Home | Opinion | Perënditë kanë etje

Perënditë kanë etje

image
Që perënditë ekzistojnë që kanë rënie e ngritje, por gjithmonë triumfojnë, unë Plaku ka kohë që e kam ditur, por se merrnin po të njëjtën frymë si ne, tash e mësova.

 

 

 

Nga Valmir Mehmetaj

 

 

Pini o burra, prandaj ju thirra, por meze në hidhërim nuk do të ketë. Ju thashë se perënditë ekzistojnë, dhe ata kanë “etje” për pushtet, forcë e pasuri.

Uluni burra, uluni se kjo odë ngaherë ka qenë faqebardhë dhe me nder. Do t’i bie shkurt, e do them atë që erdhët për ta dëgjuar. Që perënditë ekzistojnë që kanë rënie e ngritje, por gjithmonë triumfojnë, unë Plaku ka kohë që e kam ditur, por se merrnin po të njëjtën frymë si ne, tash e mësova. Kryeministri e ministri dhe ata të sërës së tij, kishin hyrë çuna të ri në luftë e dolën burra të plotë.

E unë sa herë dëgjoj fjalën “korrupsion” kapërdihem nga ngërçi në fyt, Kosova po thonë aty po merr në thua. Kryeministri ynë para se të fitonte zgjedhjet ish pas tretë duke thënë se do kacafytej me korrupsionin e vend për këtë lubi as në birucë të miut nuk do të linte. Mua më qeshte zemra nga gëzimi.

Herën e ardhshme që e pamë, në kokë e kish kurorën e Kryeministrit. Dynjaja fliste. Thoshin se njerëzit si ai i donte Amerika, Evropa e shtatë të tjera ‘krajli’. Derën e ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit e zuri Fatmir Limaj. Nga ato udhë që kjo ministri ndërtonte, thoshin se vinin paratë me thasë. E në ato valë, që kjo ministri kontrollonte, pëshpëritej fjala “pasuri”. Unë plaku se rrok dot, se si një njeri me aq ndikim si ai, nuk u zgjodh në ndonjë ministri, ku do t’u kishte dhënë vrull njohjeve të reja për Kosovën. Nipi im më tha se këto punë shkojnë ma ngadalë. Tha se ia kanë dhënë një kompanie (Kosovo young europeans, shënim i autorit) detyrën e besa edhe do miliona që kësaj punë me i dal në krye. Në kompjuter më tregoi njerëz që na e bënin me dorë, dhe një reklamë sikur te ‘Verbungu’ i kanaleve gjermane. Po ata që blejnë Nutella e Pampersa, nuk ta mbarojnë shtetin.

Fort me zell ia kishte nisë punës kjo qeveria jonë, por punën e tyre dynjaja korrupsion e emëronte. Kriza ekonomike e botës erdhi e shkoi, e neve veç për seri na pa. Kish kohë që këtu mirëqenia mungonte, e grabitqarët e saj s’i bën zemra njeriu t’i ndalojë. Kur ne menduam qe e keqja nuk ka fund, më ra në vesh fjala e mirë se një prokuror i EULEX-it ia kish mbledh betë një ministri dhe disa të tjerëve, se për rrjepje të Kosovës, në burg do të shkonin.

Këqyrja për dritare, ai qiell i murrmë fort më ngjante me mendimet e mia. Endesha poshtë e përpjetë, 80 milionë euro, ai thoshte se i kishin vjedhur. Ec e ec, e për ta vërtetuar dokumentet nëpër rafte po i palonte, me zërin e kokës sime që nga gazetat fliste ai. Kalova andej nga stallat, i këputur ia futa ca britmave, se për të qarë kisha harruar. S’kishte ndodhur kurrë kjo, as kur më dogjën shtëpi e katandi, e as kur mora vesh se dy nga shtatë djemtë e mi, në tefter të të vdekurve i shënuan. Hidhërimi im hyri më vonë, me pleqëri ia vura vetit edhe barrën e brengës së një populli.

Në lajme shikoja se si gëzimi kish marr dhenë. Mllefit të popullit i kish ardhur zëri. Ju kujtohet se kryeministri bash zero, hiq, thoshte se s’do kenë tolerancë për korrupsionin. Doli që qeveria e tij po dehej me të. U gëzova pamasë, se hajnit po i thuhej hajn, e gënjeshtarit, gënjeshtar. Ju kujtohet se atë ditë pata shtruar meze, e patëm pirë raki dardhe të zier dy herë. Por prej asaj kohe, unë kam hapur një brazdë të re, kam mbjellë farën në 8 hektarë tokë, kam përjetuar gëzimin e një lindjeje të re në shtëpinë time, dhe dy herë nga dy muaj kam parë se si djemtë e mi për shkak të grindjes nuk flisnin me njëri-tjetrin. Atij burrit të huaj të EULEX-it më nuk ja kam dëgjuar zërin. Dëgjova vetëm se si për një institucion tonin, aty në Ministrinë e Transporteve ku EULEX-i kish gjetur 80 milionë euro hajni, ashtu thoshte EULEX -i, për të gjerat po shkonin në vijë.

E kur ju pata thënë plot siguri se erdhi fundi për atë farë të keqe të politikanëve, tash kam veç lëkundje e dyshime. Ka interesa të ndryshme po thonë, janë bërë pazare për të ruajtur stabilitetin e ku di unë çfarë. Ne pleqtë e dimë se po të të ulet dikush në fytyrë, nuk numërohet si stabilitet, edhe po të ketë prapanicë të butë.

Pini o burra, prandaj ju thirra, por meze në hidhërim nuk do të ketë. Ju thashë se perënditë ekzistojnë, dhe ata kanë “etje” për pushtet, forcë e pasuri. Ata me hapat e tyre të rëndë po shkelin një rini. Me fjalët e tyre në shpirtra të ri po mbjellin vetëm smirë e zi. Nga veprat e tyre po dalin të larë, po i japin së keqes mundësi. Për ata që dëgjojnë, unë po ju them se nuk është mëkat të dilet në rrugë, mëkat është të vrasësh shpresën e një populli. Po rastisa të flasë gjë tjetër, që të gjithë do ju marrë gjumi e lumi. Pini, e ndokush nga ju t’ia marrë ndonjë kënge për zi.

(Autori ka studiuar Shkencat e Komunikimit në Universitetin e Europës Juglindore)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00