Grykësia, paturpësia, imoraliteti dhe realiteti!
Duhet ta pranoni se jemi strategë të përkryer! Për të vjedhur! Pozitë, opozitë, shoqëri civile, komandantë të luftës dhe asi të Bllacës, UNMIK, EULESH, New Europians, Old asiatics and Africans...
Behxhet Sh. Shala
Diskreditimi, konfiskimi dhe ndëshkimi:
Definitivisht politikanët e jo biznesmenët janë shtresa më e pasur në Kosovë. Po del se politika është biznesi që sjellë më së shumti përfitime materiale dhe aspak rreziqe për shëndetin e tyre moral si dhe karrierën politike! Dhe për “miqësi” hyjnore me miqtë ndërkombëtarë, deri në bizneset tjera, pas përfundimit të misionit të tyre diplomatik!
Sot në Kosovë të gjithë flasin se duhet të luftohet korrupsioni. Në rrojtore, në taksi, në të pame, në treg e ku jo?! Korrupsionin e luftojnë institucionet e vendit dhe për këtë kanë formuar eskadrone speciale ligjore dhe policore të cilat merren me çdo punë, me përjashtim të luftimit të korrupsionit!
Në traditën tonë cilësohet si blasfemi nëse fëmija nuk e respekton prindin andaj mundohem ta kuptoj edhe raportin për të cilin shkrova më lart përkatësisht pse mekanizmat e formuar nuk e luftojnë korrupsionin?!
Korrupsionin po e lufton shumë edhe ambasadori Dell, nga këndvështrimi i tij gjithsesi! Po i lufton ata që vërtetë po deklarohen se po e luftojnë korrupsionin! Këtë e them nëse e kemi parasysh deklarimin e ambasadorit Dell për EULEX-in dhe prononcimet e tjera të tija mediale! A nuk është edhe kjo luftë a?!
Hasan Preteni e mbyti krejt korrupsionin! Me padurim po e pres listën e zyrtarëve që e kanë deklaruar pasurinë e tyre. Nëse nuk e deklarojnë atëherë shteti i Kosovës do të veprojë me shpatën e ligjit duke i dënuar me nga 100 deri në 500 euro! Duhet ta pranoni se kjo do të jetë goditje e rëndë, me pasoja të tërmetit sidomos për përfituesit e tenderëve të mëdhenj. Sepse, ata janë, ose vetëm faturë e politikanëve për të cilët kryejnë punë të pista të shpërlarjes së parave, ose janë pronarë fiktiv ndërkaq që pronarë të vërtetë janë politikanë të fuqishëm përkrah hajnia dhe të ulët përkrah morali!
Mafiozët e sofistikuar dhe të civilizuar, anekënd botës, kur e bëjnë pastrimin e parave të pista e quajnë sukses nëse i legalizojnë 25% të atyre parave ndërkaq mafiozët tanë, të pacivilizuar, grykës, të pangopshëm dhe primitivë, siç i ka falur zoti nuk janë të kënaqur nëse i pastrojnë edhe 100 % të parave që i kanë fituar duke u djersitur shumë në përpjekje për t’i ndihmuar këtij populli! Edhe nëse i pastrojnë 100% të parave të pista ata duan edhe fitime të tjera, mbivlerën e shtuar në formë të reketimt, detyrimit dhe zhvatjes!
Këto janë metodat paqësore që zbatohen kurse varianti pak më jopaqësorë është nëse t’i thyejnë disa brinjë apo të shpallin armik të popullit dhe të fusin në listën e të zhdukurve! Çfarë paradoksi, politikani i shndërruar në kriminel të akuzon dhe dënon për tradhti kombëtare!
Më bëri jashtëzakonisht përshtypje një listë e cunguar e kryetarëve të komunave që e kishin deklaruar pasurinë e tyre dhe të ardhurat që i fitojnë! Shumicën prej tyre i njoh dhe sigurisht i njihni edhe ju, lexues të nderuar! Disa i kanë paraqitur në mënyrë objektive ose përafërsisht objektive të ardhurat e tyre ndërsa për të tjerët ka qenë shumë më mirë të mos i paraqisnin fare ato të ardhura por ta paguanin atë gjobën “kapitale” prej 100 – 500 eurove! Së paku nuk ishin koritur në 20.000 kopje aq sa është tirazhi ditor i mediave të shkruara në Kosovë!
Në kohën kur dihet se kanë zhvatur euro me thasë dhe se nuk dinë ç’të bëjnë me to, ta deklarojnë atë pasuri që e kanë deklaruar, do të thotë se nuk janë të denjë as të jenë personazhe të titullit të këtij shkrimi! E lere më për Burgun e Dubravës! Kush është dënuar sot për korrupsion në Kosovë përveç hajnave të pulave apo ndonjë zyrtari që është korruptuar me disa dhjetëra euro!! Kujt i është konfiskuar pasuria disa milionëshe e fituar duke vjedhur?! Askujt!
Nëse nuk ndëshkohesh për korrupsion dhe nuk të konfiskohet pasuria, pse mos të vjedhësh atëherë?! Prandaj, të gjithë flasin kundër korrupsionin ndërsa bëjnë përpjekje titanike t’i afrohen grazhdit ku më lehtë “luftohet” korrupsioni!
Duhet ta pranoni se jemi strategë të përkryer! Për të vjedhur! Pozitë, opozitë, shoqëri civile, komandantë të luftës dhe asi të Bllacës, UNMIK, EULESH, New Europians, Old asiatics and Africans, nuk shoh ndonjë dallim këtu sepse që nga viti 1999 ishin të përbashkuar për të vjedhur e tash janë të “vendosur” për ta luftuar korrupsionin! Ndihmo Zot, siç ke ndihmu….!
Kur flitet për korrupsionin, sipas meje ata ndahen në dy grupe. 1. Ata që kanë vjedhur dhe vjedhin në emër të idealeve të larta, patriotizmit, sakrificës për krijimin e shtetit dhe proceseve integruese dhe 2. Ata që në emër të luftës së supozuar kundër korrupsionit në fakt janë kundër vlerave kombëtare, njerëzore, shtetërore duke e mohuar çdo sakrificë, pjesë e së cilës nuk kanë qenë asnjëherë dhe se qëllimi i vetëm i të cilëve është t’i zëvendësojnë të parët dhe të vjedhin më shumë se ata, tash në emër të do vlerave tjera!
Sa lehtë mund të mbetemi pa fytyrë:
Njeriu për mungesë të vogël të kujdesit mund të mbetet pa fytyrë te miku sepse armiq thuaja nuk kemi përveç se jemi armiq të vetes sonë! Nëse nuk jeni të kujdesshëm me rastin e përvjetorëve, ditëlindjeve, festave zyrtare dhe jozyrtare apo ngjarjeve me peshë të veçantë historike atëherë vërtet ekziston rreziku të koritemi dhe të na shkojë fytyra për pesë pare, siç thotë populli! E unë nuk e di nëse ka festë ma të rëndësishme dhe më historike për kosovarët dhe Kosovën se 25 maji!
Ditëlindja e Josip Broz Titos apo siç e kanë quajtur shokut Tito fatkeqësisht nuk ka hyrë në listën e festave zyrtare ndonëse shumë nxënës, politikanë, zyrtarë dhe fansa të kriminelit nga Kumrovci sot janë në pushtet në Kosovë dhe luajnë rol të rëndësishëm në krijimin dhe zbatimin e politikave “kombëtare” dhe “shtetërore”në Kosovë! Mirëpo, duke iu falënderuar KTV që e përkujtoi këtë ngjarje, në çastin e fundit shpëtuam me fytyrë!
Ishte një storie prekëse, për të gjithë ne kur na u freskua kujtesa me fytyrën e këtij përbindëshi për shqiptarët dhe kur i pamë ata që ia dorëzonin stafetën, në ditëlindjen e tij! Disa mungonin, me arsye mbase sepse ishin të angazhuar! Azem Vllasi ishte dhe mbeti politikani më i sofistikuar kosovar, që nga shkolla e Kumrovcit, kadet i së cilës ishte e deri te këto ditë e sotit! E çmoj sinqeritetin e tij kur foli para kamerave të KTV-së. I ka shërbyer Shokut Tito dhe i ka mbetur besnik, pa asnjë dilemë! E jo si këta politikanët e kurseve të OSBE-së dhe trajnimeve të Ohrit, si t’u ofrohet një vend afër grazhdit, e ndërrojnë partinë!
Besnikëria është besnikëri dhe është diçka e amshueshme! Azem Vllasi tha se 25 maji ka qenë Ditë e Rinisë dhe se dorëzimi i stafetës shokut Tito ka qenë diçka vetëm sa për ta bërë, hajgare hesapi! Nuk tregoi se paralelisht me dorëzimin e stafetës, shqiptarët dënoheshin me dënime drakonike, keqtrajtoheshin nëpër burgjet jugosllave dhe vriteshin nëpër rrugët e Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës, për të drejtat e tyre, lirinë e tyre, kundër stafetës, bartësve të saj dhe kundër Azem Vllasit!
Azemi dhe shokët e tij nga koha e Josip Brozit thonë se ajo kohë ka qenë kohë e mirëqenies sociale, përparimit të gjithanshëm, emancipimit arsimor dhe kulturor si dhe afirmimit kombëtar, merreni me mend! Adem Demaçi dhe të krisurit tjerë qëndronin në burg për shtatë pallë të qejfit! Azemin e uroj për sinqeritet para kamerave. Së paku! Është interesant se ka mbetur një nostalgji dhe mund ta quaj lirisht edhe fanatizëm për dy diktatorë që më së shumti i kanë bërë dëm shqiptarëve, Josip Broz Titos në Kosovë dhe Enver Hoxhës në Shqipëri dhe Kosovë!
Kosova, në mungesë të Ligjit të Lustracionit krijon hapësirë që kriminelët dhe diktatorët të promovohen si humanistë dhe demokratë!!! Prandaj duhet t’ua festojnë ditëlindjet dhe t’i madhërojmë “ veprat” e tyre!
A ka diçka të rastit në Kosovë?
A është e rastit që Bajram Rexhepi është bërë ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës në këtë kohë?! Sigurisht se nuk është! Pse, do ta shihni pak më vonë! A është e rastit se Ylber Hysa është zgjedhur koordinator për zbatimin e Strategjisë për Veriun?! Nuk është dhe kjo po shihet edhe nga Marsi dhe Jupiteri! A është rastësi që ministri për Punë të Jashtme i Kazakistanit, Behgjet Pacolli po lobon për njohjen e pavarësisë së Kosovës?! Nuk është, aspak! A e këshilloi një mik ndërkombëtar Fatmir Limajn, menjëherë pas bastisjes të angazhoi avokatë ndërkombëtarë dhe a ishte kjo e rastit?! Po del se nuk ishte sepse u angazhuan 4 avokatë ndërkombëtarë. A ishte i rastit paralajmërimi për bisedime me Serbinë? Nuk ishte sepse tashmë u bë realitet?! Dhe shumë të tjera :” a ishte e rastit?”….
Në Kosovë çdo gjë bëhet sipas agjendës së paraparë, madje edhe arrestimet dhe gjykimet! Kosova nuk është problem aspak, problem e kanë bërë ndërkombëtarët! Mitrovica dhe enklavat tjera janë abort i politikës ndërkombëtare dhe jo dëshirë e qytetarëve të Kosovës! E kanë bërë problem matematikor me asnjë të panjohur duke e ditur se nuk e dimë as tabelën e shumëzimit! Po na trajtojnë si idiotë! Vërtetë, a jemi të tillë?! Apo duke e paragjykuar idiotllëkun tonë në fakt e fshehin idiotizmin e tyre!
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)
Comments (0 posted)
Post your comment