Diplomaci për diplomacinë
Diplomacia shqiptare ka nevojë për frymëmarrje të re dhe kjo s’ka dyshim është rrjedhojë e zhvillimeve rajonale e me gjerë evropiane.
Vladimir Lame*
Nuk ka rëndësi largësia nga vendi yt në këtë botë globale, që të joshesh me çudirat që të përcillen nga Tirana. Duhet të flasim e të lexojmë sërish faqe të tëra gazetash për anonimet, për ata të kudogjendurit që papritmas të shfaqen në maja piramidash, të ngritura tashmë edhe me mure diplomatike.
Fatkeqësia e të qenurit vend i vogël, na ka bërë të jemi edhe më kuriozë për njëri-tjetrin dhe botën që na rrethon.
Ndonëse në pikëpamjen diplomatike më jetësore, atë të lëvizjes së lirë, jemi sërish mbetëm vendi evropian më i izoluar nga ajo që mua e ndoshta shumë të tjerëve na pëlqen ta quajmë sërish bota e lirë. Aq më e dukshme bëhet kjo, kur nga përvoja gazetareske më ka rënë të ndeshem shpesh me lista vendesh, ku Shqipëria renditet me aspak dinjitet përkrah Ganes, Kenias Burundit apo Koresë së Veriut për kushtet që shtetasit e saj duhet të plotësojnë për të aplikuar për një vizë, qoftë kjo edhe ukrainase apo moldave. Nuk mund ta them se kjo është barra e njerëzve anonimë që vegjetojnë nëpër zyrat tona diplomatike në Tiranë apo nëpër botë, por një mendje ma thotë që kjo histori anonimesh një ditë duhet të marrë fund.
Mungesa e programeve dhe vizioneve ambicioze për të shfrytëzuar kapacitetin e diasporës tradicionale shqiptare dhe të emigracionit të ri masiv ka krijuar vakume inaktiviteti dhe steriliteti në punën e ambasadave tona. P.sh: janë bërë tashmë dy-tri breza studentësh dhe specialistësh të diplomuar jashtë shtetit, një pjesë e të cilëve janë integruar, madje deri në shtetas të Perëndimit, por një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk ka mundur ta sigurojë as këtë mundësi rikthimi në atdhe. Diplomacia shqiptare ka nevojë për frymëmarrje të re dhe kjo s’ka dyshim është rrjedhojë e zhvillimeve rajonale e me gjerë evropiane. Sërish fokusi kryesor bie mbi përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, një front ku diplomatët tanë duhet të zënë vijën e parë. Një rol të dorës së parë merr për këtë, fuqizimi i përfaqësive tona në Uashington dhe në Bruksel.
A kanë pyetur ndonjëherë në Tiranën zyrtare, në atë të djeshmen e të sotmen, cilët janë këta njerëz të stivosur nëpër zyrat e plogështa të diplomacisë shqiptare. Pas dyerve të mbyllura të këtyre zonjushave apo zotërinjve flokëbardhë të ardhur me valixhe të rënda diplomatike nga Tirana e rrethet vazhdojnë të presin studentë të porsaardhur e më më pak shpresë, ata që kanë vite mbi librat e universiteteve të huaja. Problemi që shtrohet është nëse duam të përmirësojmë imazhin tonë pranë klasës politike të vendeve perëndimore apo pranë opinioneve publike të vendeve perëndimore. Kur synon Uashingtonin dhe Brukselin, sigurisht synohen me prioritet politikanët amerikanë dhe ata evropianë.
Ndonëse largpamëse në sipërfaqe, kjo strategji është, megjithatë, sterile në përmbajtje. Klasa politike perëndimore nuk është aspak në pritje të ethshme të raporteve të ambasadorëve tanë, atje që ajo të ndryshojë opinion mbi Shqipërinë. Këtë rol e kryejnë fare mirë ambasadori amerikan dhe ata të vendeve të Bashkimit Evropian, të akredituar në Shqipëri. Nuk është sekret që këta të fundit janë shumë më mirë në dijeni të situatës te ne, sesa vetë diplomatët shqiptarë. Përveçse janë më të besueshme, raportet e tyre janë edhe më të këndshme për t’u lexuar apo për t’u dëgjuar se ato të diplomatëve shqiptarë. Të synosh, pra, klasën politike perëndimore për të bërë prozelitizëm proshqiptar me anë të diplomatëve tanë, është si të bësh një vrimë në ujë.
Shënjestra jonë duhet të jetë pa ngurrim opinioni i vendeve perëndimore, përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë civile të këtyre opinioneve, në fushën e artit, të mediave, të shkencës, të ekonomisë, të organizatave joqeveritare, si tejçuesit më efikasë të imazhit të Shqipërisë tek opinioni dhe klasa politike e vendeve të tyre. Në këtë pikëpamje, nuk është personeli i ambasadave tona në Uashington dhe në Bruksel që duhet përforcuar, por mjetet informatike dhe marrëdhëniet publike të të gjitha ambasadave tona, pa përjashtim, në Perëndim. Përpara se të japin urdhra e direktiva, a janë të aftë politikanët tanë t’i akordojnë më shumë mjete buxhetore diplomacisë sonë, të shkrira në albume fotografike, harta turistike, publikime të karakterit ekonomik, videokaseta me xhirime nga pasuritë tona natyrore për të treguar potencialin tonë gjeologjik dhe atë turistik, libra të autorëve tanë të përkthyer në gjuhë të huaj me subvencim nga shteti, kurse në gjuhë shqipe, seminare për ata biznesmenë të huaj që duan të njohin e të investojnë në Shqipëri.
Shkurt, a jemi të aftë financiarisht për një diplomaci, të paktën 10% aktive sa ç’ishte ajo e kohës së monizmit dhe sa ç’është ajo e shumë vendeve të Evropës Lindore sot në Perëndim. Vetëm po fituam zemrat e opinioneve publike të vendeve perëndimore kemi fituar edhe interesimin e politikanëve të këtyre vendeve dhe aspak e kundërta. Të huajt e zbatojnë më mirë se ne këtë parim. Mos të gabojmë, pra, shënjestër. Prioriteti është diplomacia ekonomike dhe kulturore e, më pas, ajo politike. Nëse ka pak kohë të lirë ambasadori ynë në Paris, Londër a Romë, mos ta humbasë atë plotësisht në korridoret e hoteleve luksoze apo salloneve të pritjeve, ku vetëm shijohet në mënyre pasive atmosfera luksoze, por duhet zbritur edhe atje ku prodhohet, ku hartohen plane rajonale investimesh, atje ku ekspertë biznesi kanë projekte dhe synojnë terrene të lira me kosto të ulët të krahut të punës.
Këta diplomatë që deri më dje kanë vazhduar rutinën, duhet të marrin mundimin të hedhin në letër e të shpjegojë me argumente të shifruara, sesa ndjeshëm ulet kostoja e prodhimit dhe e transportit në Shqipëri, në krahasim me “parajsat” e tjera fiskale që ata kanë zgjedhur. Është praktike, normale, që ambasadat tona marrin me dhjetëra letra ku kërkohet informacion i llojit ekonomik mbi Shqipërinë apo propozohen biznese të ndryshme. Në më të mirën e rasteve, këto letra lexohen, përkthehen e dërgohen dhe arkivohen “pa vazhdim” në dosjet plot pluhur të Ministrisë sonë të Jashtme. Në më të keqen e rasteve, ato nuk lexohen fare dhe asgjësohen, pasi atasheu ynë tregtar nuk e njeh gjuhën e vendit ku është atashuar. Ky është krimi më i madh që mund t’i bëhet interesit të Shqipërisë në epokën e globalizimit, ku të gjitha diplomacitë janë thellësisht diplomaci ekonomike. Sot, industritë perëndimore sa vijnë e po delokalizohen në lindje të kontinentit tonë e deri në Azi, të joshura nga çmimi i ulët i fuqisë punëtore dhe taksat e pakta.
Është fatkeqësi që Shqipëria nuk po përfiton asgjë, pasi e gjithë vigjilenca e diplomatëve tanë po orientohet artificialisht drejt operetës monotono-burokratike të asocim-stabilizimit, duke neglizhuar aktorët ekonomikë të vendeve të BE-së. Duhet iniciuar pa humbur kohë një revistë apo një faqe internet në Shqipëri, ku të publikohen të përmbledhura të gjitha ofertat e panumërta ekonomike që marrin ambasadat tona, në mënyrë që biznesmenët tanë të reagojnë atje ku atashetë tanë tregtarë kanë kapitulluar me kohë. Po ashtu, në planin kulturor, të mendohet një sistem më i ulët qirash për banesat e diplomatëve tanë, që s’është nevoja t’i strehojmë absolutisht në qendër të metropoleve dhe, me fondet e kursyera, të hapen qendra kulturore shqiptare në çdo kryeqytet perëndimor.
Me rritjen e numrit të emigrantëve dhe shtimin e diasporës sonë jashtë, këto qendra fare mirë mund të vetëfinancoheshin me pas, duke dhënë mësim në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë që lindin jashtë e që prindërit nuk duan me çfarëdolloj çmimi t’i shkëputin nga kultura e vendit amë. Sistemi i “aleancave franceze” që vetëfinancohen me anë të kurseve të gjuhës frënge është një shembull që mund të na frymëzojë. Së fundi, pas ekonomisë dhe kulturës , një aks i tretë jo më pak i rëndësishëm, ai konsullor. Nuk është fjala thjesht t’u vihet në ndihmë emigrantëve shqiptarë jashtë, ashtu siç e do etika e një shteti modern. Behët fjala për një mision absolutisht të domosdoshëm, regjistrimi në fletoret e posaçme të kombit të çdolloj ndryshimi në statusin civil të shtetasve që mbajnë kombësinë shqiptare jashtë shtetit.
Është turp dhe e pajustifikueshme për administratën tonë konsullore që, shqiptarë të martuar jashtë, me shtetase të huaja, figurojnë ende beqarë apo të divorcuar në Shqipëri. Regjistrimi i identitetit dhe statusit civil të shtetasve është detyra parësore e një shteti. Sapo një martesë mikse ndodh jashtë, bashkia që e ka celebruar atë, me shumë profesionalizëm, informon ambasadën tonë. Por aty, mjerisht, zinxhiri pritet, pasi informacioni nuk përcillet në Tiranë. Kusurin e një papërgjegjësie të tillë do ta vuajmë rëndë më vonë me ndërlikimet e pallogaritshme juridike që do të lindin, pasi janë me mijëra e mijëra shqiptarë që martohen çdo vit jashtë shtetit nën indiferentizmin e plotë statistikor të autoriteteve shqiptare.
Kantieret e diplomacisë shqiptare janë të shumta dhe, pas fjalimeve të bukura, duhen akte konkrete. Më shumë angazhim nga diplomatët që duhet të përgjegjësohen, me shumë angazhim nga shteti, që duhet të zgjidhë “qesen”. Pas reformës institucionale mund dhe duhet të flasim edhe për reformë diplomatike. Reformat në diplomaci duhet të përfshijnë së pari dikasterin e MPJ-së si drejtues i diplomacisë dhe si shkollë për diplomatë të rinj.
Këtu duhet të eliminohet tërësisht trafiku i influencës, klanizmi ashtu siç ka vend për një frymë tjetër përfshirëse në kuadrin e një diplomacie aktive e aspak anonime.
*PhD në Marrëdhëniet Ndërkombëtare
Comments (0 posted)
Post your comment