Home | Opinion | Kush e mbart tragjizmin në Shqipëri?

Kush e mbart tragjizmin në Shqipëri?

image
Tragjizmi i jetës në Shqipëri nuk ka ardhur ngase shqiptarët vetë  janë njerëz të   trishtueshëm, hakmarrës me njëri-tjetrin, intrigantë dhe të etur për luftë gjakatare.

 

 


Nga Bedri Çoku


Më çudit fakti se si mund të merret seriozisht  ende politika në Shqipëri, me proçkat që sajon klasa politike e majtë, sa herë që kjo merr shuplakë nga ligjet e vendit dhe qëndrimi rigoroz i ndërkombëtarëve...

Është e neveritshme të dëgjosh përditë të njëjtin avaz: “Hap kutitë, ose largohu!”, edhe pse duket ashiqare që shqiptarëve kjo thirrje nuk u thotë më asnjë vlerë, ndërsa atyre që kanë mbetur galiç në çarkun e kësaj klithme, pa dyshim që mund t’u shtojë përditë një çikë shpresë, se diçka, sot a nesër, mund të ndryshojë në favorin e tyre. Megjithatë, nuk është e keqja tek këmbëngulja e socialistëve për të bërë transparencë dhe për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, ose për të destabilizuar vendin që ndërkombëtarët në këtë rast, të heqin dorë njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria dhe shqiptarët, “që s’e dashkan demokracinë dhe bashkësinë  evropiane...(!!!)”...  Problemi shqiptar është më i thellë e më tragjik nga sa ç’duket...
Tragjizmi i jetës në Shqipëri nuk ka ardhur ngase shqiptarët vetë  janë njerëz të   trishtueshëm, hakmarrës me njëri-tjetrin, intrigantë dhe të etur për luftë gjakatare. Përkundrazi, ne, shqiptarët jemi nga popujt më të dashur e më tolerantë në Ballkan  e në Botë. Kurrë nuk kemi sulmuar ndonjëherë fqinjët tanë dhe kurrë nuk kemi bërë ndonjëherë grindje me njeri-tjetrin, apo ndasira të përgjakshme fetare. Me fqinjët kemi jetuar gjithmonë në paqe e harmoni. I kemi ndihmuar në çdo fatkeqësi natyrore, madje edhe në problemin e çlirimit të tyre kombëtar. Kujtojmë me krenari pavarësinë e Greqisë,  ku shqiptarët ishin të shumtë në numër në këtë luftë historike të fqinjit tonë jugor. Apo miqësitë vëllazërore dhe krushqitë e famshme me banorët e Malit të Zi e raste tjera me serbët, bullgarët, maqedonasit.

Në asnjë rast e në asnjë kohë nuk kemi qenë ndonjëherë ne, shqiptarët, mollë sherri për të tjerët, veç kur këta na kanë lakmuar vetë për të na  zhvatur ndonjë copë truall dhe u kemi treguar vendin. Për të shpjeguar tragjizmin që përjetojnë shqiptarët sot, mjafton të dëgjosh në emisionet televizive disa të burgosur politikë, apo të internuar politikë, natyrisht, nga familjet e shquara dhe antikomuniste shqiptare, të cilëve komunizmi u ka vrarë njerëzit e tyre më të shtrenjtë, se sa thjeshtë e  natyrshëm i tregojnë vuajtjet dhe fatkeqësitë e tyre. E, ajo që bie në sy më tepër tek këta shqiptarë, është pikërisht mënyra se si, për të gjitha këto gjëma, nuk shprehin në asnjë rast dëshirë për t’u hakmarrë, ose të shajnë e të vjellin vrer. Mos vallë nuk dinë të shajnë, të urrejnë e të hakmerren? Pikërisht këtë nuk e kuptojnë ata që kanë ndjellë dhe vazhdojnë të ndjellin tragjizëm në Shqipëri. Ata që kanë vrarë, burgosur dhe internuar me mijëra shqiptarë, në emër të komunizmit, për të sunduar me terror e dhunë edhe pse ishin,   qysh në fillim të herës, pakica e shqiptarëve të organizuar nga të tjerët, për qëllime të mbrapshta e të kobshme kundra  Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Fatkeqësisht edhe sot, mbasi kanë kaluar njëzet vjet nga çlirimi i vargonjve të ideologjisë pushtuese të komunizmit të importuar nga të huajt , kjo “pakicë”, që nuk i kalonte as atëherë 150. 000 - 200 000 vetë, edhe me Mustafa Nanon si anëtar i kësaj pakice, nuk po do të heq dorë, gjithsesi, nga dëshira e përhershme për të sunduar pa meritë shumicën, madje edhe pse e ndërgjegjshme    që mbart mbi shpinë barrën morale e penale të tragjizmit gjysmë shekullor. Vini re ndryshimin njerëzor dhe kombëtar që shfaqet ashiqare sot, nëpër ekranet e televizioneve tona, nga njëra anë kur flasin ata që diktatura çnjerëzore i ndëshkoi pa mëshirë, në emisionin “Ngjarje me Zhurmues”, nga ana tjetër kur flasin ata që i sistemi gjakatar i mikloi dhe i rriti me djersën e krimit të prindërve, nëpër emisionet “debat” të ekraneve të tyre. Ndryshim është i jashtëzakonshëm. Pikërisht tek ky ndryshim i madh mbartet edhe tragjizmi i jetës politike në vendin tonë, qysh nga diktatura komuniste. Ndërsa të parët tregojnë dhe akuzojnë me të drejtën e njerëzve të pafajshëm, të dytët gënjejnë, fshihen dhe mohojnë, në mënyrën më të poshtër, antinjerëzore.

Është për të ardhur keq që me këta të dytët rreshtohet edhe zoti Agron Duka në  shkrimin e tij në gazetën “Panorama” të datës 10.03.2010, ku si nostalgjik i diktaturës, edhe pse në brinjë mban një krijesë të  brishtë nga prindër të ndëshkuar rreptë nga ligjet e terrorit komunist, përpiqet të fashis rëndësinë e ndëshkimit të këtyre krimeve. E pafalshme është sepse, për ta bërë të pavlefshme “hapjen e dosjeve” merret, gjasme, çfarë i ka treguar një ish i burgosur politik, që ka vuajtur në kampin e Spaçit, për të cilin as nuk dyshoj që i ka thënë të vërtetën për malësorin trim e të pa përkulshëm, por që përpara një përdhunimi në hetuesi, ama në hetuesi, pranoi të fuste në burg kushërinjtë e tij të parë e të dytë. Këtu zoti Agron gabon jo pa qëllim, kur thotë se ka edhe të tillë njerëz që janë bërë spiunë nga zori, ndaj, për këtë arsye, çështja e dosjeve duhet të jetë një çështje e mbyllur. Nuk ka absurditet më të madh, për të mos thënë injorancë në shkallë sipërore, kur diskuton për nevojën e  hapjes së dosjeve, duke nënkuptuar vetëm njohjen e viktimave që janë bërë spiunë. Sepse malësori që tregohet nga zoti Agron është viktimë e pastër. Me moral të përdhunuar në hetuesi. Kriminelët janë ata që e detyruan të bëhej spiun me përdhunë. Nëse zoti Agron, me shokë, dëshiron që këta hetues dhe gjykatës që i dënuan  këta njerëz të pafajshëm me  mënyra të poshtra e kriminale, të mos lëndohen nga ligjet e shtetit  të së drejtës, kjo është puna e tij dhe e shokëve të tij. Këshilli i Evropës nuk thotë në rezolutat e tij të përsëritura që duhet të hapen dosjet dhe të dënohen spiunët në komunizëm, por e thotë troç që të hapen arshivat e shtetit komunist dhe të dënohen krimet e tij.

Çështja që diskutohet vite të tëra për hapjen apo jo të dosjeve degradohet qëllimisht sikur bëhet fjalë për të mësuar vetëm për njohjen e spiunëve, është një propagandë e neveritshme, për të minimizuar rëndësinë e dënimit të krimeve të komunizmit. Miqësisht e këshilloj zotin Agron që, krahas emisionit,  “Ngjarje me zhurmues”, në TV Klan, le të dëgjojë mirë rrëfimet e dajës së gruas së tij, i cili i njeh mirë spiunët e burgjeve, edhe pa dosjet që disponon arshiva e shtetit, por fjala nuk është aspak për këta. Daja i gruas ka parë me sytë e tij kriminelët se si ua fiknin jetët të burgosurve nëpër galeritë e Spaçit, apo të Qafës së Barit, e gjetkë  edhe pse ata ishin të dënuar vetëm me disa vjet heqje të lirisë, i ka parë njerëzit me sytë e tij se si rriheshin e torturoheshin vetëm për të realizuar planin e normës në minierë, me  moton “O planin, ose xhanin!”, ku një pjesë e të dënuarve, nga pa mundësia për të realizuar planin e xhahilëve, dëmtonin veten fizikisht, ose moralisht, nënkupto, bëheshin spiunë të veckël të komandës dhe, përsëri, këta paskan qenë të ligjtë e atij regjimi? Turp dhe fatkeqësi, njëkohësisht, që në Shqipëri ka njerëz që mbrojnë ende krimet e llahtarshme të komunizmit. Pikërisht pse ka ndodhur kështu ka dalë tani brezi i dytë i diktatorëve të përgjakshëm si flamurtarë të demokracisë dhe të të Drejtave të Njeriut, thua se vetëm këta e dëshiruakan lirinë e drejtësinë në Shqipëri. Vetëm këta qenkëshin  për të mbrojtur themelin e demokracisë e të lirisë së individit, kur ulërijnë se gjoja Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa rinumëruar votat e zgjedhjeve politike të 28 qershorit të vitit 2009(!)... Kaq naiv e të paskrupuj janë, saqë ende përpiqen të lozin me “idealizma”, si dikur të parët e tyre kur mashtronin në mes të ditës për një Shqipëri të zhvilluar e të pasur, si asnjë nga vendet e tjera të botës.

A nuk po bëjnë sot bandillët e rinj të njëjtën gjë  kur mallkojnë e denigrojnë sistemin demokratikë që po ngrihet me vështirësi në Shqipëri, kur mallkojnë e denigrojnë ndërkombëtarët pse ndihmojnë popullin shqiptarë për të përqafuar sistemin e ri që bie ndesh me diktaturën dhe moralin e  tyre të  njollosur nga e kaluara? A nuk është e vërtetë përbuzja dhe nënvlerësimi i  çunakëve socialistë  për ndërkombëtarët sa herë u jepet mundësia për të folur për ligjin dhe parimet demokratike? A ka bythë më lufta e tyre, kur bashkohen me diktatorët e djeshëm, gjoja për të drejtat e tyre demokratike sot, në shtetin demokratik, kur vetë këta,  jo vetëm që nuk kanë dhënë kontribut, qoftë edhe në një rast të vetëm, për t’i mbrojtur e ligjëruar këto të drejta, përkundrazi, i kanë luftuar në diktaturë dhe vazhdojnë t’i luftojnë   ende sot, në demokraci.

Sepse është e pamoralshme të kërkosh të drejtat e tua, pa   mbrojtur e luftuar më parë të drejtat e të tjerëve. Duhet t’i kesh njohur e dënuar   bindshëm të Drejtat e shkelura të Njeriut dje, pa të bindësh sot njerëzit se je duke mbrojtur me të vërtetë shkeljet e sotme. Ndryshe je bllofaxhi e karrierist. E vërteta e lirisë dhe e demokracisë nuk qenka vetëm kur të interesuaka ty, por gjithmonë, edhe atëherë    kur ndëshkohesh nga ligjet e drejta të saj.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00