Home | Opinion | Zgjedhjet dhe zgjidhja

Zgjedhjet dhe zgjidhja

image
Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore...

 

 

 

Nga Prof. Dr.Abdulla Mehmeti

 

 

Zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore

 

 

Mes zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 dhe këtyre të vitit 2020, jo vetëm kënga por as refreni nuk ka ndryshuar në politikën e shqiptarëve në këtë shtet.

 

VINI RE!

 

Së paku këtë pjesë lexojeni dhe flini rahat deri më 16 korrik! Asgjë nuk ka ndodhur më ndryshe pas zgjedhjeve të vitit 2016 nga kjo që është thënë para mbajtjes së tyre, e që fatkeqësisht vlen edhe për zgjedhjet e 15 korrikut të këtij viti.

 

"Nëse mbahen në afatin e paraparë, këto zgjedhje do të rezultonin me pak ndryshime në skenën politike, në aspektin cilësor dhe sasior të përfaqësimit të shqiptarëve, duke i sjellë në skenë disa subjekte të reja politike të shqiptarëve me përfshirje simbolike, të cilat pavarësisht nga numri i deputetëve që do të fitojnë në përbërjen e re parlamentare, nuk do të kenë fuqi dhe as parakushte për të bërë ndryshime rrënjësore në interes të shqiptarëve, sidomos nëse përfshihen në krijimin e qeverisë së re, pa ndonjë program konkret dhe pa kushtëzime të arsyeshme. Sidoqoftë, sipas kushteve në të cilat do të mbaheshin këto zgjedhje, numri i përgjithshëm i deputetëve shqiptarë do të jetë më i vogël nga numri i mandateve të fituara nga subjektet politike të shqiptarëve në zgjedhjet paraprake të vitit 2014 dhe me këtë edhe fuqia vendimmarrëse e tyre do të jetë e limituar. Me këtë vetëm do të vazhdojë agonia e derisotme për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe heshtja e çështjeve të rëndësishme në interes të shqiptarëve, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura nga përbërjet e mëhershme parlamentare dhe të trashëguara nga e kaluara komuniste e këtij vendi. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni nuk guxon të reduktohet në fitimin e mandateve të një grupi deputetësh, nga cilado parti qofshin, disa ministra dhe zëvendësministra, pa edhe sikur kryetari i parlamentit, i qeverisë, ose vetë kryetari i shtetit të zgjidheshin nga radhët e partive të shqiptarëve, sepse çështja e shqiptarëve nuk lidhet me këto çështje formale, por me ndryshimet përmbajtjesore, kushtetuese dhe ligjore, me konceptin e rregullimit të këtij shteti."

 

(10.X.2016)

 

***

Zgjedhjet dhe zgjidhja

Posted on 10/10/2016 by in Opinone

 

(Kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni dhe alternativat për zgjidhjen e krizës politike)

 

Abdulla Mehmeti

 

Në lidhje me shkrimin tim të para disa ditëve, me titull ,,Plani ,,B” për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni”, opinionit lexues ia kam borxh këto sqarime plotësuese, edhe atë:

 

E para, çfarëdo zgjedhjesh të organizohen me mbështetje dhe mbikëqyrje ndërkombëtare dhe sa më parë të mbahen ato, paraqet një kontribut të çmueshëm për proceset demokratike në vend dhe një hap në drejtim të zgjidhjes së krizës politike, e cila e mban vendin të mbërthyer për disa vite me radhë.

 

E dyta, asnjë forcë politike parlamentare dhe jashtëparlamentare në vend, as sektori civil dhe qytetarët, nuk janë deklaruar deri më sot kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve të pakohshme parlamentare të planifikuara për 11 dhjetor të këtij viti.

 

E treta, është fakt i pamohueshëm se forcat politike që aktualisht janë në pushtet i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që këto zgjedhje të jenë në favor të tyre, përndryshe në momentin e fundit do ta minojnë këtë proces me të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion.

 

E katërta, faktori i jashtëm, sidomos Bashkimi Evropian, është i interesuar që këto zgjedhje të mbahen në fatin e paraparë dhe me çdo kusht të respektohet marrëveshja e mëparshme mes katër subjekteve politike më relevante në vend, e njohur si Marrëveshja e Përzhinës 1 dhe 2.

 

Kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve

 

Mosrespektimi i afateve ligjore, përmbushja e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e mëparshme, mosvotimi i ligjeve për Prokurorinë Speciale Publike, minimi i punës së kësaj Prokurorie, mungesa e disponimit për balancimin e numrit të votuesve në njësitë zgjedhore, mospasja e vullnetit politik për reforma të dobishme në rregullativën ligjore dhe kodin zgjedhor, mungesa e të dhënave të sakta për numrin e popullsisë dhe numrin e votuesve për shkak të mos regjistrimit të popullsisë, kontrollimi i njëanshëm i Entit Shtetëror të Statistikës dhe disa sektorëve të ndjeshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme vetëm nga një forcë politike, përjashtimi i dhjetëra mijë qytetarëve shqiptarë nga listat e votuesve, refuzimi i pajisjes së dhjetëra mijë qytetarëve shqiptarëve me shtetësi, mungesa e epilogut nga organet gjyqësore për manipulimet e shumta në proceset e mëhershme zgjedhore, sidomos nga viti 2011 e këndej, janë tregues të mjaftueshëm se në këtë shtet edhe për gjatë kohë nuk ka mundësi të organizohen zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.

 

Prandaj, shqiptarët kanë të drejtë jo vetëm të dyshojnë, por edhe të mobilizohen për të mos rënë pre e mëtejshme e këtyre manipulimeve përmes zgjedhjeve, të cilat me asgjë nuk u sigurojnë shqiptarëve se do të jenë në favor të zgjidhjes së mundshme të problemeve të tyre të shumta në këtë shtet, aq më pak për sigurimin e kahes së mbarë për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në këtë shtet.

 

Detyrë e parë dhe më rëndësishme e subjekteve politike të shqiptarëve, sektorit civil, forcave intelektuale dhe gjithë popullatës shqiptare në vend, përfshi edhe diasporën në botën e jashtme, do të ishte analiza e hollësishme e dobisë nga mbajtja e këtyre zgjedhjeve dhe dëmeve që mund t’i sjellin çështjes së shqiptarëve në Maqedoni, sot dhe në perspektivë.

 

Sipas paraqitjeve publike deri më sot, janë tri opsione të mundshme në lidhje me zgjedhjet parlamentare të planifikuara më 11 dhjetor të këtij viti, edhe atë: pjesëmarrja në zgjedhje, bojkotimi i zgjedhjeve, ose organizimi i protestave qytetare në ditën e zgjedhjeve.

 

Secili qytetar, subjekt politik, ose grup interesi që përfaqëson shqiptarët në këtë vend, ka të drejtë legjitime të vendosë se cili nga këto tri opsione është më i dobishëm për vetë atë dhe për interesin e përgjithshëm kombëtar të shqiptarëve.

Sipas vlerësimit tonë, në pika të shkurtra këto do të ishin dobitë dhe dëmet për qytetarët shqiptarët nga këto zgjedhje:

 

Pjesëmarrja në zgjedhje

 

Nëse mbahen në afatin e paraparë, këto zgjedhje do të rezultonin me pak ndryshime në skenën politike, në aspektin cilësor dhe sasior të përfaqësimit të shqiptarëve, duke i sjellë në skenë disa subjekte të reja politike të shqiptarëve me përfshirje simbolike, të cilat pavarësisht nga numri i deputetëve që do të fitojnë në përbërjen e re parlamentare, nuk do të kenë fuqi dhe as parakushte për të bërë ndryshime rrënjësore në interes të shqiptarëve, sidomos nëse përfshihen në krijimin e qeverisë së re, pa ndonjë program konkret dhe pa kushtëzime të arsyeshme. Sidoqoftë, sipas kushteve në të cilat do të mbaheshin këto zgjedhje, numri i përgjithshëm i deputetëve shqiptarë do të jetë më i vogël nga numri i mandateve të fituara nga subjektet politike të shqiptarëve në zgjedhjet paraprake të vitit 2014 dhe me këtë edhe fuqia vendimmarrëse e tyre do të jetë e limituar. Me këtë vetëm do të vazhdojë agonia e derisotme për zgjidhjen e krizës politike në vend dhe heshtja e çështjeve të rëndësishme në interes të shqiptarëve, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura nga përbërjet e mëhershme parlamentare dhe të trashëguara nga e kaluara komuniste e këtij vendi. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni nuk guxon të reduktohet në fitimin e mandateve të një grupi deputetësh, nga cilado parti qofshin, disa ministra dhe zëvendësministra, pa edhe sikur kryetari i parlamentit, i qeverisë, ose vetë kryetari i shtetit të zgjidheshin nga radhët e partive të shqiptarëve, sepse çështja e shqiptarëve nuk lidhet me këto çështje formale, por me ndryshimet përmbajtjesore, kushtetuese dhe ligjore, me konceptin e rregullimit të këtij shteti.

 

Bojkotimi i zgjedhjeve

 

Është krijuar një traditë ndër shqiptarët e këtushëm që, askush nuk ka arritur të ndërtojë autoritet absolut që të respektohet nga shumica e qytetarëve shqiptarë në këtë vend. Edhe përkundër apeleve nga përfaqësuesit e diasporës shqiptare dhe ndoshta edhe nga ndonjë forcë politike dhe intelektuale e cila ndërkohë mund të apelojë për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve, ky opsion nuk garanton asnjë sukses.

 

Rreziku nga mossuksesi i këtij opsioni është i qartë, nëse

merret parasysh se, edhe sikur mbi 50% e qytetarëve shqiptarë t’i përgjigjeshin pozitivisht këtij apeli (edhe pse kjo as që mund të paramendohet), vetëm numri i votuesve që do të dalin në këto zgjedhje, për t’i përkrahur subjektet e veta politike nga të cilat kanë interesa të drejtpërdrejta, ose janë të detyruar dhe kërcënuar, megjithatë ky opsion që përpara është i dënuar me dështim, fatkeqësisht.

 

Organizimi i protestave qytetare

 

Organizimi i protestave nga qytetarët është një nga opsionet optimale, i dobishëm dhe lehtë i realizueshëm, nga i cili shqiptarët mund të kenë vetëm dobi. E para, se me organizimin e këtyre protestave në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, shqiptarët së paku do ta dëshmojnë se nuk duan të jenë pre e manipulimeve nga pushteti dhe subjektet e tyre politike. Kushti parë, këto protesta duhet të jenë të qeta dhe paqësore, sa më gjithëpërfshirëse, pa ngjyrime partiake dhe me porosi të qarta. Pavarësisht nga numri i pjesëmarrësve në këto protesta, efekti i tyre do të kishte jehonë të madhe në opinionin vendës dhe të jashtëm, me porosi të qartë se shqiptarët pavarësisht nga mbajtja ose mosmbajtja e zgjedhjeve, janë të vetëdijshëm se diçka më e rëndësishme duhet të ndryshohet në këtë shtet, kushtetuta me të cilën atyre do t’u garantohet barazi e plotë si popull shteformues dhe do të ndryshonte koncepti unitar i shtetit, si gjeneratorë kryesorë të krizës së vazhdueshme. Në radhë të parë do të duhej të ndryshonte statusi kushtetues-juridik dhe politik i shqiptarëve në Maqedoni, si dhe do të garantoheshin shumë të drejta të tjera të mohuara që nga regjimi komunist dhe në vazhdimësi deri më sot, e që kanë të bëjnë me të drejtat politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve në këtë shtet, i cila më shumë se i të tjerëve historikisht është i tyre. Ky opsion është më i dobishëm edhe për faktin se, bojkotimi i zgjedhjeve ka efekt të padukshëm, ndërsa protestat janë publike, me kërkesa të qartë për organet e pushtetit edhe faktorin ndërkombëtar. Vetëm për faktin se bojkotimi i zgjedhjeve nga 100 mijë shqiptarë nuk do ta dëmtonte legjitimitetit e këtyre zgjedhjeve, ndërsa protesta e po kaq qytetarëve shqiptarë në disa qytete do ta vinte në pikëpyetje legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, legjitimitetin e të cilave jemi të sigurt se do ta kontestojnë edhe disa subjekte politike, menjëherë pas numërimit të votave në mbrëmjen e 11 dhjetorit.

 

Organizimi i protestave do të ishte një rast i mirë edhe për faktorin ndërkombëtar, i cili nuk është i interesuar të mbahen zgjedhje dosido, por zgjedhje të lira dhe demokratike, të cilat do të garantonin zgjidhje për proceset tanimë të filluara, siç janë zgjidhja e kontestit për emrin e shtetit, zhbllokimi i procesi të integrimeve euroatlantike, etj.

 

Në fund, është e drejtë e secilit qytetar të vendosë se si do ta shfrytëzojë të drejtën e garantuar me ligj, për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në organet e pushtetit, të kujdeset për cilësinë e qeverisjes, kualitetin e jetës së tij dhe të familjes, si dhe perspektivën e vet në këtë shtet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags
Rate this article
0