Home | Opinion | Koha e arsyes

Koha e arsyes

image
Negocimi është një proces shumë kompleks, i gjatë dhe me të papritura. Është naive të mendohet se zgjidhja nuk mund të jetë një dhuratë e artë që vjen nga një konference shtypi apo podium. 

 

 


Nga Afrim Krasniqi

 

Nuk ka besuar deri në fund se ç’tragjedi po i ndodhte. Një vajzë 20 vjeç ka më të forta ëndrrat për të ardhmen, se frikën Kriza politike e nisur muaj me parë nuk ka ende një fund. Përkundrazi, dita-ditës po përshkallëzohet dhe palët, në vend që të afrohen ndaj njëra-tjetrës po largohen në një rrugë pa krye. Dy palët në konflikt politik e kanë ndarë shoqërinë në dy grupe, pro dhe kundër. Qytetarë në miting, qytetarë në antimiting, peticione intelektuale pro grevës, peticione intelektuale kundër grevës. Grevistë që besojnë se po luftojnë për demokraci, zyrtare në qeveri që mendojnë se me refuzim po mbrojnë demokracinë. Oratorë opozitarë që besojnë se po bëjnë luftë për një kauzë të drejtë, politikanë drejtues të qeverisë refuzues që mendojnë se kauza e opozitës është e gabuar dhe se sjellja arrogante e pushtetit është e drejtë publike. Dy palë legjitime, që nuk pranojnë legjitimitetin e palës tjetër. Dy palë politike që veprojnë me mjete jopolitike. Dy palë elektorale që pasi bënë se bashku Kodin, ndryshuan Kushtetutën dhe numëruan si deshën votat e të tjerëve, kuptuan se nga të gjitha miqësitë e botës ajo midis ujkut dhe çakallit është më e paqëndrueshmja.

Dy palët mendojnë se kanë të drejtë, dhe se në mënyrën sesi ata e shohin politikën, qytetarët e shtetin, mund të kenë të drejtë. Gjithsesi, janë dy palë që nuk pranojnë asnjë përgjegjësi personale, që vetëshpallen engjëj dhe shohin tek tjetri as më pak e as më shumë sesa djallin. Por, midis tyre dhe sidomos jashtë tyre, tek shumica e qytetarëve civilë të këtij vendi, mendjeve të qeta politike dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, ekziston e drejta tjetër, ajo për t’i etiketuar dy palët për gabime dhe përgjegjësi direkte për krizën politike.

Maxhoranca gabon, madje shume, kur sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur, kur provokon me antimitingje, kur tenton ta injorojë grevën parlamentare e qytetare, kur përdor shtetin për pushtetin, kur etiketon opozitën dhe kërkesat e saj dhe për më tepër, kur pretendon ta zgjidhë çështjen me forcë dhe se këtë, na thotë, se e bën në të mirë të demokracisë dhe të integrimit. Ajo nuk duhet t’i trajtojë opinionin publik e qytetarët si kavie të paqytetëruara, dhe as të vijojë të besojë se ka lindur për pushtet, apo se është e gatshme ta mbajë atë me çdo kusht. I forti, ai që drejton në pushtet dhe flet në emër të qytetarëve, duhet të jetë shumë më i vëmendshëm ndaj kërkesave të të dobëtit, opozitës politike. Në fund të fundit, kryeministri nuk është kryetar i një partie, është kryeministër kushtetues, ka detyrimin të trajtojë njësoj të gjithë qytetarët, votues pro e kundër tij, sidomos në krahasim me një lider opozite, i cili në sistemin tonë kushtetues nuk është lider edhe për ata që kanë votuar kundër tij. Ndaj, edhe pala në qeveri në çdo shoqëri të emancipuar demokratike duhet të marrë iniciativën për parandalimin dhe zgjidhjen e çdo krize politike.

Edhe opozita ka një bilanc jo fort pozitiv në parimet dhe sjelljet e saj politike. Greva e opozitës është akt sublim, meriton vëmendje, respekt për kurajën, kujdes e trajtim human, por në leximin politik të saj, ajo nuk përbën patjetër instrumentin e duhur dhe legjitim të zhvillimit dhe garantimit të synimeve politike. Opozita gabon kur e identifikon veten me shqiptarët e mirë dhe fajëson këdo që nuk vjen në grevë apo në mitingjet e saj. Ajo gabon kur bllokon rrugët kombëtare apo kur u premton militantëve synime politike, të cilat vetë liderët e saj janë të ndërgjegjshëm se nuk mund t’i mbajnë. Protesta për votën dhe protesta kundër varfërisë janë dy gjëra të ndryshme, të cilat edhe zgjidhjet i kanë të ndryshme, madje në kohë e kosto krejt të ndryshme.

A do të agravohet situata? Natyrisht që po. A do të përsëritet 1997-ta? Natyrisht që jo. A do të ketë zgjidhje politike? Natyrisht që po. A do të ketë marrëveshje? Natyrisht që po. Të gjithë e dimë fundin, çështja është si të shkohet deri atje me sa më pak kosto njerëzore, politike dhe ekonomike. A mund të jetë kompromis hapja e materialeve të votimit; hapja me short e disa kutive të votimit; vendimi për hetim ndërkombëtar (asnjanës) të kutive të votimit; dhënia e të drejtës vetëm prokurorisë me një task force për hapjen e disa kutive të votimit/ materialeve zgjedhore; vendimi i përbashkët për një nen kushtetues, sipas të cilit çdo palë në çdo periudhë 30-45 ditore post-zgjedhore mund të bëjë rinumërimin e votave; ankimimin paralelisht me formulat e mësipërme në Komisionin e Venecias; kompromisi politik për gjykatën e lartë dhe kushtetuese; kompromisi për bashkëdrejtim parlamentar; kompromisi për zgjedhjen e presidentit më 2012, deri edhe vendimi i përbashkët për zgjedhje të reja apo bashkëqeverisje? Të gjitha këto e të tjerë skenarë mund të jenë formula debati e diskutimi. Dhe, në shqyrtimin e tyre ka vend për kompromise, për zgjidhje kushtetuese, për zgjidhje paqësore dhe afatgjatë, për respektimin e dy palëve dhe dy pozicioneve dhe për kapërcimin jo vetëm të kësaj krize, por edhe parandalimin e krizave të njëjta në të ardhmen. Sepse, më 28 qershor nuk fitoi një palë kundër tjetrës, fitoi një formulë kundër një formule tjetër. Vetë shqiptarët votuan baras për palët dhe secila palë ka po aq të drejtë dhe përgjegjësi të përfaqësojë gjysmën e shqiptarëve votues.

Negocimi është një proces shumë kompleks, i gjatë dhe me të papritura. Është naive të mendohet se zgjidhja nuk mund të jetë një dhuratë e artë që vjen nga një konference shtypi apo podium. Palët kanë shkuar aq larg, sa e kanë gati të pamundur të kthehen pas, ato janë njësoj të përkrahura nga qytetarët dhe ndjehen njësoj të motivuara për të ruajtur pozicionet e tyre politike, dhe vetë komuniteti ndërkombëtar ka hequr dorë nga negocimi direkt politik. Në këto rrethana, të gjithë ne, në një apo tjetër mënyrë, nëse nuk përpiqemi për zgjidhje, do të bëhemi pjesë e një krize shumë më të thellë, më komplekse dhe më afatgjatë për shtetin, familjet e shoqërinë.

Ndaj, kur jeta e njerëzve është në rrezik, kur kredencialet ndërkombëtare të Shqipërisë janë në rrezik, kur harmonia shoqërore dhe jeta publike janë në rrezik, kur palët kanë ngritur aq shumë tonet sa ndodhen pranë një dyluftimi absurd e tragjik, këshilla e vetme universale është të flasin, të veprojnë e të dëgjohen ata që nuk janë palë, që kanë përgjegjësi morale, qytetare, politike e institucionale për këtë vend. Një institucion negociues mund të ishte Presidenti, nëse ai e pranonte këtë rol, dhe fillimisht e bindte veten se krizat politike nuk janë çështje të partive, por çështje të të gjithë shtetit e shoqërisë shqiptare. Një institucion tjetër negociues mund të ishin komunitetet fetare. Feja nuk merret me politikë, por nëse komunitetet fetare ftonin politikën të ulej në tryezë bisedimesh, ata nuk përzihen me politikë, por ndihmojnë në zgjidhjen politike. Disa herë gjatë tranzicionit këtë rol e ka luajtur komuniteti i San Edigios, një komunitet me kostum fetar dhe ka qenë i suksesshëm. Një institucion tjetër negociues mund të ishte komuniteti civil, institute dhe organizata jopolitike civile, apo personalitete të veçanta të saj, si p.sh, figura të pranueshme nga dy palët, si Ismail Kadare. Një rol negociator mund ta luanin edhe organizata shqiptare të diasporës, si p.sh, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan apo grupe të tjera, të pranuara nga të dy palët dhe me ndikim edhe në qarqet politike ndërkombëtare. Një institucion tjetër negociues edhe brenda politikës, mund të ishin zërat liberale midis dy kampeve politike, palët e treta politike si LSI, PBDNJ, PDK, PAD etj, të cilët pavarësisht interesave partiake, kanë gjithnjë prirje të jenë më të kujdesshëm sesa elefantët e politikës.


Koha është e çmuar, ndaj zgjidhja e krizës kërkon arsyen në vend të forcës, të urtët në vend të të fortëve, kurajën qytetare në vend të keqpërdorimit në emër të qytetarëve. Të gjithë, si individë apo institucione, si grupe njerëzish apo komunitete, të gjithë kanë një rol dhe secili nuk mund ta konsiderojë krizën politike si diçka të huaj për të, përderisa ajo po prek çdo segment shtetëror, institucional, kushtetues dhe publik. Heshtja ndaj ofertave të palëve politike mund të jetë akt qytetar, por heshtja ndaj garës së çmendur për pushtet midis palëve përbën një gabim të rëndë, të cilin ne shqiptarët e kemi paguar disa herë gjatë fazave të krijimit dhe zhvillimit të shtetit shqiptar në shekullin e kaluar.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00