Shchengeni i vogël, mashtrimi i madh!
Nëse dikur Shqipëria ka qenë e ndarë në Vilajete tash është e ndarë në kartele mafioze të tipit të Amerikës së Jugut.
Behxhet Sh. Shala
Në Prevallë, ditë më parë u mbajt një takim i kryetarëve të disa shteteve të rajonit me ambicie që kjo pjesë e Ballkanit të shndërrohet në një zonë të lëvizjes së lirë për qytetarët e këtyre shteteve dhe qarkullim të lirë të mallrave. Autorësinë e kësaj ideje po e marrin të gjithë, Bamir Topi, Fatmir Sejdiu, etj., e në fakt ky ka qenë propozim i BE-së në kohën kur këto shtete nuk kanë qenë as kandidatë për procesin e liberalizimit të vizave. Në një fare mënyre, BE ka llogaritur që ky Schengen i Vogël të shërbejë si biletë hyrëse për Schengenin e bardhë, atw të madhin! Mirëpo zhvillimet politike e kanë krijuar një situatë të re, një hartë të re në të cilën vetëm Kosova ka mbetur si vrimë e zezë ku qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, etj., kanë mbetur të izoluar sikur leprozët në Indi për të cilët është përkujdesur Nëna Tereze dhe pastaj, për këtë angazhim i ishte ndarë Çmimi Nobel.
Shtrohet një pyetje thjesht e natyrës logjike e cila vetvetiu ofron edhe përgjigjen. Çfarë kuptimi ka formimi i Schengenit të vogël në kohën kur të gjitha shtetet që parashihen të jenë pjesë e këtij unioni janë bërë ose pritet që brenda , më së shumti 6 muajve të bëhen pjesë e Schengenit të madh! Askush normal nuk do të pranonte që nga një shtëpi luksoze të hyjë vullnetarisht në një bodrum. Ose, a ju duket normale të hyni në një shtëpi për dritare të vogël nëse i keni të hapura të gjitha dyert! Nëse nuk jeni hajn! E këtë pikërisht e ofron ky farë mini Schengeni. Andaj e quaj si një mashtrim ordiner, si një faturë për t’i mbuluar projektet e mëdha të dështuara politike në ndërkohë që nuk jeni në gjendje t’i përmbushni as projektet politike të nivelit parashkollor!
Çka i duhet Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi e sidomos Serbisë të bëhet pjesë e këtij mashtrimi?! Maqedonia e arriti qëllimin e zhvatjes së një pjese të territorit të Kosovës përmes demarkacionit të kufirit dhe tash po punon në “risocializimin” e shqiptarëve duke i përdorur metodat konvencionale që më parë i përdorte Serbia!
Shqipëria “evropiane” ndjek politikë ndaj Kosovës ashtu si ndaj Azerbajxhanit! Në vend se të bëhet Pijemont i politikës gjithshqiptare ajo është vetëm një kopje e zbehtë e qëndrimeve të Brukselit, Washingtonit, Moskës dhe Beogradit, asgjë më tepër! Me Sali Berishën dhe Edvin Ramën të cilët e mbajnë peng Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, nuk mund të bëhet tjetër politikë! Me klanet mafioze të socialistëve dhe komunistëve të konvertuar në demokratë, nuk mund të bëhet politikë kombëtare apo të ndërtohet piramida politike kombëtare! Nëse dikur Shqipëria ka qenë e ndarë në Vilajete tash është e ndarë në kartele mafioze të tipit të Amerikës së Jugut. Saktë dihet kush e kontrollon jugun e Shqipërisë, atë të mesme dhe të veriut. Dihen cilët politikanë qëndrojnë prapa këtyre klaneve. Për këtë arsye është fat i madh që kjo Shqipëri, ashtu siç është nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës!
Malit të Zi i intereson ky konstrukt i liberalizimit të vizave në nivel lokal për ta përdorur si shantazh që demarkacioni i kufirit me Kosovën sipas modelit maqedonas e që nënkupton sakatosjen e tërësisë territoriale të Kosovës duke i marrë një pjesë të saj, pjesën më të bukur dhe më strategjike të saj, atë të Rugovës! Ky është konteksti i vërtetë i kërkesës së palës malaziase ndërsa futja e pakicës malaziase si kategori kushtetuese ishte vetëm preteksti. Futja e malaziasve si kategori kushtetuese nuk mund të llogaritet fare si diçka e dëmshme për Kosovën aq më parë që të gjithë qytetarët e Kosovës, me përjashtim të serbëve, llogariten si komunitete. Këto dy gjera ia bëri me dije presidenti Filip Vujanovic, mikpritësit të Prevallës, z. Fatmir Sejdiut, ndryshe president i Kosovës!
Buzëqeshjet protokollare gjatë këtij takimi i ngjanin buzëqeshjeve të ngrira të figurave prej dylli në muzeun Madam Tiso në Londër! Njeriu i fundit i cili do të duhej të qeshte në këtë takim është Fatmir Sejdiu! Nga ky takim Kosova nuk përfiton asgjë hiç me përjashtim që e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe ka angazhuar policë shtesë duke i bllokuar rrugët e Kosovës, edhe ashtu të stërngarkuara!
Vendi që më së shumti realisht do të përfitonte nga ky mini Schengen është pikërisht ai që mungoi, Serbia! Po të bëhej pjesë e këtij mashtrimi optik atëherë do ta legalizonte praninë e saj në enklava, pa pasur nevojë të fshihej pas UNMIK-ut dhe EULEX-it! Apo të “kërkonte” leje nga institucionet e Kosovës! Takimet e presidentëve të rajonit i ngjanë një loje pokeri në të cilën Tadic, Ivanov, Vujanovic dhe Topi i kanë njëshat në dorë ndërsa Fatmir Sejdiu shërben për t’i bartur letrat në lojën për të cilën rregullat i ka përcaktuar tjetërkush dhe se fituesi dihet ende pa filluar loja!
Nuk ka asnjë dyshim se edhe qytetarët e Kosovës një ditë do të bëhen pjesë e liberalizimit të vizave. Mirëpo mendoj se viza Schengen nuk është interesi strategjik i qytetarëve të Kosovës. Ata kanë nevojë për vende të punës, arsim normal, shërbime shëndetësore cilësore, projekte zhvillimore dhe perspektivë të sigurt. Aktualisht këto nuk i kanë apo i kanë të mohuara pikërisht nga ata që është dashur të na ndihmojnë! Dhe që na kanë lënë si të zgjebosur! Që na kanë dhunuar tërë kohën duke na caktuar detyra të shtëpisë në ndërkohë që na kanë shndërruar në qiraxhinj në shtëpinë e quajtur Kosovë! Që janë bërë mbrojtësit më të mëdhenj të të korruptuarve, në emër të luftës kundër korrupsionit!
Vidovdani dhe Gazimestani:
Edhe këtë vit serbët e festuan përvjetorin e disfatës së tyre në Gazimestan. E festuan 621 vjetorin e Betejës së Kosovës në praninë e një numri të vogël të pelegrinëve, politik dhe klerikëve e që në fakt nuk dallojnë aspak! Karakteristikë e këtij festimi ishin orgjitë shoviniste të organizuara që nga thyerja e dhunshme e kufirit në pikat 1 dhe 31, organizimi i koncerteve shoviniste në Mitrovicën e UNMIK-ut dhe Majkëll Gjifonit e sidomos në vendin ku u promovua politikisht krimineli Milosheviq, në Gazimestan! Askush nuk i ndali paramilitarët e Gardës “Car Lazar” në kufi. Askush nuk e ndali karvanin e paramilitarëve të motorizuar me Harley Davidson. Askush nuk e ndali koncertin e shovinistit të certifikuar të bendit “ Riblja Çorba”, Bora Gjorgjevicit dhe frontmenit të bendit “Time”, kroatit Dado Topic! Askush nuk ua zhveshi kanotieret ku shkruante “Kosovo je Srbija” dhe “ Smrt ( Vdekje) Shiptarima”. Askush nuk e pengoi ritualin e prerjes së kokave të shqiptarëve të shqiptarëve, demolimin e veturës së Top Chanelit, fjalimet me plot pasion shovinist të patrikut Irinej dhe keqbërësit Artemije! Vlerësimet e policisë së Kosovës ishin pozitive meqë shovinistët nuk i materializuan kërcënimet e tyre!
Policia e Kosovës premtoi se nuk do të lejojë asgjë që del jashtë manifestimit fetar! Ndërkaq këtu nuk pati fare manifestim fetar! Pati shfryrje të urrejtjes, dhunim të integritetit territorial dhe sovranitetit të cilat nuk do t’i lejonte asnjë shtet normal! Madje as” demokratët” si Fejti dhe Kermabon! Kjo është pasqyrë e vërtetë dhe tregues se ku jemi! Mund ta kem gabim! Ky do të duhej të ishte një mesazh për Jakup Çamërinë! Për deputetët që kërkojnë pensionim suplementar, pa i mbushur 50 pranvera! Dhe për ministrin Bajram Rexhepi dhe u.d.e policisë së Kosovës, Behar Selimin! Vërtetë, ku ishin ato ditë?! Dikund në hije apo në variantin më fantastiko- shkencor në “ xhebehane, në kullë të barotit”. Përgjigjen besoj se e keni të qartë
(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)
Comments (0 posted)
Post your comment