Home | Opinion | Koha Hamletiane

Koha Hamletiane

image
“O si nuk kam një grusht të fuqishëm/ Malit që hesht mu në zemër t´ja ngjesh/ Ta shoh si dridhet nga grushti i paligjshëm/E unë të kënaqem të kënaqem tu u qesh!”. 

 


Mr. Nexhat MEHMEDI

 

Meqë jetojmë në një kohë Hamletiane: Në një kohë të rrosh apo të mos rrosh, në një kohë pa kohë të jesh apo të mos jesh, në një kohë kur i humburi kërkon të gjeturin, ndërkohë që i gjeturi nuk e gjen dot të humburin, është momenti që politikanët tanë shqiptarë t´i venë gishtin kokës e të mendojnë mirë e mirë se ku e çojnë këtë popull të vuajtur ndër shekuj, a mendojnë dhe nëse mendojnë çfarë mendojnë për ardhmërinë e rinisë sonë e cila është një armatë e fuqishme e një populli të madh. Është momenti dhe koha e fundit që t´i kthehemi vetvetes, të mendojmë ,veprojmë dhe të punojmë për vetveten –popullin që na dha besimin dhe mjaft punuam për të tjerët , për ata që na vranë dje e na vrasin edhe sot, për ata që na mohonin të drejtat dje dhe na i mohojnë edhe sot, për ata që na burgosnin dje e që na burgosin edhe sot, për ata që na mohonin gjuhën dje e që e mohojnë edhe sot, për ata që na largonin nga atdheu dje ,e që po na largojnë edhe sot, për ata që i gëzoheshin të keqes shqiptare dje , pra që i gëzohen edhe sot .

Pra deri kur ne duhet të jemi vasalë, të dëgjueshëm, dhe shërbëtorë të tyre, pra është koha për një unitet partiak kombëtar , duke zhvilluar një politikë mençurie e jo çmendurie se përndryshe do të sillemi ashtu siç sillemi vërdallë ndër qarkun e këtij harku kohor e armiku do të luaj e do të qeshet me ne, ashtu siç luan e qesh edhe sot e kësaj dite. Kohët janë dramatike dhe përfundimisht ne duhet të kuptojmë se në jetë ka shumë të drejta dhe shumë të padrejta por ka vetëm një të vërtetë , se ne shqiptarët s´u mbushëm kurrë me mend dhe se politikanët shqiptar kurrë nuk punuan për popullin e vet , e vërteta duhet të jetë që ne t´i lejmë urrejtjet, sharjet, kërcënimet, ofendimet, largimet, rrënimet e t´i kthehemi vetes-popullit, rinisë, inteligjencës, duke afruar njëri-tjetrin t´i bashkojmë forcat tona dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për breznitë që vijnë pas dhe me unitetin kombëtar „një për gjithë - gjithë për një“ do të mund t´i mbrojmë interesat dhe vlerat tona kombëtare.

Pra duhet kujtuar të kaluarën, të punojmë për të sotmen dhe të mendojmë mirë e mirë për të nesërmen, sepse të gjithë ne intelektualët dhe politikanët që e udhëheqim këtë popull të përvuajtur , ndjejmë një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe përpara rinisë shqiptare dhe popullit shqiptar.Në këtë kohë të mjerueshme , jemi dëshmitarë se po zhvillojmë dy luftëra. Një luftë kundër armikut, dhe një kundër vetvetes. Të parën nuk do të mundeshim ta fitojmë kurrë pa e fituar të dytën, e të dytën mund ta fitojmë me politikë mençurie, e jo çmendurie, me njerëz të arsimuar e të shkolluar e jo me njerëz me diploma por analfabetë , sepse At Gjergj Fishta thotë: “Njeriu për t´u marrë me politikë duhet të jetë i shkolluar, a për të qenë patriot duhet ta njoh vetveten“ . Për fat të keq ne sot se kemi as njërën e as tjetrën, andaj jemi ashtu siç jemi. Në pyetjen që shpeshherë u parashtrohet disa intelektualëve për angazhimin e tyre në politikë , ato përgjigjen: Inkuadrimi në politikë është i pa arsyeshëm përderisa qytetarët kalben në burgje, patriotëve u rri kamxhiku mbi kokë ndërkohë që intelektualët e mirëfilli injorohen për të avancuar hallvaxhiun apo bozaxhiun. Njeriu duhet të angazhohet në politikë që të jetë i lirë, pasioni nuk duhet të jetë pushteti, por ndihma ndaj popullit . E partitë politike që deri më tani kanë provuar mjaltin e pushtetit e që edhe sot e kësaj dite po lëpinë gishtërinjtë , betohen se kurrë nuk do t’i lëshojnë pushtetin dhe karriget në të cilat janë ulur , po qese e do nevoja do ta mbrojnë edhe me dhëmbë, vetëm e vetëm të mbeten edhe pak në pushtet për të fituar edhe ca lek. Mjerimi politik, ekonomik, social, por edhe intelektual në Maqedoni akoma vazhdon të hapërojë me ritëm të shpejte.

Koha Migjeniane kurrë nuk ka njohur kufij. Ajo është edhe sot prezent, e prekshme, aktuale në mesin e popullit edhe pse Migjeni sot nuk është gjallë dhe s´ ka kush t’i thotë NDAL mjerimit , ne do të kujtojmë vargjet e tij kur thotë: “O si nuk kam një grusht të fuqishëm/ Malit që hesht mu në zemër t´ja ngjesh/ Ta shoh si dridhet nga grushti i paligjshëm/E unë të kënaqem të kënaqem tu u qesh!”. Nga e gjithë kjo mund të themi se t’i japish dorën një fatkeqi në hallet e tij të veçanta, të shpëtosh një fëmijë nga rreziku në mes të rrugës, të bartësh shokun tënd të plagosur që të mos bjerrë në duar të armikut, është punë e madhe, por sa më e madhe është ajo punë atëherë kur i jep dorën një populli të tërë në nevojën më të madhe, duke e shpëtuar nga vuajtjet shekullore dhe i ndihmon të ngrihet e të jetë i lirë , e këtë mund ta bëjë fuqia progresive e të gjithë neve ,. me të vetmin qëllim , bashkimin kombëtar.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00