Home | Opinion | Shekulli i ri - Azia

Shekulli i ri - Azia

image
Një shënim i Forumit Ekonomik Botëror theksonte një fakt domethënës: në vitin 2020 ekonomitë aziatike do të tejkalojnë ato të pjesës tjetër të botës....

 

 

Nga Pierre Haski

 

 

Një ndryshim i madh ekonomik dhe strategjik po ndodh në Lindje, i cili do të sjellë pasoja jetëgjata. Kohët e fundit, një shënim i Forumit Ekonomik Botëror theksonte një fakt domethënës: në vitin 2020 ekonomitë aziatike do të tejkalojnë ato të pjesës tjetër të botës.

 

Për të kuptuar domethënien e kësaj deklarate, mjafton të mendojmë për atë që Kina dhe India, dy gjigandët në zhvillim të Azisë, përfaqësonin në ekonominë botërore deri tridhjetë ose dyzet vjet më parë. Por Pekini dhe Nju Delhi nuk janë vetëm.

 

Sapo kam kaluar disa ditë në Seul, ku qeveria e Koresë së Jugut ka njoftuar se do të kërkojë të braktisë statusin e një vendi jo të industrializuar brenda Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), një shenjë e përparimit të rëndësishëm, të arritur pas një lufte shkatërrimtare. Koreja e Jugut, dikur një “tigër aziatik” në zhvillim, është bërë sot një fuqi udhëheqëse industriale.

 

Rritje e shpenzimeve ushtarake

 

Ky përparim ekonomik i rajonit aziatik nuk na befason më. Kemi pasur kohë të mësohemi me të, dhe sot shohim që Azia po i tejkalon të gjitha parashikimet. Por është në nivelin e rivalitetit strategjik që Azia ka hyrë tani në një kontekst të një pasigurie të madhe, sepse është pikërisht këtu, në zonën që ne tani e quajmë “Indo-Paqësori”, ku po luhen marrëdhëniet e fuqive të shekullit njëzetë mes SHBA dhe Kinës, por edhe në nivel global. Në këtë shfaqje, gjithësecili luan rolin e vet, përfshirë Francën, e cila kërkon të afirmojë një strategji paralele, por të ndryshme nga ajo e Uashingtonit në Indopaqësor.

 

 

Një aspekt që nuk duhet anashkaluar është se shpenzimet ushtarake në rajon po rriten më shpejt se sa edhe në Lindjen e Mesme. Arsyet e fërkimeve, nga ana tjetër, nuk mungojnë: nga ishujt e militarizuar në Detin e Kinës së Jugut deri në fatin e Tajvanit, nga kufiri midis Kinës dhe Indisë deri në ishujt që diskutohen mes Pekinit dhe Tokios, nga bomba e Kim Jong-un në Korenë e Veriut deri në projektet bërthamore amerikane, ruse dhe kineze.

 

Vladimir Putini, kohët e fundit njoftoi se Rusia po punon me Kinën për të zbatuar një sistem zbulimi të sulmeve me raketa, për Pekinin, një fushë në të cilën Moska është në pararojë. Sistemi do të forcojë mbrojtjet kineze kundër raketave balistike ndërkontinentale ose atyre të hedhura nga nëndetëset, natyrisht amerikane. Eshtë demonstrimi i pestë se aleanca Sino-Ruse është më e qëndrueshme dhe e fortë, se sa mund të mendohet nga shumëkush.

 

Asnjë plan për tensionim

 

Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, do të donin të vendosnin në Azi një lloj rakete të ndaluar deri më tani nga traktati i forcave bërthamore me rreze të mesme (Inf), një traktat i kritikuar kohët e fundit nga administrata Trump, që theksoi nevojën e vendosjes së këtyre raketave për të ruajtur një avantazh strategjik ndaj Kinës dhe Koresë së Veriut. Çmimi i këtij zhvillimi, në planet e Uashingtonit, duhet të paguhet nga Aleatët. Kështu që Koreja e Jugut, pasi kishte rinegociuar kontributin e saj për shkak të pranisë së 28.500 ushtarëve amerikanë në territorin e saj (plus 8 përqind, për 890 milion dollarë), u ftua nga Uashingtoni që të kontribuojë në mbrojtjen e zonës së Indo-Paqësorit në tërësi, në shumën e tepruar prej pesë miliardë dollarësh në vit.

 

Vatrat e tensionit në rajon po shtohen, dhe askush nuk është në gjendje të propozojë, apo edhe të mendojë, një plan për të ndaluar përshkallëzimin dhe garantuar sigurinë rajonale. Shekulli ynë ndoshta do të jetë shekulli “aziatik”. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë edhe paqësor. /OBS – Bota.al

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
5.00