Home | Opinion | Ëndrra nuk zgjati

Ëndrra nuk zgjati

image
 Efektet bombë të fazës së parë të spastrimit etnik, i cili u erdhi qarqeve nacionaliste i mbështjellë me letrën e liberalizmit të vizave, tregojnë se në çfarë realiteti tragjik jetojnë shqiptarët. 

 

 


Gëzim Podgorica

 

Ishte shumë e shkurtër. Ashtu siç ndodh në të vërtetë me ëndrrat. Një ëndërr që zgjoi shpresë, por solli menjëherë zhgënjim, dhembje, trishtim. Azilkërkuesit e parë kanë filluar të kthehen në mënyrë vullnetare, pasi kanë prekur një realitet krejt tjetër nga ai që shpresonin dhe u premtua. Kanë filluar të kthehen duke bërë llogaritë e mbijetesës, por edhe të kostos shumë të lartë që u kushtoi ëndrra belge, zvicerane, apo e vendeve të tjera perëndimore ku u drejtuan . Një ëndërr që nuk zgjati shumë. Duke qenë një realitet virtual më mirë që nuk zgjati, pasi ata që kanë filluar të vijnë vetë, do të jenë garantët e fjalës që ky eksod të ndalojë. Do jenë dëshmitarët e gjithë atij realiteti që nuk mund të ofrojë zgjidhje për hallet e shumta të atyre njerëzve që u drejtuan pa ditur se ku shkonin dhe se si mund të realizonin ëndrrën e një jetesë më të mirë. Duke humbur një shpresë ata u nisën në kërkim të një shprese tjetër, e cila nuk u ofrua si e tillë, por përfundoi shpejt dhe dhimbshëm. Një pjesë e kanë paguar shumë këtë aventurë azilkërkuese, pasi kanë shitur çdo gjë dhe tani gjenden në një udhëkryq pa rrugëdalje dhe përballë një administrate që nuk e ndjen këtë dhembje.

Një karvan tjetër po i drejtohet Maqedonisë. Sigurisht jo me ritmin dhe me entuziazmin e ikjes, por me trishtimin që sjell zhgënjimi dhe mungesa e perspektivës. Të humbur në llogarinë e vet për të sfiduar hallet që i kishin kapluar, qindra dhe mijëra shqiptarë vijnë përsëri duke mos ditur se çfarë do bëjnë. Ata mundet dhe në arsyen e tyre fajësojnë autoritet belge që nuk i mirëpritën, fajësojnë agjencionet turistike për premtimet e pavërteta , por harrojnë të venë gishtin tek përgjegjësi i vërtetë dhe kryesor : Shteti të cilit i përkasin por që nuk u bë kurrë i tyre. Ai i la të iknin, ai i detyroi të ktheheshin në kurbetlinj të shekullit të XXI-të, ai me politikën e vet të papërgjegjshme stimuloi këtë eksod, të cilin detyrohen të tjerët ta ndalojnë. Nuk është aspak punë agjencionesh kjo ! Vërtet manipulimi bëri efektin e vet, por hallet e shumta të këtyre njerëzve vijnë si pasojë e një diskriminimi konstant që u është bërë dhe ai nuk mund të justifikohet kurrsesi me pseudo shkaqe dhe arsye. Duke jetuar në kushtet e një pabarazie të plotë politike e sociale dhe në varfëri të tejskajshme, ata nuk gjetën rrugë tjetër përveç se të iknin masivisht, duke gjykuar se kjo ishte një zgjidhje. Efektet bombë të fazës së parë të spastrimit etnik, i cili u erdhi qarqeve nacionaliste i mbështjellë me letrën e liberalizmit të vizave, tregojnë se në çfarë realiteti tragjik jetojnë shqiptarët. U përpoqën t’i shpëtonin përmes një rruge aspak efikase dhe tani po rikthehen nën një depresion shumëdimensional.

Ashtu si ikja, edhe ky rikthim ka dhimbjen e tij të madhe. Ai vërtet është një rikthim në vatrën e tyre, në tokën që nuk duhet braktisur, por ai ka vrarë edhe shpresën që konsiderohej e fundit dhe do të jetë shumë vështirë që gjithë këta njerëz të dalin nga dëshpërimi. Ai ka shumë gjasa të kthehet në mbytës dhe të mjegullojë edhe më tepër realitetin gri ku jetojnë shumica e shqiptarëve. Do jetë shumë e vështirë që ky kthim të rrotullojë agjendën politike të Gruevskit dhe të kthejë busullën e investimeve të munguara në Likovë,në malësinë e Sharrit, në rrethinat e Dibrës, Gostivarit, brenda në Shkup e Tetovë, po edhe në mjaft zona të tjera.

Tani fillon një dhembje tjetër. Qeveria do ta mbulojë këtë kthim me sarkazmën e radhës dhe do përpiqet ta hipotekojë si vlerë dhe investim të vetin, se gjoja ishte ajo që e ndali eksodin dhe po i bind qytetarët e vet të kthehen. Në fakt është krejt e kundërta. Po kthehen sepse ata nuk kanë ku të rijnë, se dyert nuk po u hapen dhe endja e pashpresë dhe e pa adresë e ka një fund. Ata po kthehen të mundur nga mërgimi që deshën të nisin. Ata po kthehen aty ku gjërat janë edhe më të pashpresa. Duke mos gjetur asnjë mundësi mbijetese, kthimi i tyre përbën një problem të ri për shoqërinë dhe politikën. Ndodh kështu pasi një pjesë kanë shitur pothuaj çdo gjë dhe përballen me emergjencat e ditës , por edhe se janë të traumatizuar psikologjikisht.

Në se nuk duket asnjë dritë në horizont, një bombë e re sociale pret etnitetin shqiptar që jeton në Maqedoni, por edhe në Luginën e Preshëvës. Një bombë që duhet ç’aktivizuar me masa të shpejta e një strategji që do i integrojë në nivelin e kërkuar këtë kategori që kur humb gjithçka , humb edhe vetëdijesimin dhe kontrollin. Nuk mund të falet kësaj radhe papërgjegjshmëria dhe strategjia e bojkotit të problemeve të shqiptarëve.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0