Home | Opinion | Elita natyrale, intelektualët dhe shteti sot

Elita natyrale, intelektualët dhe shteti sot

image
Individë të veçantë e fituan statusin e hyrjes në elitë në sajë të talentit të tyre, gjë e cila ju dha mundësinë e krijimit të pasurisë, mbledhjes së dijes e kultivimit të guximit e trimërisë.

 

 


Armand Vinçani

 

Më shumë se 50 vjet më parë, në kohën kur besimi i përgjithshëm për të mirat e inxhinierisë sociale, planifikimit të ekonomisë dhe mosbesimi në tregun e lirë ishin në kulmet e tyre F. von Hayek, një nga ekonomistët dhe filozofët politikë më të rëndësishëm të shekullit '20-të, jepte përkufizimin e intelektualëve si "agjentë profesionalë të dorës së dytë të ideve", të cilët janë krenarë për "moszotërimin e njohurive të veçanta në ndonjë sferë të caktuar" dhe nuk marrin "përgjegjësi direkte për çështjet praktike", duke mos pasur as nevojë të "jenë inteligjentë" për të plotësuar misionin e tyre. Hayek mendonte se ata janë të kënaqur me pozicionin e të qënit "ndërmjetës në shpërndarjen e ideve" të mendimtarëve origjinale tek njerëzit e zakonshëm, te cilët i konsiderojnë jo të barabartë me veten e tyre.


Jo pa qëllim titulli i këtij shkrimi jep idenë e përqasjes dhe synimit për të analizuar sado pak raportet në vendin tonë midis elitave natyrale, intelektualëve dhe shtetit. Pa dyshimin më të vogël, një analizë e plotë e kësaj do të kërkonte refleksione historike në procesin e formimit të shtetit shqiptar, gjë e cila është krejtësisht e pamundur në një shkrim gazetaresk.


Sidoqoftë, formimi i elitave natyrale në Shqipëri ka ndjekur të njëjtën rrugë, si dhe në kombet e tjera të lashta. Individë të veçantë e fituan statusin e hyrjes në elitë në sajë të talentit të tyre, gjë e cila ju dha mundësinë e krijimit të pasurisë, mbledhjes së dijes e kultivimit të guximit e trimërisë. Ata arritën të krijojnë autoritetin natyral dhe gjykimet e opinionet e tyre gëzonin respektin e gjerë në radhët e shoqërisë. Në një mënyrë apo tjetër, në sajë të arritjeve personale, largpamësisë dhe sjelljes së kujdesshme në mbarështimin e konflikteve të ndryshme në shoqëri drejtuesit e elitave natyrale morën përsipër rolin e gjykatësit në vlerësimin e momenteve me deçizive për kombin e ndikuan ndjeshmërisht në marrjen e vendimeve të kohës. Është kjo arsyeja që në fillimet e historisë moderne ne patëm Frashërllinjtë, Konicën, Nolin, Boletinin, Prishtina, Curri, Fishta, Mjeda, Luarasi, Vasa, Qemali e dhjetëra figura të tjera të spikatura që edhe kur nuk ishin në funksione politike apo shtetërore i ndriçuan mendjen kombit tonë e mbeten autoritete të padiskutueshme për kohën, në të cilën jetuan. Pjesë e kësaj elite u bënë edhe shumë figura të tjera që kryesisht vinin nga familjet nobel të Shqipërisë edhe pse për shumë prej tyre historia se ka thënë akoma të plotë fjalën e saj, duke i lënë shteg më shumë interpretimeve ideologjike se sa atyre të fakteve të lidhura me kushtet e kohës. Është e rëndësishme të vihet në dukje se sa herë shteti shqiptar ka marrë një formë të caktuar hapi i parë ka qenë monopolizimi i funksioneve të elitës. Kjo më shumë se asnjëherë tjetër u bë e dukshme me triumfin e komunizmit, ku ky fenomen filloi me eliminimin e elitës e më pas me neutralizimin e inteligjencës deri sa kulmoi në ngritjen në këto funksione të një grupi marangozësh, karrocierësh, saldatoresh e kooperativistesh që përveç injorancës dhe mungesës së arsimimit bazë nuk kishin as dhe ADN-në jo pak e duhur për të mbarështuar punët e shtetit.


Duke qenë se diktatura i hoqi elitës ekzistuese çdo mundësi për lidhje selektuese apo aplikim të ligjeve të trashëgimisë gjenetike e civile, ajo nuk pati mundësinë të përcjellë autoritetin natyral nga një brez në tjetrin. Elita natyrale u zëvendësua gradualisht (me urdhër) me politbyronë, por duke qenë se ajo s'mund as ta konceptonte e jo me ta kryente atë rol, e vetmja strukturë që mund të plotësonte disi boshllëkun ishin intelektualët.


Në periudhën e ndryshimeve drastike të kalimit nga sistemi komunist në atë të demokracisë, intelektualët luajtën një rol vendimtar në radhët e opozitës dhe kryesisht PD-së. Ajo çka u vu re në 20 vjet është fakti se po e njëjta inteligjencë, e cila ishte mjaft entuziaste në fillimin e proceseve demokratike, pavarësisht nga preferencat e mëvonshme partiake, gradualisht humbi besimin dhe filloi të shohë me dyshim, shpesh e irrituar dhe e pakënaqur, funksionimin e institucioneve demokratike në vendin tonë. Rrjedhojë direkte e këtij fenomeni ishin rrjedhjet e shumta e largimet nga vendi te një pjesë të konsiderueshme të intelektualëve apo kalimi në një gjendje apatie të pjesës së mbetur duke i dhënë mundësinë të dalin në sipërfaqe e lulëzojnë individë që dikur nuk ishin të tërhequr aspak nga konceptet e demokracisë por shfrytëzuan terrenin për të ndërtuar "elitën" e parasë dhe shtetin e klaneve. Kjo "elitë" sot, e pasuruar në mënyrë të pandershme e me njëmijë e një poshtërsira, ja detyron "fatin" e saj pushtetit. Prandaj ata, gjithnjë e më shumë, janë të varur nga vazhdimi i favoreve të shtetit ndryshe nga shumica që nuk ka pasuri.


Ndryshe nga elita natyrale, individët e "elitës" së sotme nuk janë drejtues apo pinjollë të familjeve të shquara në historinë e Shqipërisë, por të "pasurit modernë". Sjellja e tyre nuk karakterizohet nga virtyti, dituria apo dinjiteti, por është thjesht reflektim dhe orientim nga oportuniteti që ofronte dje pushteti i Nanos e sot ai i Berishës për këdo që besnikërisht i kanë shërbyer e vazhdojnë t'i shërbejnë mbajtjes në këmbë të tyre. E vetmja gjë pozitive që mbetet t'i gëzohemi është fakti që opinionet e kësaj "elite" nuk mbartin me peshë në opinionin publik dhe nuk gëzojnë simpatinë e masës. Me fjalë të tjera, elita e vërtetë nuk ekziston; ajo është zhdukur dhe do të duhet shumë kohë për të krijuar një të tillë.


I vetmi burim shprese, edhe pse sot ndoshta i venitur, është shtresa e intelektualëve. Por, a ka inteligjenca jonë e sotme fertilitetin e duhur për të prodhuar elitën e vërtetë? E vërteta është se roli i intelektualëve është aq i madh sa edhe nëse pjesa më e madhe e tyre është e korruptuar, politikisht, ekonomikisht apo së bashku dhe masivisht përgjegjës për perversitetet e sotme të pushtetit është e pamundur të arrihet një revolucion i vërtetë pa ndihmën e tyre. Kjo u provua katërçipërisht në vitet '90-të ku shumica e promotorëve kryesorë të ndryshimeve ishin pikërisht individë të lidhur me shumë fije me majën e piramidës së sistemit të kaluar.


Jo për slogan, por vetëm për hir të së vërtetës duhet të pohojmë se intelektualët shqiptarë janë të shumtë dhe virtualisht me kapacitete të admirueshme. Por, ajo ç'ka ne kemi nevojë nga inteligjenca jonë nuk është identifikimi i individëve që mbajnë një apo me shumë diploma e tituj. Koncepti modern i inteligjencës është më i kufizuar dhe përfshin atë grup të shoqërisë që është e aftë të krijojë ideologji dhe formojë kulturë e opinion publik. Të kërkosh transparencën e zgjedhjeve është pikërisht një përpjekje për ta bërë normë të kulturës dhe edukatës kërkesën me themelore të një sistemi demokratik. Edhe në rastin më të keq, nëse kushtetuta vërtetë e ndalon hapjen e kutive të votimit, atëherë është detyra e kësaj inteligjence të kërkojë ndryshimin e saj, sepse në ketë rast interpretimi i vetëm mbetet se ne paskemi një kushtetutë jo demokratike! Të firmosësh peticione kundër protestave apo grevave që synojnë pikërisht këtë transparencë tregon se këta "intelektualë" nuk janë të interesuar për çështjet e përditshme që shqetësojnë qytetarët e zakonshëm.
A nuk duhet të kuptojmë se e vetmja influencë e vërtetë që masat kanë ndaj veprimeve të pushtetit është e kufizuar tek tregimi i pakënaqësisë publike? Një grevë apo proteste është pikërisht shprehje e kësaj forme dhe kundërshtimi "intelektual" është thjesht nxjerrja në pah e shtetit në rolin e punëdhënësit, sponsorit apo donatorit.
Prandaj, ne kemi nevojë më shumë se kurrë për atë lloj inteligjence që angazhohet seriozisht në krijimin, diskutimin dhe shpërndarjen e ideve e simboleve nëpërmjet kontributeve me vlerë në shkencat humane, sociale dhe shkencore; për atë lloj inteligjence që është e orientuar nga vlerat e vërteta dhe jo përkatësia partiake apo interesi tek pushteti. Ky rol nuk mund të luhet nga intelektualët teknokrate që formulojnë politikat e shtetit e që në përgjithësi formojnë të ashtuquajturën inteligjencë teknike. Kjo e fundit ka prirjen për t'i shërbyer shtetit dhe kjo më shumë në Shqipëri ku ndërrimi i pushteteve shoqërohet me ndërrimin deri dhe të pastrueseve të institucioneve. Kjo kategori nuk është e lirë dhe neutrale në zgjedhjen e ideve; ajo përgjithësisht mbështet idetë që ju japin punë e prestigj.

Ky është interesi i pushtetit dhe i atyre që nuk kanë bërë ndërmend t'i zbresin ndonjëherë nga kurrizi këtij populli. Nuk ka as më të voglin dyshim se pushteti, i kujtdo krahu politik qoftë, është gjithnjë i interesuar për ide të margjinalizuara dhe përhapësi më i mirë i tyre është pikërisht ajo pjesë e inteligjencës që në rolin e intelektualit luan realisht si anti-intelektual. Nëse nuk arrijmë të kuptojmë se në mënyrë implicite pushteti është armiku kryesor i lirisë dhe pronësisë asnjëherë nuk do të kuptojmë abc-në e shtet-formimit.

Dy nga kërkesat kryesore ndaj inteligjencës janë kompetenca intelektuale dhe karakteri. E dyta, në kushte konkrete ka epërsi ndaj të parës. Sot nuk është e rrallë të takosh intelektualë që në biseda private pranojnë se nuk besojnë as vetë në ato çka proklamojnë me të madhe në publik. Ironia nuk qëndron në faktin se ata gabojnë, por në "çudinë" se në mënyrë deliberative shkruajnë e flasin për gjëra që i dinë se s'janë të vërteta! Kjo kategori nuk ka mungesë intelekti, por ka mungesë morali.

Jo pak, përfshi këtu edhe pushtetarë të Berishës, e kuptuan se marrëveshja detare dhe marrëveshja për varrezat e ushtarëve të rënë me shtetin fqinj ishin në kundërshtim me interesat e kombit, por fatkeqësisht shumë pak nga ajo inteligjencë, të cilën po kërkojmë të identifikojmë pati kurajën të flasë në publik. Marrëveshja për inventarizimin e bregdetit po për llogari të shtetit grek apo dhënia e lejes për ankorimin e një force të madhe ushtarake të marinës turke mbeten pa transparencën e duhur e përsëri zërat kundërshtues janë një minorancë fare e vogël. Në diplomacinë e huaj shpesh shihet amatorizëm, i cili kalon edhe kufijtë e seriozitetit edhe pse ajo çka diskutohet sot përbën premisa që projektojnë të ardhmen e vetë kombit.


A duhet të "irritohet" inteligjenca jonë kur presidenti rumun në zemrën e kryeqytetit tonë kërkon të drejtat e minoritetit të tij (ç'ka është e pranueshme), por të drejtat e një populli të tërë në Kosovë për të formuar shet nuk i njeh, sepse shkelet e drejta ndërkombëtare! Cila e drejtë shkelet? Ajo e vetëvendosjes që është një nga parimet universale të kohëve moderne? Shteti ka punën e tij, ka diplomacinë e tij që shpesh diktohet edhe nga koniunkturat e momenteve, ndërsa inteligjenca ka "diplomacinë" e saj që i nënshtrohet vetëm mendimeve racionale e kërkesës për të nxjerrë të vërtetën nga faktet dhe të dhënat që janë të disponueshme edhe nëse ato dështojnë të përputhen me pikëpamjet e gjëra në publik apo të individit që i zbulon ato.

Ngërçi politik i sotëm ka mbërthyer në ngërç edhe inteligjencën. E ndarë nëpër kampe partiake individë të saj më shumë përpiqen të bëjnë të dukshme besnikërinë ndaj bosëve të tyre me shpresën e shpërblimit një ditë. Kjo është arsyeja pse fare pak marrin guximin të analizojnë faktin e hidhur, por të vërtetë se në 20 vjet klasa politike shqiptare ka dështuar e vazhdon të dështojë në ngritjen e një shteti të mirëfilltë. Faktori kryesor që ka ndikuar negativisht është mungesa e aftësisë së inteligjencës për të përballuar trysninë e jashtëzakonshme të individëve që kanë monopolizuar proceset politike dhe ideologjike e kthyer shpesh shtetin si në epokën e pacivilizuar të fiseve.


Paaftësia për të penguar shkatërrimin konstant të shtetit është atribut i mungesës së raporteve ekuilibruese elitë-inteligjencë-shtet. Duke qenë se e para nuk ekziston dhe e dyta ka një rol të pandjeshëm në vendimmarrje, roli i shoqërisë civile është pothuajse i papërfillshëm në balancimin e pushteteve që është jetik dhe ndër faktorët kryesorë të suksesit në një rend demokratik. Përderisa shoqëria civile, opinioni i së cilës duhet të formohet nga elita dhe inteligjenca, nuk është e pavarura, ajo nuk mund t'i rezistojë dot manipulimit të shtetit dhe interesave të biznesit. Pushteti i sotëm është i interesuar të mbajë këto raporte me inteligjencën e shoqërinë civile, sepse e di mirë që çlirimi i tyre do të detyronte qeverinë të jetë më e ndershme, më transparente, më përgjegjëse dhe më reaguese ndaj kërkesave të publikut. Rruga e zgjedhur për kooptimin e shoqërisë civile si në rastin e peticion-shkruesve dhe kufizimi i pavarësisë së saj është në fakt ajo çka po e mbyt rolin e inteligjencës shqiptare sot, duke mundësuar patronizimin e qeverisë dhe "rregullimin" e standardeve njerëzore. Kufizimi i rolit të inteligjencës çon drejtpërsëdrejti në kufizimin e rolit të sferës publike, sepse këto koncepte sociologjikisht dhe historikisht janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Për sa kohë trinomi i rëndësishëm elitë-inteligjencë-shtet nuk përbën statitikisht vijën e mesme më të besueshme, për sa kohë në binomin inteligjencë-shtet e para mbetet thjesht një funksion i së dytës dhe për sa kohë shoqëria civile mbetet e paorientuar siç duhet ne do të mbetemi çapitës të stërmunduar në rrugën e gjatë që të tjerët e kanë përshkuar shumë kohë më parë. Nevoja për elitë dhe inteligjencë të vërtetë është jetike për ne e ndoshta në këtë sens është e vlefshme të përmendim aksiomën e njohur se mund të ekzistojë "demokraci pa demokratë" për aq kohë sa elita dhe inteligjenca janë të bindura që interesat e tyre shërbehen në mënyrën më të mirë, duke adaptuar institucione demokratike për të menaxhuar konfliktet.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0