Home | Opinion | Gënjeshtra e Madhe

Gënjeshtra e Madhe

image
Të drejtën kushtetuese për të interpretuar Kushtetutën e ka vetëm Gjykata Kushtetuese. Çdo interferim në kompetencat e kësaj gjykate përbën shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë!

 

 

Bledar H. Prifti

 

Të gjithë kemi dëgjuar kryeministrin Berisha, zyrtarët Europianë, analistë dhe juristë të deklarojnë se zgjidhja e krizës duhet bërë përmes rrugës ligjore, në të cilën Partia Socialiste duhet të dërgojë çështjen e hapjes së kutive në Gjykatë Kushtetuese; disa thonë edhe në Komisionin e Venecias.


Ky shkrim vërteton se kjo kërkesë është një gënjeshtër e madhe, mashtrim, tallje dhe shkelje e hapur e Kushtetutës së Shqipërisë!

Kryeministri pretendon që ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ndalon hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Nëse gjykata është shprehur njëherë për antikushtetutshmëri të hapjes së kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit (pretendimi i Berishës), atëherë përse duhet të shkojë Partia Socialiste në Gjykatë Kushtetuese? Kjo Gjykatë nuk mund të shprehen dy herë për të njëjtën çështje!


Këtu vihemi përballë dy mundësive dhe vetëm një të vërtete: (1) ose Gjykata Kushtetuese është shprehur për kutitë e 28 qershorit, ose (2) kjo Gjykatë NUK është shprehur për kutitë.


Nëse Gjykata është shprehur njëherë për hapjen e kutive të votimit, atëherë ajo nuk mund të shprehet përsëri për të njëjtën çështje. Kështu që Partia Socialiste nuk ka të drejtë kushtetuese dhe mundësi ligjore për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim. Kështu që rrëzohet haptazi pretendimi i Berishës dhe i zyrtarëve Europianë që PS duhet ta ankimojë çështjen në Gjykatë Kushtetuese.


Kërkesa e Berishës dhe e zyrtarëve Europianë është kërkesë që bie ndesh haptazi me Kushtetutën e Shqipërisë.


Nga ana tjetër, nëse Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur për kutitë e votimit të 28 qershorit, atëherë kryeministri Berisha po kryen një shkelje të hapur të Kushtetutës, duke ndërhyrë në mënyrë flagrante në kompetencat e Gjykatës kur bën vetinterpretim të Kushtetutës!


Të drejtën kushtetuese për të interpretuar Kushtetutën e ka vetëm Gjykata Kushtetuese. Çdo interferim në kompetencat e kësaj gjykate përbën shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë! Pushteti ekzekutiv i kryeministrit Berisha nuk mund dhe nuk ka të drejtë kushtetuese të marrë funksionet e gjyqësorit dhe të interpretojë Kushtetutën.


Nëse kryeministri Berisha pretendon për antikushtetutshmëri të hapjes së kutive, atëherë ai ka detyrimin kushtetues ta ankimojë çështjen në gjykatë! Për shembull, në rastin e marrëveshjes Shqipëri-Greqi në lidhje me ndarjen e hapësirës detare, Partia Socialiste pretendoi për antikushtetutshmëri të marrëveshjes.


Prej këtej, Partisë Socialiste i lindi detyrimi kushtetues për të vërtetuar pretendimin e saj përmes ankimimit në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa grupi negociues vazhdonte punën dhe e dërgoi marrëveshjen për ratifikim në Parlament.


Gjykata, bazuar në kërkesën e PS, e shpalli marrëveshjen antikushtetuese dhe bëri nul, dhe shfuqizoi çdo element të marrëveshjes.

I njëjti paralelizëm mund të hiqet edhe në rastin e kutive të 28 qershorit.


Nëse Berisha pretendon se hapja e kutive është antikushtetuese, atëherë atij i lind detyrimi kushtetues të provojë të kundërtën, duke e çuar çështjen për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Por, ai kurrsesi nuk mund të ndalojë hapjen e kutive në këtë pikë.


Si në rastin me marrëveshjen me Greqinë, nëse Gjykata shprehet për antikushtetutshmëri të hapjes së kutive, atëherë gjetjet e komisionit hetimor parlamentar bëhen nul, ashtu si u bë nul edhe marrëveshja për ndarjen e hapësirës detare me Greqinë.


Partia Socialiste nuk mund dhe nuk ka të drejtë kushtetuese ta bëjë këtë veprim, pasi Gjykata nuk mund të interpretojë të një çështje dy herë, gjithmonë nëse është i vërtet pretendimi i Berishës se ekziston një vendim i mëparshëm i Gjykatës që e ndalon hapjen e kutive.


Për çfarë theksova më sipër, kërkesa e kryeministrit Berisha dhe e zyrtarëve Europianë që i sugjeron Partisë Socialiste ta dërgojë çështjen e hapjes së kutive në Gjykatë Kushtetuese është një kërkesë antikushtetuese dhe që bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve.


Kjo kërkesë është antikushtetuese, pasi Partia Socialiste nuk mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese një çështje, për të cilën kjo Gjykatë është shprehur njëherë më parë.


Gjithashtu, kjo kërkesë është antikushtetuese, pasi një mungesë interpretimi nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje detyron kryeministrin Berisha të provojë antikushtetutshmërinë e hapjes së kutive përmes kërkesës për interpretim në këtë Gjykatë. Në mungesë të një vendimi të Gjykatës, është një veprim antikushtetues që organi i ekzekutivit të bëjë vetinterpretim të Kushtetutës.


Ky veprim konsiderohet një shkelje e hapur e Kushtetutës, e cila bëhet përmes shkeljes së kompetencave kushtetuese që pushteti gjyqësor ka për interpretim të ligjeve dhe Kushtetutës.


Preteksti dhe pretendimi i Berishës në lidhje më ndjekjen nga ana e opozitës socialiste e rrugëve ligjore është në rastin më të mirë antikushtetues dhe në rastin më të keq një mashtrim dhe shkelje e hapur e Kushtetutës së Shqipërisë.


Po ashtu, pretendimi i zyrtarëve europianë që i kërkon opozitës të ndjekë rrugën ligjore përmes ankimimit në Gjykatën Kushtetuese apo Komision të Venecias është në rastin më të mirë një pretendim antikushtetues që rrjedh nga diletantizmi i juristëve europianë ose në rastin më të keq një pretendim që kërkon të vendos në Shqipëri një regjim autoritar.


Si autor i këtij shkrimi, i kërkoj dhe autorizoj gazetën "Shekulli" që një kopje t'i dërgohet zyrtarëve europianë me kërkesën për të marrë një përgjigje rreth pretendimeve të mësipërme të autorit.

Shekulli

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00