Home | Opinion | Sui generis

Sui generis

image
Të gjitha parashikimet flasin se verdikti i GJND’së do të jetë në favor të Kosovës, edhe në rast se ky trup më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare shprehet me formulime asnjanëse, relativizuese dhe “diplomatike”, që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.

 

 

 

Shkëlzen Maliqi

 


Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës do të shpallet këtë javë, me 22 korrik. Pas shqyrtimeve disa muajshe, GJND ka përgatitur përgjigjen në pyetjen e Serbisë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës, e “njëanshme” sipas pretendimit të Beogradit zyrtar, ka qenë akt i cenimit të së drejtës ndërkombëtare. Çfarë do të jetë përgjigja, nuk dihet. Ka vetëm spekulime të bazuara në profilet dhe përfaqësimet e 15 gjykatësve që përbëjnë trupin vendimmarrës. Disa thonë se raporti është 8 me 7 në favor të Serbisë, disa e përmbysin në 8 me 7 për Kosovën, por ka edhe që thonë se do të jetë 7 me 7, sepse gjykatësi i Kinës në ndërkohë është larguar nga paneli, për shkaqe shëndetësore.

Këto spekulime sigurisht se parandjellin pasojat e një verdikti që do të ketë rëndësi të madhe politike dhe për të drejtën ndërkombëtare. Mirëpo, vetë verdikti nuk do të jetë obligativ për askënd. Ai e ka vetëm vlerën e një mendimi këshillëdhënës, që i kthehet Asamblesë Gjenarale të OKB’së, e cila edhe ia ka dhënë detyrën GJND’së që të bëjë ekspertizën juridike.

Pas përgjigjes, çfarëdo që ajo të jetë, çështja do të procedohet në OKB ku do të vendoset se a do të trajtohet Kosova edhe më tej si çështje e hapur dhe e pazgjidhur, që kërkon negociata të reja, apo do të arkivohet si çështje e zgjidhur. Kjo e dyta do të ndodh pashmangshëm nëse GJND konstaton se me pavarësimin e Kosovës nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare.

Por, të gjitha parashikimet flasin se verdikti i GJND’së do të jetë në favor të Kosovës, edhe në rast se ky trup më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare shprehet me formulime asnjanëse, relativizuese dhe “diplomatike”, që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Në Kosovë dhe në vendet Perëndimore deri më sot ka mbizotëruar optimizmi rreth mendimit të GJND’së, kështu që nuk janë analizuar gati aspak pasojat dhe veprimet në rast se ndodh skenari negativ. A është i mundshëm ky skenar? Parimisht, po. Vendimin e marrin 15 gjykatës, sipas bindjes së tyre. Dhe skenari negativ mund të ndodhë edhe nëse qëllon që shumica e gjykatësve në panelin për Kosovën e kanë bindjen se pavarësia ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Por, mund të ndodhë që disa prej tyre të mos e gjykojnë çështjen paanshëm por të udhëhequr nga doktrinat e ndryshme mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve, ose edhe të ndikuar drejtpërsëdrejti nga politikat dhe interesat e veçanta të shteteve nga të cilët vijnë.

Një mendimi i prerë se shpallja e pavarësisë ka qenë kundër parimeve të së drejtës ndërkombëtare, sigurisht se do të sillte mjaft komplikime politike dhe procesuale edhe për Kosovën, edhe për faktorët ndërkombëtarë që i kanë dhënë deri më sot vulën zgjidhjes së krizës shumëvjeçare. Por, kjo do të çonte vetëm te vazhdimi dhe komplikimi relativ i krizës, dhe jo në anulim të pavarësia.

Kosovën tashmë e kanë njohur 69 shtete, ndër to edhe tri nga pesë superfuqitë që e kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit (SHBA, Britania e Madhe, Franca), dhe po kështu e kanë njohur edhe 23 vende të BE’së, kështu që është gati e pamundur as të imagjinohet se të gjitha këto shtete do të ndryshonin qasjen e tyre ndaj Kosovës për shkak të një verdikti jo-obligues nga GJND.

Kam dëgjuar këto ditë një spekulim që shpjegon arsyen e ftesës që i është bërë Kryeministrit Thaçi për vizitë në SHBA, në prag të verdiktit të GJND’së. I bazuar në teorinë e konspiracionit, ky spekulim pohon se Qeveria Amerikane tashmë është në dijeni për mendimin negativ të GJND’së rreth shpalljes së pavarësisë, (sepse votimi është bërë, ka mbetur vetëm të shpallet) andaj edhe e ka ftuar Thaçin për ta përgatitur dhe zbutur për kompromiset e pashmangshme, para së gjithash ato territoriale, që janë projektuar si dalje nga kriza e re.

Kështu vlerësohet edhe njoftimi i BE’së se më 26 korrik do të mbajë një konsultë për definimin e qasjes unike ndaj çështjes së Kosovës pas shpalljes së mendimit të GJND’së.

Mendoj se nuk ka arsye për shqetësime të tilla. Verdikti eventual i GJND’së kundër pavarësisë së Kosovës, nuk besoj se do të shqetësojë Washingtonin dhe Brukselin, në masën që këto superfuqi t‘i përmbysin parimet dhe qëndrimet e njohura për Kosovën. Propaganda e Beogradit shpesh insiston në atë se legalizimi i pavarësisë së Kosovës edhe nga GJND praktikisht çon drejt shembjes së tërë sistemit ndërkombëtar, pasi që brenda disa viteve anembanë botës do të ndodhin, si në Kosovë, shumë shpallje “të njëanshme” të shteteve të pavarura që lëvizjet separatiste, me dhunë apo vetëvendosje, shkëputen nga shtetet sovrane.

Por, janë 99 % të gjasave që këto spekulime janë të kota, sikundër edhe alarmet e Serbisë për prishjen e rendit botëror. Unë besoj se gjykatësit e GJND’së nga arsenali i madh i argumenteve në favor të pavarësisë së Kosovës, nuk do të harrojnë atë kapakun që mbyll konfliktin e dy parimeve të së drejtës ndërkombëtare, të parimit mbi pacenueshmërinë e shteteve sovrane, dhe të parimit të së drejtës së vetëvendosjes të popujve të shtypur. Ky kapak është formulimi se pavarësia e Kosovës është një proces sui generis.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00