Demokracia e Republikës së Kosovës, në Ugandë!
Pavarësia, meritokracia dhe anarkia
Behxhet Sh. Shala
Më 17 shkurt, anekënd Kosovës martire me pavarësi të kontraktuar dhe sovranitet të kontrolluar u “organizuan” manifestime festive, për hir të njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në të njëjtën ditë u festua edhe njëvjetori i Pavarësie Sopës, kumbarë (shqiptar e jo Italian i Mario Puzos) i së cilës ishte vet presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu. Edhe kryeministri i Kosovës i bëri një vizitë familjes së Pavarësisë me ç’rast i foli fjalët më të zgjedhura. E krahasoi shëndetin e vogëlushes Pavarësisë me shëndetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Pavarësie Sopa dukej e shëndetshme mirëpo dukej gjithashtu e hutuar ngase ishte në një mjedis krejtësisht të panjohur për te. Në këtë çast Pavarësie Sopa nuk ishte e vetëdijshme për veprimin e saj, më vonë do ta shohim nëse do të mburret apo turpërohet! Uroj që pavarësia e Kosovës të jetë sikur ajo e Pavarësie Sopës por më duket disi anemike kjo pavarësia shtetërore, deri më tash, së paku! Një gjë megjithatë e kanë të përbashkët të dyja pavarësitë, janë në fazë të brishtë ku lehtë mund të vije te përkeqësimi i shëndetit! Unë dua pikërisht të kundërtën, ju dëshiroj jetë të gjatë dhe shëndet të plotë edhe Pavarësie Sopës edhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në këto çaste të gëzimit dhe festimit megjithatë përjetova një zhgënjim dhe hidhërim; askush nuk u kujtua ta përmend 250 vjetorin e lindjes së ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotni Skender Hysenit! E pabesueshme por e vërtetë! Madje, kam dëgjuar se kur është vendosur se cila datë do të ishte më e përshtatshme për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur dilema as nga vendorët e as nga miqtë dhe mikeshat ndërkombëtare, ka qenë vendim koncensual, pra janë përcaktuar për ditëlindjen e Skendës! Mua nuk më ka pyetur njeri i gjallë për këtë!
Në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një mbledhje solemne (nuk kam informata nëse janë paguar për pjesëmarrje në këtë mbledhje ndërkaq që në atë mbledhjen para një viti të gjithë deputetët, për një nënshkrim u patën paguar me nga 500 euro të buta!), një akademi përkujtimore , do të thoja! Ata, më të merituari (që nënshkruan) ishin poshtë, ata që e përpiluan tekstin e Deklaratës së Pavarësisë ishin lart, në Galeri! Mbikëqyrnin nga lart!
Dy personalitete me këtë rast ndodheshin në vende të gabuara, Piter Fait poshtë dhe Adem Demaçi në Galeri (duket se Baca Adem është parapaguar për Galeri)! Të ishte në teatër, së paku, ngase atje Galeria ka vlerë për dallim nga Galeria e Kuvendit të Kosovës! Pra, në rrethana normale, “këshilltari”, z. Piter Fait do ta kishte vendin në Galeri ndërkaq z. Adem Demaçi në foltoren e Kuvendit.
Baca, në fakt ka kaluar shumë mirë sepse po të isha unë ai që merr vendime, do ta lija në zhveshtore të Kuvendit dhe do ta mbuloja me ato pëlhurat me të cilat Nexhat Daci i tebdilosi pikturat dhe muralet patriotike në hollin e Kuvendit të Kosovës!
Deputetët serbë nuk patën mundësi të marrin pjesë në këtë manifestim, për shkaqe teknike dhe në asnjë mënyrë për shkaqe politike! Arsye ishte se në atë kohë mbahej një seancë e Serbisë në Zveçan. Diskriminimi pozitiv në këtë rast ka dështuar plotësisht, si dhe pakoja e Ahtisarit! Është dashur që mbledhja solemne e Kuvendit të Kosovës, për hir të serbëve të mbahet me 16 ose 18 shkurt! Ose, t’u thuhet deputetëve serbë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që nuk shkojnë bashkë seanca e Prishtinës (Kosovës) me seancën e Zveçanit (Serbisë)!
Ndryshe, festimi i përvjetorit të pavarësisë ishte anarki e vërtetë, asgjë nuk funksiononte si duhej! Shpërndarësit e pelerinave (punonjësit arsimorë), në shumë raste mungonin dhe nxënësit bridhnin të vetmuar. Rrugës i takova dy nxënës të ciklit të ulët , të mërdhirë e që shkonin pas turmës. Kur i pyeta ku e kanë mësuesen u përgjigjën se nuk ka ardhur fare. Pelerinat e pavarësisë ishin tregim më vete! Për hir të korrektësisë dhe ruajtjes së higjienës nuk dua të them se në çka ngjanin ato!
Shaban Polluzha, persona non grata në Teatrin Kombëtar:
Më 19 shkurt u mbajt një akademi përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e shqiptarit, atdhetarit dhe luftëtarit të madh, Shaban Polluzhës. Kjo akademi u mbajt në Teatrin Kombëtar në Prishtinë dhe nuk do të duhej të paraqiste ndonjë problem të madh aq më parë kur Teatri, që nga përfundimi i luftës ishte shndërruar në një arenë gladiatorësh politikë dhe parapolitik që zhvillonin fushata paraelektorale dhe keqpërdoronin skajshmërisht figurat që do të përkujtoheshin! Unë, menjëherë pata reaguar duke mbrojtur qëndrimin që teatri është vendi i fundit ku duhej të organizoheshin akademi të tilla! Ashtu mendoj edhe sot!
Le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që kanë drejtuar teatrin që kanë lejuar të bëhen pjesë e këtyre lojërave politike e sidomos të atyre që kanë keqpërdorur fuqinë politike dhe paramilitare, që teatri të shndërrohet në çdo gjë tjetër përveç se teatër! Përmes organizimit të akademive përkujtimore, politikanët dhe paramilitarët e inkuadruar në biznes dhe politikë kanë demonstruar potencën e tyre fizike dhe politike ndërkaq, në fakt e kanë lakuriquar mjerimin e tyre intelektual, politik, njerëzor dhe kombëtar! Natyrisht se kjo nuk vlen për të gjitha rastet, çdo rregull ka përjashtime!
Akademia përkujtimore për të madhin Shaban Polluzha kësaj radhe u organizua nga Qeveria e Republikës së Kosovës, pra, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi. Vlerësimi i drejtë i figurave kombëtare dhe historike nga shteti i Kosovës është një lajm shumë i mirë dhe si i tillë duhet të përkrahet. Unë e përkrah me tërë qenien time, pavarësisht se cila qeveri e bën këtë. Ky veprim, në fund të fundit është obligim moral ndaj atyre që kanë kontribuar duke sakrifikuar edhe jetën, për lirinë e popullit shqiptar, popujve të tjerë dhe shtetin e Kosovës. Përmes rifreskimit të kujtesës historike, e mbrojmë të sotmen dhe investojmë për të ardhmen! E mbrojmë identitetin kombëtar, moral, njerëzor dhe shtetëror në kohën kur na ofrojnë dhe imponojnë identitet hibrid, identitet të konvertuar, tjetërsim të qenies sonë!
Nga mediet mësuam se kërkesa e kryeministrit për organizimin e kësaj akademie ishte refuzuar nga udhëheqësit e Teatrit Kombëtar. Në rrethana normale dhe në rast se udhëheqësit e Teatrit do të ishin parimorë për të gjitha ndalesat, do ta kishin përkrahjen time të plotë! Mirëpo, të ndalohet organizimi i akademisë për Shaban Polluzhën e të lejohet organizimi i akademisë për Tahir Zemajn aq sa është befasuese, për më tepër është shumë e pamoralshme, në çdo aspekt! Po bëhet përpjekje që në emër të ruajtjes dhe afirmimit të antivlerave të mohohen dhe shkelen vlerat e vërteta. Shembull tipik për këtë është rasti i fundit, ai i datës 19 shkurt 2009.
Nuk duhet të jesh shumë i dijshëm për të ardhur në përfundim se kush ishte Shaban Polluzha e kush ishte Tahir Zemaj?! Madje, ndjehem i turpëruar vetëm nëse edhe përpiqem t’i vendos në një rrafsh, qoftë edhe atë krahasimor! Paturpësia shkon aq larg sa që bëhen përpjekje që edhe Komandantin Legjendar, Të Madhin, Adem Jasharin ta çiftëzojnë në planin kombëtar, politik dhe ushtarak me personin që ka qenë krejtësisht i kundërt me Komandantin, me një fjalë kanë pasur qëndrime dhe veprime diametralisht të kundërta!
Ju tregoj se në këtë akademi kam shkuar pa ftesë sepse nuk më kanë ftuar, as pozita e as opozita! E kam përdorur kontrabandimin dhe mënyrën klandestine për t’u futur brenda, si skafistët e Vlorës!
Ramushi, Uganda dhe ndërmjetësimi:
Se Kosova është vend i paradokseve, është ditur edhe më herët! Se do të mbetet edhe më tutje e tillë, nuk kam besuar! Rasti i fundit, kërkesa e rebelëve të Ugandës e identifikuar si “ Ushtria e rezistencës së Zotit”, që kryetari i AAK-së, z. Ramush Haradinaj të jetë ndërmjetësues për arritjen e armëpushimit midis rebelëve dhe trupave qeveritare të Ugandës është shembull tipik i injorancës sonë kolektive, papjekurisë dhe irracionalitetit antologjik që na shoqërojnë, që nga ilirët e lashtë, deri më sot!
Duket se kjo është vetëm vazhdimësi e sindromit të Mashedezekut ( për ata që kanë harruar dhe për ata që atëherë ishin fare të vegjël në atë kohë, Mashedezeku ka qenë shteti i parë që e pati pranuar Republikën e Kosovës, përmes një faksi)! Njohja mbeti vetëm në faks i cili u bë pretekst për humor për një kohë të gjatë! Madje edhe presidenti i ndjerë, në kanaxheqet e së premtes pati bërë publik këtë njohje diplomatike. Duket se i njëjti rast po përsëritet edhe me Ramush Haradinajn.
Pse pikërisht Ramushi dhe pse pikërisht në këtë kohë?! Në Ugandë asnjëherë nuk kanë përfunduar luftërat, që nga koha e kanibalistit Idi Amin Dada deri në ditët e sodit kur ku vend udhëhiqet nga marksisti Yoweri Museveni. As ky nuk ka ardhur në pushtet me forcën e votës por me forcën e armës! Dikush ia ka punuar prapa shpine Ramushit, ia ka bërë rreng! Për këtë aspak nuk dyshoj!
Arsyetimi i rebelëve se edhe Ramushi ka qenë rebel dhe se ka përvojë të madhe është poshtërues për vet Ramushin, luftën e madhe dhe të lavdishme që e ka bërë si dhe për sakrificën e familjes Haradinaj. Kjo është poshtëruese edhe për luftën e UÇK-së! Pranimi i ndërmjetësimit edhe, kinse nga ana e qeverisë së Ugandës, është kompletimi i këtij mozaiku çoroditës. Lufta në Kosovë dallon krejtësisht nga konfliktet në Ugandë, nuk kanë asgjë të përbashkët!
Gjithnjë sipas medieve, ka mbetur vetëm një problem i vogël teknik, si do t’i raportojë” ndërmjetësuesi” Haradinaj OKB-së dhe mekanizmave tjerë ndërkombëtarë! Kam një propozim konkret, lëreni të qetë Ramushin dhe dërgojini atje Lamberto Zanierin apo Piter Faitin, ata kanë përvojë të madhe në ndërmjetësim ndërkaq që këtu nuk na duhen gjë! Zanieri mund të raportojë në OKB-ë, pa asnjë problem! Mund t’ua bashkëngjitni edhe Jeremiqin e Serbisë, është shumë aktiv! Pastaj, Jeremiqi mund të kryej punë të dobishme në Ugandë, ta lidhë ndonjë kontratë për furnizimin me armë edhe për rebelët, edhe për ushtrinë qeveritare! Qeveritë e mëparshme të Serbisë e kanë bërë këtë!
Po si reagoi opinioni i brendshëm, pozita, opozita dhe mediat për këtë” ofertë” që i është bërë Ramush Haradinajt?! Pozita ashiqare po bën hajgare në mënyrë shumë të sofistikuar duke e çmuar lart këtë “ kontribut ndërmjetësues” të Ramushit. I ka ardhë vera kah dera. Pse jo? Më së shumti më kanë befasuar apo nuk më kanë befasuar injorantët dhe analfabetët politik të AAK-së, disa anëtarë të kryesisë të këtij subjekti që drejtohet nga “pleqnari i Ugandës”.
Merreni me mend, në paraqitjet e tyre publike po nguten ta shpalosin backgroundin ndërmjetësues dhe shkathtësitë e Ramushit në këtë fushë!! Madje, po ndjehen krenarë dhe të nderuar që u ka rënë bingo! Me mend nuk ka mahi! Ramushi i ka punët fort mirë në parti nëse merret parasysh se kush e këshillon dhe se kush janë anëtarë të partisë! Për mediat tona, ashtu siç i ka falë Zoti, ky lajm ka qenë sikur kur referi ndanë penalti në minutën e 90-të!
Shkrimet kanë pasqyruar preferencat partiake, simpatitë dhe antipatitë individuale si dhe animet fisnore dhe klanore! Më së largu ka shkuar një gazetë që: ”nuk heshtë edhe kur opozita heshtë”. Titull më të ulët, më jonjerëzor, më denoncues nuk më ka rënë të lexoj që nga koha e Jedinstvos kur udhëhiqej nga Zhivorad Igiqi! Po del se aktakuza e Karla del Pontes ishte kartolinë urimi për Vit të Ri krahasuar me titullin në ballinën me shkronja një metër të gjata:” I propozuari i terroristëve!”. Ky titull u shoqërua me foton e “ pleqnarit të Ugandës”, Ramush Haradinaj! Në këtë ballinë, fotot e kryeministrit Thaçi, ministres Justina Pula- Shiroka, Zanierit, toreadorit së bashku me demin, Fitim Ukës dhe bukuroshes Amber ishin shumë të vogla krahasuar me foton e “ndërmjetësuesit” Haradinaj.
Ky ishte pushkatim publik i Ramushit, një veprim imoral i skajshëm! Nuk luftohet në këtë mënyrë kundërshtari politik, nuk është e njerëzishme, nuk është shqiptarqe!
Po e them se Ramushit dikush ia ka punuar në mënyrë shumë elegante! Duket se në propozimin që dikush ua ka bërë rebelëve ka theksuar se Ramushi për tre muaj do ta integrojë veriun e Kosovës gjë nuk e ka bërë askush edhe 9 vite pas përfundimit të luftës dhe se po rrinë me stupc në krahë! Për këtë është fajtorë edhe vet Ramushi! Rebelët nuk janë në dijeni se Ramushi fare nuk komunikon me kryeministrin e Kosovës andaj e them me përgjegjësi se më shumë ka nevojë që ata të Ugandës të vijnë si ndërmjetësues këtu se të shkohet atje.
Duket se konflikti në Kosovë është më i rëndë se ai i Ugandës! Punë për së mbari do të ishte që nëse vjen dikush nga Uganda te Ramushi, ky do t’i priste si burrat dhe në të kthyer t’ua falte gjysmën e kryesisë së AAK-së në me në krye Stiven Shukun, Zanierin si ndërmjetësues i cili njëkohësisht do të lobonte që Uganda të mbajë qëndrim neutral ndaj statusit, ashtu siç është duke mbajtur edhe tani! Uganda nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Lufta për lobim, përpjekje për rehabilitim, shpëtim, dominim apo diskreditim:
Është e njohur lufta e milingonave të verdha sepse luftojnë deri në fund, deri në asgjësim. Kjo, në një variant më të butë po reflektohet në fushën e lobimit. Babai i AKR-së, Behxhet Pacolli ka ndërtuar një sistem paralel të lobimit dhe duhet të pranohet se ka sukses. Këtu janë dy mundësi; e para, ose Pacolli vërtet po i bind disa shtete se duhet të pranohet Kosova ose ka informacione nga dora e parë se kur do të pranohet Kosova e pastaj po del në konfernca për media, duke paralajmëruar njohje të sigurt!
E përjashtoj mundësinë që Pacolli po qet fall! Skenda ka mbetur nën hijen e Pacollit, vetëm po i përsërit fjalët e Pacollit, pas 24 orëve. Edhe atij po i dalin të sakta! Besoj se si ekip lobues, Skenda dhe Pacolli do të ishin çift fantastik, pse atëherë kryeministri i Kosovës nuk i kurorëzon!
Gëzuar për pavarësinë:
Në kontekst të deklaratave përkrahëse të miqve ndërkombëtarë, në ditën kur festohej pavarësia e Kosovës, presidenti Sejdiu ngreu dolli duke hapur një shishe me shampanjë! Ashtu e kërkon rregulli dhe protokolli. Gjysma e shampanjës përfundojë në duart dhe kostumet e diplomatëve, gjysma tjetër shkoi në destinim.
Simpatike dhe simptomatike ishte edhe deklarata e presidentit i cili tha se edhe kjo shishe e shampanjës ishte përkrahje e miqve ndërkombëtarë! Madje, përkrahje me rëndësi strategjike për përparimin dhe zhvillimin e ekonomisë së Republikës së Kosovës! Porosi dhe lajm shumë i mirë për 80% të qytetarëve të Kosovës që përballen me probleme të natyrës ekzistenciale dhe të cilët nuk mund ta paramendojnë jetën pa shampanjë. Vetëm ajo u mungon!
Mohikani i parafundit:
Ferat Sadria është politikan me kondicion të jashtëzakonshëm, e gjen në çdo kohë dhe në çdo vend ku e mbron një qëndrim krejt të pavend! Llogaritet si njerkë e procesit të decentralizimit meqë prindërit natyror të decentralizimit kanë vdekur politikisht dhe moralisht andaj ky proces shumë i rëndësishëm për Serbinë (të huajt dhe disa tanët po thonë për Kosovën), një kohë pati mbetur jetim!
Feratin e gjeni në RTK-ë, pa përfunduar ende emisioni aty, duket në KTV-ë, e sakrifikon gjumin e natës dhe duket në RTV-21, ALSAT dhe programet e tjera që mbulohen nga Kujtesa , Ipko dhe Digjit–Albi!
Impozante dhe impresionuese, me një fjalë! Është mëkat që të shpenzohet i tëri ky kondicion dhe talent në Kosovë. Dërgojeni vëlla në Ugandë, ata nuk kanë njohuri elementare për decentralizimin!
Comments (0 posted)
Post your comment