Home | Opinion | “Kosovarët”

“Kosovarët”

image
Nëse nocionit “kosovarët” i jepet kuptimi ekskluzivist, përjashtues, deri edhe detyrimin që të harrojmë nocionin shqiptar, pra në formën e një nacionalizmi kosovar, kjo thjesht duket si një marifet miop dhe jetëshkurtër.

 

 

 


Nga Shkelzen Maliqi

 


Ish Kryeministri i Britanisë Tony Blair dhe Ministri ynë i Jashtëm Skënder Hyseni i dhanë javën e kaluar zjarr argumentimeve shtesë triumfaliste të atyre që angazhohen për përdorimin e nocionit “kosovar” në kuptimin e një “kombi të ri”, që sipas tyre tashmë duhet të ekzistojë me vetë faktin e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Tony Blair i quajti nikoqirët e tij “kosovarë”, duke iu drejtuar kështu të gjithë qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Edhe Skënder Hyseni në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit kushtuar Kosovës foli në emër të të gjithë kosovarëve, duke hyrë kështu në një polemikë me Kryetarin e Serbisë Boris Tadic, të cilit ky përgjithësim nuk i pëlqeu, sepse nuk u pajtua që serbët e Kosovës të futen në një nocion paketë “kosovarët”. Ai nguli këmbë që në KS duhet të flitet për të drejtat etnike serbe dhe jo për të drejtat e “kosovarëve”.

Skënder Hyseni u pa si fitues i debatit, sepse Tadic e lëshoi mbledhjen. Kështu, Ministri i Jashtëm mori shumë lëvdata, madje edhe prej atyre që përndryshe nuk e kanë shumë për qejfi si politikan. Polemika u paraqit sikur një ndeshje e atyre që përfaqësojnë botëkuptime të vjetra etnocentrike dhe nacionaliste (Tadic), me botëkuptimin e ri jo-etnocentrik dhe antinacionalist (Hyseni).

Para së gjithash, për të qenë korrekt, nocioni “kosovar” nuk është ndonjë shpikje e re e edhe më pak shpikje teorike. Ky nocion është në përdorim prej shumë kohësh dhe emërton të gjithë banorët e Kosovës pa dallim përkatësie etnike. Dhe ka qenë fare e natyrshme që Tony Blair t’u drejtohet kosovarëve, sikundër që kanë qenë e natyrshme që edhe Skënder Hyseni të flasë se Qeveria e Kosovës angazhohet për të drejtat e barabarta të të gjithë kosovarëve, pa dallim etnie dhe feje.

Në këto kontekste nuk ka asgjë për të mistifikuar tek nocioni “kosovarët”.

Kuptohet, një politizim ndodhi me intervenimin e Tadicit, i cili e kundërshtoi nocionin “kosovarët” të Hysenit, mbase jo vetëm pse është etnocentrist dhe e ka idenë e copëtimit etnik të Kosovës, por edhe ngase edhe atij i kishte tingëlluar për të keq aspirata e supozuar “kombëtare” e nocionit “kosovarët”, pasi që Kosovën assesi nuk e pranon si shtet, por vetëm si një krahinë të rebeluar të Serbisë. Me logjikën e atyre që angazhohen për shtetin komb, në konceptin e Tadicit do të dilte se të gjithë kosovarët i takojnë shtetit dhe kombit serb.

Për nocionin “kosovarët” edhe një herë duhet të sqarohet se nuk është assesi një emërtim i ri për identitetin tonë që duhet të zëvendësojë nocionet e vjetra identitare. Po, banorët e shtetit të ri të Kosovës mund të quhen pa problem “kosovarë”, por kjo nuk sjell ndryshim në çështjen identitare relativisht komplekse të tyre, pos ndryshimit tashmë të ndodhur të statusit shtetëror të territorit: Kosova ka qenë më parë pjesë e Jugosllavisë dhe Serbisë, dhe tani është shtet i pavarur. Në konfiguracionin identitar përkatësitë kanë mbetur po ato që kanë qenë: kemi kosovarë të përkatësive etnike si dhe fetare të ndryshme, dhe vetëm te disa, një pakicë kryesisht serbe, nuk pranohet ende përkatësia territoriale dhe shtetësia e re kosovare.

Mbase pas 50 apo 100 vjetësh, kur të stabilizohet gjendja dhe harrohen luftërat dhe mëritë ndëretnike, mund të ndodhë që nocioni “kosovar” të bëhet i barazvlerëshëm me nocionin “zviceran” edhe në një kuptim specifik “kombëtar”.

Por, sot kjo nuk duket si një gjë që kuptohet lehtë përderisa “përkatësia kombëtare” konceptohet te shumica dërmuese para së gjithash si “përkatësi etnike”. Nocioni “kosovar”, prandaj, është një nocion i përbërë, që emërton shtetasit e Kosovës (“shtetësia kosovare” shënohet në pasaportat) me përkatësi të ndryshme kombëtare/etnike: shqiptarët, serbët, boshnjakët/myslimanët, turqit, ashkalitë, romët etj.

Identiteti i përbërë karakterizon shtetin e ri të Kosovës. Ne kemi brenda vetës disa përkatësi të ndryshme, p.sh. mund të jemi me kombësi shqiptarë, dhe me fe myslimane, apo katolike, apo ortodokse, sikundër edhe të jemi ateistë, dhe njëkohësisht të jemi shtetas kosovarë.

Si shtet laik dhe shtet i të drejtave qytetare, edhe pse shumica dërmuese e shtetasve të Kosovës jemi shqiptar për nga kombësia/etnia, Kosova është duke i ndërtuar institucionet dhe normat ligjore që mbrojnë diversitetin dhe të drejtat e pakicave (jo vetëm atyre etnike por edhe të orientimeve), si dhe kompleksitetin e identiteve dhe të drejtat e patjetërsueshme të individit.

Vetëm se në ditën e sotme identitet etnike dhe, nëse doni, ndjenjat nacionale dhe nacionaliste, nuk janë për të nënçmuar ose injoruar si botëkuptim dhe pjesë e patjetërsueshme e vetëdijes së shumë njerëzve. As Zvicra nuk është bërë çfarë është me ndonjë dekret shteformues. Zgjidhja racionale e ndarjes se vendit në shumë kantone është gjetur hap pas hapi, pas shumë konflikteve të përgjakshme që kanë zgjatur disa shekuj, dhe assesi jo me imponim të ndonjë identiteti dominues dhe suprem zviceran, por si baraspeshë e të gjitha identiteteve etnike, gjuhësore dhe fetare.

Nëse nocionit “kosovarët” i jepet kuptimi ekskluzivist, përjashtues, deri edhe detyrimin që të harrojmë nocionin shqiptar, pra në formën e një nacionalizmi kosovar, kjo thjesht duket si një marifet miop dhe jetëshkurtër. E përzini një identitet ekskluziv nga dera, dhe e futni një tjetër të ngjashëm, nga dritarja. YllPress

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00