MO është një lojë politike
Valltarët e këtyre lojërave që i amortizuan dhe i bënë të dështojnë përpjekjet e shqiptarëve për një jetë të lirë e të pavarur janë faktori maqedonas, ndërkombëtar dhe ai shqiptar ushtarak dhe civil.
Prof. Fadil Sulejmani
Marrëveshja e Ohrit dhe lufta e fabrikuar e vitit 2001 janë lojëra politike që patën dhe kanë për qëllim t’i pengojnë nevojat e vërteta të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare, duke i mbuluar ato me kërkesa të rrejshme për më shumë të drejta ose për të drejta të barabarta me maqedonasit.
Prandaj, shqiptarët u mashtruan, sepse harruan se aty ku s’ka demokraci, s’ka as liri dhe as barazi. Nuk t’i japë të drejtat dhe liritë ai që t’i ka marrë me forcë dhe pastaj t’i ka zyrtarizuar ato me ligje diskriminuese kundër teje. Nuk ka luftë të mirëfilltë dhe fitore, aty ku ka tradhti dhe nuk ka marrëveshje korrekte dhe të suksesshme, aty ku ka mosbesim, frikë dhe urrejtje.
Valltarët e këtyre lojërave që i amortizuan dhe i bënë të dështojnë përpjekjet e shqiptarëve për një jetë të lirë e të pavarur janë faktori maqedonas, ndërkombëtar dhe ai shqiptar ushtarak dhe civil.
Në fakt shqiptarët në Maqedoni në mars të vitit 2001 i rrokën armët për liri dhe pavarësi të tyre, por MO i çarmatosi dhe këtë ideal të lartë kombëtar dhe ëndërr shekullore ua varrosi thellë në shpirtin e plagosur të jetës së tyre skllavërore.
Gjithçka u shua, u dorëzua lufta, armët, luftëtarët e lirisë, populli, vendi, kapitali i tij; çdo gjë ra poshtë, nderi, krenaria dhe lavdia e tij, dhe sot le ta dijë çdokush se shqiptarët nuk e humbën luftën, por e dorëzuan, e dorëzuan në këmbë, turp historik për ne!
Kjo s’ka ndodhur asnjëherë dhe në asnjë vend në luftërat nacionalçlirimtare të botës. Pra, çka do të thoshin të parët tanë, se bijtë e tyre u mashtruan apo u frikësuan, se deshën më shumë lirinë apo robërinë, interesin dhe pushtetin apo ishin të padijshëm dhe naivë?!
Që në fillim kur nisi ky konflikt apo luftë e armatosur u pa menjëherë se ajo ishte e falsifikuar, e kontrolluar dhe e dirigjuar prej forcave të errëta antishqiptare, të cilat nuk e lejuan që ajo të përhapej në të gjitha trojet shqiptare në Maqedoni si një luftë e përgjithshme nacionalçlirimtare e tyre, por e kufizuan kryesisht në dy zona të ngushta malore rreth Tetovës e Kumanovës, ku ushtarët mbaheshin të izoluar e të bllokuar si në kampe përqendrimi.
Ishte luftë pa beteja dhe aksione luftarake, me përjashtim të ndonjë sulmi të vogël apo vendosje të ndonjë pusie që bëhej sporadikisht prej ndonjë grupi ushtarësh të pakënaqur ndaj kreut të tyre që nuk i lejonte të zhvillojnë luftime.
Edhe ky fakt fliste qartë se ekzistonte një plan i favorshëm për maqedonasit e i dëmshëm për shqiptarët që ideali, dëshira dhe nevojat e vërteta të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare të pengoheshin, duke i mbuluar ato me kërkesa të rrejshme për demokraci, për më shumë të drejta ose për të drejta të barabarta të tyre me maqedonasit.
Kjo luftë, pra, nuk ishte më tepër sesa një lojë politike e faktorit maqedonas, ndërkombëtar dhe atij shqiptar ushtarak e civil që kishte për qëllim t’i mashtrojë shqiptarët për të mbetur aty ku ishin dhe si e tillë ajo që në start dështoi aty ku filloi.
Megjithatë, pasojat e saj ishin të mëdha, u vranë shumë ushtarë e civilë, si dhe u dëmtua rëndë pasuria e këtyre vendeve, si në objekte ndërtimore, ashtu edhe në bujqësi, blegtori e sfera të tjera ekonomike.
Njerëzit sot janë në konfuzion se pse u bë kjo luftë, çfarë qëllimesh pati ajo; kush përfitoi e kush humbi më shumë nga ajo?! Prindërit e dëshmorëve pyesin se pse u vranë djemtë e tyre, motrat për vëllezërit dhe gratë për burrat?! Për liri!, dhe kjo është e vërtetë. Por, ku është liria?! Lirinë nuk e panë, as ata që vdiqën, as ata që mbetën gjallë.
Dikush mund të thotë sot për vete se është i lirë, siç thoshin dikur udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës nën sundimin serb, por populli shqiptar në Maqedoni nuk është i lirë. Këtë e di mbarë bota se kush është i lirë këtu e kush është rob.
Shqiptarët nuk fituan asgjë nga kjo luftë, as liri, as demokraci, as barazi. Ata mbetën në një gjendje edhe më të vështirë nacionale, kulturore, arsimore, ekonomike dhe sociale.
Populli nuk di se çka është kjo MO, nëse ka diçka në të, pse nuk po zbatohet kjo, çka po ndodh sot me shqiptarët në Maqedoni, që janë lidhur qorrazi mëse një dekadë pas saj dhe nuk e shohin se ajo është vetëm një kapak politik që ka mbyllur një luftë të rrejshme me kërkesa të shprazëta që nuk plotësojnë dot nevojat e tyre nacionale.
Marrëveshja e Ohrit nuk e zgjidhi dhe nuk është ajo që do ta zgjidhë ndonjëherë problemin kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni, dëshirën dhe të drejtën e tyre të lindur për një jetë të lirë dhe të pavarur në atdheun e vet shekullor.
Kjo është një marrëveshje politike që pati për qëllim ta mbyllë luftën dhe t’i mposhtë përfundimisht shqiptarët dhe idealet e tyre për liri, duke vendosur mbi ta një kontroll të plotë politik dhe regjim të rreptë ushtarak, policor e gjyqësor, dhe si rrjedhojë e kësaj dhe përkundër premtimeve për amnisti, nisi menjëherë fushata e egër kundër shqiptarëve, duke i trajtuar ata në përgjithësi si robër lufte dhe në veçanti filluan ndjekjet, persekutimet, arrestimet, burgosjet, dënimet dhe vrasjet e ushtarëve të lirisë dhe të komandantëve të çetave të tyre, të cilat po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
MO nuk i bëri dhe kurrë nuk do t’i bëjë të barabartë shqiptarët me maqedonasit, sepse kërkesat e luftës së shqiptarëve nuk ishin liria dhe pavarësia e tyre, prishja e shtetit dhe ndarja e tyre nga maqedonasit, por të drejtat universale, për më shumë të drejta ose për të drejta të njëjta si maqedonasit, duke dashur kështu që prapë të mbeten me ata njerëz, kundër të cilëve nisën luftën, me atë shtet, me atë Qeveri, me atë sistem antishqiptar.
Kjo ishte jo vetëm çudia, absurditeti e paradoksi ynë më i madh, por edhe tragjedia e fatit të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk kërkohen të drejtat nga i padrejti, por kërkohet ndarje prej tij. Ndaj edhe gjendja e shqiptarëve prapë s’ka ndryshuar, ata mbetën edhe më tej pjesë e këtij shteti që me dekada i ka diskriminuar dhe urryer, nuk i ka njohur, përkundrazi, i ka trajtuar si të huaj në vendin e vet, si pjesëtarë të një populli tjetër jashtë Maqedonisë.
Madje as realizimi i kërkesave për të drejta më të mëdha nuk u kushtëzuan me asgjë nga ana e kreut të luftës, qoftë edhe me dorëzimin e armëve!
Përkundrazi, armët u dorëzuan pa asnjë kusht, madje ironia arriti kulmin kur u kërkua edhe amnisti, sikur shqiptarët të ishin fajtorë pse kanë ngritur krye për çlirimin e tyre nga sundimi i huaj.
Luftëtarët e lirisë nuk i morën armët për t’i dorëzuar dhe nuk e nisën luftën për të kërkuar falje nga ata që vazhdimisht na kanë vrarë për gjuhën, shkollën, universitetin dhe abetaren shqipe! Amnesti kërkohet vetëm për kriminelët, jo për luftëtarët e lirisë.
Kur ti ngre dorë mbi dikë, kris pushkë kundër tij, nuk mund të jetosh më prapë me të. Ti edhe sikur ta duash, ai s’të do. Përkundrazi, ai të urren, tërbohet kur ta dëgjon zërin dhe emrin e jo më të të shohë, aq më pak të të japë barazi e liri.
Prandaj, prej armikut mos kërko as mëshirë, as lëmoshë, as lutje e as falje, sepse nuk i dhimbësesh dhe nuk ta falë as të drejtën, as lirinë, as jetën. Ai të do vetëm si skllav që të punosh natë e ditë për të, e ai të jetojë prej mundit, djersës dhe punës sate.
Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje e fitores, por e kapitullimit të shqiptarëve me vetëdëshirë, të cilët humbën, u dorëzuan vullnetarisht, kurse maqedonasit dolën fitimtarë dhe ata sot na drejtojnë e na dirigjojnë, na komandojnë e na i diktojnë kushtet e jetës sonë, të cilat jo që nuk u përmirësuan, por u përkeqësuan edhe më fort nga ato të djeshmet.
Romakët e thoshin një fjali të urtë, të cilën grekët e vjetër e kishin shkruar në hyrje të fushës së lojërave olimpike që garuesve t’ua tërheqin vërejtjen për fitore: “Vdis, mos u dorëzo!”
MO i la shqiptarët në një gjendje edhe më të rëndë, robër të tipit klasik me Kushtetutë, norma dhe ligje diskriminuese moderne.
Shqiptarët mbetën me status të minoritetit, si qytetarë të rendit të dytë nën sundimin e një shteti të huaj unitarist, që njeh vetëm një nacion, një gjuhë dhe një fe.
Shqiptarët dhe gjuha shqipe edhe pas një dekade vjetësh nuk u zyrtarizuan dhe nuk u bë përfaqësimi i tyre i barabartë në institucionet e sistemit dhe në fusha të jetës dhe të punës, ndonëse ata realisht përbëjnë mbi 40% të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni.
Sa për ilustrim se si duhet të funksionojë demokracia konsesuale në një vend, mjafton të përmendim vetëm shtetin e Kosovës, ku turqit në Prizren janë vetëm 5% dhe gjuha turke është zyrtare aty, e barabartë me shqipen, kurse serbët në Kosovë përbëjnë vetëm 3% të popullatës së përgjithshme të këtij vendi, dhe gjuha serbe këtu është gjuhë zyrtare, plotësisht e barabartë me gjuhën shqipe; flamuri serb figuron çdokund në këtë vend, madje ai shihet edhe në kishën e tyre.
Përkitazi me këtë, vlen të përmendim edhe disa vende të tjera demokratike të botës se si e kanë zgjidhur çështjen kombëtare të shumetnisë së tyre, siç janë Zvicra, Belgjika, Kuebeku në Kanada e të tjera.
Pas përfundimit të luftërave nacionalçlirimtare, të luftërave për liri dhe pavarësi të popujve dhe të vendeve, bëhen marrëveshje për formimin e shteteve, të republikave, të federatave dhe të konfederatave, ose për ndarje popujsh e vendesh.
Mirëpo, marrëveshje, si kjo e Ohrit, pas dorëzimit të armëve dhe të luftëtarëve të lirisë për më shumë të drejta qytetare që kërkon nga ai të cilit parës ia ktheve pushkën e tash i lutesh, i puthesh, i përulesh, s’ka, nuk njeh deri më tash historia botërore, meqë ai që të ka mundur dhe që ta ka frikën nuk t’i jepë.
Në rastin konkret, kërkesat e shqiptarëve në MO për të drejta më të mëdha ose të barabarta me maqedonasit nuk po realizohen nga shteti maqedonas.
Shqiptarët kanë mbetur prapë nën mëshirën e atij sistemi të mëparshëm politik maqedonas, të nënshtruar dhe të diskriminuar në të gjitha sferat e jetës.
Besimi është gjëja kryesore për një shtet a shoqëri njerëzore që të funksionojë si duhet. Çdo marrëveshje bazohet në besimin mes palëve dhe nëse s’ka besim mes tyre, ajo është kot, figurative, dhe si e tillë nuk realizohet.
Shqiptarët, jo që e kanë humbur, por asnjëherë s’kanë pasur besim tek institucionet juridike dhe autoritetet maqedonase.
Pra, në çka mbështetet MO, çka e forcon atë dhe kush e garanton realizimin e saj?
Kushtetuta, ligjet të cilat historikisht që nga Mbretëria jugosllave kanë qenë të këqija, diskriminuese për shqiptarët!
Edhe sikur të ndërrojnë këto ligje dhe sistemi shtypës ndaj shqiptarëve, nuk ndërrohen njerëzit që i kanë përpiluar ato, bindjet dhe paragjykimet, urrejtja dhe armiqësia e tyre kundrejt nesh. Aty ku ka urrejtje, s’ka besim. Urrejtja kundër shqiptarëve është mbjellë në vazhdimësi dhe në mënyrë institucionale të rinia dhe te popullata sllavemaqedonase nga krerët dhe institucionet e tyre fetare, politike dhe edukuese-arsimore, duke filluar nga çerdhet e fëmijëve e deri te Akademia e Shkencave dhe e Arteve maqedonase.
Nuk mund të pritet më shumë nga MO, edhe ajo pak gjë aty nuk u realizua, për shkak se faktori politik maqedonas që ishte para marrëveshjes mbeti i njëjti edhe pas saj, pra, nuk u ndërrua. Por, edhe sikur të ndërrohej, nuk do të jepte asnjë rezultat pozitiv, sepse problemi qëndron te urrejtja e masës sllavemaqedonase ndaj shqiptarëve, prej nga lindin, edukohen dhe formohen si antishqiptarë udhëheqësit e saj.
Propaganda e fortë e sllavëve maqedonas kundër shqiptarëve mund të vërehet edhe te emri shqiptar, të cilin ata e thonë me përbuzje shiftari, duke dashur kështu t’i nënçmojnë, t’i ofendojnë e t’i ulin si qytetarë inferiorë, dhe nga ky vështrim ata krijojnë mendimin dhe ndjenjën negative për ta dhe si të tillë asnjëherë nuk i pranojnë si të barabartë me veten e tyre.
Në këtë frymë shoviniste rriten e veprojnë edhe politikanët të djeshëm, të sotëm e të ardhshëm maqedonas. Ajo që piqet, s’mund të hiqet.
Ata aspak nuk duan ta shohin shqiptarin në tokën që e konsiderojnë si të veten, ndaj dhe i përdorin të gjitha mjetet dhe mënyrat makiaveliste për të na zvogëluar e larguar nga Maqedonia.
Mirëpo, pasi nuk munden këtë qëllim armiqësor ta realizojnë shpejt dhe në tërësi, ata bëjnë plane dhe strategji që me presion të vazhdueshëm dhe me veprime të dhunshme sistematike ta pengojnë përparimin dhe zhvillimin tonë normal kombëtar.
Faktori shqiptar nuk ishte unik dhe i vendosur për t’i çuar gjërat deri në fund me çdo kusht dhe çmim. Kreu ushtarak jepte deklarata publike se ne i dorëzojmë armët, pavarësisht se si do të vendosë Parlamenti, do të japë më shumë apo më pak të drejta, dhe kështu pa asnjë kusht ia dorrëzuan këtij institucioni të diskriminimit burimor maqedonas edhe fatin e shqiptarëve.
Ndërsa, kreu politik civil i tallte luftëtarët e lirisë si të dëshpëruarit e malit, dhe se populli shqiptar ndodhej midis dy zjarresh të luftës, të armiqve nga mali, UÇK-ja, dhe nga qyteti e fusha sllavomaqedonasit.
Ndërkaq, faktori ndërkombëtar duke parë këtë luhatje dhe përçarje të përfaqësuesve ushtarakë dhe politikë shqiptarë për një vendimmarrje në interes të popullit të vet, ia mbajti anën palës maqedonase, shtetit, strukturave të tij legale, duke menduar se shqiptarëve si pakicë mund t’u jepen edhe pak të drejta.
Të huajve nuk u pengon vuajtja e shqiptarëve dhe padrejtësia që u bëhet atyre, por vetëm çka mund të sjellin ato, luftë apo paqe e stabilitet që kufijtë të funksionojnë, të jenë të hapur për qarkullimin e lirë të mallrave, të biznesit.
Shqiptarët nuk janë faktor i barabartë me maqedonasit. Lojërat politike të MO po mbajnë peng zhvillimin e tyre kombëtar.
Koha po shkon përpara, kurse ata po ngelin prapa si rrjedhim i diskriminimit të tyre ligjor. Derisa populli është keq, partitë politike në pushtet po thonë se janë mirë dhe se do ta vazhdojnë bashkëjetesën me Qeverinë dhe nuk do të heqin dorë asnjëherë nga e bekuara MO. Shteti vazhdon të mbjellë frikë e panikë te shqiptarët dhe urrejtje te maqedonasit.
Shqiptarët sa më shumë do të jenë të përfaqësuar në institucionet e sistemit; sa më shumë do të ngrihen, do të emancipohen e do të përparojnë në pikëpamje intelektuale, profesionale, shkencore, kulturore, politike, ekonomike, juridike e në sfera të tjera të jetës e të punës aq më shumë shtohet urrejtja dhe armiqësia e maqedonasve ndaj tyre.
Vizibiliteti i një zhvillimi dhe përparimi të duhur i shqiptarëve në Maqedoni nuk është i mirëpritur nga maqedonasit, të cilët nga frika se kështu si njerëz të shkolluar mund t’u dalin nga dora e shfrytëzimit, ata aktivizohen dhe organizohen nga ana e shtetit dhe veprojnë kundër nesh me mjete dhe mënyra të ndryshme, madje duke përdorur edhe dhunën, me qëllim që të na kërcënojnë e frikësojnë për t’u larguar nga atdheu ynë në Maqedoni, siç janë edhe rastet e fundit Sopoti, Brodeci, Nerezi e të tjera, si dhe ndjekjet e arrestimet policore dhe gjykimet politike e drastike të shqiptarëve.
Shteti kështu ka vepruar edhe me popullatën yrike turke në Maqedoninë juglindore, të cilën e detyruan me dhunë që prej trojeve të saj të shpërngulet për Turqi.
Shqiptarët dhe maqedonasit dallojnë si nata me ditën mes tyre, ka mosdurim dhe urrejtje të madhe, edhe pse ata jetojnë në një vend, faktikisht ata janë të ndarë dhe ky problem nuk mund të zgjidhet me barazi, sepse pala superiore maqedonase kurrë nuk do ta pranojë një status të barabartë me shqiptarët, por zgjidhja e vetme e mundshme dhe fatlume është ndarja prej njëri-tjetrit me apo pa federalizim.
Ndarja, republika ose federalizimi është e domosdoshme për shqiptarët, nëse duan ata të jetojnë e të mbeten gjallë në trojet autoktone në Maqedoni.
Shqiptarët duhet të bëjnë një plan dhe program të zhvillimit të tyre kombëtar, një platformë të përbashkët të veprimit dhe të mendimit demokratik për mbrojtjen e tyre, për një të ardhme të sigurt, të lirë e të pavarur.
Nuk mund të shkohet edhe më tej me kërkesa të lypësit pak nga pak e hap pas hapi ose me marrëveshje për më shumë të drejta që kurrë nuk dhanë fryte të duhura, nuk mund të jetojmë e të prosperojmë me ligjet diskriminuese të një shteti unitarist që pengojnë e ngulfatin çdo gjë shqiptare.
Ne vetë duhet ta ndërtojmë jetën tonë nacionale, politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore, të ngremë institucionet tona përkatëse, duke filluar prej zgjedhjeve të lira e demokratike e deri te formimi i një republike shqiptare në Maqedoni, duke e zgjidhur kështu njëherë e përgjithmonë problemin historik mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Comments (0 posted)
Post your comment