Totalitarizmi i Mediokritetit
“Fshati global” tashmë është “metaforë” e pandashme e botës së...
Nga Bardhyl Zaimi
Një fyerje, një vulgaritet tjetër, merr relevancë, mediatizohet, ndërkohë që mendimi kompetent i bazuar në dije, në eksplorim dhe në proces verifikimi dëbohet në margjinat e sferës mediatike. Kjo është koha e mediatizimit të mediokritet, që tashmë po shfaqet si një lloj totalitarizmi i ri dhe që me ngulm kërkon të pushtojë hapësirën publike.
Kohët e botës moderne të teknologjisë vijnë të paralajmëruara që nga vitet e 60-ta nga njëri ndër njohësit më të mirë dhe më paradoksal të zhvillit të medias, Herbert Marshall McLuhan. Ai njihet si filozof i mediave, ndërkohë që paralajmërimet e tij dramatike shënojnë edhe fundin e “Galaksisë së Gutenbergut” dhe librit si medium. Me emrin e McLuhan-it ndërlidhet edhe definimi “fshati global”, që gjatë asaj periudhe nënkuptonte dominimin e televizionit si medium. Megjithatë, ky autor, në asnjë rast nuk do të theksojë se libri si medium ka marrë fund, por do të vë në dukje se libri mbetet i rëndësishëm, ndërkohë që ndryshon roli i tij.
Ideja e “fshatit global” nuk ndërlidhet me internetin, por me televizionin si medium. Sidoqoftë, “fshati global” tashmë është “metaforë” e pandashme e botës së internetit që e përcakton dimensionin e shumanshëm komunikativ. Për McLuhan-in “media është porosi”, ndërsa shprehja “fshati global” për të kishte më tepër kuptim negativ të një totalitarizmi të mundshëm që e rrafshon identitetin personal të kultivuar nga libri dhe e stimulon një identitet masiv të paparashikueshëm.
Më vonë në teoritë e mediave shprehja “fshati global” fillon të marrë konotacione tjera të komunikimit masiv dhe që shënon një moment revolucionarizmi në botën e teknologjisë siç e njohim edhe aktualisht nëpërmjet mediave online. Në teoritë e mediave gjithëprania e mediave online është shpjeguar edhe në një aspekt tjetër, atë të demokratizimit të informacionit. Pikërisht, kjo pjesëmarrje interaktive e gjithsecilit në mediat online, sidomos në rrjetet sociale, ka hapur një hendek të madh mes kualitetit të informacionit dhe depërtimit në hapësirën publike të formave vulgare të receptimit dhe komunikimit.
Në nivele teorike tashmë është hapur dilema nëse jetojmë në kohën e “fshatit global” , të kuptuar si një mundësi komunikimi të kulturuar, apo jetojmë në kohën e “kasabasë globale” që i jep mundësi vërshimës së vulgariteteve të skajshme të sipërfaqësohen në sferën publike. Interaktiviteti mediave online, i rrjeteve sociale tashmë ka krijuar një habitus tjetër edhe të mendimit publik që ka skematizuar në mediokritet gjithë shfaqjet e mundshme të kreativitetit njerëzor. Humbja e sistemit referencial ka asgjësuar në masë të madhe mendimin relevant, atë që e njohim si mendim kompetent për fushë të caktuara. Në kaosin e “fshatit global”, sidomos këtu tek ne, e drejta e fjalës, e lirisë së shprehjes, në të shumtën e rasteve është shndërruar në një reagim histerik partizan që gjatë tërë kohës e mjegullon mendimin e argumentuar që di të procedojë me realitet e ndryshme shoqërore dhe që di t’i artikulojë ato objektivisht gjithnjë në funksion të progresit njerëzor të kuptuar në radhë të parë si kulturë dhe humanitet.
Për më tepër kjo fazë histerike e gjithëpërfshirjes mediokre në hapësirën publike nëpërmjet mediave sociale ka shpartalluar keqas individin si subjekt të ndërgjegjshëm dhe të kultivuar, duke stimuluar kështu logjikën e turmës, që vjen dhe konsolidohet si sistem mediokër në rrafshin shoqëror dhe atë institucional. Mediat gjithnjë e më tepër për shkak të klikimeve i japin hapësirë këtij totaliteti të ri që definohet si mediokritet. Ky mediokritet realisht përvijohet në të gjitha poret e sistemit, qoftë si pushtet, qoftë si mendim shoqëror, ndërkohë që vihet në funksion të reagimeve ndaj taboreve që krijohen për të prodhuar kundërvëniet boshe. Dhe ky mediokritet tashmë po mediatizohet dhe po e zë bashin e vendit në hapësirën publike duke e zmbrapsur atë që jemi mësuar ta njohim si mendim të mirëqenë intelektual dhe profesional.
Një fyerje, një vulgaritet tjetër, merr relevancë, mediatizohet, ndërkohë që mendimi kompetent i bazuar në dije, në eksplorim dhe në proces verifikimi dëbohet në margjinat e sferës mediatike. Kjo është koha e mediatizimit të mediokritet, që tashmë po shfaqet si një lloj totalitarizmi i ri dhe që me ngulm kërkon të pushtojë hapësirën publike. E kishte parashikuar në njëfarë menyrë edhe John Stuart Mill, i cili thekson se “ mbetet tendencë e gjerave në gjithë botën që mediokriteti të shndërrohet në fuqi lëvizëse në mjedisin njerëzor”. Ndërsa për eseistin francez Joseph Joubert, “ mediokriteti mbetet një gjë e shkëlqyeshme në sytë e mediokrëve”.
Kompleksitetin e mediokritetit e shtjellon edhe Gareth van Onselen në një ese mbi mediokritetin”. Sipas tij, për të kuptuar prirjen e vërtetë të mediokritetit duhet të jemi në gjendje të njohim tiparet përcaktuese. Ai mes tjerash si tipare numëron: apatinë, dyshimin, cektësinë, paqartësinë, frikën; refuzimin, indinjatë morale, kokëfortësinë dhe nevojën. Sipas tij, mediokri ngujohet në këto tipaare për të refuzuar një kuptim dhe vlerësim më të thellë të botës rrotull tij. Ai këto i thekson me zë të lartë dhe në mund të shohim se si ai njëjtësohet me nacionalizimin që gjithnjë ka prirje për moralizim.
Mediokriteti gjithnjë mban një raport kundërvënës me të përsosurën si një ideal njerëzor, sepse nuk e duron diferencimin, atë që e bën një shpirt të jetë i veçantë dhe kreativ. Mediokriteti njeh të përgjithshmen dhe refuzon të procedojë me specifikat. Mediokriteti ka një raport të reduktuar edhe me gjuhën dhe gjithnjë jeton mes antagonizmit dhe kremtes si gjendje të pohimit ekstrem. Kur është antagonist lufton dhe e mohon domethënien e fjalëve, ndërsa kur është në kremte dehet me intepretimin e sajuar me fjalë dhe shprehje pikante. Objektiv kryesor i mediokritetit është që të zhvlerësojë pritjet, gjegjësisht diferencimin dhe bashkë me këtë edhe progresin shoqëror si një ideal. Mediokriteti e synon barazinë si gjendje amorfe, si moslëvizje.
Gareth van Onselen thekson se “ meqë mediokriteti ka afinitet për paqartësi dhe përgjithësime, gjithashtu është mik i mirë i klisheve”. Sipas tij, klishetë na mbajnë larg hulumtimit, por ato shërbejnë edhe për një objektiv tjetër. Për të paarsimuarit ato janë aluzione të urtësisë dhe kështu mediokriteti i shfrytëzon t’i impresionojë ata që mund të impresionohen që në këtë mënyrë të ruajë vetërespektin.
Nuk do mend se të gjitha këto karakteristika të mediokritetit mund t’i shohim të pranishme në këtë rast në “kasabanë tonë globale”. Një lloj uniformiteti në shumë raste agresiv që nuk lejon diferencimin e individit, por gjatë tërë kohës përpiqet që ta mbajë atë të ngujuar në botën e klisheve dhe të gjuhës së reduktuar, ose “ Newspeak-un” e Geroge Orwell-it.
Sigurisht, dalja nga kjo skemë e mediokritetit kërkon një përpjekje ngulmuese. Edukimi mediatik mbetet një dimension shumë i rëndësishëm për një emancipim dhe zhvillim të receptimit medial dhe të mendimit publik. Relevanca dhe kreativiteti në hapësirën mediale dhe publike mund të rikthehen vetëm nëse në skenë shfaqet një mendim i konsoliduar dhe i verifikuar që tashmë është dëbuar diku në margjina dhe që jeton nën rrënojat e klisheve dhe diskursve mediokre. /KDP
Comments (0 posted)
Post your comment