Gazetarët dhe politikanët – njerëzit në konflikt
Gazetarët, tejkalojnë kufijtë e profesionit, më shpesh se sa që mendohet dhe hyjnë në politikë, i bashkohen ndonjërës nga partitë politike, shtabeve zgjedhore si dhe bëhen pjesë e institucioneve shtetërore.
Veton Rugova
Politikanët insistojnë vazhdimisht që të kufizojnë lirinë dhe pavarësinë e gazetarëve, e gazetarët nuk kanë mekanizma të mjaftueshëm për të vërtetuar faktet që ua plasojnë politikanët.
Gazetari dhe kolumnisti Volter Lipman, qysh në dekadën e dytë të shekullit të kaluar pat shkruar se mediet nuk mund të ndërrojnë institucionet, mirëpo ato vetëm mund t’i nxjerrin problemet nga terri në dritë një nga një. Duke i nxjerr faktet në dritë mund ndërrojnë situatën. Nga ana tjetër, me shoqërinë nuk mund të qeveriset me ndihmën e episodeve, incidenteve dhe erupsioneve. Satiristi austriak Karl Kraus e përshkruan rrethin e mbyllur të dukshëm në atmosferë me luftën që po pasonte (Lufta e Dytë Botërore): “diplomatët gënjejnë gazetarët edhe kur ato gënjeshtra janë tashmë të shtypura dhe besojnë se ato janë të vërteta”. Legjenda tjetër e gazetarisë Xhejms Reston pat thënë se konflikti ndërmjet atij që e bën lajmin dhe atij që e shkruan lajmin është e vjetër sa koha. Ai gjithashtu pat shtuar se detyra e gazetarit nuk është të shërbej si nxitëse për "anën tonë”, por që t’i ndihmoj numrit më të madh të njerëzve që të kuptojnë botën reale në ndërrimet dhe konvulsionet në të cilat politika duhet të operojë.
Nga një hulumtim i kryer me gazetarët e Kosovës, është dëshmuar se një numër i konsiderueshëm i tyre, që shkruajnë për politikë dhe politikanë, ndjejnë presion të vazhdueshëm, i cili ua pamundëson që të jenë të pavarur dhe që të merren lirshëm me profesionin e tyre.
Konstatohet se gazetarët dhe politikanët kanë mendime të ndryshme për njëri tjetrin. Nga përgjigjet e gazetarëve del që politikanët në medie shohin mundësinë e mirë për të plasuar propagandën e tyre, me qëllim të arritjes së më shumë pushteti ose si në armiq të cilët u shërbejnë kundërshtarëve politik.
Për propagandistët e rinj, një gjysëminformatë ndikon më fuqishëm se sa 10 demante. Andaj politikanët nuk insistojnë që të shkruhet mirë për ta, sepse atë askush nuk e beson, por të shkruhet keq për ta, sepse të gjithë besojnë në të.
Gazetarët joprofesionistë në mungesë të përgatitjes detyrohen të përdorin vetëm komunikatat për shtyp apo edhe materiale promovuese të shtabeve partiake. Fshehja e fakteve, mungesa e transparencës në punë dhe mbyllja e dyerve për gazetarë kur tentojnë që të verifikojnë të dhënat si duket paraqesin praktikë të gjërë. Jeta politike në kushtë të këtilla është e vështirë për faktin se politikanët në përgjithësi e mohojnë njëri-tjetrin dhe se nuk ka ndonjë mekanizëm të duhur për t’i kontrolluar. Kjo formë i ka kapluar një grup mediesh të cilat për përfitime materiale edhe janë në gjendje të trillojnë. Kjo ka quar që të vije edhe deri te shantazhimi, por edhe te dhënia e mitos për disa gazetarë, në mënyrë që politikanët përmes tyre të plasojnë informatat që ata dëshirojnë. Një redaktor i një mediumi privat ka deklaruar se partitë politike favorizojnë disa medie në mënyrë që të arrijnë qëllimin e tyre. Këtë ata e bëjnë përmes reklamave apo edhe shpalljeve të ndryshme. Ata gjithashtu në çdo redaksi kanë nga ndonjë gazetar i cili informacionet e politikanëve i fut në edicionet e lajmeve të redaksisë së tij. Dhe këta njerëz (gazetarë) krenohen me atë se “politikanët po merren me mua dhe se pa mua nuk munden”, e në anën tjetër ata kundërshpërblehen për shërbimet e tyre.
Gazetarët, tejkalojnë kufijtë e profesionit, më shpesh se sa që mendohet dhe hyjnë në politikë, i bashkohen ndonjërës nga partitë politike, shtabeve zgjedhore si dhe bëhen pjesë e institucioneve shtetërore. Mirëpo, ata shpesh edhe nuk e lënë gazetarinë, dhe kontaktet e tyre i vënë në shërbim të politikës.
Ka medie që sillen si grup për presion por ka edhe medie që drejtpërdrejtë lobojnë për njërën nga opsionet e mundshme politike ose për ndonjërin nga liderët politik. Rregulli "mos lejo të involvohesh" thyhet duke u thirrur në racionalizëm dhe në më shumë interesa. Kështu pra, politika ngrit njeriun në qiell dhe ai, normalisht, nuk mund të kthehet i pastër në profesionin e tij dhe çdo herë i mbetet në supe hipoteka politike.
Janë shënuar edhe shumë raste të refuzimit të komunikimit ndërmjet politikanëve dhe mediave ose gazetarëve të cilën nuk janë nën “kontroll”, apo “mbyllja e portave”, e deri te kërcënimet dhe shantazhimet.
Gazetarët shpesh bien pre e marrëveshjeve të pronarëve të medies me politikanë, të cilët paraprakisht ua zvogëlojnë hapësirën e veprimit ("duhet të dish për kënd punon – nëse punon për mediumin që e mbështet qeverinë, nuk mund t’i kritikosh").
Por, ka edhe medie të cilat i fryjnë informacionet, apo thjesht kryejnë punë politike, e të cilat shndërrohen në instrument të politikanëve. Ka edhe medie që thjesht shpifin, vetëm e vetëm që të bëjnë gjërat sa më sensacionale. Mirëpo, thuhet qartë se sensacionalizmi nuk është në interesin e publikut, por shihet qartë se në vende të tranzicionit sensacionalizmi po ka sukses në sferën publike.
Comments (0 posted)
Post your comment