Perfekt
Haga e 22 Korrikut, në të vërtetë, nuk ishte gjithaq triumf i Kosovës (ajo e bëri aktin e saj të madh me 17 Shkurt 2008), sa ishte dështim dhe disfatë e thellë e Serbisë.
Shkelzen Maliqi
Ishte vërtet një çast i ekzaltimit kur pas një ore të leximit të verdiktit, Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Hisashi Owada, me gjithë ato parantezat dhe argumentet e shumta dhe komplekse juridike, historike, politike dhe analogjike, e tha befasisht fjalinë thelbësore me një gjykim të kristaltë dhe të prerë: “Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.
E dëshironim dhe ishim të bindur se ky duhet të ishte vendimi më i drejtë dhe më i merituar, por kishim drojë se nuk do të thuhej bash kështu, me këto fjalë të qarta. E prisnim se vendimi do të jetë disi më me rrotulla dhe me konsiderata edhe për parimin kryesor të së drejtës ndërkombëtare, në të cilën thirrej Serbia kur ia drejtoi pyetjen Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, dhe kjo ia pasoi GJND’së në Hagë që të japë përgjigje juridike se a është shpallja e “njëanshme” e pavarësisë së Kosovës akt i kundërligjshëm sipas drejtësisë ndërkombëtare. Deklaronim që fitore do të jetë edhe një përgjigje jodecidive për kontestin, vetëm që verdikti i 15 gjykatësve të mos jetë në favor të Serbisë.
Madje, e përgatisnim veten edhe për një vendim negativ të GJND’së për Kosovën, por që nuk do të jetë assesi obligativ, por vetëm këshillëdhënës, pa ndonjë fuqi kundrejt realitetit të krijuar dhe përkrahjes të fuqishme të pavarësisë nga superfuqitë më të rëndësishme botërore, shumica e vendeve të BE’së dhe pothuajse të gjitha vendeve të rajonit.
Por, Hisashi Owada na hoqi gurin e dyshimeve dhe frikës. Dhe ky gur, ose më parë shkëmb i gjykimit të drejtë, rëndon fuqishëm mbi Serbinë.
Haga e 22 korrikut, në të vërtetë, nuk ishte gjithaq triumf i Kosovës (ajo e bëri aktin e saj të madh me 17 shkurt 2008), sa ishte dështim dhe disfatë e thellë e Serbisë. Definitivisht u shemb ambicia e Serbisë që ta ndalë rrotën e historisë, ose edhe ta kthejë atë mbrapa.
Sigurisht, për Kosovën vendimi i GJND’së është me rëndësi të madhe, sepse i jep fund dyshimeve dhe e bën pavarësinë legjitime. Kosova tash e ka rrugën e hapur që të bëhet anëtare e barabartë me shtetet tjera sovrane, anëtare e OKB’së dhe pjesë e të gjitha organizmave tjera ndërkombëtare. Pritet që shumë shpejt të nisin njohjet e reja, që do ta bllokojnë edhe përpjekjen e radhës së Serbisë që ta bëjë kthesën me mjete diplomatike. Fill pas disfatës, Beogradi ka paralajmëruar se çështjen do ta bartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së. Kryetari Boris Tadic ka angazhuar rreth 20 diplomatë serbë të karrierës që do të dërgohen në më shumë se 50 shtete me dy qëllime: që të lobojnë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe ta përgatisin rezolutën kundër pavarësisë që do t’i ofrohet Asamblesë në shtator.
Dhe ashtu sikur që në Kosovë argumentohej më parë nga frika se GJND’ja nuk do ta përkrahë shpalljen e pavarësisë – që vendimi i GJND’së nuk është vendimtar, sepse e ka karakterin këshillëdhënës – tash nga Beogradi po nxirret ky argument për vazhdimin e betejës së tyre për Kosovën. Ata thonë se ky vendim i 22 korrikut nuk është obligativ, është një këshillë dhe mendim, kurse verdikti meritor i takon Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së.
Kuptohet, për ne nuk është më aq interesante se çka do të bëjë Serbia, e cila ka vendosur që ta luajë deri në fund këtë betejë të humbur.
Qeveria jonë, opozita dhe opinioni, duhet t’i kthehen detyrës së ndërtimit të shtetit funksional, pasi që më nuk do t’i kemi ato pengesa dhe obstruksione që i nxirrte Serbia me disa shtete aleate të saj, si dhe çarja e vogël që ishte krijuar në BE, për shkak se pesë shtete anëtare këmbëngulnin se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, të paktën deri në vendimin e GJND’së. Tash që e kemi vendimin, edhe kjo mund të ndryshojë. Aq më parë që në verdiktin e GJND’së, nëse e kemi dëgjuar me vëmendje, është integruar edhe një vlerësim shumë i rëndësishëm - çështja e Kosovës nuk mund të shërbejë si precedencë për asnjë kërkesë separatiste në botë, argument ky që përndryshe ka qenë gogoli kryesor i Serbisë dhe Rusisë kundër legjitimimit të pavarësisë së Kosovës. Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia, tash nuk kanë pse t’i frikësohen precedentit që do t’i trimëronte separatizmat në këto vende.
Me gjykimin e GJND’së i jepet fund edhe spekulimeve të atyre forcave skeptike brenda Kosovës, të cilat gjithë procesin e pavarësimit të Kosovës, nga Rambujeja e deri më sot, e kanë vlerësuar si “përgatitje të terrenit për riintegrimin e Kosovës në Serbi”, ose “për një varësi të sofistikuar të Kosovës nga Serbia”, duke e hedhur në pleh Planin e Ahtisaarit. Këto forca u demantuan në shumicën e çështjeve që alarmonin, sepse Kosova e siguroi vulën e sovranitetit të plotë, ky përfshihet edhe integriteti territorial, nga një instancë tejet meritore.
Të themi të drejtën, sovraniteti i Kosovës ende nuk është realizuar në plotëni, ngase edhe për një kohë do të duhej të jemi nën mbikëqyrjen dhe asistencën e EULEX’it.
Mendoj se kjo mbikëqyrje dhe asistencë në vendosjen e ligjshmërisë dhe ndjekjen e korrupsionit është në dobi të Kosovës. Por, do të vjen dita, jo edhe aq e largët, kur as kjo asistencë nuk do të na duhet dhe do të dalim sovranë në çdo pikëpamje - me qeveri funksionale, me armatën tonë, me perspektivë zhvillimore, me një elitë politike dhe ekonomike të ndërgjegjshme, duke i realizuar hap pas hapi edhe objektivat e mëdha të integrimeve euroatlantike.
Comments (0 posted)
Post your comment