. Janë pikërisht organet kompetente ata të cilët janë dashur ta parandalojnë që ditën e parë këtë fenomen të mos merr përmasa të këtilla, sepse shkruaja është bërë në mënyrë të organizuara nëpër pjesët qendrore të qyteteve të caktuara. Është injorancë dhe cinizëm i paparë i qeveritarëve shqiptarë, kur reagojnë ditëve të fundit duke e hedhur fajin tek agjencitë.
Po pse qeveritarët tanë nuk dolën ditën e parë t’i denoncojnë agjencitë, atëherë kur gazeta “Lajm”, fenomenin e këtillë e cilësoi me emrin e vërtetë: “Dyndje bashkëkohore e shqiptarëve të Kumanovës dhe Likovës”, por, tani kur zyrtarët evropianë, filluan t’i drejtojnë shigjetat drejt fajtorëve kryesore.
Të përkujtojmë se pikërisht sjellja e këtillë indolente e autoriteteve maqedonase ndaj këtij fenomeni, ka prodhuar edhe kërcënimin evropianë ndaj shteteve si Maqedonia.
Comments (0 posted)
Post your comment