Home | Opinion | Dita njëqind e një

Dita njëqind e një

image
Jo, nuk do të ketë negociata të shpejta me Serbinë e aq më pak një marrëveshje “espresso” të stilit të linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

 

 

 

Nga Veton Surroi

 

 

 

Nuk ka nevojë për nxitim; jo, nuk do të ketë negociata të shpejta me Serbinë e aq më pak një marrëveshje “espresso” të stilit të linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

 

1.

 

Më pyetën disa miq diplomatë se si duket Qeveria e re në Kosovë dhe imazhi më i mirë që më ra në mend ishte se si kjo Qeveri hyn në zyrë duke ecur dhe sapo e kalon pragun e gjen një shirit vrapi të cilit dikush ia ka vënë akceleratorin në 20 kilometra në orë. Prej ditës së parë të punës, Qeveria po përballet me pyetjet sikur ajo për taksën 100 për qind ndaj Serbisë, reciprocitetin në marrëdhëniet me Serbinë, makro-Shengenin shqiptar apo mini-Shengenin ballkanik, përcaktimin e murit në të cilin duhet të jetë fotografia e të gjallit e murit në të cilin do të jetë fotografia e presidentit të vdekur, kush është më afër dhe kush më larg në Twitter me ambasadorin amerikan në Gjermani dhe një listë prej njëqind problemesh që janë publike dhe që duan zgjidhje menjëherë.

 

U harrua në këtë zallamahi se pjesëtarët e Qeverisë së re janë duke i njoftuar pjesët ulëse të trupit të tyre me karriget e punës, diçka që është pjesa hyrëse rituale e një periudhe që quhet njëqind ditë, e në të cilën kryeministri dhe anëtarët e Qeverisë së tij ndeshin vizionet e veta me realitetin me të cilin ballafaqohen (e nuk kanë besuar se është aq i keq, i vështirë a depresiv) dhe prej kësaj ndeshjeje krijojnë një sërë rekomandimesh që quhet plan i konkretizuar qeveritar.

 

Rrjedhimisht, këtë Qeveri nuk do pyetur për gjë, për të cilën nuk ka prezantuar një zotim të detajuar me shkrim në formë të programit të zbatueshëm qeveritar. Me përjashtim të buxhetit të vendit , Qeveria nuk do të duhej të ishte e presionuar për të dhënë përgjigje rreth taksës, shengenëve të ndryshëm e as për reciprocitet.

 

2.

 

A do të duhej të pajtoheshin për këtë Qeveria, opozita dhe diplomatë të ndryshëm perëndimorë - që të tria palët, që prej ditës së parë, thyen respektin elementar për 100-ditëshin?

 

Do të ishte në interes të Qeverisë që të mos merret në publik as me taksën 100 për qind, as me shengenët e as me reciprocitetin. Në vend të deklarimeve publike këto duhet të jenë pjesë e programit qeveritar, i cili mund të mbajë emër të thjeshtë, paritet me fqinjët. Pra, Kosova dëshiron të ketë atë nivel lirie qarkullimi njerëzish e mallrash me të gjithë fqinjët në nivelin që e ka me Maqedoninë Veriore dhe Malin e Zi. Ky paritet nënkupton që të normalizohen marrëdhëniet tregtare e të qarkullimit të njerëzve me Shqipërinë dhe Serbinë. Një formulim i këtillë në programin qeveritar është më i kuptueshëm dhe më i matshëm me parametra ndërkombëtarisht të njohur sesa licitimi për shengenët.

 

Do të ishte në interes të opozitës të mos kapet për kauza që nuk do t’i prodhojnë përkrahje. Taksa 100 për qind nuk është monument i trashëgimisë kulturore që nuk mund të hiqet, zhvendoset, pezullohet. Ajo ishte një vegël ndëshkuese, një vegël arbitrare, të cilën Qeveria e kaluar e përdori me sukses për të penguar copëtimin territorial të vendit. Ndonëse e drejtë, kjo vegël ndëshkuese nuk mori vetvetiu vota për partinë e kryeministrit dhe është bukur e parashikueshme që të mos gjenerojë më shumë vota, por vetëm më pak, insistimi se taksa 100 për qind qenka ilaçi kundër agresionit të Serbisë. Sikur taksa, as muri në të cilën gjendet fotografia e Hashim Thaçit nuk është një kauzë që do të gjenerojë vota; gjasat janë që vetëm të ndikojë në zvogëlimin e tyre.

 

Ashtu si pushtetit që i nevojiten 100 ditë për të treguar se çfarë do të jetë natyra e tij, edhe opozitës i nevojiten këto 100 ditë për të treguar se opozitë e çkaje do të jetë.

 

Dhe diplomatëve perëndimorë do t’u ndihmonte që të mos merreshin me kërkesa ndaj Qeverisë së Kosovës në këto njëqind ditët e para. Jo, nuk do të ketë negociata me Serbinë në këta tre muajt e ardhshëm dhe, jo, nuk do pritur që një zgjidhje e shpejtë, sikur ajo “Eurowings” për linjën ajrore Beograd-Prishtinë, të replikohet në nivel të marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

 

3.

 

Në mungesë të negociatave të shpejta ka hapësirë për negociata serioze.

 

Qeveria e Kosovës ka kohë që të merret me buxhetin e vendit, si prioritet, dhe me konsolidimin e formës së vet të qeverisjes. Pra, ka kohë të mjaftueshme për të treguar se çfarë do të jetë natyra e saj qeverisëse dhe opozita do të ketë kohë të mjaftueshme që të tregojë, konceptualisht, se çka në atë natyrë qeverisjeje nuk i pëlqen, që nga buxheti i vendit.

 

Hapësira tjetër, ajo që ka të bëjë me taksa, shengenë dhe reciprocitetin, në fakt nuk duhet të jetë pjesë e arenës së konfrontimeve në publik, por pjesë e një pune të mundimshme, përfshirë edhe konfrontimesh, në tryeza jopublike, në mënyrë që të ndërtohet konsensusi mes pushtetit e opozitës për ato që definohen si çështje të interesit strategjik shtetëror.

 

Dhe, brenda këtij konteksti, ekziston hapësira që të ndërtohet një dialog me shtetet e fuqishme partnere të vendit, në mënyrë që të integrohen vizionet e brendshme e konsensuale në politikat ndërkombëtare ndaj Kosovës.

 

4.

 

Dita e parë e Qeverisë u përjetua sikur të ishte dita njëqind e një. I bën mirë shëndetit të vendit të numërojë me rend, duke filluar nga numri një./Koha

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0