Home | Opinion | "Kriza" për të folur shqip...

"Kriza" për të folur shqip...

image
A nuk ndodhi kështu me ne kur eksperimentuam marksizëm- leninizmin për dekada të tëra dhe dolëm për faqe të zezë, ndërsa të tjerët mësuan nga pësimi ynë? 

 

 


Nga Bedri Çoku

 

Nuk besoj të ketë popull tjetër në botë, si ne, shqiptarët, që i drejtohemi njeri-tjetrit: “A merr vesh shqip ti, apo jo?”... ose, “A e kupton shqipen ti, apo jo?”... ose, “Ty po të flas shqip, ore?!” , etj... Besoj, kjo ndodh, me siguri, ngaqë e kemi të vështirë për t’u marr vesh me njeri-tjetrin, sidomos edhe kur paraqesim fakte e dokumente të pakundërshtueshme...
Vini re: Kemi afër 10 muaj që kemi ngecur në një ngërç – budalla, në të folur shqip, do të thosha, me dashje... duke sharë e mallkuar majtas e djathtas, si njerëz që nuk e kuptojmë dot gjuhën e prindërve tanë... e cila është, siç  thotë poeti, “kaq e mirë, kaq me vlerë...”!!!
Ndaj, sa herë na ndodh kështu, u mësuam këto njëzet vjet që të thërrasim menjëherë   njerëzit e huaj që nuk e flasin dot shqipen tonë, për të na sqaruar frazeologjinë e saj ose  për të na shpjeguar e zgjidhur kodin e saj. Dhe çuditërisht, me ata kuptohemi mirë, apo shumë mirë, nëqoftëse ata e shpjegojnë “ngërçin” e gjuhës shqipe, siç do të na vinte neve përshtat. Sepse ndryshe, do ti shpallnim menjëherë të njëanshëm, të paditur, pse jo edhe armiqësorë ndaj aspiratave madhore të shqiptarëve.(!)... Ata flasin me ne anglisht, frëngjisht, holandisht, gjermanisht, serbisht, rusisht, kinezçe... e ku ta di unë ç’ gjuhë ka bota... dhe merremi vesh me ta bukuri... Me shqipen jo e jo! .... Vetëm kur flasim të huajt, ne hapim veshët dhe sytë!

Përse vallë ndodh kështu me ne, shqiptarët? Një ditë lexova një shkrim vërtet të sinqertë përsa i përket kontributit të madh që ne shqiptarët kemi dhënë e japim, kur jetojmë në vendet e huaja, në fushat ku aftësitë tona inteligjente, të lindura apo të fituara me zotësi, janë tej mase të vlefshme dhe të shquara për popujt që kanë fatin të gëzojnë shërbimet tona... Kurse këtu, në vendlindjen tonë, ne jemi haram e të padobishëm, dembelë dhe inatçorë me njeri-tjetrin, ose e thënë më troç, i bëjmë vetes keq dhe vendit tonë për hesap të të tjerëve... A nuk ndodhi kështu me ne kur eksperimentuam marksizëm- leninizmin për dekada të tëra dhe dolëm për faqe të zezë, ndërsa të tjerët mësuan nga pësimi ynë? A nuk ndodhi e njëjta gjë, kur për hesap të të tjerëve, e dogjëm Shqipërinë më 1997 dhe po bëhemi gati t’ia vëmë flakën përsëri me përrallën që na e frymëzojnë ata, humbësit e domenit shqiptar, kur shohin e dëgjojnë për ne shqiptarët se, së shpejti do të udhëtojmë pa viza nëpër Evropë e botë, ose do të fitojmë dhe kandidaturën për në Bashkimin Evropian, me “E hap, e mbyll kutitë”?

Me këtë rast, a nuk kam të drejtë të them se vazhdojmë ende të kemi inat dhe armiqësi me njeri-tjetrin, si dikur, nga mallkimi i trashëguar i “luftës së klasës”, që e eksperimentuam 45 vjet nën diktaturën e proletariatit? Pikërisht, ngaqë s’e kemi dënuar ende atë kohë dhe ideologjinë e saj, si një të keqe të madhe që na i sollën të tjerët për interesat e tyre antishqiptare, si dhe njerëzit që e praktikuan “krimin dhe terrorin çnjerëzor dhe antikombëtar të përçarjes kombëtare” me aq zell e shpirtligësi, pa po i përsërisim ato inate dhe armiqësi? Nuk dënuam moralisht dhe fizikisht arsyet dhe njerëzit që e projektuan dhe e zbatuan rebelimin e vitit 1997, pa po vazhdojmë ta kërcënojmë njerit – tjetrin me përsëritjen e atij Viti të Zi? Nuk dënuam moralisht dhe fizikisht njerëzit që  u pasuruan e po pasurohen në mënyrë të padrejtë e korruptive, pa po vuajmë ende nga “kriza morale për të folur dhe për t’u mirëkuptuar në gjuhën tonë, shqip”...sepse paraja dhe pushteti ta lidhin e ta zgjidhin gjuhën si të duan e kur të duan, apo jo?...
Edhe sa kohë, vallë, na duhet ne, shqiptarëve për të mos e pësuar nga mallkimi dhe trashëgimia e së kaluarës, duke e mësuar gjuhën tonë të mirëkuptimit e të dashurisë, në dëm të ligësive e të prapësive të të tjerëve, pa kërkuar ndihmën e “specialistëve” të huaj?
 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00