Home | Opinion | Kufijtë e urrejtjes

Kufijtë e urrejtjes

image
Në vizatimin e kufijve të urrejtjeve ndërballkanike, kanë marrë pjesë të gjithë popujt e këtushëm, me aq sa kanë mundur, por edhe me aq sa u është “lejuar” nga të mëdhenjtë e kësaj Evrope.

 

 


Nga Kim Mehmeti

 

Krahas kufijve të shteteve, reliefin e Ballkanit e shënojnë edhe kufijtë e urrejtjes. Dhe  kufijtë e urrejtjes mbase janë më të qëndrueshëm dhe më të vjetër se ato të shteteve të këtushëm edhe pse nuk janë të shënuar në hartat ndërkombëtare. Banorët e këtyre hapësirave, e veçanërisht shqiptarët, e dinë saktësisht deri ku shtrihen kufijtë e urrejtjes ndëretnike dhe ndëreligjioze, andaj ata i përkushtojnë vëmendje të veçantë sjelljes së tyre kur shtegtojnë nga vendbanimi i tyre në ndonjë hapësirë tjetër të këtij Ballkani. Kështu, për shembull, shqiptari që udhëton nëpër Serbi, duhet të jetë i kujdesshëm si do sillet rrugës, sepse policët e atjeshëm mund të irritohen edhe nga zanoret e gjuhës shqipe, e le më nga plisi i bardhë. Apo, ata që shkojnë në pushime verore në Greqi, duhet më parë t’i heqin nga makinat e tyre të gjitha shenjat që mund të dëshmojnë përkatësinë e  tyre eventuale myslimane, sepse kjo mund të nxehë gjakun ortodoks të ndonjë greku dhe ta çojë të ndërmerr ndonjë akt “të izoluar”, që nuk shprehë qëndrimin “miqësorë” të shtetit dhe popullit grek ndaj shqiptarisë. Dhe kjo hartë e urrejtjeve ndërballkanike, nuk është e shënuar nga veprimet e të painformuarve dhe të pagdhendurve, që i ka çdo popull i kësaj bote në radhët e veta, por edhe nga përfaqësues të institucioneve të shtetit. Si për shembull, nga policët serb që të ndalin rrugëve e nuk të lënë të shkosh tutje pa paguar haraç pse je shqiptarë, apo te ushtarakëve grekë, të cilët përpara udhëheqësve të shtetit të tyre, këndojnë këngë nëpërmjet të cilave tregojnë sa të etur janë për gjakun shqiptarë dhe maqedonas.

Në vizatimin e kufijve të urrejtjeve ndërballkanike, kanë marrë pjesë të gjithë popujt e këtushëm, me aq sa kanë mundur, por edhe me aq sa u është “lejuar” nga të mëdhenjtë e kësaj Evrope. Kështu, për shembull, shtrirjen e kufijve të urrejtjes greke ndaj gjithë fqinjëve të tyre, e ka përcaktuar edhe standardi i dyfishtë i Evropës humane dhe demokratike, e cila, urrejtjen e shprehur në Athinë ndaj të tjerëve, e sheh si lazdrani të shfrenuar të fëmijëve të prindërve të famshëm, e revoltën e të tjerëve ndaj kësaj urrejtjeje, si reagim të tepruar ndaj veprimeve të “izoluara”. Dhe diku në mes të këtij standardi të dyfishtë Evropian dhe kufijve të urrejtjeve ballkanike, ndërtuan  fole shumë tragjedi të ndodhura në këto hapësira, përfshi këtu edhe ato që i nxiti politike e Millosheviqit, i cili i  zgjeroi kufijtë e urrejtjes serbe ndaj të tjerëve  në këto hapësira edhe shkaku se Evropa humane dhe demokratike, për kohë të gjatë atë e mbante për ndërtues të paqes në Ballkan. Apo, në mes të këtij standardi të dyfishtë të Evropës humane dhe realiteti Ballkanik, kanë thurur fole edhe kërkesat absurde greke që ndërhyjnë edhe në emërtimin e popujve tjerë, të kërkojë hapur të drejtat e grekëve të gjallëve e të vdekur në shtetet fqinje, por duke e shpallur të paqenë problemin çamë dhe atë të maqedonasve. Me çka, mbase edhe u legjitimuan jo vetëm standardet e dyfishta që i përdorë Evropa ndaj evropianëve të saj ballkanas, por edhe hartat e urrejtjeve të Ballkanit.

Nuk ka dyshim se është urtësi dhe virtyt i shenjtë njerëzor që urrejtjen e tjetrit ndaj teje, të mos e ushqesh me urrejtjen tënde ndaj tij. Njësoj siç nuk ka dyshim se kur ke fqinjë që të urrejnë, ti nuk duhet të sillesh si i dashuruar i verbëruar nga dashuria, që nuk e sheh se e dashura nuk e do, apo si mazohist i cili dashurohet në atë që e dhunon. Pa dyshim se reagimet e Tiranës zyrtare ndaj rasteve të “izoluara” të urrejtjes greke ndaj shqiptarëve, në njëfarë mënyre e pasqyrojnë edhe inferioritetin e politikave shqiptare, i cili inferioritet shkon deri aty sa ke përshtypjen se opozitën dhe pozitën e atjeshme, nuk e brengosin gjithaq këto manifestime të “izoluara” antishqiptarë, sa i hidhëron pse ato nuk janë fshehur, pse janë bërë publik. Me çka, politikanët e Tiranës, herë-herë të ngjanë në marioneta të Athinës, apo reagimet zyrtarëve të Shqipërisë më shumë i ngjajnë ankesës së gruas që është mësuar me keqtrajtimin e përhershëm të burrit dhe kënaqet vetëm nëse nuk i mbeten shenja nga dajaku.

Sjellja greke ndaj fqinjëve të tyre, qëmoti i ngjanë asaj të fëmijës lazdran që çdo gjë ka përfituar nga fama e stërgjyshërve të vet. Ndaj kësaj sjelljeje, pjesa tjetër e Evropës, sillet si banorët e lagjes që e njohin “vesin e keq të fëmijës”, por nuk guxojnë këtë ta thonë hapur ngaqë e dinë se edhe ata vetë kanë ndikuar që ai të bëhet i tillë. Është e vërtetë se manifestimet shovene antishqiptare që ndodhin në vazhdimësi në Greqi, nuk shprehin politikën zyrtare të Athinës, por pa dyshim se ato pasqyrojnë një atmosfere përbuzëse te një pjese të shoqërisë greke ndaj të gjithëve përreth që nuk kanë përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze, pa mëdyshje se ato janë pjellë e një sistemi arsimorë ku fëmijët grekë mësojnë për “barbaritë” e të tjerëve, por jo edhe për golgotën çame, jo edhe për konceptet asimiluese greke ndaj pakicave të atjeshme etnike. Pra, rastet e “izoluara” të urrejtjes nda të tjerëve që shprehen në vazhdimësi nëpër paradat ushtarake, edhe atë pas pesë dekadave që Greqia është anëtare e NATO-së dhe disa dekada anëtare e BE-së, tregojnë qartë se në këtë Ballkan dikush dëshiron t’i shlyej kufijtë e shteteve, por duke dashur të mos heq dorë nga ato të urrejtjes. Apo, këto raste tregojnë qartë se edhe gjatë kohë, edhe pasi të gjitha shtetet e Ballkanit të bëhen pjesë e institucioneve euroatlantike, këtu do mbeten të patejkalueshëm kufijtë e urrejtjes. Edhe atë jo pse ballkanasit së tepërmi e duan këtë ushqim, por shkaku se edhe të mëdhenjtë e kësaj bote, nuk i kanë “dashur” njësoj popujt e këtyre trojeve. Dhe jo vetëm që nuk i kanë dashur njësoj, por herë-herë, edhe kanë theksuar dallimin mes tyre, duke mos hezituar të shpalosin se cilët janë të preferuarit e tyre e cilët ata që duhet të nënshtrohen.
   

Në Ballkan ka aq lloje urrejtjesh, sa edhe popuj. Por, jo të gjitha urrejtjet janë ushqyer njësoj. Mbase është mirë që urrejtjen shqiptare, ndaj cilit do popull në Ballkan, nuk e ka përkrahur ndonjë “vëlla” i madh. Por, kjo ka një të keqe: i ka çuar shqiptarët të tregohen të pakujdesshëm ndaj urrejtjes së të tjerëve ndaj tyre. Andaj, shqiptarët gabojnë nëse mendojnë se dikush tjetër do i shpëtoj nga urrejtja e të tjerëve. Tjetri mund të të ndihmojë atë ta përballësh më lehtë, por vetëm nëse nuk je inferior dhe nuk sillesh si i pafuqishmi të cilin nuk ia vlen ta mbrosh. Shikuar nga ky kënd, Tiranës zyrtare sillet aq inferiore ndajë fqinjëve të saj, sa mund t’ua ketë zili edhe politikanëve maqedonase, të cilët nuk ka rast të mos ia ndërmendin botës padrejtësitë që i bëhen pakicës maqedonase në Greqi.

Nga ana tjetër, politikanët e Tiranës, as që guxojnë ta përmendin problemin çamë në Athinë, apo pavarësinë e Kosovës në Beograd. Dhe mbase Tirana zyrtare sillet kështu ngaqë është e përkushtuar të arrijë cakun e lartë të bëhet anëtare e edhe e BE-së. Por, duke harruar në ndërkohë se BE-ja dhe NATO-ja mund të të ndihmojnë në shumëçka, por nuk mund të të çlirojnë nga inferioriteti yt dhe nga konstrukti mental i vasalit. Pra, duke harruar se BE-ja dhe NATO-ja nuk qëndrojnë mbi politika që kanë bosht të thyer kurrizorë, por mbi urtësinë se vlen ta kesh në lagjen tënde vetëm atë që është i aftë ta rregullojë e ta mbrojë shtëpinë e vet. Pastaj, BE-ja dhe NATO-ja nuk mund të të çlirojnë as nga urrejtja që ke ndaj atyre që nuk i përkasin etnitetit dhe religjionit tënd. Institucionet euroatlantike mund ta lidhin ujkun me zinxhirë që të mos i hajë delet e fqinjëve, por jo edhe t’ia ndryshojnë veset që ka. Gjë që më së miri e dëshmojnë disa popuj e shtete, që me dekada janë anëtarë të institucioneve euroatlantike, por ende ushqehen me urrejtjet mesjetare.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00