Home | Opinion | Superior ndaj demokracisë

Superior ndaj demokracisë

image
Kjo mund të ndodhë për tri arsye; e para nga prezumimi i institucioneve qeverisëse, e dyta nga intoleranca dhe në fund nga mospajtimet e mëdha gjatë procesit të shtetit në rrugën e tij.

 

 


 
Nga Gjon Keka

 

Vendet që posa kanë lindur si shtete demokratike të cilat kanë pasur një jetë të gjatë në tranzicion, lehtë mund edhe të rrëshqasin gjatë kësaj rruge në autoritarizëm dhe diktaturë demokratike moderne. Kjo mund të ndodhë për tri arsye; e para nga prezumimi i institucioneve qeverisëse, e dyta nga intoleranca dhe në fund nga mospajtimet e mëdha gjatë procesit të shtetit në rrugën e tij. Kështu që në rastin e parë nga prezumimi i institucioneve qeverisëse - e cila mendon se di të dallojë të drejtën dhe të gabuarën dhe duke qenë se ajo ka ndarë mendjen për të gabuarën duke menduar se është e drejtë sipas saj, nga kjo del se ajo ka zgjedhur rrugën e gabuar të qeverisjes dhe kështu ngadalë rrëshqet në autoritaritzëm apo edhe statizëm.


Pastaj në rastin e dytë nga intoleranca -ajo duke mos qenë në gjendje të mbrojë të drejtat e përgjithshme, zgjedh rrugën e të sunduarit të të gjithëve duke menduar se nga kjo do të dalë progresi dhe e drejta e shtetit demokratik e që në fakt është një rrëshqitje me arsye në humnerën apo gropën e lakmisë për të zotëruar të gjitha dhe mbajtur në fre e dëgjueshmëri apo nënshtrim. Në rastin e fundit nga mospajtimet e mëdha -ajo duke mos qenë në gjendje t'i kontribuojë procesit pozitiv të vendit dhe rrugës së tij drejt demokratizimit dhe integrimit, zgjedh mospajtimin gjatë këtij procesi këtë ajo e realizon duke ndërruar qasjen për të keq dhe duke ndalur kështu rrugën e demokratizimit dhe të ecjes së shtetit në rrugën e integrimeve euroatlantike.


Megjithatë, duhet nënvizuar se nuk mund të ekzistojë apo edhe të shfaqet në një shtet demokratik autoritarizmi pa ndonjë ideologji paraprake apo dogmë të përcaktimit për këtë rrugë të mbrapshtë të një shteti të ri me demokraci të re dhe në tranzicion të gjatë. Prandaj nga momenti kur shteti bie në duart e kësaj ideologjie paraprake ateherë ajo tregon ngadalë figurën e diktaturës apo autoritarizmit e cila mund të vërehet nga ajo se ata (elita autoritare) më shumë mbajnë pushtetin për privilegjet se sa lidhur me besimin se janë duke zhvilluar politikat efektive, progresive dhe të duhura në rrugën e procesit të zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit.


Kosova, që nga shpallja e saj shtet i mbikqyrur ka përjetuar dhe ende po e përjeton edhe pas pavarësisë tranzicionin apo më mirë të thoja mësimin e ndërtimit të shtetit juridik dhe demokracisë, ajo ka filluar të shfaqë shenja të një autoritarizmi apo diktature demokratike e që është duke u rritur ky presion i brendshëm dhe ky superioritet i lidershipit e institucioneve qeverisëse ndaj demokracisë dhe shtetit. Tani mund të flitet me një zë të theksuar se Kosova dhe liderët institucionalë janë duke ndërtuar një shtet autoritar dhe në këtë kontekst mund shihet shumë qartë se si qytetarët e Kosovës janë bërë subjekt i autoritetit shtrëngues shtetëror në shumë aspekte të jetës së tyre, duke përfshirë këtu edhe çështjen e gjepit privat të individit apo qytetarit si dhe të shkeljes së hapur të të drejtave dhe lirive të njeriut.


Dhe krejt në fund shpesh zërat kundërshtues janë injoruar dhe konsideruar në mënyrë të habitshme nga këto institucione dhe ky lidership si njerëz që bëjnë komplot kundër interesave dhe rrugës së mirë institucionale të vendit e që në fakt ata nuk kanë menduar se pikërisht këta zëra janë zëra të demokracisë dhe të sjelljes së frymës së një shtetit juridik dhe demokratik e europian. Në mënyrë tipike, shihet qartë se qeverisja në shtetin e mbikqyur të Kosovës është duke u sunduar nga një regjim autoritar apo më mirë nga një grup elite që përdor mjetet e nevojshme të fuqisë së shtetit dhe që ka si vegël demokracinë.
Ndërkaq ligjet janë duke u injoruar në mënyrë të tmerrshme dhe rutinore institucionet dhe lidershipi apo më mirë ato sikur nuk ekzistojnë fare sepse zbatimi apo beteja në mes letrës së ligjit dhe materializimit apo praktikumit të saj është i pamundur në një qeverisje autoritare dhe në një diktaturë demokratike moderne, sepse siç dihet këto ligje dhe kushtetuta e shtetit janë të huaja për superiorët ndaj demokracisë dhe shtetit. Gjithçka në sistemet e tilla qeverisëse punohet e veprohet sipas tekave të elitës autoritare dhe kjo normalisht se e çon shtetin në një lodhje dhe mundim të madh duke bërë kështu atë objekt të lojës së pasionit. Kosova duhet sa më parë të jetojë e zhytur në demokraci, duke e bërë atë pjesë të pandashme të institucioneve qeverisëse, pastaj të fillojë shtrëngimin e shtëpisë së re e të ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, të arrijë të kapë dhe mësojë shtetin juridik dhe europian e modern si dhe të punojë në rrugën e procesit të integrimeve euroatlantike. Koha nuk pret, proceset në botë ecin në dinamikën e tyre, prandaj shteti i ri i Kosovës duhet të bëjë përpjekje të vazhdueshme që të zërë hapin e zhvillimeve europiane dhe botërore.

 


*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00