Home | Opinion | Pushteti i fjalëve

Pushteti i fjalëve

image
Por, pa dashje lind pyetja: Këta zëra, përderisa deklaratat dhe shkrimet e tyre i mbështesin në “fakte”, kanë bërë diçka më shumë përveçse retorikës politike që bëjnë?

  

 

 


Adil Behramaj

 

Ndër fjalët dhe fjalitë më të përfolura në shoqërinë tonë në këto kohë, janë edhe fjalët krizë dhe korrupsion, si dhe fjalia konceptuese “… mungon liria e të shprehurit”. Kudo jemi në krizë sipas ca zërave që në emër të grupeve të ndryshme të interesit, e luftojnë pushtetin. Ose, i gjithë pushteti është i korruptuar sipas disa të tjerëve që në emër të pushtetit dhe për pushtet mundohen të manipulojnë me popullin. Këta vazhdimisht japin deklarata dhe shkruajnë duke e ngritur zërin lartë gjoja për ta vetëdijesuar opinionin e gjerë dhe lista e “krizave” sipas tyre është shumë e gjatë.

Por, pa dashje lind pyetja: Këta zëra, përderisa deklaratat dhe shkrimet e tyre i mbështesin në “fakte”, kanë bërë diçka më shumë përveçse retorikës politike që bëjnë? Ose, si qytetarë të kujdesshëm dhe të ndershëm që hiqen, athua, kanë bërë ndonjëherë ndonjë padi tek organet kompetente për këto dukuri negative? Shtoj me shaka të hidhur që kritikët e tillë, shumë më lehtë është të kuptohen se kujt i shërbejnë, sesa, se çfarë shërbejnë me kritikat e tyre.

Këtejmi, përderisa flasin dhe shkruajnë edhe për mungesën e lirisë së të shprehurit, përsëri mendoj padashur: Athua i është cenuar ndonjëherë kjo liri ndonjërit prej tyre, përderisa në emër të saj, me apo pa të drejtë, kritikojnë? Jam më së i bindur që jo, por edhe tek-tuk kur ndodhin kërcënime, ndodhin nga persona “kapadai” që shprehën në mënyrë emocionale ose edhe që janë të prekur drejtpërdrejt nga fjalët e personave publik apo gazetarëve të ndryshëm.

Por s’ndodhin vetëm tek ne këto gjëra, shumë të respektuar kritikë, ndodhin anë dhe kënd botës demokratike.

Mediatizimi dhe fluksi i informacioneve

Realisht jeta tek ne nuk është e lehtë, ekziston një shkallë e lartë papunësie, një trend zhvillimi i vogël në sektorë kyçë, keqmenaxhime, korrupsion etj., etj.
Por, po ashtu, si lexues dhe dëgjues i etur për të vërtetën dhe i vëmendshëm në të thënat dhe të bërat, konsideroj që ekziston edhe një mungesë e madhe argumentimi përderisa kritikohet dhe përderisa i plasohen informacione të ndryshme opinionit të gjerë.

Në këtë mishmash, do të mjaftonte vetëm që të lexohen titujt e ndryshëm tendencioz nëpër disa të përditshme tona dhe po që se jemi të vëmendshëm në mesazhet që përcjellin, atëherë edhe e kuptojmë se para se me qenë informuese, mundohen të jenë ndikuese. Dhe, përderisa shumica e fluksit të informacioneve vjen prej mediave, në proceset e formimit të “opinionit publik” atëherë edhe janë shumë ndikuese. E përderisa janë ndikuese, kemi edhe të ndikuarit që opinionet i lëvizin nga bërthama të vogla e të ndryshme shpërndarëse, të cilat pothuajse janë pjesë e çdo mjedisi në jetën tonë sociale, qoftë reale apo virtuale.

Por, për hir të korrektësisë, përhapja nuk është vetëm një proces që ka vetëm një shkak dhe nuk është as njëlineare. Këtu kemi edhe ndërveprime horizontale. Ndikuesit kundër ndikuesve, transmetuesit kundër transmetuesve etj. Le të nisemi nga niveli i klasës politike pasi që edhe opinioni publik ndërlidhet shumë me atë se çfarë thonë politikanët.
Partitë manovrojnë për t’ia marrë zgjedhësit njëra-tjetrës dhe politikanët konkurrojnë, madje, konkurrojnë edhe brenda subjekteve të tyre për t’i marrë pozita njëri-tjetrit.

Zaten, nëse partitë si të tilla janë ekstroverse përderisa synojnë t’ia marrin elektoratin njëra-tjetrës, atëherë politikanët si individ janë introversë, të mbyllur, pra të prirur për të manovruar brenda një kufiri të caktuar të lojës së pushtetit. Kështu, ekzistenca e shumë partive dhe konfliktualiteti ndërpartiak janë burimet nga nisen zëra të shumtë dhe të kundërt që fillimisht arrinë tek personeli i mediave, i cili, së pari përcakton se çfarë përmban lajm dhe çfarë nuk përmban, pastaj përzgjedhë, thjeshtëson, ndoshta edhe shtrembëron dhe në fund interpreton. E shpesh, besa edhe bëhet burim i pavarur i mesazheve. Do të thotë, edhe në këtë nivel vlejnë rregullat e garës prandaj ndodhin edhe ndërveprime horizontale.

Tutje-tëhu, në nivelin tjetër media të ndryshme nëpërmjet instrumentalizimeve anonime apo joanonime, flasin pastaj edhe me zëra të ndryshëm duke vendosur vet se çfarë të paraqesin si “të vërtetë” apo sesi të tingëllojë më butë apo më fuqishëm e vërteta. Pra liderët e opinioneve të ndryshme, shpeshherë edhe filtrojnë dhe lansojnë informacione drejt masës prej prizmave të ndryshëm, varësisht nga interesat e tyre. Ata mund t’i përforcojnë mesazhet, mund t’i shmangin apo edhe t’i bllokojnë, duke i shpallur si më pak të besueshme apo edhe shtrembëruar, duke e rënduar informacionin në kahun që dëshirojnë të marrë. Këta edhe ndërveprojnë me njëri-tjetrin dhe pastaj gjithçka derdhet në “rezervuarin” e masës së gjerë. Është ky komunikim i drejtë dhe i mirë me publikun? Natyrisht që jo, sepse kështu publiku po viktimizohet nga manipulimet e mediave të ndryshme.

Por pavarësisht modaliteteve të ndryshme që çojnë deri tek informacioni, baza themelore e tyre është përzierja e vazhdueshme sepse edhe përkundër kulturave politike homogjene, brenda çdo "bashkësie" ka opinione dhe interesa që s’pajtohen, prandaj kanalet e komunikimit janë të shumta dhe polifonike.

Por çështja ndryshon nëse shqyrtojmë probleme që prekin drejtpërdrejt publikun apo individin. Në raste të tilla, murmuritjet dhe zierjet ngrihen dhe imponohen nga poshtë dhe publiku ndodh edhe të kundërveproj në mënyrë të papritur dhe të padëshiruar për ata që qëndrojnë lartë. Në këtë formë krijohen “batica” opinionesh që shkaktojnë edhe ngritje të “ujrave politike”. Ky model, ndryshe quhet edhe modeli 'bubbling-up' i Dojçit. Pra, një model që intensifikon ngjizjen e opinioneve të cilat nuk bien nga lart, po që ziejnë dhe mugullojnë në nivelin e masës.

Këtej e tutje, sipas Dojçit proceset e formimit të opinioneve bëhen kryesisht sipas tri modaliteteve: i). Rënie në formë kaskade prej elitave teposhtë; ii). Zierje nga baza përpjetë, dhe iii). Identifikim me grupet e referimit;

Ku nëse i kthehemi praktikës tonë dhe gjykojmë nga realiteti ynë, rastet “i” dhe “iii”, mendoj që janë më të pranishme; Për rastin e parë, ndër tjerash, edhe mund të themi se konkurrenca ndërmjet politikanëve, shpeshherë i detyron këta edhe të zbulojnë informacione të ndryshme apo edhe të shpikin informacione (duke shpifur), vetëm me qëllim që të krijojnë epërsi konkurruese kundrejt rivalëve. Ndërkaq, rasti i tretë është shumë i pranishëm dhe është praktika më e shpeshtë mbi të cilin “ndërtohen” edhe kritikat, duke iu referuar kështu vlerësimeve të organizatave të ndryshme, asociacioneve etj., etj., e këta të fundit nxjerrin vetëm vlerësimin dhe nuk e bëjnë publike se si kanë ardhur deri tek ai përfundim.

Si rrjedhojë, në raste të ndryshme rezultojnë edhe si shumë të mangëta apo edhe si “opinione pa informacion”. Ku, sipas kësaj, po del që formimi i opinionit publik në një mënyrë edhe koinçidon me atë përrallën e fantazmës së kështjellës, që askush se sheh, por që të gjithë lejojnë t’i terrorizojë.

Policentrizmi medial dhe sfidat

Me ekzistencën e opinionit dhe mediatizimin e shoqërisë, parakuptohen edhe tri kushte: Liri mendimi, liri shprehjeje dhe policentrizëm. Por, të gjitha këto, nëse individi nuk ushqehet prej etjes për të vërtetën dhe respektit për të, pra nëse mungon bazamenti i kësaj vlere, shumë lehtë këto liri shndërrohen në liri të gënjeshtrës dhe propagandës.
Dhe ndër akuzat më të shpeshta me të cilat janë ballafaquar mediat rreth proceseve të informimit, kryesisht mund të përmblidhen në tri aspekte: i). Pamjaftueshmëri sasiore; ii). Tendeciozitet, dhe iii). Varfëri cilësore;

Akuza e parë, tek ne mund të përmbyset menjëherë sepse jemi të përmbytur nga teprica sasiore e “informacioneve”. E dyta, tendencioziteti dhe anësia, konsideroj që qëndron jashtëzakonisht shumë dhe jorrallëherë tek ne: “miza bëhet buall” dhe anasjelltas! Në këtë aspekt, mbrojtja më e mirë është pluralizmi i mediave, ku mesazhet i përgjigjen mesazheve dhe tendencioziteti neutralizohet nga një tendenciozitet i llojit tjetër. Ndërkaq, akuza e tretë për varfërinë cilësore të informacionit është edhe më serioze. Dhe më e keqja është se mediat po e rëndojnë edhe më shumë.

Si rrjedhojë, përderisa masës i plasohen informacione të varfra në përmbajtje, ajo është e prirur të paragjykojë, të keqkuptojë edhe të keqinterpretojë. Dhe, siç vëren Shumpeteri, se qytetari i rëndomtë bie në nivelin më të ulët mendor sapo futet në fushën politike, duke e arsyetuar dhe analizuar në një mënyrë që po të përdorej në sferën e interesave të veta, kjo sjellje do të mund të quhej edhe si fëmijërore, e ai rrezikon të bëhet serish primitiv dhe mendimi i tij bëhet asociativ dhe afektiv. Mos e ka tepruar?!! Ndoshta, por jo shumë sepse është përvojë e njohur që dalja jashtë sektoreve për të cilët mund të kemi specializuar apo brenda fushave që si pëlqejmë dhe që nuk e kemi përcjellë kursin e tyre vazhdimisht, rendimenti është i prirur të pësoj rënie.

Në këtë kontekst, nëse plasohen informacione të varfra në përmbajtje dhe jocilësore, lirisht mund të konkludojmë se media më shumë rëndon sesa që përmirëson shoqërinë. Fundja, dy gjysmë të vërteta po që se i bëjmë bashkë nuk e përbëjnë një të vërtetë të plotë, por përbëjnë një gënjeshtër të dyfishtë dhe krijojnë kështu edhe rrëmuja me sasi të mëdha informacionesh që mund të rezultojnë si dezinformim në shkallë mjaft të gjerë.
Sidoqoftë, kjo është temë e gjerë dhe mund të shihet nga kënde të ndryshme, por, për që media është shumë më shumë se vetëm komunikim, nuk dyshohet. Tashmë është e njohur që ajo shpeshherë quhet edhe si “pushtet i katërt”.

Për fund, po kap edhe njëherë fillin që të shtoj se shoqëria jonë karakterizohet nga një kulturë politike heterogjene e fragmentare dhe gjitha demokracitë ngrihen pikërisht mbi shoqëri të tilla. Në këtë rast, ndoshta do ishte arbitrare që të nxjerrim konkludimin se demokracia kërkon ngapak edhe konflikt, por nuk e teprojmë nëse konkludojmë që kultura politike homogjene nuk është aspak kusht i domosdoshëm për demokracinë.

E, sidomos në fazat foshnjore të demokracisë përderisa partitë politike nuk ndryshojnë shumë prej njëra-tjetrës dhe konkurrohen, para se me qenë diçka tjetër, politika e tyre është luftë fjalësh. Dhe teknikë e lojës për ta zotëruar luftën e fjalëve, është t’i përcjellën palës tënde shenja që shkaktojnë emocione pozitive dhe palëve kundërshtare emërtime që çojnë në “turbullim” nga ngarkesa emocionale negative.

E thjeshtësuar ndoshta shumë veçse rezulton të jetë edhe “gjueti shtrigash”. Por, jo më kot thuhet që themeli i vërtetë i çdo qeverie është opinioni i të qeverisurve. Nga del se zgjedhjet janë edhe mjet për të arritur deri tek “qeveria e opinionit”, dhe një qeverisjeje që i përgjigjet gjerësisht opinionit publik. M'u për këtë, në mungesë të një qeverisjeje të tillë, kemi ardhur edhe deri tek ky mishmash fjalësh.
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00